DOSSIER

EKSKLUZIVE, publikohet korrespondenca/ Sokrat Plaka: Të mos u jepet vizë Michel Piccoli-t dhe grupit të xhirimit të “Gjeneralit…”

10:02 - 31.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play
TO GO WITH STORY BY LAURENT LOZANO
Albanian novelist Ismail Kadare gestures during an interview with AFP on February 8, 2015 in Jerusalem. Born in 1936 in the Albanian mountain town of Girokaster, Kadare has won a number of prestigious prizes including the first international Man Booker Prize in 2005. AFP PHOTO/ GALI TIBBON

Dashnor KALOÇI




Pas përkthimit dhe botimit në Francë të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare në fillimin e viteve ’70, libër i cili pati një jehonë të madhe dhe u prit mjaft mirë jo vetëm në qarqet frankofone por edhe më gjerë, romani zgjoi kureshtje dhe interes të madh edhe te një pjesë e kineastëve e producentëve francezë. Të cilët rendën të krijonin kontaktet e para me stafin e ambasadës shqiptare në Paris, përfaqësues të shtetit shqiptar si dhe me vetë autorin e “Gjeneralit…”, shkrimtarin Ismail Kadare, me qëllim ekranizimin e tij. Dhe pas shumë kontaktesh e takimesh, përfaqësuesit e shoqërisë filmike franceze “WOHORDUN”, në mesin e viteve ’70, arritën që të lidhnin edhe kontratat përkatëse për realizimin e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, me përfaqësuesit e palës shqiptare dhe vetë autorin e skenarit, Kadarenë. Gjë e cila duhet thënë se kaloi nëpërmjet një “filtri të hollë” të palës shqiptare, nisur nga skenari që iu shikua Kadaresë me “lupë” nga autoritetet “kompetente” në Tiranë, e mjaft aspekte të tjera të kësaj natyre. Gjithsesi duhet thënë se ajo gjë, pra fakti se francezët po ekranizonin një vepër të një shkrimtari shqiptar, u quajt “një arritje e madhe” nga Tirana zyrtare, ashtu siç dhe ishte në të vërtetë. Dhe në këtë kuadër, pala shqiptare u impenjua plotësisht për realizimin e kontratës me shoqërinë filmike franceze “WOHORDUN”, dhe vetë shkrimtari Ismail Kadare u lejua që të shkonte disa herë në Francë për këtë problem. Por, me gjithë impenjimin dhe seriozitetin e palës shqiptare, për arsye ende të pasqaruara, shoqëria filmike franceze po e zvarriste gjithnjë e më shumë realizimin e filmit, aq sa e detyroi palën shqiptare që jo vetëm të hiqte dorë nga bashkëpunimi me ta, por edhe ta prishte kontratën dhe ta hidhte në gjyq shoqërinë filmike franceze. Dhe për këtë gjë ajo angazhoi gjithë stafin e ambasadës sonë në Paris, juristë dhe diplomatë të ndryshëm nga Ministria e Jashtme në Tiranë për ndjekjen e problemit në fjalë. Po kështu, për ta përfaqësuar në gjyq, ajo pajtoi avokatin e njohur francez George Kijeman, me të cilin lidhi edhe një protokoll marrëveshjeje. Ndërkohë që ende vazhdonin bisedimet dhe seancat gjyqësore, në fundin e viteve ’70, për realizimin e filmit u vetofrua një tjetër shoqëri filmike franceze (“FILMSS 66”), me në krye aktorin e njohur Michel Piccoli. Pas disa tratativash, Tirana zyrtare pranoi t’ia besonte Piccoli-t “Gjeneralin…”, dhe si rezultat u lidhën menjëherë kontratat përkatëse. Po kështu, me urdhër e porosi nga “lart”, u vunë në dispozicion disa ministri e institucione, si Ministria e Jashtme, e Financave, e Arsim Kulturës, e Mbrojtjes, e Punëve të Brendshme, Albturizmi, Kinostudioja “Shqipëria e Re”, Lidhja e Shkrimtarëve, Komiteti për Marrëdhënie Kulturore e Miqësore me Botën e Jashtme etj., etj., pra me pak fjalë i gjithë shteti shqiptar, për të realizuar gjithçka që kërkonin francezët. Por diku nga fillimi i vitit 1982 (pak ditë pas ngjarjes së datës 18 dhjetor 1981, me kryeministrin Mehmet Shehu, që u gjet i vrarë nga plumba pistolete në dhomën e tij të gjumit), ngjarjet morën tjetër rrugë nga sa ishte parashikuar. Papritur, si me magji, u ndërruan rolet. Tashmë ishte pala shqiptare që po e zvarriste gjithnjë e më shumë realizmin e “Gjeneralit…”, duke nxjerrë pretekste dhe pretendime nga më të ndryshmet. Aq sa në gushtin e vitit 1982 (teksa vazhdonte procesi hetimor ndaj të ashtuquajturit ‘Grupi armiqësor i Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut’), zëvendësministri i Punëve të Jashtme në Tiranë, Sokrat Plaka, me anë të një telegrami shifër “Tepër sekret”, njoftonte ambasadat shqiptare në Paris, Romë, Beograd e Athinë, që në mënyrë kategorike të mos i pajisnin me vizë hyrëse për në Shqipëri, Michel Piccoli-n dhe ekipin realizues të “Gjeneralit…”. Lidhur me këto e të tjera, bëhen të ditura nga këto dokumente arkivore që po publikojmë të plota në këtë pjesë të librit si dhe në kapitujt në vijim.


REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE
MINISTRIA E ARSIMIT DHE KULTURES
DREJTORIA E FINANC REVIZION Tiranë, më 15.5.1982

Nr.2286 Prot.

Lënda: Kërkesë për trajtimin e grupit francez të xhirimit në hotelin e Turizmit

MINISTRIA E PUNEVE TE JASHTME
(Drejtorisë së dytë)
MINISTRISE SE FINANCAVE
(Drejtorisë të të ardhurave)
T I R A N E

Në vendin tonë do të vijë për xhirimin e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, një grup francez. Del problem pagesa në hotelet e Turizmit, pasi ata kanë dy lloj çmimesh: një për të ftuarit dhe një për grupet e specialistëve dhe afaristëve që vijnë me shpenzimet e tyre.
Grupi francez do të përballojë edhe shpenzimet për fjetjen në hotel të punonjësve tanë.
Në këto kushte, jemi të mendimit që për grupin e mësipërm hotelet e Turizmit të zbatojnë çmimin e fjetjes të caktuar për të huajt që vizitojnë vendin tonë.
Lutemi na jepni mendimin tuaj.
ZEVENDESMINISTRI
(Fejzi Koçi)
……………………
K o m i t e t i
Nr. 144 Tiranë, më 12.7.1982

I N F O R M A C I O N
Ambasada jonë në Paris na njofton se ka kërkuar vizë për të ardhur në vendin tonë grupi i xhirimit të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, sipas romanit dhe skenarit të Ismail Kadaresë. Grupi përbëhet prej katër personash dhe dëshirojnë të vijnë nga data 28 korrik deri më 25 gusht 1982.
Nga biseda që patëm me shokët e Kinostudios “Shqipëria e Re”, del se gjatë vizitës së fundit që sipërmarrësi i prodhimit të filmit, Michel Pikoli bëri në vendin tonë gjatë muajit korrik 1981, është rënë dakord që kineastët francezë të vijnë edhe një herë para se të fillojnë xhirimin e filmit për të filmuar punimet për ndërtimin e skenave, sistemin dhe kompletimin e ambienteve, si dhe përcaktimin e automjeteve që do të përdoren për xhirimin e filmit, i cili do të fillojë më 18 ose 25 tetor 1982.
Njoftimin për ardhjen në vendin tonë të grupit të xhirimit, sipërmarrësi i prodhimit të filmit ia ka bërë direkt Kinostudios “Shqipëria e Re”, e cila i është përgjigjur pozitivisht.

K R Y E T A R I
JAVER MALO
……………
AMBASADE
DE LA REPUBLIQUE POPULAIRE SOCIALISTE Paris 8.VIII.1982
D’AlBANIA
EN FRANCE
131. RUE DE LA POMPE PARIS 16
TEL 553-51-32
Nr. 258 Prot.
Ministrisë së Punëve të Jashtme
(Drejtorisë së Dytë)
Tiranë
Mishel Pikoli na dorëzoi një zarf me lutje për të përcjellë urgjent në Tiranë në adresë të drejtorit të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, M.Hugues NONN Hotel Tirana, një letër për drejtorin e Kinostudios “Shqipëria e Re”, V. Zallëmi dhe një tjetër për shkrimtarin I.Kadare. Sipas Mishel Pikolisë, zarfet duhet t’u dorëzohen sa më parë, sepse përmbajnë lista të pjesëmarrësve si dhe të dhëna të tjera lidhur me filmin.

Ambasadori
(Petraq Pojani)

…………………………………
Urgjente Dt.26.8.1982 TEPER SEKRET
S H I F R I M I
Adresa: Ambasadës Romë, Paris, Athinë, Beograd.
Koncepti: Në rast se paraqiten për vizë grupi i xhirimit të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i përbërë nga: 1. Michel Pikoli, 2. Huge Nacin, 3. Domenigue Tabuteau, 4.Jan Lui Millart, të mos u jepet vizë.
Po të paraqiten, na njoftoni dhe prisni përgjigjen tonë.
Sokrat Plaka
………………………
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE
MINISTRIA E ARSIMIT DHE E KULTURES
DEGA E JASHTME Tiranë më 23.8.1982
Nr. 4248 Prot.
Lënda: Dërgohen projektkontrata dhe informacioni i Kinostudios
Për dijeni
KOMITETIT QENDROR TE PPSH
(Sektorit të propagandës me jashtë)
KESHILLIT TE MINISTRAVE
(Sektorit të arsimit dhe të kulturës)
MINISTRISE SE PUNEVE TE JASHTME
(Drejtorisë së Dytë)
T I R A N E
Bashkëngjitur po ju dërgojmë:
1.    Projektkontratën që mendojmë të nënshkruajë Kinostudioja “Shqipëria e Re” me shoqërinë kinematografike franceze “Films 66”, për xhirimin e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
2.    Informacionin mbi problemet për xhirimin e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Presim miratimin tuaj.
M I N I S T R I
(Tefta Cami)
Më 24.8.1982, bazuar urdhrit të sh. T. Cami, ramë dakord që kontrata të mos nënshkruhet tani pse kemi shumë vërejtje. Për këto sh. Tefta do njoftojë e marrë miratimin nga Komiteti Qendror dhe Këshilli i Ministrave.
26.8.1982
Reiz Malile


Shoqja Xhemile
Materialet i janë dërguar dorazi shokut Reiz.
Ju lutemi kalojani pak shkresën.
………………………

(vijon nesër)


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Dokumente, dëshmi dhe përfundime që zbulojnë e publikojnë të vërtetën për qëndrimet e padrejta të institucioneve shtetërore të RPSSH, për të mos realizuar filmin “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, të shkruar nga Ismail Kadare dhe të vlerësuar ndërkombëtarisht.

    Përgjigju ↓