OPINION

Ndotja e Ksamilit dhe një reagim skandaloz

08:46 - 28.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Riviera DEDAJ

 

Në kulmin e sezonit turistik, nuk kishte si të ndodhte më keq për Ksamilin, një nga brigjet më të bukura të Jugut. Aty, përpara një jave një turiste ruse vetëm 15 vjeçe humbi jetën tragjikisht në det pasi u përplas nga një skaf.

Dje, ujërat e zeza vërshuan ‘lumë’ dhe u derdhën në det. Ndotja është e llahtarshme, siç e dëshmojnë edhe fotot e pamjet më poshtë.

Të gjithë pushuesit janë larguar, duke iu prishur kështu ditët e pushimeve dhe duke lënë peng paratë në hotelet apo shtëpitë ku ishin akomoduar.

Çfarë ndodhi me ujërat e zeza? Askush nuk është në gjendje ta thotë me saktësi. Për momentin është deklaruar se është çarë një tub i kanalizimeve. Ndodh rrallë apo kurrë që fekalet të vërshojnë në këtë lloj forme në qytet dhe më pas të përfundojnë në det.

Kush është përgjegjësi?

Askush! Bashkia e Sarandës, që administron plazhet e Ksamilit, thotë se ‘investimet në kanalizime nuk i kemi bërë ne, por Bashkimi Europian’. Pra sipas saj, BE-ja që ka hedhur miliona për një sërë plazhesh në Shqipëri, duhet të ketë edhe përgjegjësinë se pse ato nuk mirëmbahen. Në fakt, projektet (nga kushdo qofshin financuar) merren në dorëzim nga institucionet shtetërore. Por për kryebashkiaken e Sarandës Florjana Koka faji i duhet lënë BE-së!

“Dëshiroj të theksoj se projekti në fjalë nuk është një projekt i Bashkisë Sarandë, por një projekt i tenderuar, zbatuar dhe supervizuar në mënyrë të pavarur nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri. Përfitues të këtij projekti janë: Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Agjencia Kombëtare e UK, Bashkia Sarandë dhe Sh.a Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Sarandë. Në emër të bashkisë, dëshiroj të kërkoj ndjesë ndaj gjithë banorëve të zonës, si edhe turistëve shqiptarë e të huaj, të cilët gjatë ditës së sotme kanë kaluar momente të pakëndshme”.

Kjo mungesë përgjegjësie për zonat turistike është e patolerueshme! Është një dëm i madh që u bëhet qytetareve vendas apo të huaj që nuk kalojnë dot ditë të qeta as për pushime.

Është e pafalshme që policia ndalon skafet vetëm pasi është vrarë (aksidentalisht) një turiste në det. Dhe sakaq është e pafalshme për bashkinë që organizohet me ushtri për mirëmbajtjen e qytetit vetëm pasi të kenë shpërthyer ujërat e zeza në det. /“Opinion.al”

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.