SPORT

Muka tregon planin e Tiranës: 800 mijë euro nga shitjet. Ze Maria, trajner mbi mesataren

09:36 - 27.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Prej disa kohësh është përqendruar shumë te puna me të rinjtë dhe krahas titujve të fituar nga skuadrat e akademisë, të paktën katër apo pesë lojtarë shumë të vlefshëm, iu bashkuan ekipit të parë gjatë sezonit të shkuar. Rënia nga kategoria e ka rënduar shumë situatën në historinë e klubit bardheblu, por me këto ritme, e ardhmja pritet të ketë një tjetër “pllakë” te Tirana.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, drejtori sportiv i Tiranës, Devi Muka, ka sqaruar të gjithë situatën me lojtarët që kanë oferta në merkato, me strategjinë që do të ndiqet për Kategorinë e Parë dhe mbi të gjitha, për elementet e rëndësishëm që skuadra do të afrojë gjithmonë nga akademia në ekipin e parë. Sipas Mukës, shpërthimi i talenteve si Cake, Doka etj., nuk janë aspak rastësi, por janë fryt i një pune prej të paktën dy vitesh, që do të vazhdohet të bëhet me shumë seriozitet.

Muka, a mund të na thoni se cili është plani i Tiranës në merkato?

Presidenti ka një plan dhe po mendon që të shesë disa lojtarë. Gjithsesi, një pjesë e mirë e grupit do të qëndrojë gjatë gjithë vitit. Gjatë këtyre ditëve, është diskutuar shumë për disa elemente, tre apo katër prej tyre që të mund të shihet mundësia e largimit.

Në cilën fazë janë bisedimet dhe çfarë kërkesash ka klubi për ta?

Diskutimet janë të ndryshme dhe nuk mund të them një përgjigje të prerë për askënd prej tyre. Mos harroni që jemi në periudhë merkatoje dhe kudo në botë, finalizimi me firmë është e vetmja gjë e sigurt. Klube të ndryshme kanë shprehur kërkesa dhe kanë bërë propozime për disa nga futbollistët tanë dhe ne po negociojmë me kujdes, pasi nuk duam që të nxitohemi për askënd prej tyre.

Për kë nga lojtarët ka ofertë?

Emrat që janë lakuar edhe në media. Doka, Hoxhallari, Merveil dhe Akuah. Janë futbollistë për të cilët ka pasur oferta konkrete nga tregu i huaj.

Pak më konkretisht, çfarë ndodh me Merveilin?

Është një lojtar që ka spikatur dhe ka më tepër interesime dhe vlera e tij është më e lartë në krahasim me futbollistët e tjerë. Për momentin, jemi në pritje se si do të finalizohen interesimet e skuadrave dhe sa do të jenë të gatshme që të konkretizojnë me pagesat.

Mësohet se vlera e transferimit të Akuah dhe Merveil është 550 mijë euro…

Po, është e vërtetë. Rreth asaj shifre është diskutimi.

Po me Dokën?

Është lojtar i kërkuar në Kroaci, por jo vetëm. Duke qenë se nuk ka ende diçka shumë konkrete, nuk mund të jap emra. Por edhe për të ka pasur interesime dhe kanë qenë oferta të ndryshme dhe propozime të ndryshme që na janë bërë për formulën e transferimit.

Sa është shifra e pretenduar nga Tirana për këtë futbollist?

Shikoni, nuk ka asgjë fikse. Mirëpo, ne mendojmë që vlera e tij është rreth 250 mijë euro. Diskutimet për të kanë qenë edhe për t’u huazuar apo për të negociuar pronësinë e kartonit. E theksoj, jemi në pritje.

Shumë elementë kanë spikatur këtë sezon nga akademia. Mund të cilësohen si rastësia më e bukur e Tiranës së këtij viti?

Jo, jo! Kurrsesi nuk mund të them që janë rastësi. Flas për periudhën kur unë jam afruar te Tirana dhe di të them se ekipi i të rinjve diskutohej për rënien nga kategoria atë vit. Në harkun e gati dy viteve, si të rinjtë edhe paratërinjtë janë në majat e sipërme të klasifikimit. Paratërinjtë fituan kampionatin këtë vit. Kjo tregon se aty po punojmë me shumë kujdes dhe i kemi kushtuar shumë vëmendje. Shenjë e kësaj pune ishte edhe prodhimtaria e lojtarëve të rinj gjatë këtij sezoni.

Po thoni që klubi është fokusuar vetëm te akademia?

Jo, po them se rezultatet te skuadra e parë janë prioriteti kryesor, por duke punuar mirë dhe kujdesshëm me akademinë, atëherë Tirana, në të ardhmen do të gjejë mbështetje siç bëri edhe këtë vit. Jam fokusuar së tepërmi tek elementet e reja. Nga ajo që thashë pak më sipër, edhe në të ardhmen, po vjen një grup shumë i mirë futbollistësh të cilët do t’i sjellin ekipit përfitime të shumta. Në radhë të parë si elemente të vlefshme për t’u aktivizuar në organikë dhe së dyti për të ardhurat monetare që vijnë më pas nga shitja e tyre.

Duhet të jemi të qetë dhe t’u japim kohën e nevojshme të rinjve që të marrin formimin e duhur. Kam besim që do të ketë vazhdimësi. Megjithatë, me lojtarë nga mosha 17-19 vjeç, ekziston rreziku se luhaten dhe nuk e ruajnë gjithmonë formën e tyre. Për këtë, vendos shumë karakteri i vetë futbollistit se sa janë të gatshëm dhe të vendosur që të punojnë dhe të jenë të aftë për ekipin e parë. Sa i përket elementeve teknik, them që ka mjaftueshëm elemente te të cilët duhet besuar.

A ka Tirana një projekt për Kategorinë e Parë, pasi diskutohet vetëm merkato në dalje?

Aktualisht që flasim, jemi ende në kohë për të vendosur gjithçka. Meqenëse po flasim për shitje lojtarësh, këto përkthehen në të ardhura për klubin dhe kam bindjen që nuk do të kemi probleme për të ndërtuar ekipin e duhur për të Parën. Gjithmonë, do t’u japim dorë edhe lojtarëve të rinj nga akademia. Do të ketë 3 apo katër elemente të spikatura që do të afrohen për të plotësuar skuadrën. Jam i mendimit që besimi i klubit është te të rinjtë e talentuar, e ardhmja do të jetë e garantuar.

Me ardhjen e trajnerit brazilian, sa do të rritet cilësia e lojës së Tiranës?

Fillimisht, mendoj se është një trajner që di të vendosë skuadrën mjaft mirë në fushë. Edhe pse e kemi parë shumë pak, por duket qartë që është një trajner mbi mesataren. Edhe ndërrimet në të dyja ndeshjet, ishin të logjikshme, duke pasur parasysh që pati në dispozicion një ekip shumë të ri dhe me pak mundësi në stol. Për vetëm dy javë në drejtimin e ekipit, as ai nuk ka shkopin magjik dhe duhet të bënte namin. U mundua që të ruante ekuilibrat.

A rrezikon Tirana me Ze Marian në Kategorinë e Parë, duke qenë se nuk e njeh si funksionon?

Edhe nëse nuk e njeh Ze Maria, e njeh klubi dhe stafi. Duke qenë se e pranoi këtë sfidë që të drejtonte skuadrën në këtë kategori, atëherë unë kam besim te impenjimi i tij me ekipin, por edhe për të mësuar si është futbolli në Shqipëri në këto nivele.

Së fundmi, Dede ka kritikuar klubin, ndër të tjera se Tirana është shndërruar si çerdhe, duke qenë se bashkë me lojtarët zbret në fushë edhe djali i trajnerit…

Ka qenë periudha e fillimit të trajnerit te Tirana. Ishin ditët e para kur nuk ishte stabilizuar si duhet, as ai dhe as familja e tij. Në fushë kanë qenë katër apo pesë trajnerë dhe nuk besoj se ka qenë problem ky fakt. Këto janë vendime që i merr presidenti, por unë mendoj se Ze Maria është shumë profesionist dhe nuk e shikoj kaq shumë problem që në dy ditët e para, djali i tij u fut në fushë.

Nuk besoj që gjatë kampionatit do të përsëritet kjo gjë. Ai është nivel i lartë trajneri dhe varet se sa ai do t’i përgjigjet ekipit dhe njëherazi sa do t’i përgjigjet ekipi atij. Për mua, marrëdhënia lojtar-trajner është shumë e rëndësishme. Dy javët e tij të para më lanë përshtypje pozitive.

A keni një plan për fazën përgatitore?

Kemi folur për disa mundësi, por ende nuk është saktësuar asgjë. Duke qenë periudhë pushimesh, duhet që më parë të grumbullohet ekipi dhe të diskutojmë edhe me trajnerin se cilën prej pistave do të zgjedhë. Në bazë të dëshirave dhe planit të tij, për vendin, klimën dhe metodologjinë e punës që ai do të ketë, do të marrim një vendim. Mbase Zllatibori do të jetë sërish si opsion.

Sipas jush, çfarë e pret Tiranën në Kategorinë e Parë?

Unë nuk dua të kthehem se çfarë ndodhi vitin që shkoi, me penalltitë apo gjërat e tjera, por di të them që nuk merituam që të zbrisnim në kategori më poshtë. Gjithsesi, ky është futbolli. Ndaj Tiranës, historikisht, ka luajtur fort çdo klub dhe çdo skuadër për vetë vlerat që ka fanella e këtij klubit. Çdo lojtar e ka ëndërr ta veshë të paktën një herë fanellën e Tiranës.

Pavarësisht çfarë ndodhi vitet e fundit, Tirana mbetet Tiranë. Nuk duhet harruar se po kalon një tranzicion shumë të vështirë, pasi që në fillimet e Halilit, klubi kishte borxhe të jashtëzakonshme që na sollën probleme të shumta. Nuk duhet harruar që gjatë këtyre viteve është punuar shumë edhe për shlyerjen e tyre, krahas aktivitetit të klubit.

Raporti me tifozërinë. A është bërë diçka nga klubi për ta përmirësuar?

Unë e kuptoj grupimin e tifozërisë, pasi në vitet e fundit të karrierës sime si futbollist ata po krijoheshin, ndërkohë që sot janë grupim gjigand. Tifozët kanë ndikuar shumë, pasi nëse do të ishin në karter apo pse ndeshje në stadium, me euforinë që sjellin, ekipi do të kishte fituar edhe pa merituar në fushë. Në kuptimin që, gjendja e rënduar psikologjike që u krijua, do të shndërrohej në forcë e madhe.

Tirana ka pasur aq shumë probleme nga të gjitha anët, saqë edhe pjesa e tifozëve ka bërë të veten dhe na ka dëmtuar deri diku duke qenë se ishim ekip i ri. Ata kanë bërë zgjedhjen e tyre, por një bashkëbisedim mes tyre dhe klubit para kampionatit, do të jetë diçka fantastike nëse ndodh.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.