SPORT

Arapi: Skënderbeu mos ta mendojë të lehtë Dinamon, është më mirë se Partizani

08:48 - 11.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Renato Arapi mbetet tifoz i Skënderbeut dhe nuk e fsheh këtë për asnjë moment. Ai ka qenë në fushë në ndeshjen e kthimit të korçarëve kundër Dinamos së Zagrebit dy vite më parë dhe bardhekuqtë humbën 4-1.

“Sot, Dinamo nuk është aq brilante sa atëherë, por mbetet gjithsesi një skuadër e rrezikshme dhe për mendimin tim favorite për të kaluar. Jam dakord që Skënderbeu ka më shumë shanse, por nuk duhet të mendojë kurrsesi se do ta kenë të lehtë”, ka thënë mbrojtësi i Bolusporit në një intervistë  për “Panorama Sport”. Ndërkaq, ai ka shprehur rezerva për Partizanin, jo vetëm për ecurinë në Europë, por edhe për lëvizjet që ka bërë në merkato.

Renato, si po shkojnë punët në Turqi?

Deri tani shumë mirë. Objektivin e një viti më parë e arritëm, sepse kapëm një vend në “play off”. Këtë sezon kemi objektivin që të kapim dy vendet e para dhe të ngjitemi në Superligën turke. Këtu jam përshtatur mirë dhe deri tani gjërat kanë shkuar sipas parashikimeve.

A e keni ndjekur Skënderbeun?

Po, ndeshjet në Europë po. Më vjen mirë për arritjen që kanë bërë deri tani.

Si ju duket ky Skënderbe?

Më i disiplinuar taktikisht. E kam fjalën për mënyrën se si organizohet kur del në sulm dhe kur nis të mbrohet. E bën me shpejtësi dhe saktësi. Më pëlqen kjo gjë.

Do të luajë kundër Dinamos së Zagrebit sërish dhe ju keni kujtime të hidhura…

Po, e vërtetë. Unë njërën prej ndeshjeve luajta dy vite më parë dhe e humbëm 4-1. Te tjetra nuk luajta se isha me kartonë. Dinamo është ekip i rrezikshëm.

Takaj, Shehi, Shkëmbi, por edhe të tjerë mendojnë se kanë më shumë shanse këtë herë… Ju si mendoni?

Ndoshta kanë të drejtë, por unë dyshoj pak. Sot Dinamo nuk është aq brilante sa atëherë, por mbetet gjithsesi një skuadër e rrezikshme dhe për mendimin tim favorite për të kaluar. Jam dakord që Skënderbeu ka më shumë shanse, por nuk duhet të mendojë kurrsesi se do ta kenë të lehtë.

Pse jeni kaq dyshues?

Sepse kanë diferenca që në buxhet, por edhe në përbërje. Dinamo është kockë e fortë. Megjithatë, unë mendoj se Skënderbeu mund të bëjë më mirë se dy vite më parë.

Çfarë duhet të ndryshojë nga dy vite më parë?

Detajet i përcakton trajneri, por mund të them vetëm se duhet një rezultat sa më i mirë në ndeshjen e parë. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse më pas të jep entuziazëm dhe në ndeshjen e kthimit, së bashku edhe me tifozët Skënderbeu ka më shumë shanse. E theksoj që në ndeshjen e parë duhet shumë kujdes. Jo të jenë të trembur, por të luajnë me qetësi.

Tjetër këshillë?

Nëse marrin një rezultat të mirë në ndeshjen e parë, në shtëpi Skënderbeu duhet ta sulmojë Dinamon. Skënderbeu është i rrezikshëm kur sulmon dhe Dinamo e brishtë kur gjendet nën presion.

Ç’mendim keni për ecurinë e Partizanit këtë vit në Europë?

U befasova disi dhe më erdhi keq që nuk u paraqitën si duhet. Nuk m’u duk se e kishin përgatitur si duhet atë moment. Por nuk e shoh mirë Partizanin as në merkato. Skënderbeu është më solid dhe më i organizuar. Ka një ekip më të kompletuar.

Pse nuk ju bind afrimi i Edgar Çanit?

Ai është një sulmues i fortë dhe me shumë eksperiencë. Dakord, e vlerësoj, por pjesa tjetër duhet parë. Të huajt duan kohë të përshtaten. Për më tepër ka larguar edhe dy lojtarët më të mirë të sezonit të kaluar: Ramadanin dhe Ekuban. Ata i kanë prishur shumë punë. Nuk dua ta paragjykoj, por në këtë moment Skënderbeu më duket më mirë. Të shohim… /PanoramaSport


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.