OPINION

Ç’do Kina në detin Baltik?

07:21 - 31.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga SHABAN MURATI

 

Sikur të mos mjaftonin tensionet që ekzistojnë midis vendeve të detit Baltik dhe Rusisë, shkon edhe Kina të ngatërrohet në atë rajon, duke marrë anën e atij që gjeneron tensionet, pra të Rusisë. Ndaj shkaktoi një habi të madhe ndërkombëtare organizimi i manovrave të përbashkëta ushtarako-detare të flotës ushtarake të Kinës me flotën ushtarake të Rusisë në detin Baltik nga data 21 deri në datën 28 korrik. Është hera e parë në histori që Kina zhvillon manovra ushtarake në atë rajon dhe hera e parë që Kina organizon manovra ushtarake në Europë. Është një zhvillim i pazakontë, të cilit ia shton ngarkesën negative mungesa e një baze, motivi apo logjike të pjesëmarrjes së Kinës me flotën e vet ushtarako-detare në veprimtari në detin Baltik, një rajon në një kontinent tjetër, 14 mijë milje detare larg brigjeve kineze.

Së pari, pjesëmarrja e Kinës në manovrat e përbashkëta ushtarako-detare me Rusinë është një mbështetje e qartë politike dhe strategjike për Rusinë. Kjo mbështetje bëhet edhe më e vlefshme për Moskën, po të kemi parasysh kohën në të cilën jepet mbështetja. Është koha e një izolimi të Rusisë nga shtetet e rajonit të Baltikut për shkak të acarimeve dhe të ndërhyrjeve të Rusisë në punët e brendshme të atyre shteteve. Në agjencinë shtetërore ruse të propagandës ndërkombëtare “Sputnik”, eksperti Vladimir Terekhov e shpreh kënaqësinë ruse me deklaratën se manovrat e përbashkëta ruso-kineze i japin mbështetje Rusisë në mesin e tensioneve të saj me Perëndimin dhe mbështetja nga Kina vjen në kohën e duhur.

Mbetet një enigmë kineze përse qeveria e Pekinit ka gjykuar të futet në një zonë të tensionuar të largët dhe të afishojë një mbështetje ndaj Moskës, nëpërmjet një veprimtarie ushtarake me Rusinë në detin Baltik. Rajoni nuk ka asnjë lidhje me Kinën, as me linjat e saj tradicionale detare, tokësore apo ajrore. Rajoni nuk ka asnjë lidhje me rrugët tradicionale tregtare të Kinës dhe as me iniciativën ndërkombëtare kineze të ringjalljes së rrugës së mëndafshit. Pjesëmarrja e Kinës në manovrat e përbashkëta ushtarake me Rusinë jo vetëm nuk i ul tensionet në rajon, por i shton ato edhe më tepër, nëpërmjet inkurajimit të forcës së Rusisë. Rusia ka marrëdhënie të acaruara me të gjitha shtetet e detit Baltik dhe që nga kriza ukrainase Moska ka intensifikuar tensionet dhe shkeljet e hapësirave territoriale të atyre vendeve. Flota ushtarako-detare ruse është një nga instrumentet kryesore të provokimit të tensioneve nëpërmjet shkeljeve të ujërave territoriale të shteteve baltike. Nuk mendohet që diplomacia kineze nuk e di se vendet e detit Baltik e konsiderojnë Rusinë burim kërcënimi për sigurinë, sovranitetin dhe integritetin e tyre.

Së dyti, nuk është e qartë përse Pekini e quajti të nevojshme të ndërmerrte një veprimtari ushtarake me Rusinë në Baltik, duke e ditur paraprakisht se kjo do të konsiderohej sfidë direkte ndaj Europës dhe Perëndimit. Në detin Baltik ndodhen 8 shtete anëtare të Bashkimit Europian dhe gjashtë shtete anëtare të NATO-s. Të gjitha ato shtete kanë marrëdhënie miqësore dhe ndjekin një politikë miqësore me Kinën. Shtetet e detit Baltik nuk kanë asnjë interes në detet që lagin Kinën dhe nuk kanë cenuar ujërat dhe interesat kineze. Nga pikëpamja diplomatike, nuk mendohet se demonstrimi ushtarak dhe pjesëmarrja e flotës ushtarako-detare kineze në manovrat me flotën ushtarako-detare ruse në Baltik do të ndihmojë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e Kinës me vendet e detit Baltik, qofshin anëtarë të BE-së ose të NATO-s. Duke folur për manovrat e përbashkëta ruso-kineze, ministri polak i Mbrojtjes Antoni Macierewicz deklaroi se aleanca strategjike midis Rusisë dhe Kinës përbën një kërcënim për botën e lirë.

Zyrtarët kinezë kanë theksuar, dhe vetë Presidenti i Rusisë Vladimir Putin në datën 28 korrik deklaroi se manovrat ushtarako-detare të përbashkëta midis Rusisë dhe Kinës nuk drejtohen kundër një pale të tretë. Pala e tretë janë 8 shtete anëtare të BE-së, të cilat ndajnë detin Baltik së bashku me Rusinë dhe po kalojnë një fazë tensionesh në marrëdhëniet me të. Është e natyrshme që Rusia të zhvillojë manovra ushtarako-detare në ujërat e saj. E panatyrshme është të zhvillojë Kina manovra ushtarako-detare në detin Baltik. Çfarë do dhe çfarë pune ka Kina në detin Baltik? Çfarë mesazhi politik kërkon t’u japë vendeve të atij rajon Pekini me këtë lëvizje ushtarake? Pikërisht palës së tretë i drejtonte një kërcënim në një editorial të saj gazeta shtetërore kineze “Global Times” në datën 21 korrik, kur deklaronte: “Nëse ndonjë palë e tretë është jo miqësore ndaj Kinës dhe Rusisë, ajo do të ndjejë presionin e padukshëm”. Duke pasur parasysh stilin klasik të diplomacisë kineze, të njohur që nga koha e Mao Ce Dunit, që mesazhet politike e diplomatike i lëshon përmes organeve shtetërore të shtypit, manovrat ushtarake kineze në Baltik marrin një përmbajtje shqetësuese.

Zyrtarët rusë dhe kinezë nxituan gjithashtu të sigurojnë opinionin ndërkombëtar se manovrat e përbashkëta ushtarake nuk duhen konsideruar si krijim i një aleance ushtarake midis Rusisë dhe Kinës, por vetëm si një partneritet strategjik. Natyrisht, ende nuk kemi një aleancë zyrtare ushtarake midis Rusisë dhe Kinës, me angazhime dhe detyrime reciproke ushtarake. Por manovrat ushtarake të përbashkëta ruso-kineze në Oqeanin Paqësor, në detin Mesdhe, në Detin e Zi dhe tani në detin Baltik, janë hapa që shkojnë drejt projektimit të një aleance ushtarake midis dy vendeve. Nuk është sekret që udhëheqës të lartë të Kinës dhe të Rusisë janë shprehur për mundësinë e një aleance ushtarake midis dy vendeve.

Nuk janë bindëse as argumentet e paraqitura nga mediat shtetërore kineze dhe ruse se manovrat ushtarako-detare të Kinës me Rusinë në detin Baltik janë një përgjigje ndaj demonstrimeve ushtarako-detare të SHBA në detin e Kinës Jugore. Është vështirë të kuptohet si një përgjigje reale demonstrimi i forcës ushtarake, që Kina iu bën 8 shteteve anëtare të BE-së, që lagen nga deti Baltik.

Deri tani qeveria dhe diplomacia kineze nuk e kanë shpjeguar kontradiktën midis veprimtarisë ushtarake kineze në detin Baltik dhe programit qeveritar ekonomik dhe financiar kinez të quajtur “Programi 16 plus një”, ku Kina ka përfshirë 16 shtete ish-komuniste të Europës Lindore, ndër të cilat hyjnë edhe katër shtete të detit Baltik. Manovrat ushtarako-detare nuk lidhen as me investimet dhe as me projektet infrastrukturore, që Kina premton të realizojë në vendet e “Programit 16 plus një”.

Së treti, nuk është e qartë se çfarë përfitimesh shikon Kina në këtë demonstrim të muskujve të saj ushtarakë në detin Baltik. Ajo ka pasur dhe ka shumë mundësi për t’i demonstruar muskujt e saj ushtarakë në oqeanin Paqësor dhe në oqeanin Indian, dhe madje Kina ka ndërtuar bazën e saj të parë ushtarako-detare jashtë vendit, në Xhibuti, në bririn e Afrikës. Por vështirë të gjesh logjikë ushtarake, politike dhe diplomatike për demonstrimin e muskujve ushtarako-detarë në detin Baltik dhe për përgatitjen e forcave ushtarake kineze me terrenet dhe ujërat e detit Baltik.

Duket se në Pekin kanë menduar që me zhvillimin e manovrave ushtarako-detare në detin Baltik t’i drejtojnë një mesazh force jo vetëm Perëndimit, BE-së dhe NATO-s, por gjithë botës. Ky mesazh ka të bëjë me staturën e re ushtarake botërore, që Kina po kërkon dhe po nxiton ta vendosë në arenën botërore. Gazeta shtetërore kineze “Global Times” e datës 21 korrik, duke zbërthyer qëllimet dhe strategjinë e Kinës në organizimin e manovrave ushtarake në Baltik, bënte një paralajmërim të lexueshëm: “Flota kineze do të bëhet më e fuqishme dhe më e fuqishme dhe do të marshojë larg e më larg, gjë me të cilën Perëndimi duhet të mësohet. Sot interesi i Kinës shtrihet në të gjithë globin dhe Kina po aktivizon rolin e saj, që deti ia ka rezervuar popullit kinez”. Janë ide ambicioze, të cilat, duke pasur parasysh stilin e përmbajtur të deritanishëm politik dhe diplomatik kinez, tregojnë për një nxitim të Pekinit drejt ambicies gjeopolitike si një fuqi detare globale me pretendime drejt hapësirave detare të kontinenteve të tjera. Është një shenjë se diplomacia e paqes dhe e buzëqeshjes së përjetshme ka humbur qetësinë dhe në skenë po kristalizohen ambicie, që po rrisin dhe do të rrisin më shumë rivalitetet ushtarake dhe gjeopolitike në shkallë botërore. Duke analizuar lundrimin e parë të aeroplanmbajtëses së parë kineze në gusht të vitit 2011, në një artikull në “Gazeta Shqiptare” me titull “Divorci i Kinës me politikën difensive”, kam shkruar: “Divorci i Kinës me politikën difensive është një zhvillim negativ, i cili mendohet se do të ketë efektet e veta, të drejtpërdrejta dhe të tërthorta, jo vetëm në Azi, por edhe në kontinentin europian”.

Shqipëria është shtet anëtar i NATO-s dhe duhet të ndjekë me vëmendje çdo zhvillim ose tendencë negative, që shfaqet në hartën e sigurisë atlantike, pjesë e së cilës jemi, nga deti Baltik në detin Adriatik.


Shfaq Komentet (3)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. … ““Flota kineze do të bëhet më e fuqishme dhe më e fuqishme dhe do të marshojë larg e më larg, gjë me të cilën Perëndimi duhet të mësohet”. Atehere, i bie te mesohemi edhe ne. Per te mos thene qe ne kemi qene te mesuar, ne tjeter kohe, kuptohet. Por nje gje dihet mire:-Qe e ashtuquajtura politike shqiptare e pasviteve `90-te, lujti shume keq me Kinen…

    Përgjigju ↓
    1. Nje analize komplet e permbysur me premisa komplet te fbrikuara. Autori duhet te informohet me shume..minimalisht te kuptoje se kush po fut hundet ne punet e te tjereve

      Përgjigju ↓