BLUETOOTH

Bluetooth – Nostalgji/ Flori Mumajesi: Bëj seks të mbrojtur. Baba rastësisht nuk bëhem se më punojnë ‘frenat”

16:00 - 12.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim:  Flori Mumajesi:  Bëj seks të mbrojtur. Baba rastësisht nuk bëhem se më punojnë ‘frenat”




Simpatik, mashkullor, interesant. Me një ndër zërat më të ëmbël të këtij brezi. Çfarë e bën atë më interesant është fakti se ai edhe krijon muzikë. Ajo që dihet për Flori Mumajesin është se ditët, madje edhe netët i kalon në studion e tij të vogël dhe modeste tek rruga “Fortuzi”. Por brenda kësaj studioje të vogël krijohet muzikë për këngëtarë të mëdhenj të artit shqiptar, ndërsa ato që nuk dihen janë si për shembull; marrëdhënia e Florit me femrat… lidhja me Soni Malajn… xhelozitë midis artistëve e të tjera, që ai i ka rrëfyer ekskluzivisht për “Bluetooth”.

Flori Mumajesi, një këngë më shumë se e suksesshme “Play Back”. Pse sipas jush? Për diskutimet? Për stilin aq tendencë, house?
“Play Back” është një risi në muzikën shqiptare, është tendencë, është stil dhe të tre këta komponentë e kanë bërë që të jetë e suksesshme. Është një frymë e re muzikore, duke qenë një hit i fortë, gjë për të cilën të rinjtë kanë nevojë, e ka bërë këtë këngë të ketë sukses, përfshirë këtu edhe tekstin edhe muzikën që janë baza e çdo kënge. Nuk mendoj se është teksti dhe diskutimet që ka shkaktuar ky tekst, nuk e kam përdorur për këtë qëllim. Kam realizuar edhe këngë të tjera më parë, që nuk kanë pasur lidhje me fenomenet dhe kanë pasur gjithsesi impaktin e tyre.
Në fakt Flori ju cilësoheni si një kantautor që bën ose këngë të bukura, ose këngë të çuditshme, por asnjëherë këngë të këqija! A e dinit këtë?
Pjesërisht!!!


Pse?
Fillimisht sepse unë tek vetja ime përpiqem që të mos zhgënjej veten në radhë të parë. Por nuk mund të mos them se bëj luftë me veten. Bëj një diskutim midis Florit Nr.1 dhe Florit Nr.2. I pari është ai që e dëshiron suksesin, pa pasur shumë kërkesa dhe i dyti, i cili e gjykon se në punë mund të arrihen gjëra edhe më të mira. Kështu që unë nuk mund të jem i vetëdijshëm për suksesin gjithnjë.
Flori, i hodha një sy internetit para se të zhvilloja këtë intervistë dhe mund të them se e ke ‘pushtuar’. Vajza që ulërasin se të duan. Si ju bën të ndiheni?
Sot suksesi ka një formë tjetër, nëse do të guxoja t’i referohesha “Beatles”, “Doors”, apo Michael Jackson, do të thosha se nuk ka pasur internet, (do të thotë mundësi për t’i ndjekur), e vetmja mundësi ka qenë të ndiqje koncertet e tyre apo të blije albumet dhe suksesi dhe fansat kanë qenë të vërtetë. Unë mendoj se sot ka admirues dhe jo fansa që çmenden pas teje, janë njerëz të cilët shikojnë punën dhe nuhasin se ka mundësi të ketë tendenca të reja, frymë të re dhe mendoj se më tepër janë këto diskutimet që bëhen. Unë gjithsesi, nuk dua t’u referohem atyre më tepër se sa të shkoj më gjerë. Unë jam brezi i internetit, një këngë, më parë publikohet në internet se sa shkon në një shtëpi diskografike dhe për këtë më vjen keq, por është fenomen i kohës.
Megjithatë, unë kam parë në forume në internet më shumë se këto që thatë, vajza që çmenden pas teje.
Akoma? Unë njoh vetëm njërën që i bie telefonit kaq shumë, ‘non stop’ 24 orë në 24 dhe nuk e di kush është (qesh).


Pse? Kur dilni klubeve të natës? Apo për një kafe? A nuk bezdiseni?
Unë jetoj në Tiranë dhe Tirana është e vogël. Unë gjithashtu frekuentoj vende ku fytyrat njihen njëri me tjetrin, nuk shoh ndonjë fenomen. Më tepër këtë e has kur kam koncerte nëpër rrethe. Ka edhe një gjë tjetër, nëse has të huaj që më vëzhgojnë apo më përçojnë ndonjë shenjë, bëj të pamundurën të shoh atë punën time.
Kjo ishte një përgjigje që nisi me modesti dhe mbaroi me mendjemadhësi. Është strategji e menaxhimit të suksesit kjo?
Jo…(qesh). Përgjithësisht më vjen organike dhe vërtet që ndonjëherë duke mos na njohur… krijohet një përshtypje që nuk është. Unë nuk jam dakord me ata që më quajnë mendjemadh. Unë i quaj ata që mendojnë kështu, mëndjevegjël. Edhe pse nuk ka asgjë të keqe të jesh mendjemadh në fund të fundit. S’më vjen mirë të më gjykojnë si mendjemadh pa më njohur, këtë më duhet ta them. E rëndësishme është se kur kam takuar njerëz që dikur kanë pasur këtë mendim për mua duke më njohur, për mua ka qenë bonus dashamirësia e tyre.
Megjithatë, kush mendon se ju njeh mirë, thotë se pas buzëqeshjes suaj të ëmbël dhe këngëve aq të bukura qëndron një karakter i vështirë tek Flori. Gati-gati i keq…
Çdo njeri ka karakter kompleks dhe të vështirë, pra ka karakteristikat e veta. Ajo që di të them me bindje të madhe është se, me qenë se pjesën më të madhe të ditës e kaloj në punë, dhe përpara punës unë jam kokulur, korrekt dhe po aq normal sa jam edhe në shoqëri me sjelljen time. Unë nuk di ta kem të vështirë karakterin, por mund të jetë kështu, nuk e di… Unë mendoj për veten time se jam super i thjeshtë në atë që bëj.
Flori… ju duket e tepërt të flasim pak për seksin?
Nuk më duket e tepërt nëse flasim pak ama.


Pak ditë më parë jemi sensibilizuar në Ditën Ndërkombëtare kundra AIDS. Çfarë mendoni për seksin e mbrojtur dhe të sigurt?
Unë mbrohem natyrisht, kështu që jam në rregull. (qesh)
A bëni ju Flori seks të sigurt?
E përdor kontraceptivin, po.
Duke qenë një seks simbol për femrat, të ndodh të gjendesh në situata ku seksi është rastësor?
Nuk shquhem për simbol seksual, janë të tjerë këngëtarë ata. Nuk kam qenë kurrë ndonjëherë simbol seksual dhe as nuk do të jem. Në bazë të kësaj përgjigjeje mund të kuptohet qartë se rastësitë për mua nuk janë asnjëherë rastësi. Asgjë nuk ndodh me mua plotësisht rastësisht.
Megjithatë nuk mund të mohoni se të bëheni baba mund të jetë një rastësi ama…
Në asnjë mënyrë nuk është rastësi të bëhesh baba. Kujt nuk i punojnë frenat, bëhet baba (qesh).
Flori, jetoni vetëm apo jo?
Jetoj me familjen.
Do të na e thoni njëherë e mirë si janë marrëdhëniet e tua me këngëtaren Soni Malaj?
Unë mendoja vërtet se kjo çështje ishte zgjidhur njëherë e përgjithmonë. Dhe mbi të gjitha nuk mendoj se këto janë çështje që mund t’i zgjidhë një gazetë. Unë jam këtu, jam Flori Mumajesi dhe nuk ka asgjë midis meje dhe saj. Një marrëdhënie profesionale ndoshta, kaq.
Festivalet në Shqipëri vazhdojnë të jenë shumë të diskutuar për sa i përket klaneve në artin e muzikës. Në rastin e festivalit “Kënga Magjike”, janë këngëtarët që votojnë e megjithatë asnjëherë nuk gjendet një zgjidhje le të themi.
Çdo vit, absolutisht çdo vit ka diskutime, aludime e gjëra të kësaj natyre, hatërmbetje ka pas çdo festivali. Edhe mbas një festivali që mund të jetë folklorik ka, mendo pak një festival si “Kënga Magjike” me përmasat që ka, me muzikë që përbën tendencë, modën dhe lançon. E di si është puna…kënga më e bukur, kënga e mirë, merr apo nuk merr çmim, puna që këngëtarët, apo artisti ka bërë për atë material muzikor, i merr njësoj vlerat, nga audienca. Ky festival më dha mundësinë që kënga “Play Back” sot dëgjohet kudo. Unë dola i pesti. Por nuk u mërzita fare për këtë.
Flori, si mendoni pse jeni ju kantautori më i mirë në treg? Adrian Hila thotë: Sepse keni intuitë.
Unë mendoj sepse kam pasur rastin të punoj me Adrian Hilën dhe më duhet të nënvizoj këtu edhe Edmond Zhulalin. Me të dy këta kompozitorë kam pasur bashkëpunim dhe miqësi shumë të mirë. Të dy kanë qenë përkrahje për mua. Nuk më kanë parë si Flori që nesër do shkëlqejë e do ju rrëmbejë suksesin.
Po ju si do ta cilësonit veten? Pse ju jeni kantautori më i mirë në treg?
Punë, punë dhe vetëm punë. Unë kam harruar rrugët e Tiranes sepse ditët dhe netët e mia kalojnë brenda kësaj studioje.

Ky shkrim është botuar më 12 dhjetor 2009

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.