DOSSIER

Shqipëria s’pranon titullin e francezëve për Kadarenë

10:38 - 28.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Dashnor KALOÇI

 

Në mesin e viteve ’50, kur në Bashkimin Sovjetik, falë liderit të sapoardhur në fuqi Nikita Sergejeviç Hrushov dhe mbështetësve të tij, po kryhej procesi i destalinizimit, diku në Itali filloi të qarkullonte një libër, tip broshure, ku përshkruheshin me detaje tmerret e luftës civile (1918-1922), në atë vend stërmadh ku kishte “triumfuar” Revolucioni i Tetorit, që solli në fuqi bolshevikët. Libri “Doktor Zhivago”, që ishte shkruar si tip pamfleti nga shkrimtari rus Boris Pastërnak, thuhej se ishte mbështetur, financuar dhe shpërndahej nga shërbimet sekrete të SHBA-ve (CIA), të cilat donin t’i bënin të ditur botës mbarë se nga çfarë ‘djepi’ kishte dalë ajo ‘pjellë’ e regjimit stalinist, që vetë disa nga protagonistët e aktorët e tij po e demaskonin dhe po ia çirrnin maskën. Pas Italisë, po nën kujdesin dhe patronazhin e plotë të amerikanëve (të kamufluar nën Fondacionin “Rochkfeller”), ai libër që vazhdonte të çudiste botën mbarë, arriti të futej edhe në vetë Bashkimin Sovjetik. Kështu, ndërsa udhëheqja staliniste e Moskës mundohej ta fshinte apo t’i nxirrte ‘jashtë’ ato tmerre që kishin përjetuar pothuaj të gjithë popujt që jetonin në të gjitha republikat e BRSS-së, amerikanët ia ‘fusnin kontrabandë’ përsëri brenda. Dhe në kuadrin e gjithë kësaj fushate ‘letraro-politike’ të sponsorizuar nga amerikanët, asokohe emri i Pastërnakut dhe libri i tij kapën ‘majat e botës’ dhe autori u propozua për çmimin ‘Nobel’, i cili iu akordua në vitin 1958. Edhe pse nga presionet e shumta, ai refuzoi që ta merrte çmimin ‘Nobel në Letërsi’, misioni i amerikanëve tashmë ishte kryer më së miri. Kremlinit ajo gjë iu kthye në bumerang, pasi refuzimi i Pastërnakut bëri bujë më të madhe se ç’do të kishte bërë po ta pranonte atë çmim. Po kështu, pothuaj në të njëjtën periudhë kohe që amerikanët kishin filluar ‘aksionin Pastërnak’, lideri komunist i Jugosllavisë, Josif Broz Tito, i kishte dalë ‘zot vetë’ një ‘aksioni’ të tillë me shkrimtaro-politikanin serbo-boshnjak Ivo Andriç. Thuhet se nuk kishte takim zyrtar apo privat ku vetë Tito të mos fliste dhe promovonte me miqtë dhe të ftuarit e tij ‘gjenialitetin’ e shkrimtarit sllav që ‘po ndriste me veprën e tij’, botën mbarë. Vepër ku përshkruhej ‘bashkim-vëllazërimi’, në atë vend me gjashtë republika e shumë etni të Ballkanit. Dhe, falë mbështetjes e promovimit të Titos, edhe Ivo Andriç arriti që në vitin 1961 të kurorëzohej me çmimin ‘Nobel në Letërsi’, edhe pse ‘bashkim-vëllazërimi’ të cilit ai ‘i këndoi’ në veprën e tij, rezultoi veçse një fasadë. (Luftërat që mbytën në gjak pothuaj të gjitha republikat e saj në fillimin e viteve 1990). Plot 15 vjet më vonë (në 1985-ën), një histori krejt ndryshe nga ajo e Titos me Andriçin ndodhte në Shqipëri. Ajo me shkrimtarin Ismail Kadare dhe diktatorin komunist Enver Hoxha e pasuesin e tij Alia (ngjarja e ka zanafillën kur Enveri ishte ende gjallë). Ndërsa asokohe Franca dhe personalisht presidenti Fransua Miteran, kishin ndërmarrë ‘aksionin’ për nderimin e shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, fillimisht me ‘Legjioni i Nderit’ (dekorata më të lartë që jepte Franca), dhe më pas për ta propozuar si kandidat për çmimin ‘Nobel në Letërsi’, vetë vendi i tij, apo më saktë udhëheqja komuniste nuk e pranonte kurrsesi këtë gjë. Madje jo vetëm kaq, por Tirana zyrtare u bënte të ditur francezëve se: “Në rast se Franca do ta ndërmerrte në mënyrë të njëanshme një veprim të tillë, atëherë…”. Kjo gjë dhe mjaft makinacione të tjera tejet të rafinuara (tipike komuniste), bëhen të ditura për herë të parë nga këto dokumente zyrtare (që gjenden në arkivat e shtetit shqiptar), që publikohen për herë të parë dhe të plota në faqet e këtij libri.

Informacioni i Kujtim Hysenajt për Ministrinë e Jashtme

Drejtoria e Dytë

Informacion
Mbrëmë, në pritjen tek francezët, dolën sa më poshtë:
1.    Këshilltari Impereto më tha se dëshironte të bisedonte zyrtarisht me mua lidhur me dekorimin që ata kanë ndërmend t’i bëjnë Ismail Kadaresë. Bëhet fjalë për “Legjionin e Nderit”, më e larta dekoratë franceze.
Mendoj që të pritet. Për dekoratën t’i thuhet se do të bisedojmë me të interesuarin dhe pastaj do t’i japim përgjigje.
2.    Këshilltari tregtar tha se prej disa ditësh është zhvilluar në Paris një mbledhje në Ministrinë e Industrisë ku merrnin pjesë përfaqësues nga Dhoma të Tregtisë, MTJ dhe organizata më e madhe e kompensimit, lidhur me rrugët e zgjerimit të tregtisë me vendin tonë.
Nuk dinte hollësira.
3.    Ambasadori pyeti a u kthye sh. Andon dhe nëse shkoi në Francë. U interesua si ecin marrëdhëniet me RFGj. Pasi i bëra të qarta se nuk di hollësira përveç faktit që bisedohet për gjetjen e një zgjidhjeje të problemit, tha se nga anglezët nuk ka gjë të re. Sipas tij, në Angli ka konservatorë edhe më të mëdhenj sesa vetë Theçeri dhe se është vështirë të gjendet një zgjidhje që të shpëtojë fytyrën, kur ka një vendim të Gjykatës së Hagës.

21.11.1985 Kujtim Hysenaj
Shënimet nga titullarët e Ministrisë

Lidhur me pikën e parë, shoku ministër shënon:
-Të vihet në informacionin e udhëheqjes, por të sqarohet se përse e japin “Legion d’Honouer”.
Më duket se kanë qenë ekspedita ushtarake mercenarësh në Afrikë etj.
Për pikën e dytë miratoni sa shënon shoku Sokrat.

(firma) 25.11
……………………………………………………………………………………………………………………………………………………….

Telegrami shifër Tepër Sekret

TEPER SEKRET
Nr. i Fletës 103

SH I F R I M
Nr. 4957

Adresa: Ambasadës Paris
Koncepti: Ambasada këtu ka kërkuar mendimin tonë për dhënien e I. Kadaresë të Legjionit të Nderit.
Çështjen e kemi në studim. Për dijeni.

(Sokrat Plaka)

(VIJON NESER)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.