KULTURË

Kritika për statujën e Skënderbeut në Budapest dhe premtimi për skulpturën finale

09:30 - 28.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




“Ky Skënderbe mund te jetë serb, bullgar e hungarez, por jo shqiptar. “Sugjerojini arkivat e Vatikanit skulptorit, për të analizuar fizionominë e Skënderbeut, sepse aty ka dhjetra gravura, ku mund të interpretohej figura e tij si prijës e diplomat”,tha dje dekani i Fakultetit te Arteve te Bukura, Ardian Isufi,
Fotografia e statujës së Skënderbeut që pritet të vihet në sheshin kryesor të Budapestit, përballë statujës së Janosh Huniadit, ka trazuar ‘gjakrat’ ditët e fundit. Portreti i heroit kombëtar të shqiptarëve nuk ngjan me imazhin që ne kemi krijuar për të, imazh i ravijëzuar në kujtesë edhe përmes skulpturave të Odise Paskalit.
Ambasadori i Shqipërisë në Hungari, Arjan Spasse publikoi ditë më parë dy fotografi: një të shtatores ende të papërfunduar dhe një të tijën me Mihaly Gabor, skulptorin hungarez që po e realizon, teksa në sfond shihej vepra.
“Edhe në Budapest do të vendoset statuja e Skënderbeut. Sot ambasadori Spasse vizitoi studion e skulptorit Mihaly Gabor, për të parë maketin me përmasa reale. Pas disa ndryshimeve në fizionominë e portretit dhe lejes përfundimtare të Këshillit Bashkiak, statuja do të vendoset në parkun qendror të qytetit, përballë statujës së Janos Huniadit”, lajmëronte faqja në “Facebook”-un e ambasadës. Megjithëse Spasse, ambasadori shqiptar në Budapest (nip i shkrimtarit Sterjo Spasse) premtonte se do të ketë ndryshime në portretin e Skënderbeut, kritikat nuk kanë munguar. Paçka gjuhës së drunjtë që diplomati përdorte për të thënë që nuk do jetë ky imazhi i heroit, përndryshe nënkuptohej përmirësimi i portretit të tij në këtë shtatore, debatet në rrjetet sociale dhe përtej tyre kanë folur për një “transformim të heroit”. Burime të “GSH” pranë Ministrisë së Jashtme sqaruan se është vetëm një bocet dhe se nuk do të jetë ky imazhi i fundëm i skulpturës. “Skulptura do t’i përafrohet imazhit që ne kemi për Gjergj Kastriotin. Sigurisht nuk do të jetë kështu siç është. Siç është shprehur edhe ambasadori, do të ketë ndryshime në fizionominë e portretit”, thanë të njëjtat burime për ‘GSH’. Veç komenteve negative, ka pasur edhe vlerësime sa i takon këtij ritakimi mes heronjve, tanimë edhe në Budapest, shumë kohë pas Mesjetës.


Në prillin e një viti më parë, pas afro 6 shekujsh ‘ndarjeje’, dy mbrojtësit e vjetër të Europës nga Perandoria Osmane, Heroi Kombëtar i Shqiptarëve Gjergj Kastrioti dhe Heroi Kombëtar i Hungarisë, Janosh Huniadi, u bënë sërish bashkë në Tiranë. Në një ceremoni të mbajtur atë kohë, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe Presidenti i Hungarisë, Janush Ader, që atëkohë po bënte një vizitë në Shqipëri, vendosën përballë shtatores së Skënderbeut një pllakatë përkujtimore të Huniadit. “Nuk ka pasur moment në historinë e Skënderbeut, ku të mos përmendej Janosh Huniadi, një shtetar i madh dhe mik i Skënderbeut e shqiptarëve. Huniadi është një figurë e madhe jo vetëm për hungarezët, por edhe për shqiptarët. Një figurë që shënjon njëherë e përgjithmonë marrëdhëniet e shkëlqyera mes popujve tanë. Një miqësi që daton qindra vjet më parë”, pati thënë me atë rast Veliaj. Presidenti hungarez Ader ndodhej në Tiranë në përvjetorin e 94-t të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
fa.ni


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.