SPORT

Menaxheri i Kukësit sulmon Gegën: Shpif dhe sajon. Jam fajtor që e propozova

12:13 - 28.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Mbas replikave të Kukësit me ish-trajnerin e Kombëtares U21 të Shqipërisë vjen një tjetër reagim nga personi që kishte kontaktuar dhe negociuar me Skënder Gegën që tekniku të merrte drejtimin e kampionëve të Shqipërisë, menaxheri i përgjithshëm i klubit, Naim Halili. Në një deklaratë për “Panorama Sport”, krahu i djathtë i presidentit Gjici shprehet se ato që thotë Gega janë të pavërteta, shpifje dhe sajesa, pasi nuk ka pasur kurrë një marrëveshje të lidhur mes palëve.

“Duke marrë shkas nga disa te pavërteta dhe akuza të rëndomta që vijnë nga një prej disa kandidatëve për trajner të FK Kukësit, z.Skënder Gega, unë si menaxher i ekipit të Kukësit po ju bëj me dije se:

Ekipi i Kukësit ka demonstruar korrektësi dhe transparencë jo vetëm me lojtarët por dhe me trajnerët që ka pasur deri më sot. Të fyesh F.K Kukësin si ekip jo korrekt nuk është normale. Ne e kuptojmë që z.Gega ka nevojë për një reklame dhe ngritje mediatike por është jo korrekte të përdoret emri i ekipit kampion dhe stafit drejtues të F.K Kukësit si alternativë.

Fjalët që ka thënë z.Gega për gjoja “marrëveshje” me F.K. Kukesin nuk janë të vërteta.

Me mbarimin e kontratës së trajnerit Gjoka, pankina e Kukësit hapi siparin e përzgjedhjes së alternativave për trajner të ekipit kampion. Unë si menaxher i F.K Kukësit jam takuar me Skënder Gegën dhe me 4 trajnerë të tjerë profesionistë dhe kemi biseduar për një bashkëpunim të mundshëm në postin e trajnerit (është detyrë funksioni nga unë si menaxher të afroj kandidatë për lojtarë dhe trajnerë) dhe në përfundim është Presidenti ai që shqyrton alternativat dhe vendos për projektin më të mirë.

Skënder Gega gënjen ditën me diell. Ai jo vetëm që nuk ka sjellë projekt, por as që kemi biseduar për staf dhe anën financiare.

Në takimin e vetëm prej 10 minutash, në prezencën time dhe 2 personave të tjerë, presidenti Gjici i ka kërkuar zotërisë të paraqesë një projekt për klubin dhe mënyrën se si e mendon ai organizimin e ekipit për sezonin e ardhshëm.

Në mënyrë të habitshme z.Gega vetëm pas disa orësh deklaroi nëpër media që kjo marrëveshje u prish, një marrëveshje qe kurrë nuk u lidh.

Nga këto që ndodhën mediatikisht, nga këto shpifje dhe të pavërteta të sajuara nga z.Gega unë personalisht ndjehem fajtor që i propozova dhe prezantova këtë person me presidentin.

Garantojmë sportdashësit se klubi i Kukësit është shumë korrekt dhe transparent në përzgjedhjen e lojtarëve dhe stafit drejtues.

Ekipi i Kukësit po bën çdo përpjekje që Kupa e Kampionati të jenë të Kukësit edhe për sezonin në vazhdim”, përfundon Naim Halili.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.