SPORT

Prapaskenat e një marrëveshje, Halili bindi Karabecin të qëndronte

14:32 - 28.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Te Tirana nuk ka vetëm merkato në dalje, pasi ka edhe rikonfirmime për të qëndruar. Ndonëse 24 herë kampionët e vendit do të luajnë për herë të parë në Kategorinë e Parë, kjo nuk tremb disa prej senatorëve të ekipit që janë të gatshëm të ofrojnë besnikëri edhe në këtë sezon. Kapiteni Erando Karabeci, me shumë gjasë, do të jetë edhe në të Parën pika e referimit dhe lideri i bardhebluve në fushën e lojës.

Kontrata

Erando Karabeci ka pasur kontratë me Tiranën deri në Kupat e Europës. Në përfundim të aventurës së bardhebluve, kapitenit i ka përfunduar edhe marrëdhënia kontraktuale me skuadrën kryeqytetase. Mirëpo, nga burime pranë klubit kryeqytetas, “Panorama Sport” ka mësuar se mes presidentit Halili dhe vetë mesfushorit ka pasur një bisedë në lidhje me vazhdimësinë e bashkëpunimit mes tyre. Gazeta ka mësuar edhe prapaskenën e bisedimeve.

Kapiteni ka qenë i gatshëm për të qëndruar në skuadër dhe për të mos e braktisur atë me gjithë interesimet e shumta në adresë të tij apo edhe me gjithë faktin se Tirana do të luajë një Kategorinë e Parë, shkruan PanoramaSport. Në këtë moment, ka qenë edhe vetë presidenti Halili që e ka bindur atë që mbetet një nga pikat e referimit në projektin e bardhebluve për t’u rikthyer sa më shpejt në elitë.

Është mësuar se drejtuesit kanë qenë të gatshëm që të mos ndryshojnë parametrat ekonomikë për futbollistin dhe tashmë mbetet vetëm hedhja e firmës në kontratë. Mirëpo, duke pasur një pakt mes tyre, atëherë firma dhe nënshkrimi i kontratës bëhet thjesht formalitet.

Boshti

Tirana, ndonëse gjendet përballë interesimit të skuadrave të huaja për disa nga lojtarët kryesorë, duket se do të ruajë një bosht të rëndësishëm të ekipit për sezonin e ardhshëm. Disa javë më parë, ishte Ilion Lika që rinovoi, ndërkohë Muça është gjithashtu nën kontratë.

Në ditët në vijim, pritet edhe rinovimi i kapitenit Karabeci si dhe duke kujtuar që lojtarë si Kërçiku, Doka, Daja dhe Hoxhallari janë ende nën kontratë, atëherë duket që bardheblutë do të kenë një kontingjent cilësor në Kategorinë e Parë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.