OPINION

Duartrokitje të parakohshme shqiptare për Vuçiçin

08:02 - 07.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga SHABAN MURATI

 

Në diplomaci nuk është si në art ku mund ta duartrokasësh artistin sapo del në skenë dhe ende pa nisur të këndojë, me qëllim që ta inkurajosh. Ndaj kam frikë se do të keqkuptohen në Beograd duartrokitjet, që disa grupe politike dhe mediatike në Tiranë dhe në Prishtinë i drejtuan presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për një artikull të botuar në 24 korrik në një gazetë serbe, ku njofton se ka ndër mend të organizojë një dialog të brendshëm midis serbëve për Kosovën.

Mendoj se do të keqkuptohen duartrokitjet shqiptare nga Beogradi, sepse do të krijojnë përshtypjen sikur presidenti i Serbisë ka bërë një lëshim të madh që ka vendosur të diskutojë me popullin se çfarë duhet të bëjnë me Kosovën. Mendoj se do të keqkuptohen duartrokitjet shqiptare nga Brukseli, ku në BE do të mendojnë se, meqë shqiptarët në të dy anët e kufirit u kënaqën kaq shumë, vërtet presidenti i Serbisë paska ndërmarrë një hap të madh. Dhe BE, duke u ndikuar nga duartrokitjet shqiptare, do ta klasifikojë si lëshim të Vuçiçit idenë e tij për dialog me popullin serb, dhe mund t’i kërkojë Prishtinës të bëjë një lëshim në çështjen e Kosovës për hir të “reciprocitetit”. Ajo që mund të thuhet me siguri është fakti se duartrokitjet shqiptare ndihmojnë reklamën diplomatike ndërkombëtare të figurës së presidentit serb.

Në planin serb, duartrokitjet e Tiranës dhe të Prishtinës, për dialogun e brendshëm serb, pra për një çështje të brendshme serbe, mund të sjellin një element vështirësie në këtë dialog. Disa grupe ultranacionaliste serbe, duke parë entuziazmin shqiptar, mund t’i sugjerojnë presidentit të bëjë një dialog në vetvete dhe pa fund dhe shqiptarët të vazhdojnë ta duartrokasin pa marrë asgjë. Në fakt, dialogu i brendshëm serb për pranimin e realitetit të Kosovës si shtet i pavarur ka 18 vjet, që vazhdon që nga çlirimi i Kosovës prej NATO-s.

Nuk është kuptuar mirë në Tiranë dhe në Prishtinë se dialogu i brendshëm serb për Kosovën është një çështje e brendshme e popullit dhe e qeverisë serbe. T’i japësh duartrokitje shqiptare atij, do të thotë të pranosh vartësinë e fatit të Kosovës nga Serbia, gjë që është e papranueshme, sepse fatin e Kosovës e ka përcaktuar populli i Kosovës, e ka përcaktuar NATO dhe faktori perëndimor, që e çliroi dhe e bëri shtet, dhe njohja nga 114 shtete anëtare të OKB. Dialogët, debatet apo panelet politiko-propagandistike serbe janë çështje e brendshme serbe dhe nuk kanë logjikë emocionet e disa zyrave shtetërore shqiptare në të dy anët e kufirit për dialogun serb. Kosovës dhe Shqipërisë u intereson që Serbia të njohë shtetin e Kosovës dhe nëse presidenti Vuçiç do të vendosë ta bëjë atë hap, ahere mendoj se ka vend për duartrokitje.

Kushdo që lexon me vëmendje artikullin e presidentit serb në gazetën “Blic” me thirrjen për “prerjen e nyjës gordiane të Kosovës”, e sheh menjëherë se Aleksandri i vogël nuk ka nxjerrë as shpatën nga milli. Aleksandri i Madh nuk pyeti popullin kur preu me shpatë nyjën e famshme gordiane. Presidenti serb nuk ofron asgjë, as zgjidhje dhe as objektiv. Madje nuk përcakton as për çfarë gjëje konkrete do të zhvillohet ky dialog i brendshëm serb, do të jetë për çështjen e njohjes së Kosovës nga Serbia apo do të jetë që Serbia të rikërkojë rihapjen e çështjes së statusit të Kosovës.

Përse presidenti i Serbisë nuk e tregon objektin konkret të dialogut të brendshëm serb? Është naive të mendosh se ai nuk e ka shpatën për ta prerë “nyjën gordiane të Kosovës”. Ai ka shumicën në parlament, ka një kontroll autokratik në të gjitha mekanizmat shtetërore, në ushtri, në polici, në shërbimin sekret, në mediat, në institucionet shkencore, në biznes, në shoqërinë civile dhe madje edhe në kishën ortodokse serbe. Është naive të mendosh se Shesheli e pengon për të bërë njohjen e Kosovës. Thelbi është se presidenti serb kërkon ta shesë shtrenjtë njohjen e ardhshme të detyrueshme të Kosovës nga Serbia. Kjo taktikë mund të quhet diplomacia e pikatores.

Presidenti i Serbisë nuk është shumë bindës, sepse edhe në artikullin e tij të reklamuar ai vazhdon të përdorë termin kolonialist serb “Kosova dhe Metohija”. Nuk krijon bindje ai, sepse jo shumë larg, por dhjetë ditë përpara artikullit, në takimin e tij me kryeministrin e Greqisë, Aleksis Cipras, Vuçiç lavdëroi dhe falënderoi Greqinë pse nuk njeh Kosovën. Në çdo takim të nivelit të lartë dypalësh me shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, presidenti i Serbisë edhe ministri i tij i Jashtëm fillojnë me ritualin e lavdërimit dhe falënderimit të atij shteti pse nuk e ka njohur Kosovën. Dhe për t’i vënë kapakun se çfarë lloj dialogu ka ndërmend qeveria e Serbisë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ivica Daçiç, duke shpjeguar idenë e presidentit për dialog të brendshëm serb për Kosovën, deklaroi në 3 gusht se “është e turpshme që ndonjëri mendon se Serbia do të dorëzohet e do të njohë pavarësinë e deklaruar njëanshmërisht të Kosovës”.

Edhe fakti që presidenti serb vendosi të bëjë thirrjen për dialog të brendshëm në një artikull gazete, dhe jo në presidencë, as në parlament dhe as në ndonjë institucion zyrtar, tregon se atij i intereson më shumë aspekti propagandistik i hapit të tij.

Ajo që duhet kuptuar është se presidenti serb po e bën hapin nga halli, apo më saktë nga që është i detyruar nga dinamika e marrëdhënieve të Serbisë me BE. Serbia ka katër vjet që ka hapur bisedimet me BE për Traktatin e Pranimit, por asaj i është bërë e qartë nga udhëheqësit më të lartë të BE dhe të shteteve më të fuqishme europiane se nuk mund të hyjë në BE pa njohur Kosovën. Vuçiç, i cili ka katër vjet që drejton Serbinë, e ka zvarritur këtë çështje, sepse ka pasur kohë sa të diskutoheshin kapitujt e Traktatit të Pranimit, që nuk lidhen me Kosovën. Tani po afrohet momenti i kapitujve, kur udhëkryqi është i qartë: ose të njohë Kosovën dhe të shkojë drejt mbylljes së bisedimeve të pranimit në BE, ose të mos pranojë njohjen e Kosovës dhe të bllokojë hyrjen në BE. Presidenti serb kërkon të fitojë kohë dhe në këtë funksion hodhi idenë e dialogut të brendshëm serb për Kosovën. Me këtë synon t’i thotë Brukselit se ai e ka jashtëzakonisht të vështirë ta marrë shpatën dhe “ta presë nyjën gordiane” dhe me këtë taktikë të nxisë Brukselin t’i japë si kompensim ndonjë lëshim të madh nga Prishtina.

Duartrokitjet nga Tirana dhe nga Prishtina e bëjnë presidentin serb më të besueshëm në sytë e Brukselit. Madje në Bruksel mund të jenë habitur se ç’ patën tani shqiptarët në të dy anët e kufirit, që u entuziazmuan kaq shumë nga një artikull gazete i Vuçiçit. Sepse Vuçiç nuk e tha për herë të parë në 24 korrik idenë e dialogut. E tha edhe të nesërmen e betimit tij si president në muajin maj, kur deklaroi se është e nevojshme të hapet një dialog i brendshëm për Kosovën dhe se unë dëshiroj të hap një dialog që do të zgjasë tre ose gjashtë muaj. Nuk reaguan ahere shqiptarët në Tiranë dhe në Prishtinë, por duartrokitën tani, kur Vuçiç nuk e përmendi më afatin tremujor ose gjashtëmujor.

Në fushatën e sponsorizuar mediatike, që Serbia po përpiqet të ndezë në Ballkan për lëvizjen e re të presidentit të saj, po shfaqen edhe hiperbolat e stërzmadhimet ballkanike për glorifikimin e idesë së Vuçiçit, duke arritur deri në absurditete të krahasimit të tij me Sharl De Golin. Është zakoni ballkanik i matjes me hijen e mëngjesit, sepse presidenti historik De Gol bëri aktin e madh të tërheqjes vullnetarisht nga pushtimi francez i Algjerisë, kurse Serbinë e dëbuan nga pushtimi i Kosovës forcat e NATO-s në 1999, dhe Serbia e ka futur edhe në Kushtetutë ambicien për ta ripushtuar Kosovën.

Presidenti i Serbisë dhe diplomacia serbe po përpiqen shumë që ta shesin idenë për dialogun brenda serb për Kosovën si një novacion të madh diplomatik. Në fakt, nuk është diçka e re. Në vitin 2009 thirrje publike për të ndryshuar qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës ka bërë edhe presidenti i atëhershëm, Boris Tadiç, i cili madje zgjodhi edhe një forum serioz dhe tepër domethënës si Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë për të paraqitur kërkesën për ndryshim të qëndrimit ndaj Kosovës. Në një fjalim në hapje të Asamblesë vjetore të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, në 26 nëntor 2009, Tadiç deklaroi: “Negociatat mbi Kosovën kanë nevojë për një qëndrim të ndryshëm dhe mungesa e fleksibilitetit është një nga problemet themelore të Serbisë. Çdo njeri që nuk ka mësuar mësimin e thjeshtë, që qëndrimi i ashpër, jofleksibël dhe jashtëzakonisht tradicionalist dhe që nuk jep rezultat, është duke humbur të drejtën dhe legjitimitetin të vazhdojë punën”. Në atë kohë, në një artikull me titull “A po merr Serbia kthesën?”, botuar në 30 nëntor 2009 te “Gazeta Shqiptare”, kam shtruar pyetjen: “A do të arrijë ai që këtë sinjal ndryshimi ta kthejë në një kurs të ri të Serbisë ndaj Kosovës? A do të shkojë ky sinjal ndryshimi deri në pikën ku Serbia të pranojë realitetin e një Kosove të pavarur? Kjo mbetet të shihet”. Kanë kaluar tetë vjet nga ajo thirrje e Tadiçit dhe kemi përsëritjen e saj nga Vuçiçi. Ndaj ka të drejtë një nga politikanët e pakicës serbe në veri të Kosovës, O. Ivanoviç, kur tha në 25 korrik se të gjithë presidentët dhe kryeministrat serbë e kanë pasur idenë e dialogut.

Koha ka kaluar që Serbia të njohë Kosovën si shtet i pavarur. 18 vjet pas çlirimit të Kosovës nga NATO kanë qenë më se të mjaftueshëm për dialogë e stërdialogë. Tani që presidenti i Serbisë dhe Serbia janë vënë me shpatulla pas murit nga BE, këtë pozicion të vështirë duan ta shesin sa më shtrenjtë. Beogradi ka të drejtën ta shesë, por as Tirana dhe as Prishtina nuk kanë asnjë arsye të blejnë ajër diplomatik.

Të dashur shqiptarë, prisni njëherë të këndojë presidenti serb këngën e njohjes së Kosovës, pastaj duartrokisni. Tani duhet të rrini në heshtje.

 

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (10)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. … “Tani që presidenti i Serbisë dhe Serbia janë vënë me shpatulla pas murit nga BE, këtë pozicion të vështirë duan ta shesin sa më shtrenjtë. Beogradi ka të drejtën ta shesë, por as Tirana dhe as Prishtina nuk kanë asnjë arsye të blejnë ajër diplomatik”.PËRSE DUHEN KOMENTET?!?

    Përgjigju ↓
  2. Vuçiq, murmurit , por akoma nuk e nxjerre koken nga gëzhoja….Serbët e rrallë edhe më heret kanë rastisur se belbezuari, por ama perkundrazi, kurre nuk kane mundur me shpreh ate haptas e me thene, Kosova e ka radhen e mëvetësimit…!!!!!

    Përgjigju ↓
  3. E shkelqyer. Ne shqiptaret i nderuar Profesor Shabani vazhdojme te kemi politikane adoleshent, qe entuziazmohen, si puna e djalit gjimnazist, qe sapo nje femer i thote nje fjale, kujton se e beri te dashur.
    Nejse ky qenka fati yne, kur qeveritaret i kemi adoleshent dhe keshilltaret e tyre minorene.
    Ju i nderuar Profesor jeni si puna e asaj veres, qe sa me shume kalojne vitet aq me e mire behet. Edhe nje here urime dhe faleminderit.

    Përgjigju ↓
  4. Shkrimi me pelqeu ishte njohes i herdhem i problemit,me fakte,dhe njekohesish dashammires me ne entuziastet.Shpresojme qe kessj radhe ky dialog i brendshem te jete jo i radhes,por,i gundit,per prerjen e nyjes gordiane 1200 vjecare

    Përgjigju ↓
  5. I nderuari z. Shaban,ju pergezoj per shkrimin, qofte per prembajtjen, qofte per stilin analitik. Qe te besh politike ne favor te vendit tend nuk eshte turp por detyre dhe kur kjo behet me kulture dhe patritizem si e keni bere ju, nderon autorin dhe vendin. Besniku shkruan se kemi politikane axhaminj( adoleshente ) nuk jam dakord, kemi politikane te shitur dhe kaq, kjo vlen si per Shqiperine ashtu dhe per Kosoven. Kjo eshte buke e bere nga i njejti brume.Persa i takon prof. Sulejmanit (ne mos qofte ndonje tjeter) ka bere shume gabime ortografike.

    Përgjigju ↓
  6. Jehona qe i behet artikullit te A.Vucic ne gazeten serbe,eshte i nxituar dhe i parakohshem.Jam i te njejtit mendim me ate te analistit te njohur z.Shaban Murati,i cili shpjegon me argumente bindese nje gje te tille.Duartrokitjet e parakohshme jane si pergjigja e ariut kur e pyeten ne se kane bere dardhat.Duhen shume te dhena te tjera per te gjykuar me gjakftohtesi per kete ceshtje.

    Përgjigju ↓
  7. Nje kontribut i cmuar dhe keshille per kryeministrin qe duhet te kete keshilltare te kalibrit te dipllomatit Murati.Shpresoj te jete lexuar e mesuar nga ky shkrim .Faleminderit z.Murati per kontributin e pareshtur ne ceshtjen shqiptare dhe rajonin.

    Përgjigju ↓
  8. Serbia eshte ne krize te thelle financiare andaj , Serbia nga Kosova ose nga kushdo tjeter qe lidhet me dhe rethe Kosoves done sa me shume te jete e mundur , te perfitoje …para te fresketa Cash gjithesesi.Andaj Vuciqi sillet ne kete menyre , andaj Vuciqi jepe deklarata te tilla boshe sepse , e di ai mire se shqiptaret jane mendjelehte dhe do te bien ne gracken e tij,di ta duartrokisin..!
    Edhe kure u bashkuan dy gjermanite pra , kure Gjermania Lindita u shkepute nga blloku sicialist, u fole per vleren financiare te ketij bashkimi e cila zyrtarishte kapte shumen prej 40 miljard DM por , ne fakt ishte 5-10 fishe me e larte .Edhe ate kohe ishte prononcuar presidenti Rugova per qmimin i cili duhet paguar nese Kosova shkeputet nga Serbia dhe kishte permendur vleren 10 fishe me te vogel se sa i kushtoi shkeputja Gjermanise Lindore dhe bashkimit te saje me Gjermanine Perendimore qe ne fakt la te kuptoje se ajo vlere mund te jete rethe 4 miljard DM ose , rethe 2 miljard € .Por , per keto 18 vite te paseluftes vlera financiare nga e cila ka perfituar Serbia nga Kosova ne forma te ndryshme i tejkalojne parashikimet e presidentit te ndejtem Rugova dhe sillet rethe 20-25 miljard € te cilat Vuciqi ne asnji hesap nuk done ti llogarit por kerkon me shume e me shume .Vuciq, per kete vlere monetare e do Veriun e Kosoves dhe, mbi te gjitha , ai e do Liqenin e Ujmanit i vetedijshem se nese do ta shtinte Liqenin e Ujmanit ( Gazivodes ) ne dore , Shumadia e tij do te ishte e sigurte se do ti mbijetonte mungeses se ujit i cili dita -dites po behet problem global.
    Kjo eshte arsyeja pse Vuciqi i paguan sherbetoret e tije shqiptare qe ti duartrokisin me qellim qe kokat e njerezeve te krijohet pershtypje e rrejeshme ne Serbi , Kosove , Rajon dhe Europe se ai tani me e paska te zgjedhur problemin e Kosoves , pa e hapur askund asnji dialog per Kosoven por , duke mose e leshuar nga shenjestra e snajperit serb ne asnji cast Liqenin e Ujmanit , vlera e te cilit pak s shume duhet te jete rethe 40 miljard ose me shume €
    Uroje z.Rrahmani per kete shkrim te shkelqyer dhe shume analitik ..!

    Përgjigju ↓
  9. Kerkoje ndjese autorit te shkrimit per gabimin qe mu pervidh duke e uruar profesor Shaban Muratin per kete shkrim, gabimisht e shkruajta emrin z.Rrahmani
    Respekt

    Përgjigju ↓