Kryesore

Intervista e plotë/ Rama: Vartësit më thërrasin KM. Momenti më i vështirë? Humbja e babait!

15:15 - 30.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Kryeministri Edi Rama deklaroi se do të bëjë një qeveri të vogël dhe motoja e qeverisjes së tij në këto katër vite do të jetë “më shumë me më pak”. Gjatë intervistës në “InTv”, kryeministri Rama ka folur edhe për familjen dhe jetën personale, ndërsa e quan Lindën si gjysmën e vet shumë më të mirë…

Keni thënë që ju flini shumë pak orë. Si e përballoni këtë pjesë?

Unë nuk e di si është për të tjerët, kam qenë gjithmonë kështu, nuk është se jam bërë kështu për shkak të detyrës. Unë përgjithësisht nuk kam qenë njeri që kam qenë rehat me veten që të fle rehat. Patjetër që impenjimet e kësaj pune e bëjnë edhe më intensive jetën e përditshme dhe nivelin e adrenalinës. Po kështu është, unë fle pak.

Basketbollin nuk e keni ndarë, sepse në zyrën tuaj ka një kosh?

Janë dy, në fakt. Një në paradhomë, një jashtë. Ai në paradhomë është si ato reliket nëpër muzeume, ai jashtë është më serioz.

Do ketë ndryshime në zyrën tuaj për këto katër vite?

Jo nuk besoj.

Po zyra në PS është kështu?

Është e thjeshtë, por është e bukur.

Shpeshherë shikojmë figura publike që ju i uroni. I mbani mend të gjitha ditëlindjet, ose kë mbani mend?

Patjetër kemi një listë që më ndihmon mua që t’i kujtoj të gjithëve Lindës, Zahos, Gregut, Reas, Anetës dhe Olsit, kaq.

Atletet tuaja janë bërë temë bisede. Nuk e di a ka mbetur njëri pa e diskutuar faktin që ju shkoni në takime zyrtare me atlete. Madje një diskutim u bë edhe te ceremonia e betimit të Presidentit mes jush dhe zotit Berisha?

Unë, në fakt, gjithë jetën jam mësuar që të merren me veshjen time, që shumë kohë përpara, atëherë kur veshjet ishin shumë më konvencionale. Kështu që mua nuk më bën përshtypje kjo gjë, sepse secili është i lirë të vishet si të dojë, se shyqyr ja arritëm kësaj dite. Ti nuk e ke kapur kohën që kështu si je veshur mund të përfundoje në fletërrufe dhe pastaj mund të përfundoje në kooperativë dhe të riedukoheshe. Ne e kemi jetuar atë kohë dhe mua këto lloj eksesesh më kujtojnë gjithnjë atë kohë dhe më duket sikur ka njerëz që vazhdojnë e jetojnë atë kohë dhe harrojnë që është kohë tjetër.

Ju jeni komfort me këtë lloj veshjeje, por a u diskutua ose a tërhoqi vëmendje në samitin e Triestes kjo çështja e atleteve tuaja?

Po atje janë njerëz që kanë tjetër respekt për lirinë e tjetrit dhe lirinë e tjetrit për të qenë ai që është. Kështu që mund t’ju zbuloj edhe një sekret tjetër për shembull, që Presidentit të Francës i çova një palë atlete, meqë i pëlqyen shumë atletet e mia dhe meqë më tha dua edhe unë një palë si këto. I thashë i do këto apo si këto? Më tha: jo si këto, se këto nuk më bëjnë. Sa e ke numrin, i thashë. 44, dhe unë i çova një palë atlete dhe ai u gëzua. Kaq.

Po ju sa e keni numrin?

46.

Duket sikur jeta juaj është një libër i hapur. Të vjen keq për këtë?

Jam mësuar. Në momentin kur hyn në këtë arenë duhet të kesh parasysh dy gjëra që nuk mund të jesh më njeri i lirë si më përpara. Ka disa gjëra që ti i kufizon dhe nga ana tjetër je i ekspozuar karshi gjithë llojeve të syve, të veshëve, të perceptimeve dhe të gojëve. Kështu që nuk mund t’i ndalosh dot.

Jam shumë kurioze ta di, nëse do të bënim një tablo të karrierës suaj politike, çfarë ngjyrash mund të kishte?

Të gjitha ngjyrat mund t’i kishte, ka të bardhë, ka të zezë, ka të kuqe, të verdhë, ka jeshile, ka edhe blu, patjetër edhe violetë.

Kush mbizotëron?

Përgjithësisht besoj që është violetë.

Kalojmë te familja. Gregu për çfarë i ka mbaruar studimet?

Gregu ka mbaruar arte të bukura. Është në atë zonë, pavarësisht se edhe shkruan shumë dhe besoj që tek e shkruara ka shumë cilësi natyrale, që po t’i përpunojë, mund të shkruajë vërtetë shumë bukur.

Domethënë i ndan mendimet me ju, ju pyet?

Jo, jo, fare. Është shumë i lirë, shumë i pavarur. Kështu kam dashur edhe unë gjithmonë të jetë, por jo se kam dashur unë, po ashtu është ai vetë dhe shpesh herë kemi debate.

Vërtetë?

Po, por është fëmijë i mbarë dhe përgjithësisht është i fokusuar në botën e krijimit, me fotografi, me video, me piktura.

Duket që me politikën nuk ka lidhje fare?

Nuk i intereson me sa kuptoj unë.

Do kishe dashur që të ishte ndryshe kjo pjesë, ta shihje Gregun në politikë?

Jo.

Pse?

Sepse secili bën zgjedhjen e vet dhe nuk është prindi që duhet të zgjedhë për fëmijën. Prindi duhet t’i krijojë kushte fëmijës që të jetë sa më i lirë, sa më i pavarur dhe që të bëjë zgjedhjen e vet.

Zaho vajti gati 3 vjeç, në datë 25. Kalon shumë kohë me të, aq sa do të doje?

Sa do të doja jo, por mundohem.

Çfarë lojërash janë të preferuarat e tij?

Është në zonën e automjeteve. Interesohet për të gjitha strukturat me rrota.

Pikturoni bashkë?

Jo akoma, por unë nuk mendoj që prindi duhet t’i mësojë fëmijës të pikturojë. Fëmija duhet t’i ketë ngjyrat rreth e rrotull, por po deshën t’i kapin le t’i kapin, po nuk deshën, le të mos e bëjnë. Deri në moshën 10-12 vjeç nuk duhet asnjëherë t’i shtrëngojnë të pikturojnë.

Kush kujdeset për Zahon?

Për Zahon kujdeset Linda.

Gjatë kohës që ajo është e angazhuar?

Gjatë kohës që Linda është e angazhuar, ai ka një tjetër person që kujdeset për të, por Linda është gjithë kohën aty.

Ne nuk e kemi parë si fytyrë, ju ngjan juve?

Përzier.

Po me zonjën Aneta si i ka punët? Kalojnë shumë kohë së bashku?

Kalon jo pak kohë, sepse ai shkon tek ajo dhe kanë një raport shumë intensiv me njëri-tjetrin kur takohen.

Ka më shumë dobësi Gregun apo Zahon?

Me të voglin gjyshet janë të prirura të kenë më shumë vëmendje, kurse me të madhin janë të prirura të bëjnë më shumë vërejtje.

Po Gregu kalon shumë kohë me Zahon?

Më pak, por tek Aneta është udhëkryqi ku takohen të dyja palët.

Ju zonjën Aneta e keni shumë dobësi. Si e kompensoni mungesën tuaj tek ajo?

Ka shumë gjëra që në këtë detyrë, raportet me njerëzit janë të pakompensueshme. S’ke çfarë i bën. Janë kostot më të mëdha të kësaj pune janë raportet njerëzore.

Bashkëshortja juaj, Linda është një grua shumë karizmatike. Si do ma përshkruanit me pak fjalë?

Me pak fjalë është gjysma ime shumë më e mirë.

Në lukun e njëri-tjetrit nuk ndërhyni shumë apo më duket mua të paktën?

Jo, kontribuojmë, por nuk ndërhyjmë.

I merr mendim bën apo s’bën kjo?

Vijnë natyrshëm këto, por jo si ndërhyrje, por si kontribut.

A ka një moment të ditës kur ju jeni vetëm për të qartësuar mendimet tuaja?

Jo, në fakt, kur jemi të rrethuar me njerëz s’kemi si të jemi vetëm, por zakonisht ne kemi një mur shumë të madh ndarës mes jetës time publike dhe asaj me njëri-tjetrin. Jo se nuk duam të kemi njerëz të tjerë, por është kaq e vogël koha që jemi me njëri-tjetrin dhe, nga ana tjetër, nuk flasim për politikë. Ky është rregulli numër një i mënyrës se si jetohet brenda mureve të shtëpisë.

Si do të donit që njerëzit t’ju kujtonin pas disa vitesh?

U përpoq, bëri sa mundi mbase s’bëri dot sa deshi, por u përpoq.

Keni thënë se jetën e keni ndarë në tri etapa. E mendoni se si do të jetë etapa e tretë?

E kam të mjegullt, por në atë mjegull shikoj gjëra të ndryshme.

E mendoni rikthimin në Paris?

Jo, nuk e mendoj. Nuk bëhet fjalë për zhvendosje gjeografike, por spostime në një gjeografi të re të vetvetes.

Të mungojnë pushimet në këtë periudhë? Ku do kaloni?

Në Dhërmi, në 1 gusht.

Keni thënë që kabineti i ri qeveritar do të ketë risi?

Duhet të presim deri atëherë.

Diçka do ma thuash tani?

Akoma s’e di, por do bëjmë një qeveri të vogël besoj. Normalisht. Do punojmë që të zvogëlojmë numrin e agjencive, inspektorateve, drejtorive, duke u munduar që të rrisim efiçencën, dhe parimi kryesor i katër viteve të ardhme do të jetë më shumë me më pak.

Mund të zbulojmë ndonjë ministër të kabinetit?

Me shumë dëshirë mund t’ua zbuloja juve një ministër, por nuk e kam akoma të qartë se kush do jetë ku.

A mund të themi nëse mund të kemi ndonjë emër të ri?

Patjetër. Jeni në fazën e dëgjesave me qytetarët.

A ka filluar puna për zgjidhjen apo jeni ende në fazën e raportimeve?

Kjo është e gjitha një bazë, por në radhë të parë është për të krijuar një bazë të asaj që unë e quaj bashkëqeverisje me njerëzit dhe për të informuar sa më shumë njerëz se çfarë kuptojmë ne me këtë.

Nuk është thjeshtë një slogan, por një qëllim që të kemi një koalicion real me njerëzit.

Me çfarë mendimesh zgjohet kryeministri në mëngjeset e tij?

Me lloj-lloj mendimesh që janë nga më të ndryshmet.

Keni qenë që fëmijë një lider?

Protagonist po, lider pastaj s’e di.

Kur i keni fituar paratë e para?

Kur hyra në punë, në 1986 që jam bërë asistent pedagog në akademinë e arteve.

I mbani mend për çfarë i keni shpenzuar?

Jo.

Italianët thonë që jeta fillon pas të 40-tave. Sa dakord jeni ju me këtë?

Kam pasur një mik që e shtynte gjithmonë, Ali Kastratin, shkoi 50, thoshte, pas të 50-tave filloka jeta, shkoi 60, shkoi 70, shkoi 80. Kështu që jeta është sa ndihesh, jo sa je.

Kur ka qenë hera e fundit që keni bërë aktivitet fizik?

Nëse aktivitet fizik quhet të ecësh, ka qenë dje, nëse aktivitet fizik quhet të organizohesh dhe të vishesh me rroba sportive dhe të bësh aktivitet fizik, ka qenë para fushatës.

A keni frikë nga plakja?

Jo, frikë s’mund të them. Kam vetëm frikën që vjen nga ideja se mund të mbeten shumë gjëra pa jetuar e pa bërë.

Cila është ajo cilësi te vetja që do të donit ta ndryshonit?

Po mundohem të zgjidhja një prej atyre, sepse kam shumë. Nuk e zgjedh dot, janë shumë.

Si ju thërrasin vartësit?

KM

Ke në plan ndonjë ekspozitë tjetër?

Po, në Berlin në shtator

Momenti juaj më i vështirë cili ka qenë?

Kam pas disa momente të vështira. Nuk di të them cili, por ndoshta momenti i vështirë, i vështirë ka qenë kur humba babain.

Pendimi për vendimet që ke marrë?

S’pendohem unë për vendimet që marr.

Si do e përkufizoni dashurinë?

Si do e përkufizoja dashurinë, si arsyen më të madhe për të jetuar. Është shija më e mirë që ka jeta.

 

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.