OPINION

Dita e pagëzimit të shtetit shqiptar

07:20 - 29.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Besnik BAKIU

 

Historiografia shqiptare edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë në dilemë për rëndësinë dhe pasojat e vendimit të 29 korrikut 1913, ndaj dhe teksa po përgatisja këtë shkrim, m’u kujtua personaliteti i papërsëritshëm Petro Markos, kur shkruante: “… për të dëshmuar ç’kishim parë e ç’kishim dëgjuar, ç’kishim qarë e ç’kishim kënduar, ç’ishte thënë e ç’na kishin zënë veshët”.

29 korriku 1913 është dita kur me vendimin e Konferencës së Ambasadorëve në Londër u bë njohja “de jure” e shtetit shqiptar, si “… principatë autonome, sovrane… nën garancinë e të gjashta Fuqive”. Ky vendim përbën dokumentin themelor ndërkombëtar të krijimit të shtetit shqiptar dhe njohjen e pavarësisë së mbikëqyrur të Shqipërisë nga gjashtë Fuqitë e Mëdha të kohës, si dhe hapjen e rrugës drejt njohjes së të drejtave të kombit shqiptar.

Me gjithë kufizimet e mëdha të këtij vendimi (legalizoi faktin që shqiptarët të ishin i vetmi popull në rruzullin tokësor që kufizohej me vetveten), ai pati një rëndësi të veçantë për fatet e Shqipërisë, pasi edhe pse territori shqiptar u copëtua rëndë e në shifra të frikshme, e përsëri arriti të mbijetojë.

Para kësaj konference popullsia shqiptare jetonte e ndarë në katër vilajete, dy prej të cilave veç e veç ishin më të mëdha se Shqipëria e sotme, kurse dy të tjerat ishin gati sa ajo e sotmja. Respektivisht vilajeti i Kosovës kishte një sipërfaqe prej 32.000 km2, ai i Shkodrës mbulonte një hapësirë prej 10.987 km2, i Manastirit ishte plot 28.500 km2, kurse i Janinës shtrihej me 17.900 km2. Sipas llogaritjeve të burimeve osmane, popullsia e Shqipërisë në prag të Luftës Ballkanike numëronte afërsisht 3 milionë banorë shqiptarë. Me anë të këtij vendimi u ligjërua copëtimi i Shqipërisë, duke i dhënë Serbisë 34.000 km2 me 1.090.000 banorë, Greqisë 10.794 km2 me 425.000 banorë dhe Malit të Zi 7.000 km2 me 260.000 banorë.

Tragjedia shqiptare dhe padrejtësitë e Evropës ndaj nesh u luajtën në disa akte. Akti i parë i kësaj tragjedie u luajt në  vitin 1878, në Shën Stefan afër Stambollit, ku filloi “të zbatohej koncepti politik i zgjidhjes së çështjes shqiptare përmes copëtimit” dhe “spastrimi etnik i shqiptarëve prej trojeve që pushtojnë fqinjët ballkanikë”. Akti i dytë u luajt në Kongresin e Berlinit, në të njëjtin vit, ku Shqipëria u trajtua si term gjeografik, ndërsa viset e banuara me shqiptarë u ndanë ndërmjet shteteve fqinje. Akti i tretë do të luhej 34 vjet më vonë, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, që përfundoi me vendimin e 29 korrikut. Për herë të katërt ky rrezik do të rikthehej sërish me Traktatin e Fshehtë të Londrës në prill 1915, ku vazhdoj copëtimi i mëtejshëm i Shqipërisë, madje u projektua zhdukja e saj nga harta politike. Akti final u luajt pas përfundimit të Luftës së I Botërore në Konferencën e Paqes në Paris dhe përfundoi me nënshkrimin e protokolleve përfundimtare të caktimit të kufirit me Greqinë (27 janar 1925) dhe Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene (26 korrik 1926).

Marrja e vendimit të 29 korrikut nuk ishte e lehtë, pasi qëllimi kryesor i konferencës nuk ishte zgjidhja e çështjes shqiptare, por zgjidhja e kontradiktave të Fuqive të Mëdha, për të stabilizuar gjeopolitikisht Ballkanin e trazuar nga luftërat.

Kjo konferencë u zhvillua me përplasje e debate të ashpra. Palët ishin të ndara në dy blloqe antagoniste: Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia ishin bashkuar prej kohësh në Tripalëshin, kurse Anglia, Franca dhe Rusia kishin formuar Antantën.

Shpallja e pavarësisë nga e etërit e kombit modern shqiptar, nuk mjaftonte për të shpëtuar Shqipërinë. Vendi i ynë ishte bërë pika e kryqëzimit, jo vetëm e lakmive të Fuqive të Mëdha evropiane, por edhe të orekseve shoviniste të shteteve Ballkanike. Aq më tepër kur organizatorët e kësaj konference nuk e ftuan popullin shqiptar të dërgonte përfaqësuesit e tij në këto forume më rendësi jetike për të. Kjo ishte një padrejtësi që i bëhej popullit tonë. Megjithatë, roli dhe presioni i popullit shqiptar ndikoi qenësisht në marrjen e këtyre vendimeve nga ana e tyre.

Aq e vështirë dhe e padrejtë ka qenë kjo konferencë, sa mjafton të kujtosh atë që shkruante ministri amerikan në Greqi në atë kohë si: “një mrekulli e paaftësisë”, “një skemë absolutisht të papajtueshme”, “një lëmsh gjërash të paqëndrueshme”.

Në këtë situatë të ndërlikuar marrja e vendimit përfundimtar për statusin e Shqipërisë shtyhej nga njëra mbledhje në tjetrën, pa arritur në një vendim përfundimtar.

Që ditën e parë që u mblodh më 17 dhjetor 1912, konferenca mori në shqyrtim çështjen shqiptare, për të cilën u ra dakord nga të gjitha palët, të diskutohej në tri aspekte: “Statusi i Shqipërisë, organizimi i shtetit Shqiptar dhe caktimi i kufijve”. Në shtypin e kohës doli një komunikatë e ambasadorëve, në të cilën thuhej se qeveritë e fuqive të mëdha “kishin pranuar parimin e autonomisë shqiptare”. Ky ishte një hap prapa në krahasim me vendimin e pavarësisë së Kuvendit Vlorës, pasi e linte Shqipërinë ende në kuadrin e Perandorisë Turke.

Përdorimi i dy termave: “nën sovranitetin ose suzerenitetin e sulltanit”, nuk ka qenë i rastit, por ka pasqyruar ndryshimet substanciale në qëndrimin e tyre, për shkallën e pavarësisë së Shqipërisë. Qeveria ruse mbronte tezën se “Shqipëria duhej të ishte një provincë autonome e Perandorisë turke, me disa të drejta për një organizim të veçantë, por gjithmonë brenda kuadrit të Perandorisë, (sovraniteti i sulltanit)”. Qeveria Austro-Hungareze e kundërshtonte dhe ishte për një “Shqipëri autonome ose të pavarur e me kufij sa më të gjerë”. Shumica ranë dakord për një zgjidhje kompromisi: organizimi i një shteti shqiptar me njëfarë autonomie të brendshme, pra as provincë e perandorisë as edhe shtet krejtësisht i pavarur (suzereniteti i sulltanit).

Kjo ishte sigurisht diçka e re në krahasim me të kaluarën, por nuk ishte pavarësi. Kjo donte të thoshte se shteti shqiptar shpallej si shtet vasal ose autonom dhe njihte autoritetin suprem të sulltanit. Sipas të drejtës ndërkombëtare, një shtet i tillë nuk merr pjesë vetë në marrëdhëniet ndërkombëtare, por përfaqësohet nga shteti suzeren, atëherë kuptojmë se këtu nuk mund të bëhet fjalë për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë.

Debatet vazhduan gjatë dhe më në fund Konferenca e Ambasadorëve ngarkoi Austro-Hungarinë dhe Italinë për  hartimin e një projekti mbi organizimin e shtetit shqiptar autonom. Ky projekt u paraqit prej tyre në mbledhjen e konferencës, me 8 maj 1913. Projekti ishte në frymën e vendimit të 17 dhjetorit dhe kishte në bazën e vet: autonominë e Shqipërisë dhe vartësinë e saj nga Turqia, neutralitetin e saj, sigurimi i rendit dhe qetësisë nga një xhandarmëri e organizuar nga ndërkombëtarët, etj. Por në mbledhje ambasadori i Austro-Hungarisë, Mensdorf, kërkoi ndryshimin e vendimit të dhjetorit 1912 dhe njohjen e pavarësisë së Shqipërisë. Ai solli si argument kryesor faktin se, si rezultat i disfatës në luftë, Turqia ishte tërhequr nga gadishulli ballkanik dhe se “tani nuk kishte asnjë lidhje territoriale midis Shqipërisë dhe Turqisë evropiane”. Me këtë pikëpamje u bashkua dhe ambasadori i Italisë, Imperiali. Propozimi hasi menjëherë në kundërshtimin e përfaqësuesit të qeverisë cariste, e cila qëndronte e mbërthyer fort pas çdo formule që ruante sadopak lidhjet e vartësisë së Shqipërisë nga Turqia. Shkakun e këmbënguljes së tyre në këtë çështje diplomatët e Carit e shpjegonin duke thënë se “një Shqipëri pa lidhje vartësie nga Turqia do të kthehej shpejt në një çiflig të Austrisë”. Kujdesi kryesor i qeverisë ruse ishte që Serbia të ruante shpresën për t’u shtrirë më vonë deri në Adriatik, e cila mund të realizohej vetëm po qe se Shqipëria do të vazhdonte të qëndronte brenda kuadrit të Perandorisë turke.

Por koha punonte për Shqipërinë dhe pavarësia ishte rrugë pa kthim, pasi me Traktatin e Paqes të 30 majit 1913, Turqia si shtet humbës i luftës nuk kishte më asnjë të drejtë me shtetet e tjera, pra edhe me Shqipërinë. Ky është akti i parë ndërmjet të cilit Turqia hiqte dorë zyrtarisht nga të drejtat sovrane mbi Shqipërinë dhe njihte kompetencën e Fuqive të Mëdha për ta zgjidhur çështjen shqiptare. Ky traktat detyronte njëkohësisht vendet fqinje të pajtoheshin me ekzistencën e një shteti më vete (Shqipëria), sipas vendimeve që do të merrnin Fuqitë e Mëdha. Akti i 30 majit 1913 është akti i parë ndërkombëtar, që shprehet për një shtet shqiptar më vete, pavarësisht se jo drejtpërdrejtë.

Përfundimi i gjithë kësaj maratone diplomatike vjen më 29 korrik 1913, ku Konferenca e Ambasadorëve në vendimin përfundimtar shprehet në nenin 1, se: “Shqipëria formohet si një principatë autonome, sovrane  dhe e trashëgueshme… nën garancinë e gjashtë Fuqive”.

Duke analizuar me kujdes debatet, përplasjet, koherencën dhe inkoherencën e qëndrimeve të këtyre fuqive në këtë konferencë, konstatohet se:

  • Trajtimi i problemit të kufirit të shtetit të ri shqiptar nuk u mbështet në konsiderata etnografike, historike, ekonomike etj., por u bë nën prizmin e mosprishjes së “Koncertit Evropian”. E drejta e Serbisë mbi Kosovën dhe e Greqisë mbi Çamërinë dhe territoret e tjera shqiptare në juglindje ishin rezultat i fitimit të këtyre territoreve si plaçkë lufte dhe sanksionuar ndërkombëtarisht nga një institucion, i cili në thelbin e punës së vet asokohe, nuk kishte parimet e sotme bazë demokratike, që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare.
  • Veprimtaria e shteteve ballkanike dhe e Fuqive të Mëdha në realizimin e këtij vendimi u ndihmua nga gjendja në të cilën ndodhej shoqëria shqiptare e asaj kohe. Pushtimi pesëshekullor otoman kishte konservuar konservatorizmin mesjetar dhe ruralizimin e shoqërisë. Shqipëria vuante nga mospasja e një grupimi shoqëror të emancipuar, vuante nga ekzistenca e një klase bejlerësh, që e kishte pak të zhvilluar ndjenjën e përgjegjësisë kombëtare dhe rendte ende me fantazmat e ruajtjes së çifligjeve personale të dhuruara. Forcat e emancipuara liberale e pro-evropiane të shoqërisë shqiptare ishin minorancë gati të pafuqishme për të ndërmarrë nisma që thyenin tabutë konservative të një shoqërie të sapodalë në liri. Kjo liri e brishtë, e shoqëruar me cungime të rëndësishme territoriale, të sanksionuara edhe me marrëveshje ndërkombëtare, e ndjekur hap pas hapi nga etja e shfrenuar e fqinjëve grabitqarë, e kishte çorientuar kahun e drejtimit përparimtar të kësaj shoqërie, e kishte lënë atë preh dhe të pambrojtur nga aventurierët që në atë kohë (pse jo, edhe më pas), ishin me shumicë.
  1. Çështja e Shqipërisë u zgjidh pa respektin më të vogël ndaj shqiptarëve, si dhe kufiri i shtetit të ri shqiptar u përcaktua vetëm nën prizmin e shmangies së një ballafaqimi mes Austro-Hungarisë dhe Rusisë, për të cilin shqiptarët nuk ishin fajtorë dhe nuk kishin të bënin fare me të.

Ishte kriminal qëndrimi i Fuqive të Mëdha të asaj kohe, që në vend t’u hapnin poret jetësore një kombi në rrugën e tij për ripërtëritje qytetare e kombëtare, e cunguan atë territorialisht, i këputën arteriet jetësore dhe ushqyen faktorët që bëjnë lehtësisht të manipulueshëm dhe të kontrollueshëm një popull të penguar historikisht në rrugën e tij të zhvillimit.

  1. Kjo konferencë e mbledhur me cilësinë e “Mbledhjes së Ambasadorëve të gjashtë Fuqive të Mëdha nënshkruese të Traktatit të Berlinit” (1878) nuk kishte të drejtën (sipas të drejtës ndërkombëtare) të merrte vendime për të tretët dhe të nxirrte akte. Konferenca kishte vetëm kompetenca këshillimore dhe konsultative. Vetë pjesëtarët e saj pohojnë këtë fakt: “…as Sër Grei dhe as ambasadorët nuk kanë pretenduar kurrë të marrin vendime, tek e fundit nuk do të kishin asnjë vlerë, sepse do të vareshin nga pëlqimet e qeverive”, i shkruante ambasadori francez, P. Kamboni, Ministrisë Jashtme Franceze dhe më tej vazhdonte se “këto janë vetëm propozime dhe sugjerime që mund të shërbejnë si bazë për bisedime”.

Sot pas 104 viteve ndarjeje, koha punon për shqiptarët, të cilët janë faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon. Është krijuar një entitet i ri në Ballkan, “Republika e Kosovës”. Problemi çam nga “tabu” është kthyer në temë e ditës në bisedimet ndërkombëtare dhe rezoluta të parlamentit. Kombit tonë i janë hapur mundësitë për të shfrytëzuar këtë rast, për ta bashkuar atdheun e tyre në Evropën e vlerave demokratike. Perëndimi duke bërë këtë po korrigjon jo vetëm parimet mbi bazën e të cilave u ndanë popujt në fillimet e shekullit XX, por edhe padrejtësinë e bërë ndaj një prej popujve më të vjetër e më të vuajtur të Ballkanit Perëndimor, shqiptarëve.

Është detyrë e klasës politike shqiptare ta shfrytëzojë këtë fat për të shlyer borxhin, që thotë miku im, poeti i madh Xhevahir Spahiu “i kam borxh vitit 13, që s’i mbylla plagët”, duke hartuar politika të përbashkëta integruese në të gjitha fushat dhe jo siç kemi vepruar në jo pak raste deri tani, si me marrëveshjen e detit me Greqinë, kufirin Kosovë-Mali i Zi, deshqiptarizimi i qyteteve historikisht me shumicë shqiptare në Maqedoni, etj.

 


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Urime per shkrimin, shume informativ. Pika 2 me ngjan shume edhe me gjendjen sot ku disa nga “lideret\bejleret” e sotem po bejne cfare eshte e mundur te pengojne integrimin e kombit me gjithe interesimin e madh qe po vjen nga Fuqite e Medha, per te mbrojtur “cifligjet” e tyre.

    Përgjigju ↓