KULTURË

DOKUMENTET MBI HIMAREN/ Nga porti, te kishat dhe një letër e rrallë për kryepeshkopin

10:01 - 28.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Fatmira NIKOLLI

 

Mes të folmes gege e toske, në dokumente interesante mbi jetën e një qyteti, me imazhe pak të njohura, Himara e fillimshekullit të shkuar rishfaqet mes kërkesave nga më të thjeshta njerëzore deri tek ato më pak të imagjinueshmet për kohën.
Formular martese i një çifti nga Vunoi, telegram ku njoftohen studentët nga Himara se do të vazhdojnë shkollën e policisë në Itali më 1939, kërkesa e një banori që do rinovimin e lejes së gjuetisë, fotografi e deputetit të Himarës, Simon Simonidhi dhe një kërkesë e tij drejtuar Ministrisë së Punëve Botore për të vlerësuar mundësinë e ndërtimit të një porti në Himarë, kërkesë e himarjotit Petro Ndrenika, më 7.6. 1928, që i propozon qeverisë themelimin e një shoqërie dhe flote detare kombëtare nën drejtimin e të atit të tij, me arsyetimin se është detar i vjetër, e kapiten vaporësh; një vendim i Këshillit të Ministrave për të dhënë me qira 15-vjeçare Republikës Demokratike Gjermane 2 ha tokë në fshatin Dhërmi, me qëllim ndërtimin e një kampi turistik për rininë e lirë gjermane, një pikturë e piktorit italian Luigi Piffero me titull “Himara-La costa”, e shumëfishuar më 1940 si kartolinë për Entin Shqiptar të Turizmit, pamje bardhezi nga Himara janë veçse disa copëza të qytetit prej ku djemtë e bregut na vijnë përmes dokumentesh e fotografish, herë sqimatar e herë udhëheqës.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Bashkia e Himarës çelin sot ekspozitën “Himara në dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror – Ekspozitë dokumentare dhe fotografike”. Ekspozita çelet në Spile – Himarë Qendër (shëtitorja e Himarës) në orën 18:30. Të pranishëm në ceremoninë e hapjes do të jenë kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro dhe drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido.
Dokumente historike dhe fotografi të Himarës dhe fshatrave përreth, duke u përqendruar në gjysmën e parë të shek. XX sjellin në ditët tona veprimtarinë publike dhe private të banorëve të zonës, si dhe peizazhet e virgjëra të rivierës shqiptare, siç dukeshin pothuaj 100 vjet më parë. DPA shënon se publiku do të njihet me dokumentin e parë të vitit 1922, ku kërkohet krijimi i Bashkisë së Himarës, e cila në atë kohë ishte Nënprefekturë e Vlorës; me korrenspondencën e përditshme dhe praktike mes banorëve dhe autoriteteve shtetërore për problemet e shëndetit të njerëzve dhe të agrumeve; me të dhëna mbi numrin e banorëve – shënojmë se qyteti kishte 2429 banorë dhe gjithë nënprefektura 9100, nga të cilët 4560 qenë meshkuj dhe 4540 qenë femra; njihemi me kërkesat e thjeshta, si ato për bursa studimesh apo leje gjuetie; por edhe me kërkesa të rëndësisë publike, siç është rindërtimi i skelës së portit. Veçohet edhe nga Arkivi, marrëveshja mes Ministrisë së Punëve Botore me një shoqëri private më 1925 për ndërtimin e urës së Palasës, e cila pas më pak se 20 vite jetë u shkatërrua gjatë Luftës II Botërore, një histori e shoqëruar me dokumente dhe fotografi. Materiali fotografik tregon viset e krahinës së Himarës dhe personalitetet e atyre viseve, apo fabrikat e vajit para Luftës II Botërore. Mes dokumenteve që nuk i përkasin periudhës nga Pavarësia deri më 1944 paraqitet një pasaportë udhëtimi e lëshuar nga kavalieri Luigi de Medici i Toskanës për kavalierin Mihal Spiro nga Himara, më 7 maj 1829, në të cilën thuhet se “kërkojmë që të mos bezdiset në udhëtimet e tij”. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Bashkia e Himarës kërkojnë t’u ofrojnë banorëve apo pushuesve sezonalë edhe një mënyrë tjetër pushimi, përmes informimit dhe argëtimit me dokumente dhe fotografi. Po ashtu, institucionet tona kërkojnë të ndikojnë pozitivisht ndërgjegjësimin qytetar se vlerat e trashëgimisë së tundshme dhe të patundshme kulturore duhen ruajtur: jemi përdorures të tyre, nuk na përkasin ne, por brezave që do të vijnë.
PËR FE E ATDHE, EDHE NË JUG  
Ka mes të tjerash edhe një Sigjil të Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës, i cili konfirmon se Manastiri i Fjetjes së Hyjlindëses i njohur si Manastiri i Kamenës, është i çliruar nga çdo detyrim ndaj autoriteteve lokale kishtare dhe i përgjigjet administrativisht, Patriarkanës Ekunmenike dhe jo Peshkopatës së Himarës dhe Delvinës ku ndodhet gjeografikisht. Sigjili është nënshkruar më 5 tetor 1831 në Kostandinopojë nga Patriarku Kostandin.
Një letër, që mban datën 13 shkurt 1936 përmend frazën për ‘fe e atdhe’, siç përdorej nga urdhri françeskan e jezuit në veri.
Letra në fjalë është krejt njerëzore. Është një lutje e zv.prefektit të Himarës drejtuar Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për punësim të një teologu nga Himara. Letra, nëse kemi parasysh kohën kur është shkruar i ka shkuar kryepeshkopit Visarion Xhuvani. Shkëpusim me shkurtime: “Djaloshi Anastas Gjoka nga Himara, nji i pajosun me gjithë meritat e nevojshme… ka mbaruar seminarin theollogjik të Besarabisë, … asht patriot me ndjenja atdhedashurie për Kombin ashtu edhe ma shumë si për degën që ka studijue dhe për Kishën t’onë kombëtare, misionar i vërtetë saj… Tue pame situasionin e tij të vështirshme por edhe vullnetin e tij të çeliktë, me idetë që asht i pajosun, i lutem kryehirësis s’uaj qi t’i gjejë ndonjë manastir si kujdestar i ndonjë kishe a ndonjë psallt, ku veç mësimeve kishëtare munt të japë ndonjë mësim muzike fonetike të përgjithshme dhe në shkolla shtetnore. Ri-lutemi për hir të misionit të naltë qi jeni ngarkue e zhvilloni për Atdhe e Fe, mos lini rrugëve të tilla elemente, por shtrini dorën t’uaj mëshironjëse… Pranoni, fort i lumnueshmi Kryehirësi konsiderat t’na ma të çqueshme.. Me nderime nënprefekti Pandeli Papalilo”. Letra në fjalë duket se i shkon edhe ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme, me shënimin “lutemi mundësisht të ndërmjetësohet pranë Kryekishës e të shpëtohet një djalosh nga mizerija e jetesës, mbasi ky asht dhe një nga djemtë që meriton përkrahje si i partisë proshqiptare që asht tregue me fakte konkrete dhe “parashtrohet me lutje të ndërmjetësohet për sa më sipër në rast se shihet me nevojë, tue ju shtuar se ky asht i përbuzur prej minoritarëve për shkak se komandontej djalërinë në këngët e hymnet kombëtare ner festat e dijtura” (Me shkrim dore: të kërkohej përfundimi i çështjes?)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.