OPINION

Familja, çfarë po ndodh me të?!

07:45 - 27.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Përparim KABO

 

Para ndoca javësh ishte “Dita Ndërkombëtare e Familjes”. Më shumë se simbolika e datës do të duhet të na shqetësojë problematika e grumbulluar ndër vite, gjendja në të gjithë relievin e saj dhe tendencat për të ardhmen e afërt dhe atë të largët të familjes e shoqërisë. Nuk dëshiroj të jap përkufizime se ç’është familja dhe se cilat janë prerogativat e saj? Retorikat janë tjerrë aq keq e aq shëmtuar sa shpesh ndjen neveri kur i dëgjon. Përballë pompozitetit, shifrave dhe shfaqjeve tregimtare të institucioneve shtetërore të specializuara dhe organizatave të shoqërisë civile, ajo çka mbetet si realitet është shija e mosbesimit. Ditët e fundit si në një serial me vrasës po njihemi me akte që fëmijët vrasin prindërit, në prag të shtëpisë… dhe përpos lajmeve të medias… nuk ndodh asgjë. Askush nuk thërret një forum, askush nuk shkon të hetojë psikologjikisht dhe në aspektin antropologjik. Ministritë e linjës janë në gjumë ose gjysmëgjumë e gjysmëpushime. Familja është në hall, e shumëku në zgrip. Ne komplotojmë si shoqëri me heshtjen tonë, ose me ca lajme që humbin brenda ditës.

Le të hyjmë në zemër të problemit. A është e qëndrueshme familja në realitetin shqiptar dhe kur identifikojmë gjeografinë e gjendjes duhet të mbajmë parasysh familjet në Bytyç dhe Konispol, në Malësi të  Madhe dhe në Peqin, në Krum dhe në Libohovë, në fshat dhe në qytet, në zona të varfra dhe në qytete të mëdha, në zona të izoluara dhe në metropole. Nuk druhem të them se nuk është e qëndrueshme. Dua të ndaj me ju shqetësimin jo thjesht për të akuzuar, por që si “ambasador të paqes”[1] të përpiqemi çdo ditë për kurimin e gjendjes. Disa nga dukuritë më të kudotakuara janë. Ende ka shumë varfëri që bashkëshoqërohet diku me dëshpërim me mizerje dhe vetëflijime të prindërve të pafuqishëm. Herë-herë kudo e më shpesh takojmë pasiguri për të nesërmen dhe për këtë shkak ndeshemi me deformime të thella në personalitetin e njeriut, i cili i shtrënguar nga rrethanat e pafavorshme ikën nga vetja, tjetërsohet, e dorëzon lirin e të shprehurit dhe pajtohet në mënyrë konformiste me gjendjen që nuk është as demokratike e as në favorin e tij dhe të fëmijëve të vet. Është për të ardhur keq që në të gjithë historinë tonë kombëtare, madje edhe më herët filli zi antropologjik ka qenë varfëria. Për rrjedhojë, si njerëz dhe shoqëri kemi përjetuar vonesa historike, denigrimi dhe gjendje të tilla dëshpërimi që kur i sjell në mendje të lëndojnë thellë. Tash e 27 vite sistemi është ndryshe, i takon demokracisë institucionale dhe iniciativës së lirë në treg. E megjithatë, nga barazimtarimzi komunist kemi përfunduar në polarizmin pasuror të skajshëm, me një pakicë makute dhe tejet hedonike dhe me shumicën e popullit, që ka pasuri varfërinë e grumbulluar ndër vite. Nëse nuk dilet nga kjo gjendje, atëherë do të pranojmë disa pasoja, që shumë shpejt do shpaguajnë mbi ne si shoqëri. Nëse në familje të varfra lindin dhe rriten fëmijë të varfër, siguria shoqërore është e cenuar, kontingjentet që mund të kriminalizohen janë prezente thekshëm dhe filozofia e jetës për një masë të gjerë të rinjsh do të jetë… “të ikim nga ky vend”! Pra, zbrazja e atdheut, ky lloj pelegrinimi na pret. Sipas një studimi serioz, ata që janë larguar në dy vitet e fundit nga Shqipëria në masën 85% janë deri në moshën 35 vjeç. Po përjetojmë jo integrimin europian të vendit, për ikjen individuale dhe në grup për t’u integruar privatisht në një botë të zhvilluar. 200.000 persona kishin aplikuar këtë vit për lotarinë amerikane. Nëse personi është “bread ëinner”/// i familjes së vet dhe llogarisim që një familja ka minimum katër persona, në një aritmetikë të thjeshtë janë rreth 800.000 persona që duan të ikin nga atdheu.  Të duash vendin tënd do të thotë që të ndjehesh i përfillur, i respektuar, me dinjitet, me mundësi ndryshimi dhe zhvillimi, me shanse të barabarta. Si mëton sociologu britanik Anthony Giddens: “Njerëzit duhet të jenë të barabartë në mundësinë e vetëndryshimit”, ky është thelbi antropologjik i demokracisë jetësore. Çfarë do bënte të mundur daljen nga kjo gjendje. Së paku, tri gjëra: Edukimi shkollor dhe edukimi gjatë gjithë jetës. Prona personale dhe ajo familjare që duhet t’i shkojë të zotit, sepse vëmë re që shteti është në gjunjë përballë informalit dhe është shpinkthyer ndaj njeriut korrekt me ligjin, dhe e treta është punësimi. Punësimi i jep njeriut jo vetëm mundësinë për sigurimin ekonomik të familjes, por edhe dinjitet individual dhe dobishmëri shoqërore, e ndihmon të ndërtojë historinë personale. Sa kuptimplote janë fjalët, psh… “unë kam qenë 45 vjet mësues, ose mjekë apo gjeolog”. Ose kur dikush të thotë kam punuar 35 vjet në minierë apo në shërbimin ushtarak. Në lidhje me punësimin më duhet të ndaj edhe një qasje teorike dhe aplikative. Gabimisht këtu tek ne mendohet nga forcat politike dhe ekzekutivi cilido qoftë ai, se me të ardhur në pushtet, do hapen kaq e aq vende pune. Në një intervistë të saj, ish-ministria e Punës dhe e Çështjeve Sociale në RF Gjermane, zonja Ursula von der Leyen, e cila mendohet se mund të jetë edhe kancelarja e ardhshme e RFGJ-s, pyetjes se sa vende pune do të hapni, ju përgjigj. “Më falni, kjo pyetje nuk bën sens, vendet e punës i hap tregu, jo qeveria. Qeveria mbështet me politika lehtësuese tregun, me legjislacion, me mundësi rikualifikimi dhe shkollimi të pandërprerë, me hartim të strategjive të zhvillimit etj”. Aktualisht jemi në periudhën e dëgjimit popullor pas-fushatës elektorale për zgjedhje të përgjithshme parlamentare. Dëgjojmë dhe çfarë nuk dëgjojmë, ankesa dhe premtime, romuze dhe kërcënime, por zërin e sinqertë të arsyes nuk e dëgjojmë se ai nuk është i pranishëm. Politikat socialdemokrate, por edhe ato liberaldemokrate kanë si objektiv që secili me punën që bën të ketë të garantuar një pagë dinjitoze, me qëllim që në vite me të, të grumbullojë pasuri monetare dhe me to të sigurojë pronë. Trinomi është: paga-pasuri monetare-prona. Ja përse dhe të majtët dhe të djathtët tek ne rrahin ujë në hava dhe vitet ikin dhe njerëzit nga ëndërrimet dhe iluzionet kanë mbetur peng e zhgënjimit dhe diziluzioneve. Përpos aspektit ekonomik, familja ka nevojë edhe për nja dy-tre trarë të tjerë mbështetës. Duhet mbajtur e shëndetshme tradita, me vlerat e saj më të mira. Moderniteti sotëm është më shumë një bojatisje, sepse shoqëria jonë është në shtratin e tri revolucioneve, që Europa i ka kaluar disa dekada më parë dhe ata janë, revolucioni rinisë, revolucioni feminist dhe revolucioni seksual. Heshtja për këto rrjedha tronditëse paguhet pothuaj se çdo ditë me eksese dhe në disa raste ekstreme edhe me viktima. Bota globale me atë që ajo e quan mobiliteti-lëvizja, ka sjellë si pasojë familje të ndara, të copëtuara me trauma të mëdha deri në raste të një kriptoseksualiteti, sepse partnerët e shkëputur për një kohë të gjatë nisin jetët seksuale paralele atje ku janë. Aq e vërtetë saqë takojmë edhe episode të incestit seksual. Një tjetër shqetësim është prishja e harmonisë sociale dhe publike. Nëse një fëmijë që jeton në luks familjar e shpie luksin në shkollë, ai dëmton psikologjikisht dhe shpirtërisht fëmijët e tjerë, iu dëmton atyre gjendjen familjare, sepse ata ndjehen jo të barabartë, jo si moshatarët. Ndaj duhet që mësuesit t’i duan fëmijët në shkollë njësoj dhe t’i respektojnë në dinjitetin e moshës dhe jo nisur nga interesi dhe pasuritë e familjeve të tyre. T’i mbajmë fëmijët larg patologjisë së përpunimit me instrumente të dixhitalitetit të zgjuar. Bota e teknologjisë virtuale transmeton informacion, por nuk prodhon ndërgjegje, ndaj shumë miqësisht si prindër ju them, t’i duam fëmijët si na kanë dashur prindërit ne, ku primare është sinqeriteti, përkushtimi dhe dinjiteti njerëzor. Familja moderne në kuptimi e mirëfillit të këtij termi nuk ka braktisur disa parime shumë të rëndësishme dhe të kahershme si: Të mbetemi prindër dhe fëmijë gjatë gjithë jetës, pavarësisht nga mosha reciproke si brezni. Të ndërtojmë marrëdhënie brenda familjes të respektit reciprok, ndërmjetësuar nga autoriteti i negociushëm. T’i respektojmë të drejtat e fëmijëve. T’u japim përgjigje të gjitha pyetjeve të tyre. T’i edukojmë qysh herët që fëmijët në çdo rrethanë dhe rast të mbajnë përgjegjësitë e tyre. Unë e di, ne jemi të gjithë në kushtet që na rrezikohet filozofia jonë morale në sjelljen ndaj fëmijëve, sepse gjithçka ne u edukojmë bazuar në vlera dhe etikë, ndërshmëri dhe në marrëdhënie me të vërtetën është e anatemuar jashtë familjes, është e rrezikuar në realitetin që jetojmë, ku shpesh nuk ka rregulla loje, ka nepotizëm dhe klientelizëm, flitet për meritokraci, por ajo është me sa duket për konkurset për rojet e pyllit, pasi atje ku duhet nuk zbatohet. Çfarë të bëjmë, të tërhiqemi? T’u themi fëmijëve ‘bëni ç’u thotë rruga, imoraliteti, gënjeshtra, informaliteti dhe korrupsioni?!’. Kështu do t’i humbnim plotësisht fëmijët tanë. Shoqëria do të rrëzohej dhe e ardhmja jonë do të ishte më e keqe se pjesa e keqe e së tashmes. Mbajini fëmijët pranë, edukojini me dashurinë, paqen dhe lirinë që fal natyra, pa diferencime dhe diskriminime, sepse vetëm në një ambient të tillë të ngrohtë dhe human jeta merr kuptim. Gëzimi, pasuria e vetme që kemi për vete dhe nga vetja dhe që do të na mbajë të motivuar në jetë kryen misionin!

Ju faleminderit!

[1] Autori është ambasador i paqes qysh prej po thuaj dy vitesh…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.