KULTURË

Kur Hasan Jero dhe Enver Hoxha luanin letra në “Rue Monsieur le Prince”

13:33 - 09.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Luan RAMA

Kur ndaloi në “Carrefour de l’Odeon”, ai i hodhi një vështrim të gjatë sheshit ku ndaheshin dy rrugë që ngjiteshin përpjetë: “Rue de l’Odeon” dhe “Rue Monsieur le Prince”. Përballë shquhej ende ajo shtëpia botuese, ku dikur qenë shtypur botimet e para të “Uliksit” të Xhejms Xhojsit, në gjuhën frënge. Pas pesëdhjetë e shtatë vitesh, Hasan Jero, studenti i dikurshëm i mjekësisë, atë vjeshtë të vitit 1993 po i ngjitej sërish rrugës “Monsieur le Prince”. Tani sytë e tij kishin mall, madje më shumë se mall. Krahas pllakës së re të emrit të rrugës, kish mbetur ende ajo pllakë e vjetër ku ishte shkruar “Rue des Fosses Monsieur le Prince”, duke përkujtuar kështu princin e dikurshëm të Conde-së, Henri II, i Burbonëve. Ishin po ato shtëpi të vjetra me trarë druri dhe gdhendje guri. Ishte dhe portali i Hotel de Bacq, i ndërtuar që më 1750-të. Më sipër, atje ku ngrihej ndërtesa klasike e “Lycée Saint Louise” apo “Collège d’Harcourt”, ndërtuar që më 1280-të. “Rue Racine” nisej nga teatri i “Odeon” apo “Thèatre de l’Europe” dhe priste në mes rrugën “Monsieur Le Prince”. Pak më tej, dikur kishte banuar shkrimtarja George Sand me familjen e saj e disa porta më tutje sociologu Auguste Le Comte, për të cilin ishte shkruar gjatë në gazetën shqiptare “Illyria” të viteve ’30-të. Në kafenenë “Le Petit Prince” dyert qenë mbyllur dhe s’kishte pothuaj asnjeri. Njerëz të paktë kalonin kundrejt shtëpive, ku dikur kishin banuar filozofi Blaise Pascal dhe pranë në numrin 49, poeti i njohur anglez Longfellow.


MIK ME ENVER HOXHËN,
ARMIK ME PUSHTETIN POPULLoR
Hasan Jero u ndal para ndërtesës, ku dikur kishte jetuar disa vite me radhë si student. Ja, atje lart, në katin e tretë, aty ku dritaret binin në rrugë, kishte jetuar rininë më të bukur të tij. Kur u ngjit në atë hotel të vjetër, sepse iu duk se gjithçka po ndodhte si gjashtëdhjetë vjet më parë, thua se ishte kthyer nga pushimet e verës për të rifilluar shkollën sërish. Në ato dy dhoma banonin atë kohë katër studentë, por dhjetëra studentë të tjerë mblidheshin aty. Poshtë dritareve pothuaj përballë ishte libraria “Samuelian”, e hapur nga një armen para nja dhjetë vjetëve e që tregtonte libra të botës së Orientit, të Turqisë, Persisë, të qytetërimit grek e atij shqiptar. Ai i kishte ruajtur ende ato fotografi të vjetra të kohës së studentit. Në disa prej tyre, ata kishin dalë në sfondin e kullës “Eiffel” apo buzë Senës. Pasdite zbrisnin drejt “Quartier Latin”, ku ishte një restorant i vogël i një përmetari të quajtur Llazar. “On se voit chez Lazar”, – thoshin shpesh ata.
Në atë kohë në Paris kishte plot emigrantë politikë si Kol Tromara, Ali Këlcyra, Qazim Koculi, Sejfi Vllamasi, Rexhep Mitrovica, etj. Një ditë të vitit 1933, në hotel “La Princesse” kishte ardhur një djalosh i ri, bukurosh. Quhej Enver Hoxha dhe ishte nga Gjirokastra. Vinte tek miku i tij Qemal Karagjozi, me të cilin ishte njohur që në kohën e Liceut të Korçës. Atë kohë ai banonte aty bashkë me shokë të tjerë si studentin për mjekësi, Remzi Fico, etj.
Djaloshi vinte nga Montpellier, jugu i Francës, ku i kishte lënë përgjysmë studimet në “Faculté des sciences naturelles”, ndërsa tani donte të regjistrohej në fakultetin e drejtësisë të Sorbonës”. “Më kujtohet mjaft mirë kur erdhi Enver Hoxha, – kujtonte Hasan Jero, atëherë student për stomatologji në Paris. – Rrinim në katin e dytë të hotelit, në 65… ‘Rue Monsieur le Prince’. Mbaj mend edhe një grua plakë nga Limuzina, Madame Agré. Nganjëherë kur luanim me letra, me ne, pra unë Qemali dhe Enveri, vinte dhe plaka. Pastaj ne ia merrnim këngës labçe dhe plaka e çuditur na pyeste se ç’këngë na ishte kjo. Më pas erdhi dhe Mendu Angoni, antizogist, i cili në Vjenë kishte marrë pjesë në atentatin kundër mbretit Zog. Zonja Agré nuk pranoi t’i merrte para dhe e vendosi atje bashkë me ne. Sokrat Mio ato kohë banonte jo larg nesh, në një hotel në “Quartier Latin”. Festën e 28 Nëntorit e bënim në ambasadë, ndërsa kur donim të vallëzonim, shkonim për nga “Closerie de Lilas”, një sallë e madhe që quhej “Salle Bullier”. Bëheshim atë kohë rreth 80 studentë shqiptarë, jo pak. Vendet tona të preferuara ishin teatrot dhe sheshet e “Odeon”, “Comedie Française”, sallat e kinemave ku ndiqnim filmat e Marcel Pagnol, Remy, Victor France, Charles Vanel apo Harry Boor në filmin e mrekullueshëm “Të mjerët”. Në vitet 1934-1935 kur sapo kishim ardhur, në Paris kishin shpërthyer manifestimet e punëtorëve. Një ditë plasi pushka dhe u vranë dhjetëra punëtorë. Policia na kapi se ishim në radhë me punëtorët. Ishim të majtë. Më pas na liruan. Shpejt qeveria do të binte dhe në pushtet, më 1936, do të vinte Leon Blum dhe socialistët e “Frontit Popullor”. Lexonim shumë gazetat e majta si L’Humanité, Temps, zëdhënëse e qeverisë, Oeuvre, një gazetë e radikalëve socialistë e drejtuar nga zonja Tabuy, apo Le Canard Enchainée. Më pas nga Moska na erdhi dhe studenti Llazar Fundo, një djalosh mjaft simpatik. E dëgjonim gojëhapët se lexonte shumë dhe ishte një “mi” bibliotekash.”
Kujtimet e Hasanit ishin të shumta. Një mori fotografish, ai i kishte ruajtur gjer në fundin e jetës së tij, ku shquheshin studentët shqiptarë, shokët e tij, si tek kulla ‘Eiffel’, në Trocadero, në kopshtet e Luksemburgut, nëpër Paris apo jashtë Parisit në ekskursionet e tyre për të kaluar të dielat. Pas luftës, Jero nuk e mendonte se Enver Hoxha, ai student i brishtë, që kurrë s’kishte mbaruar studimet universitare, as në Montpellier e as në Sorbonë, do të bëhej një ditë drejtuesi i Shqipërisë. Me nostalgji të veçantë, ai kujtonte ato vite të para të pasluftës, mbushur plot shpresë e dëshirë për të ndërtuar Shqipërinë e re. “Mbaj mend lietnant Cochet të dërguar nga qeveria franceze, më tregonte ai në shtëpinë e tij, ulur në një minder. – Punoi shumë për Shqipërinë demokratike. Shpesh luante tenis me Jusuf Vrionin. Mbaj mend gjithashtu komandantin Visdorf, një burrë simpatik nga Alsace si dhe kolonelin Tessier… Por shpresa jonë sa vinte dhe shuhej”.
Pas gjyqit kundër deputetëve, të cilët ishin për një Shqipëri demokratike si demokracitë e tjera të Europës Perëndimore, ishte radha e tij të provonte qelitë e tmerrshme të burgjeve staliniane shqiptare. Një kalvar i gjatë që do të niste nga burgu i Tiranës në kampet e punës dhe burgjet e tmerrshme si në Bulqizë, Torovicë, Spaç, Ballsh, Borsh, Zejmen… “Je suis arrété le 15 mai 1947, – më foli Hasani në frëngjisht, – C’était la période où il eut une espèce de rafle générale dans toute l’Albanie… le 15 et 16 mai 1947″. Në fillim i dënuar me shtatë vjet burg, e pastaj atje brenda e dënuan edhe pesëmbëdhjetë vjet të tjera…”. Në fakt, disa prej ish-studentëve të Francës u dënuan nga Enver Hoxha. Enver Sazani, deputeti i pavarur, u pushkatua bashkë me deputetë të tjerë dhe u varros në një varr të fshehtë në këmbët e malit të Dajtit. Shumë prej të dënuarve ai dhe i kishte njohur vetë në Francë. Më 1945, – vazhdon të kujtojë Jero, – Nedin Kokona, që kishte mbaruar studimet si jurist në universitetin e Toulouse-s, u dënua si “armik i pushtetit popullor”. Andrea Zega, më 1948 që kishte studiuar për inxhinieri minierash në Saint-Etienne dhe në Paris, u dënua me vdekje. Në burg kam takuar shumë nga shokët tanë që kishin qenë studentë në Francë”.


RIKTHIM NË FRANCË
Gjithçka kishte shpresuar ai në ato qeli, veç një gjë s’kishte guxuar të ëndërronte: se do të rivinte një ditë në “Rue Monsieur le Prince”. Kjo i dukej e pamundur, si një yll tepër i largët në atë galaksi të errët, drita e të cilit kishte kohë që duhej të ishte shuar. Megjithatë, ai e dinte se shqiptarë të tjerë duhej të qëndronin ende në “Rue Monsieur le Prince”. Ai e dinte se ajo rrugë që ngjitej e pikëtakonte me “Café de Luxembourg”, përballë “Les Jardins de Luxembourg” ishte nga vendet më të preferuara të shqiptarëve. Dhe në fakt nuk gabohej. Në vitet pesëdhjetë, kishte disa emigrantë politikë që ishin vendosur në atë hotel të vjetër “Hotel la Princesse”. Një ditë, në një bisedë me emigrantin Sabaudin Dino, ai më fliste me mall për ato vite pas Luftës së Dytë Botërore, kur shqiptarët, shumica emigrantë politikë mblidheshin atje në atë rrugë dhe në kafenenë pranë. “Në atë kohë, – tregonte Dino, – banonin në atë hotel Jusuf Begeja, Hajredin Hallulli (që në atë kohë punonte në shoqërinë e automobilëve ‘Citroen’), Sefedin Collaku, etj. Që të tre këta kishin mbaruar Akademinë Ushtarake në Itali. Por vinin dhe intelektualë të tjerë e njerëz të thjeshtë: Dhori Mihali, që kishte mbaruar Liceun e Korçës e më pas studimet për mjekësi në Lion, doktor Noçka, që shpejt iku në Amerikë, Murat Kallulli nga Delvina si dhe doktor Harxhi. Nuçi Kota që kishte një studio pranë “Pantheon”-it, merrej me nxjerrjen e një gazete të emigracionit. Por, nga mesi i viteve ’50-të, ai dhe plot të tjerë ikën në Amerikë. Megjithatë, shqiptarët vazhdonin të mblidheshin në “Café Luxembourg”…


Një ditë vere të vitit 1996, kur u ktheva në Tiranë shkova të takoja Hasan Jero-n, që tashmë banonte në një rrugicë të vogël pranë Bibliotekës së vjetër Kombëtare. Ishte i sëmurë, por u gëzua shumë që shkova ta takoja. Në mur kishte vendosur në një kornizë thirrjen e lavdishme të gjeneralit De Gaulle nga Londra, drejtuar gjithë francezëve për të nisur luftën çlirimtare: “A tous les Français!”. “Apelin e gjeneralit e dëgjova në Tiranë, nga Radio BBC. Në atë zi të madhe, nën thundrën e hekurt të Musolinit, thirrja e gjeneralit De Gaulle ishte si një shkreptimë në shtrëngatë. Zemrat na u mbushën gjithë shpresë”. Jero, gjithë jetën e tij, e mbante veten për golist, pasi në vitin 1940, kur kishte qenë në Romë, kishte shkuar në ambasadën franceze të regjistrohej për të shkuar si vullnetar në Francës e për të luftuar kundër nazistëve. “Atëherë na jepnin ca kartonë të kuq, ku shkruhej se ishim vullnetarë”, – kujtonte ai.
– Ymer Dishnica, që kishte studiuar për mjekësi, në qershor të 1940 u nis nga Lyon dhe erdhi në Paris për t’u bashkuar me rezistencën franceze”. Plaku Jero ishte i lumtur dhe kishte nisur të shkruante kujtimet e tij. Kur i fola për ‘Rue Monsieur le Prince’, sytë i ndritën dhe menjëherë dhe më nxori atë tufë fotografish të Parisit, që i ruante si gjërat më të çmuara dhe ku bashkë me shokët e tij shqiptarë ishin fotografuar pranë ‘Sacre-Cœur’, apo në ‘Butte de Chaumont’… “Ja, ky këtu është Xhevdet Asllani, ky më tutje Xhavit Gjata. Pastaj Nazmi Sulejmani, Hobdari…”.
Tregimi i këtij burri fisnik leskoviqar ishte i përmallshëm. Një vit më pas kur do të pyesja për Hasan Jero-n më thanë se sapo kishte vdekur. Të paktën vdiq i lumtur! – i pëshpërita mikut tim.
*Titujt e mestitujt janë të redaksisë


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.