MILOSAO

SY MË SY ME MOSKËN madhështore… …me SHËN-PETËRBURGUN magjik, … me njerëzit, … me lumin… .

08:35 - 07.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

(Mbresa nga vizita në Moskë dhe Shën-Petërburg)  
Në fund të këtij qershori m’u dha rasti  të bëj një vizitë të shkurtër në Moskë dhe në Shën- Petërburg.
Për mua ishte një gëzim i madh t’i vizitoja për të tretën herë mbas njëzet e dy vjetësh nga udhëtimi im i fundit, shtëpitë-muze, rrugët dhe vendet ku kanë jetuar e janë frymëzuar shkrimtarët e mëdhenj të Rusisë, parqet, urat, stacionet e reja të metrosë, këto qytete me arkitekturë nga më madhështoret, Sheshin e Kuq, këtë simbol të Moskës, katedralet, muzeun e Carëve të Rusisë. Veçanërisht ishte mahnitës për mua muzeu që i kushtohej betejës së famshme në Borodino të Moskës në vitin 1812, midis ushtrisë së Napoleon Bonopartit dhe ushtrisë ruse të udhëhequr nga strategu rus Kutuzov, të realizuar nga piktori Franz Aleksejeviç Roubaud.
F. Roubaud ishte lindur në Odesë në vitin 1856 nga prindër francezë, familje e një tregtari të fuqishëm. Në Odesë mësoi në shkollën për vizatim, pastaj vazhdoi në Akademinë e Arteve në Mynhen, ku u specializua për pikturën e betejave të mëdha. Ai e kish pasqyruar betejën me një panoramë të gjerë, e cila falë kombinimit të tablosë tredimensionale e jepte iluzionin e ngjarjes historike në sytë e spektatorit sikur ndodhte në atë çast.
Kur pashë Universitetin Lomonosov të ngritur në “Varabjovë Gorë” (dikur quheshin Kodrat e Leninit), me mendje u ktheva në vitet kur kam studiuar atje dhe nuk më besohej që unë po qëndroja tani në mes të sheshit me fytyrë nga Universiteti, me kokën ngritur lart duke e parë këtë ndërtesë të lartë me 36- kate, dhe më dukej sikur po kthehesha nga Leksionet, të cilat i zhvillonim në Manjezh.




Nuk kam për qëllim të tregoj të gjitha çfarë pashë gjatë kësaj vizite të shkurtër, sepse është e pamundur të mbahen mend, por do desha t’ju tregoja sa kishte ndryshuar vendi ku unë kalova vitet e rinisë, ku u rrita si moshë dhe si njeri, ku mora kulturë dhe drejtim në jetë.
Duke qenë sy më sy me Moskën dhe e emocionuar herë midis ëndrrës dhe reales, humbisja orientimin, nuk po i njihja vendet ku kisha kaluar shpesh, nuk po e gjeja Manjezhin ku i zhvillonim leksionet. Rruga Gorkij tashmë quhej Tverskaja, por Arbatin e vjetër nuk e kisha harruar.
Ndryshimet ishin të pa para. Natyrisht kishin kaluar njëzet e dy vjet nga udhëtimi im i fundit dhe në këto vite Moska ishte zmadhuar, kudo shihje ndërtesa të larta, parqe, rrugë të reja. Dhe mua, që ndihesha ende në këto çaste si e përhumbur, midis ëndrrës dhe reales, mendja më shkoi tek Tirana nga e cila sapo isha larguar. Tirana jonë ndryshoi brenda katër viteve aq shumë sa dhe ne që jetojmë atje tërë jetën, nuk i njohim rrugët dhe lagjet e dikurshme aq shpejt të transformuara dhe gëzohemi kur mendojmë se mbas një kohe jo të gjatë Tirana do të marrë pamjen e një kryeqyteti europian.
Moska që shikoja tani nuk ishte si në ato vite. Para syve të mi ngriheshin rrokaqiej, sytë të shikonin hapësira pa fund, rrugë të gjëra me katër korsi, të shtruara mirë, të pastra, gjelbërimi i pafund të mbetej në sy dhe të jepte një shikim të gjelbër shpresëdhënës për botën që na rrethon duke ëndërruar që njerëzimi të ketë paqe. Kudo shikoje njerëz të shumtë që ecnin me hap të shpejtuar, nxito dhe ti që mos mbetesh pas, ec dhe ti me ritmin e kohës! Unë vura re se dhe në Moskë librin që rusët nuk e ndanin nga dora kudo që ndodheshin, në metro, autobus, tramvaj, në ndonjë radhë apo në park, e kishin zëvendësuar si kudo në Evropë me mjetin modern elektronik, celularin. Do të kisha dëshirë… po të qe e mundur, që librin ta mbanin pranë celularit… por është shekulli i elektronikës!
Gjatë rrugës për në Shën-Petërburg me trenin luksoz, para syve të mi, shikoja të kalonin me shpejtësi mështeknat, druri karakteristik i pyjeve ruse, me lëkurën e bardhë, të drejta që të kujtojnë bukurinë e vajzës ruse, këngët dhe vargjet e thurura për “berjozkën”. “Por dhe vajzat tona janë shtatselvi”, – mendova me vete”. Kështu i këndon populli dhe i thur vargje poeti shqiptar.
Sa herë që njeriu niset për rrugë të largët, atje ku shkon lë diçka në hapësirë nga vetja, por dhe merr diçka prej saj, merr atë që do më shumë.
Në “Piter”, siç i thonë shkurt vetë rusët kryeqytetit të vjetër, arrita shpejt, paradite, dhe natyrisht mezi prisja të vinte nata që të shikoja “Netët e bardha”, të cilat do të vazhdonin deri nga mesnata. Ky qytet është i veçantë. Këtu të binin në sy kishat, kupolat që ndrisnin me ngjyrën e verdhë, sikur dielli kish lëshuar rrezet mbi to. Dukej sikur i gjithë qyteti ishte spërkatur me ujë floriri, sikur një vello e hollë mbulonte shtëpitë, kishat, shatërvanet nëpër parqet. Por dhe njerëzit atje janë shpirt flori, zemër bardhë dhe me një kulturë të trashëguar, me qytetërim evropian ashtu si edhe moskovitët. Te dukej sikur diku andej nga Ermitazhi do të dalë Pjetri l, themeluesi i qytetit, i cili siç thuhet “hapi një dritare në Evropë”. Ne, edhe pse ra shi dhe u ftoh koha, arritëm te vizitojmë Muzeun e famshëm të Ermitazhit, Pallatin Petërgov, Carskoje Sello, kështjellën dhe Fortifikimin e Pjetrit e Polit, Shëtitoren e Nevës, Fushën e Marsit e të tjera. Tani, në qershor lumi Neva ishte fryrë dhe mund të shëtisje me anije e ta shikoje qytetin, ndërsa në dimër Neva ngrin dhe kthehet në një fushë patinazhi prej akulli.
Vizita në Ermitazh më la shumë mbresa. «Ermitazh», vjen nga frengjishtja «mënjanim, të jetuarit veç, vetmi» . Ermitazhi, pranon çdo vit miliona vizitorë edhe pse koha e muzeut të carëve ka kaluar dhe është një nga vendet e pakta ku mund të gjesh mënjanim duke komunikuar me kulturën botërore dhe me historinë e Rusisë, ku gërshetohet historia botërore me frymën e historisë ruse. Nëpër sallat e tij të duket sikur bashkë me hijet e piktorëve të mëdhenj enden hijet e carëve, ushtarakëve dhe diplomatëve, shkrimtarëve dhe revolucionarëve. Ermitazhi jetoi një jetë të gjatë dhe të vështirë, ai pa luftëra, revolucione, zjarre, vjedhje, shitje, por edhe provoi dhe krenarinë, gëzimin dhe dashurinë vetmohonjëse.


Tani që jam sy më sy me Moskën, Shën-Petërburgun, me njerëzit, mund të them, se ky popull, pavarësisht erërave që fryjnë në botë, i ka ngritur vetes një monument të pathyeshëm, siç thotë dhe Pushkini në vjershën e tij «Monumenti».
Lexuesi shqiptar është njohur me kryeveprat e klasikëve rusë përmes përkthyesve të talentuar si Lasgush Poradeci, Sejfulla Maleshova, Mitrush Kuteli, Sotir Caci, Vedat Kokona, Tajar zavalani, Petro Zhej, Dritero Agolli, Dhori Qirjazi si dhe një radhë përkthyesish të mëvonshëm. Lexuesi shqiptar ka një admirim për shkrimtarët ruse dhe gjithmonë ka treguar e vazhdon të tregojë interes për letërsinë ruse. Shkrimtarët ruse si, Dostojevski, Çehovi, Turgenjevi, Tolstoji e të tjerë, e të tjerë, janë një krenari për Rusinë, janë emra që i përkasin dhe botës. Tek ne idetë e tyre kanë qenë dhe janë burime për meditim, njohje e frymëzim, mesazhe të rëndësishme humane për të kërkuar të vërtetën, në mënyrë që njeriu të ndjehet më i sigurt dhe më i lumtur. Por shpesh lexuesi ynë kërkon të dijë më shumë për letërsinë e sotme, a ecën kjo letërsi në traditën e klasikëve, çfarë veprash janë shkruar, cilët janë shkrimtarët bashkëkohës. Ç’është e vërteta, kjo letërsi njihet pak te ne. Janë përkthyer te ne romani “Kazus Kukotski”, ndonjë tregim apo novelë të shkrimtares Ludmilla Ulickaja, tregime të Viktorija Tokarjevës, disa romane policorë të shkrimtares Aleksandra Marinjina, por mbeten ende të panjohur disa shkrimtarë, veprat e të cilëve e vlejnë të përkthehen tek ne, si, Valentin Rasputin, Ludmilla Ulickaja nga e cila mund të përkthehen edhetregime e novela të tjera, Maksim Osipov, Viktor Pelevin, Tatjana Tolstaja, Anton Utkin, e disa të tjerë.
Gjatë kësaj vizite dyditore në Moskë, unë pata rastin e mirë ta takoja e të njihesha me shkrimtarin Maksim Osipov, disa tregime dhe novela të të cilit i kisha lexuar pak kohë më parë.
Dhe ja, ne u takuam në hollin e hotelit «Ibis dynamo» të Moskës, ku kisha qëndruar për dy ditë.


Kush është Maksim Osipov?
Maksim Osipovi është mjek kardiolog, dhe jeton në Moskë dhe në Tarus, provincë që ndodhet rreth 130 km larg Moskës. Osipovi ka punuar në Universitetin e Kalifornisë në San-Francisko, gjithashtu edhe në klinikat e Moskës. Në vitin 2005 nisi punën si mjek dhe në këtë kohë themeloi «Shoqatën bamirëse në ndihmë të spitalit të Tarusit», veprimtaria e së cilës u bë gjërësisht e njohur në vitin 2008 mbasi mjekët i bënë ballë me sukses arbitraritetit të pushtetit vendor. Në sajë të përpjekjeve të « Shoqatës bamirëse », spitali i Tarusit mori disa mjekë të kualifikuar dhe paisje moderne. Që prej vitit 2007, Maksim Osipovi boton skicat, tregimet dhe novelat kryesisht në revistën « Znamja » (Flamuri). Ka botuar katër përmbledhje me tregime dhe novela : “Është mëkatë të ankohesh” (Në 2009),”Klithma e shpendit të shtëpisë”(2011), ”Njeriu i epokës së Rilindjes” (2012), “Me dallgët e detit” (2014). Ka shkruar gjithashtu tri drama, njëra prej të cilave “Rusishtja dhe letërsia” është vënë në skenë në Shën-Petërburg dhe në Omsk.
Tregimet dhe novelat e Maksim Osipovit janë përkthyer në dymbëdhjetë gjuhë; është lauruar me çmimin Jurij Kozakov për tregimin më të mirë, me çmimin e Buninit, është finalist i çmimit “Jasnaja Poljana” dhe NOS, si dhe çmimet e Bjellkinit.
Shkrimtarin Maksim Osipov e shqetësojnë probleme të jetës sociale. Ngjarjet që përshkruan i përkasin periudhës mbas shpërbërjes së ish B. Sovjetik e më vonë, emigrimit në masë, ai përshkruan varfërinë e tejskajshme, vrasjet, vjedhjet, alkolizmin, jep tablo të errëta të jetës në provincë, humbjen e dëshirës për të jetuar, njerëz pa miq, pa dëshirë për punën, të sëmurët që kanë frikë nga vdekja, por edhe të jetojnë, lidhjet e korrupsionit. Të gjitha këto M. Osipovi i përshkruan thjesht, pa zbukurime, pa pretenduar të bëjë përshkrime tërheqëse, duket sikur i bën shpejt, pa romantizëm, ai e jep realitetin ashtu siç është, siç e sheh, në frazën e tij lexuesi ndjen dhimbjen që i është mbledhur në shpirt prej vitesh nga realiteti i zymtë dhe i shëmtuar. E veçanta e tregimeve dhe novelave të M. Osipovit, është stili i tij. Personazhet e tij kalojnë shpejt, nuk mbahen mend, nuk zhvillohen, ngjarjet nuk mund t’i ritregosh, siç ndodh te shkrimtarët e ndryshëm. Me sa duket, kjo është mënyra e tij, për t’u shprehur shkurt, me fraza që duhen nënkuptuar. Tregimet dhe novelat e tij të duken sikur nuk kanë lidhje, ngjarjet janë të ndryshme, por ato i përshkon si një fije e padukshme përpjekja për të shpëtuar nga e keqja dhe nga keqanët që kanë kapur vendin. Prandaj ky shkrimtar është i veçantë dhe kjo mënyrë e të shkruarit e bën interesante krijimtarinë e tij. Takimi me shkrimtarin bashkëkohës, shkëmbimi i mendimeve për letërsinë e vendeve tona, për përkthimet, na hapën rrugë të reja bashkëpunimi për ne.
Kur po ngrihej avioni, nga dritarja i hodha shikimin e fundit Shën-Petërburgut për ta ngulitur në sytë e mi pamjen plot dritë të qytetit dhe për të mos e ndjerë trishtimin që ka çdo ndarje. Sa më lart ngriheshim, dritat vinin e zvogëloheshin dhe dukeshin si xixëllonja që lodronin mbi qytet. Por në lartësinë më të madhe të fluturimit, kur avioni ishte ngritur mbi retë e bardha, një diell i fuqishëm më ndriçoi sytë! Unë kisha marr dhe ruajtur në sytë dhe zemrën time shkëlqimin, bukurinë dhe madhështinë e qytetit, për ta sjellë në vendin tim dhe për të mos e harruar !


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.