SPORT

Merveil përballë Mesit dhe Ronaldos, do përfitojë 10-fishin e rrogës. Tirana ruan përqindje të kartonit

11:22 - 11.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Kur të gjithë prisnin që Merveil Ndokyt të shitej tek Osijek, gjithçka ka ndryshuar. Edhe pse vetë Refik Halili konfirmoi se me kroatët marrëveshja po shkonte drejt mbylljes, zyrtarisht “yllin” afrikan e shitën në La Liga. Kongolezi është lojtari më i ri i Getafes dhe sezonin tjetër do të ketë shansin që të luajë kundër Mesit dhe Ronaldos, shkruan PanoramaSport

Vendimi është marrë në orën 13:00 të ditës së djeshme dhe, pasi kanë shqyrtuar me detaje kontratën që kishte ardhur nga Spanja, pasdite është firmosur mbyllja e marrëveshjes. Edhe pse destinacioni ndryshoi, deklarata e dhënë nga presidenti, që gjithçka do të merrte jetë për 24 orë, u konkretizua.

Tirana përfiton 400 mijë euro nga kjo shitje dhe ruan 10 për qind të vlerës së kartonit. Në momentin që futbollisti do të rishitet, kryeqytetasit do të përfitojnë sërish parà. Për klubin bardheblu, ky “operacion” mund të konsiderohet realisht i bujshëm. Është e para herë që arkëtojnë një shumë të tillë për shitjen e një futbollisti, por nga ana tjetër kurrë nuk kishte ndodhur që nga kampionati ynë të transferohej dikush në La Liga.

VENDIMI

Në klub kishin gati ofertën dhe kontratën e Osijekut për Merveil Ndokyt. Këta të fundit kishin vetëm një kusht, veç kongolezit donin edhe Ruben Akuah. Gjithçka dukej e kryer, por ashtu sikundër pat shkruar “Panorama Sport” në numrin e datës 6 gusht, një ofertë e ardhur nga Spanja lëkundi drejtuesit dhe vetë lojtarin.

Por, mësohet se klubi ka marrë në konsideratë 3 arsye të forta para se të zgjidhte ekipin madrilen, me të cilin ka firmosur për 4 vitet e ardhshme. E para lidhet me kampionatin, La Liga është një ndër kampionatet më prestigjioze në botë dhe vend për ta krahasuar me Kroacinë sigurisht që nuk ka.

Motivi i dytë lidhet me vlerën e kartonit. Edhe pse oferta ishte identike (400 mijë euro dhe 10% e vlerës së kartonit jepte si Osijeku ashtu edhe Gatefe), ndryshimi qëndron tek e ardhmja. Shanset që kongolezi të shitet shumë herë më shumë nga Getafe në një ekip tjetër, janë më të mëdha se sa nga Osijeku.

Dhe rrjedhimisht përfitimet e bardhebluve do të jenë më të larta. E fundit, por jo nga rëndësia, është dëshira e Merveilit. Futbollisti është joshur nga ideja që do të luajë në Spanjë dhe, mbi të gjitha, përballë emrave që deri më tani i ka ndjekur në TV, si Ronaldo apo Mesi.

RROGA

Kur erdhi te Tirana firmosi për një pagë modeste, shumë herë më të ulët se afrikanët e tjerë, që në fakt nuk bënë asgjë krahasuar me të. Por, përtej shifrave, ai dëshmoi se do të shndërrohej në minierë “ari” për bardheblutë. Dhe ashtu ndodhi.

Lojtari, i cili merrte jo më shumë se 3-4 mijë dollarë në muaj, u shit për 400 mijë euro. Por, veç klubit, edhe Merveil ka mbetur shumë i kënaqur. Ai do të përfitojë afro 30 mijë euro rrogë mujore prej Getafes dhe në total sezoni i shtron 300 mijë euro, pra gati 10-fish më shumë.

LARGIMI

Merveil ndodhet ende në Shqipëri. Klubi është duke u marrë me procedurat e vizave dhe nëse nuk has probleme, mendohet që brenda kësaj jave ose fillimit të javës së ardhshme ai të niset për në Spanjë. Atje do të kryejë edhe testet mjekësore dhe, më pas, do të vihet nën urdhrat e trajnerit të tij Hoze Bordalas, ku sigurisht do t’i duhet mjaft punë që të fitojë një vend në formacion.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.