MILOSAO

Kur nisi udhën e saj letërsia e Realizimit Socialist në Shqipëri

08:21 - 07.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Albert GJOKA

Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri konflikti për mbështetjen ose jo të rezistencës së armatosur kundër nazi-fashizmit u shtri jo vetëm në qarqet politike, por edhe në mjediset intelektuale dhe kulturore të kohës. Shkrimtarët që kishin marrë pjesë me armë në luftë, të mbështetur edhe nga strukturat politike, e vazhduan luftën e tyre për të realizuar edhe përmbysjen e sistemit letrar, me parimin e qartë se “letërsi është vetëm letërsia e Partisë”. Fillimisht, përplasja shfaqej si një konflikt mes të resë dhe të vjetrës; mes përparimit dhe regresit. Këto debate zunë vend në media, në forume të ndryshme, por u bënë edhe pjesë e vetë artit. Ja se çfarë shkruhej në poezinë “Ku ishe ti” e “poetëve neutralë” të autorit Dhimitër Shuteriqi:
Ku ishe ti/kur unë kërkoja t’çilej qielli?/Ku ishe ti/kur unë kërkoja drit’n e diellit?/-Isha mbi re,/isha në qiell dhe kërkoja/qi të gris retë/ e bashkë me diellin të ndirçoja/për ty të shkretë” dhe në strofën e fundit:
“Ku ishe ti/kur dheu sërish u ri në mot?/Ku ishe ti/kur thanë se dita e par asht sot?/Ku ishe ti,/kur leu ndadhnimi qi s’ka mort?/ Ku ishe ti,/ku ishe ti,/Poet?/ – Isha nën dhetë! (Revista “Literatura”, 1947, nr. 1)
Teksa zhvillohej ky debat ishte krijuar edhe Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë më 25 nëntor 1945, një organizatë e cila u lançua si përfaqësuese e vlerave letraro-kulturore të momentit. Ajo u ndërmor nga një “komisjon iniciator: Imzot Vinçenz Prendushi, Prof. Sejfulla Malëshova, Prof. Aleksandër Xhuvani, Ali Asllani, Prof. Skënder Luarasi, Dr. Lazgush Poradeci, Dr. Dhimitër Pasko, Selim Shpuza, Sterjo Spase, Dhimitër S. Shuteriqi, Shevqet Musaraj” (Arkiva personale e Dhimitër Shuteriqit).


Në momentet e lançimit, në statutin e Lidhjes së Shkrimtarëve, ishte vendosur vetëm një kusht për praninë në organizatë, i përcaktuar në nenin 4, ku thuhet: “Nuk pranohen në këtë LIDHJE ata shkrimtarë, publicistë dhe gazetarë që i kanë shërbyer me veprat e tyre okupatorit, në mënyrë direkte dhe deri në fund tue u ba armiq të popullit”(Revista “Bota e Re”, nr. 1, 1945).
Përplasja ideore nisi organet e sapo krijuara, të cilat u shndërruan shumë shpejt jo thjeshtë në një “media” për përcjelljen dhe promovimin e arritjeve letrare, por në një arenë dhe më pas në një armë ideologjike.
Revista e parë “Bota e re” doli në korrik të vitit 1945, si vijim i “Bota e re”, e Korçës, për të mbështetur “traditat pozitiviste dhe progresive të Rilindjes kombëtare” (Bota e Re, nr. 1); “me u ba pasqyrë e zhvillimit kultural”, me përkrahur të “gjitha energjive mendore që e duan lirinë dhe përparimin”, dhe për të “mbështetur talentet e reja”(Bota e Re, nr, 1). …

Drejtuesit e revistës, të cilët ishin njëherësh edhe drejtues të Lidhjes, e paralajmëruan misionin e vështirë për të qenë një shesh për zhvillimin lirisht të mendimit shqiptar si forcë reale e përparimit. Në të gjithë numrat e saj, por edhe në shkrimin hapës të Lame Kodrës, “Roli i kulturës në Shqipërinë e sotme”, shihet qartë se misioni i kësaj reviste i tejkalonte pasqyrimin e aktivitetit letrar në vend, por ishte një “shesh” kulturologjik dhe politik, dhe për rrjedhojë do ta mbyllte aktivitetin e saj shumë shpejt, duke ia lënë vendin revistës tjetër, “Literatura jonë”, e cila e nxori numrin e parë në mars të vitit 1947, me staf të rinovuar, e fokusuar kryesisht te letërsia dhe me mision të ri, i cili do të “tribuna ku do të shtrohen problemet e literaturës s’onë, kritika letrare dhe sidomos nxitja për një prodhim letrar sa më të gjerë dhe sa më të mirë. Por sa i madh është problemi i të prodhuarit në fushën letrare aq ësht edhe ay i drejtimit letrar, i një drejtimi të ri i cili do të japë asaturën literaturës s’onë të nesërme”. Në këtë numër të revistës u botua jo rastësisht fjala e A. Fadejev “Fjala e Shokut A. A. Zhdanov dhe detyrat t’ona më urgjente” mbajtur më 2 tetor 1946 në Moskë përpara mbledhjes së shkrimtarëve sovjetikë. Edhe në numrin pasardhës u botua shkrimi “Realizma Socialiste” e L. Timofejev-it.
Edhe në numrat në vijim vijnë artikuj të Maksim Gorkit dhe autorëve të tjerë rusë, duke botuar gjithnjë e më pak nga autorë perëndimorë.
Një pjesë e mirë e autorëve shqiptarë që bashkëpunuan me “Bota e re” nuk shihen tek “Literatura jonë” me krijime apo artikuj kritikë. Kronikat për ngjarjet letrare flasin për një përafrim të madh me letërsinë dhe autorët rusë dhe instalimit gradual të letërsisë së realizimit socialist sipas praktikës ruse.  Ky diskurs kulturologjik është sjellë i plotë edhe në librin “Semiopragmatika e realizimit socialist”, me autor Ilir Yzeirin.
Viti 1947 shënoi momentin kritik të konfliktit mes “shkrimtarëve të pushkës” dhe “shkrimtarëve të mendjes”, para se të finalizohej projekti që u aprovua në Konferencën e Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve që u mbajt më 9-12 tetor 1948. Këtë e dëshmon më së miri dokumenti që po paraqitet në këtë konferencë, me titull “Literatura shqiptare në periudhën e Luftës Naçional-Çlirimtare”(F. “Dhimitër Shuteriqi”, Nr. 826, AQSH, Dosja Nr. 185).
Një historik rreth dokumentit
Ky dokument është ruajtur në arkivin personal të Dhimitër Shuteriqit, ish-kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, një nga drejtuesit kryesor të grupit për kodifikimin e metodës së realizimit socialist në Shqipëri. Në vitin 2009, ky dokument bashkë me materiale të tjera janë dorëzuar në Arkivin Qendror të Shtetit. Dokumenti ka 13 faqe të shtypura me makinë shkrimi, me dialekt të theksuar toskë, dhe mban datën 13 korrik. Me shkrim dore është shënuar viti “1947”. Po me shkrim dore është shkruar edhe autori i pretenduar i materialit, Behar Shtylla (Arkiva e PPSH, Dosja nr. 356), i diplomuar në Itali për letërsi, cili asokohe ka qenë zyrtar i lartë i Partisë Komuniste dhe më vonë ka punuar në fushën e diplomacisë.
Në Arkivën Qendrore të Shtetit ky dokument është regjistruar pa datë të saktë. Behar Shtylla ka përfunduar tre vjet studimet për letërsi në Itali dhe ka punuar gjatë vitit 1941 në revistën “Shkëndija”.  Ky punim nuk synon të merret me autorësinë e materialit, por konstatohet lehtësisht se për përgatitjen e tij, bashkë me autorin e shfaqur, pra Behar Shtyllën, kanë bashkëpunuar edhe shkrimtarë, të cilët ishin pjesë e grupit nismëtar për instalimin e metodës socrealiste në Shqipëri.

Përmbajtja e dokumentit
Materiali bën një skanim të plotë të gjendjes letrare në Shqipërinë së vitit 1947 dhe bën një klasifikim të grupeve, parë në një këndvështrim të fortë ideologjik. Këtu shfaqet koncepti i ri ideologjik për letërsinë: “Edhe procesi letrar shkon paralel me procesin e përgjithshëm, është pjesë e tij e pandarë; edhe trathtarët kanë literaturën e tyre profashiste, populli në luftën kundër tyre krijon literaturën e tij të luftës antifashiste” (F. “Dhimitër Shuteriqi”, AQSH., Nr. 826, Dosja Nr. 185). Pra, këtu theksohet se “literatura ësht literature klase” (F. Dh. Shuteriqi”, Dosja Nr. 185).
Në këtë dokument bëhet klasifikim në shkrimtarë antifashistë dhe fashistë.
Grupi i dytë ndahet në: Shkrimtarët kriminelë lufte dhe Shkrimtarët e kompromisit.(shih tabelën). Ky klasifikim bëhet duke i konsideruar grupimet kulturore si organizime të cilët kanë një drejtues, kanë anëtarët dhe mbështetësit e tyre. Referuar dokumentit, shkrimtarët e pasluftës u klasifikuan si më poshtë:
KLASIFIKIMI I SHKRIMTARËVE (sipas dokumentit)
Grupi i shkrimtarëve fashistë
Grupi i shkrimtarëve antifashistë
Shkrimtarët kriminelë-lufte
Shkrimtarët e kompromisit
Shkrimtarët antifashistë

I. DREJTUESIT E GRUPEVE
Gjergj Fishta
Grupi i Ballit Kombëtar që drejtohej nga:
Lumo Skëndo    Enver Hoxha
Mustafa Kruja    Nako Spiro
Pater Anton Harapi    Qemal Stafa
Ernest Koloqi    Lazer Shantoja
Mithat Frashëri

II. ANËTARËT E GRUPEVE
(Grupi i “Neoshqiptarizma”)
Vangjel Koça    Mitrush Kuteli
Shefqet Musaraj    Vedat Kokona
Shefqet Peçi    Nebil Çika
Nexhat Hakiu    Memo Meta
Selaudin Tota    Sterjo Spasse
Zihni Sako     Stefan Shundi
Lasgush Poradeci    Aleks Çaçi
Naxhije Duma     Pullumb Dishnica
Fatmir Gjata    Dashnor Mamaqi

III. MBËSHTETËSIT E GRUPEVE
Namik Resuli    Hetem Haxhiademi
Injac Zamputi    Nonda Bulka
Musine Kokalari    Sotir Caci
Aleksandër     Stavri Drenova    Bardhyl Pogoni    Ali Asllani
Siç shihet edhe nga tabela, për klasifikimin e shkrimtarëve është ndjekur një kriter ideologjik, ku në grupin “shkrimtarët fashistë” janë përfshirë shkrimtarët e konsideruar nacionalistët, ata që morën pjesë në qeverisjen fashiste dhe grupimi i intelektualëve të “neoshqiptarizmës”. Në grupimin e tyre, tek “shkrimtarët e kompromisit” janë përfshirë ata që ishin afër kreut të Ballit Kombëtar, Lumo Skëndo dhe në grupin e tretë, te shkrimtarët antifashistë janë përfshirë të gjithë shkrimtarët që mbështetën luftën.
Sipas dokumentit, “shkrimtarët që bien në prehrin e fashizmit, bëhen kasnecët e shërbëtorët e tij ose pajtohen me situatën e okupacionit dhe shkruajnë në këtë situatë, janë të gjithë njerës të lidhur në një mënyrë ose në tjetrën me klasën e bejlerëvet, të bajraktarëve, të tregtarëve e të priftërinjvet, në klasën që sonte në kohën e Turqisë, që sundonte në kohën e Zogut, që sondonte nën fashizmin, janë shkrimtarë të kapitalit e të pronës private, të fryrë me ndienja shoviniste për Shqipërinë e madhe kundër shkjaut, kundër grekut, me konceptin e hierarkisë së klasave e të elitës, së parisë që gëzon të gjitha privilegjet dhe sundon mi masat….” (F. Dh. Shuteriqi”, Dosja Nr. 185). Ndaj tyre dhe krijimtarisë letrare paralajmërohet qartë masa ekstreme,- zhdukja e tyre, – ashtu siç ndodhi në të vërtetë:
“Vepra e tyre. Prodhimi letrar i ketyre njerezve ne pjesen me te madhe ka pare drin perpara okupacionit dhe vlen te studjohet ne ate periudhe. Ne kohen e luftes Nacional Çlirimtare keta miren qe te gjithe aktivisht me politik ne favor te okupatorit, kunder popullit. Shkrimet e tyre te kohes kan karakter publicitar – demagogji e nxitje per lufte vella-vrasese, per lufte grabitqare kunder vendeve fqinje, glorifikojne okupacionin, meren me literature dhe politike fashiste, me literaturen italiane per te ngulur kulturen fashiste e italiane ne Shqiperi.
Vepra e tyre duhet zhdukur?” (F. Dh. Shuteriqi”, Dosja Nr. 185).
Për grupin e “shkrimtarëve të kompromisit” thuhet: “këta dallohen nga të parët për një aktivitet politik më pak të dukshëm. Vetëm kjo i ndan pse shtresa e tyre, shpirti dhe edukata e tyre i lidh me të parët” (F. Dh. Shuteriqi”, Dosja Nr. 185).
Kundër grupit të shkrimtarëve profashistë vihen shkrimtarët anti-fashistë, si letërsia e re kundër së vjetrës, një letërsi që lindi dhe u zhvillua tok me luftën ndërsa vepra e tyre përfshinte “fjalime, trakte dhe artikuj politik, gazeta, revista, broshura, vjersha, novella, drama” (F. Dh. Shuteriqi”, Dosja Nr. 185).
Në fund të këtij dokumenti thuhet: “Literatura e re ka t’ardhmen përpara. Ajo është e huaj kjo ësht e jona. Në periudhën e re të luftës për ndërtimin e socializmit shkrimtarët t’anë të mësojnë mi literaturën e luftës Nacional Çlirimtare e të perfeksionojnë artin e të shkruarit për popullint’onë në konditat e reja të luftës, në problemet dhe aspiratat e tij aktuale, mbi marrëdhëniet e reja politike, ekononomike e shoqërore të krijuara në Shqipëri” (F. Dh. Shuteriqi”, Dosja Nr. 185).
Ja sesi e argumentonte Dhimitër Shuteriqi qëndrimin e disa shkrimtarëve që u klasifikuan në të ashtuquajturin grupi i “shkrimtarëve fashistë”: “Fishtën etj., i kemi goditur si fashist e kolaboracionist më 1950 kur në tërë botën kishte raste të tilla  (Erza Paundin e shëtitën në një kafaz hekuri, nëse e di saktë; Brazijakun e pushkatuan, dhe Celini nuk hyri dot në Francë për 2-3 dekada, por jetoi i mërguar, që di saktë); tek ne vepruan ndryshe, nuk i futën në tekstet shkollore, nuk i ribotuan….”( F. “Dhimitër Shuteriqi”, Nr. 826, AQSH, Dosja Nr. 9). Ndërsa për Mitrush Kutelin shprehej: “Në Maj 1944, – gjente dhe ditën! Se me 1 maj!, – te Gazeta Letrare që botonte në Tiranë, Kuteli merrte nëpër gojë “shkrimtarët me kobure” që kishin vënë kokën në torbë kundër nazistëve. Ja budallëqe mbi budallëqe! Përse? Si guxonte? Shevqet Musaraj sapo botonte “Epopeja e Ballit Kombëtar”. Tani jo K.(Kuteli, – shën. red.), po dhe kalamanjtë e shihnin se si po precipitonte falimenti nazist: si po guxonte K. të delte e të përgojonte “shkrimtarët me kobure” që luftonin nazizmin? K. duhej të besonte si dhe disa bashkëpunëtorë të gazetës në fjalë, se Lufta nuk do të mbaronte me fitoren e partizaneve, po me fitoren e Ballit që aleatët “pseudo” të komunistëve do t’i sillte në fuqi!” ( F. “Dhimitër Shuteriqi”, Nr. 826, AQSH, Dosja Nr. 9).
Duke iu referuar të gjithë burimeve të historisë së letërsisë shqipe të pasluftës, duket qartë se ky dokument vjen në një moment kritik të debateve mes grupeve të shkrimtarëve dhe artistëve për fatin e letërsisë dhe kulturës shqiptare pas çlirimit. Pikërisht në kohën kur nuk ishte vendosur ende kahja në të cilën do të zhvillohej kultura kombëtare shqiptare asokohe, dokumenti parapriu atë që do të ndodhte me gjithë procesin letrar dhe me fatin e shkrimtarëve në vitet në vijim.

Drejt letërsisë totalitare
Konferenca e Tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipnisë, e zhvilluar më 9-12 tetor 1949, u shoqërua me debate të ashpra gjatë tre ditëve të zhvillimit të saj. Në të u përvijuan dy grupime: Mbështetësit e metodës realizimit socialist, të përfaqësuar nga Shefqet Musaraj, Dhimitër Shuteriqi, Mark Ndoja, Kol Jakova, dhe grupimi që kishte rezerva: Sejfulla Malëshova, Skënder Luarasi dhe Ymer Dishnica: Në diskutimet treditore PPSH kishte përfaqësuesin e saj, Bedri Spahiu, i cili hapi dhe mbylli debatet e kësaj konference.
Në finalizimin e konferenca sanksionoi “drejtimin që do të merrte letërsia shqipe, metodën e re të realizimit socialist sipas modelit sovjetik, riorganizoi Lidhjen dhe ndryshoi statutin që ishte miratuar në vitin 1945,”pastroi” e radhëve të saj, teksa u pozicionua ndaj traditës letrare dhe bërë seleksionimin e saj, përcaktoi rolin e ideologjisë në letërsi, përzgjodhi rreptësisht temat që duhet të trajtonte letërsia, përzgjodhi formën nacionale dhe përmbajtjen socialiste të letërsisë, mënyrën e formimit të talenteve të reja letrare, rolin që duhet të ketë kritika dhe autokritika dhe çështjen e përkthimit të letërsisë së huaj, ku u vendos që të vinte në shqip kryesisht letërsi sovjetike” (“Konferenca e III-të e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë 9-12 tetor 1949, Botim I Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, Tiranë, 1950).
Në botimin e bërë enkas për Konferencën e Tretë vetëm diskutimet e Sejfulla Maleshovës jepen të përmbledhura, ku ai del kundër “linjës së demarkacionit” në letërsinë shqipe”.
Pas këtij momenti, letërsia që u zhvillua në Republikën e Shqipërisë u zhvendos jashtë shtratit të saj të natyrshëm historik, duke instaluar metodën e re të realizmit socialist, të importuar nga Bashkimi Sovjetik. Përgjatë viteve të mëtejshme, letërsia socrealiste formësoi morfologjinë e saj, si një tërësi rregullash të cilat duhet të zbatoheshin nga shkrimtarët, të cilat përfshinin të gjithë elementet që kishin të bënin me autorin, veprën dhe lexuesin.
Ky fakt që po sjellim për lexuesin dëshmon një bashkëpunim të strukturave politike dhe grupimeve të shkrimtarëve që morën pjesë në luftë, për të ndërhyrë mbi sistemin letrar, me synimin për të asgjësuar një pjese të mirë të prodhimtarisë artistike dhe ndëshkimin e disa prej shkrimtarëve kryesor modernist të asaj kohe. Vendosja e metodës së realizimit socialist në Shqipëri nuk u bë e mundur përmes një procesi të mirëfilltë debatesh teorike apo ideologjike për një letërsi të angazhuar, – siç kishte ndodhur në shumë vende të Lindjes, apo siç kishte nisur në vitet ’30; apo siç vijoi në vitet 1945-45 (përmes qëndrimeve të Sejfulla Malëshovës), – por përmes mekanizmave të imponimit ekstraletrar, përmes politikës së regjimit të ri. Këtë e dëshmon fakti se në krye të grupit të shkrimtarëve antifashistë u vendos Enver Hoxha, Nako Spiro dhe Qemal Stafa. Duke e konsideruar edhe letërsinë si “letërsi klase”, të ashtuquajturit shkrimtarët e luftës antifashiste asgjësuan shkrimtarët e tjerë dhe një pjesë të atyre që konsideroheshin si “shkrimtarët e kompromisit” i imponuan gradualisht që të përqafonin “letërsinë e re”, pra të përqafonin metodën e realizimit socialist. Në këtë mënyrë nisi rrugëtimin e vet asgjësues letërsia e realizimit socialist, e cila shënoi një prej eksperimenteve më të rënda, me kosto të jashtëzakonshme jo vetëm mbi energjitë krijuese të shkrimtarëve por edhe në atrofizimin e vlerave të mirëfillta letrare dhe në bjerrjen e shijeve letrare të lexuesit deri në rrëzimin e sistemit komunist në Shqipëri.

Vendosja e metodës
së realizmit socialist
Vendosja e metodës së realizimit socialist në Shqipëri nuk u bë e mundur përmes një procesi të mirëfilltë debatesh teorike apo ideologjike për një letërsi të angazhuar, – siç kishte ndodhur në shumë vende të Lindjes, apo siç kishte nisur në vitet ’30; apo siç vijoi në vitet 1945-45 (përmes qëndrimeve të Sejfulla Malëshovës), – por përmes mekanizmave të imponimit ekstraletrar, përmes politikës së regjimit të ri. Këtë e dëshmon fakti se në krye të grupit të shkrimtarëve antifashistë u vendos Enver Hoxha, Nako Spiro dhe Qemal Stafa.

Përmbajtja e dokumentit
Materiali bën një skanim të plotë të gjendjes letrare në Shqipërinë së vitit 1947 dhe bën një klasifikim të grupeve, parë në një këndvështrim të fortë ideologjik. Këtu shfaqet koncepti i ri ideologjik për letërsinë: “Edhe procesi letrar shkon paralel me procesin e përgjithshëm, është pjesë e tij e pandarë; edhe trathtarët kanë literaturën e tyre profashiste, populli në luftën kundër tyre krijon literaturën e tij të luftës antifashiste” (F. “Dhimitër Shuteriqi”, AQSH., Nr. 826, Dosja Nr. 185). Pra, këtu theksohet se “literatura ësht literature klase” (F. Dh. Shuteriqi”, Dosja Nr. 185).
Në këtë dokument bëhet klasifikim në shkrimtarë antifashistë dhe fashistë.
Grupi i dytë ndahet në: Shkrimtarët kriminelë lufte dhe Shkrimtarët e kompromisit. (shih tabelën). Ky klasifikim bëhet duke i konsideruar grupimet kulturore si organizime të cilët kanë një drejtues, kanë anëtarët dhe mbështetësit e tyre.

(Ky material është përgatitur për konferencën kombëtare “Letërsia dhe Kujtesa”, mbajtur në Razmë, Shkodër, në maj të këtij viti)


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.