Tech

Nata e tretë e festës, mijëra vetë e gdhijnë në shesh

09:25 - 12.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Lediona Xheladinaj

KORÇË – Një festë magjike ajo e birrës në Korçë. Tingujt e muzikës shoqëruar me shijen e pakrahasueshme të mbretëreshës shqiptare birra “Korça” kanë “tërbuar” banorët e qytetit juglindor dhe jo vetëm. Në natën e tretë kanë mbushur sheshin mijëra vetë. Ritmi i festës tashmë ndihet në çdo cep të këtij qyteti. Ndryshe nga netët e tjera, risia e natës që kaloi ka qenë prania e shumë vizitorëve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Vizitorë të shumtë, kryesisht nga Tirana, Durrësi dhe Elbasani kanë zgjedhur të kalojnë disa orë festive nën shoqërinë e birrës “Korça” dhe këngëve të interpretuara nga këngëtarët e njohur shqiptarë si: Era Rusi, Denisa Zeqo, Fifi, Lorenc Hasrama, Mariona Metou. Zërat e Cavalero Band, por edhe surpriza e mbrëmjes DJ Meital Barzilay nga Izraeli kanë shkaktuar emocion, teksa të gjithë pjesëmarrësit janë njehsuar pranë skenës për të qenë sa më afër me këngëtarët dhe për të kënduar njëzëri. Në edicionin e 11-të të Festës së Birrës, gjithçka duket edhe më e bukur, duke i veshur Korçës për net me radhë petkun e gëzimit, muzikës dhe kërcimeve nën shoqërinë e birrës. Në natën e tretë të festës, tavolinat dhe stolat janë kthyer në minipista kërcimi, ku të gjithë i janë bashkuar atmosferës deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. Fundjava e ka rritur edhe më tepër numrin e pjesëmarrësve, aq sa organizatorët e kanë pasur të vështirë të bëjnë një përllogaritje dhe të japin një shifër të saktë. Tashmë kjo festë është kthyer në një eveniment gjigant, që mund të krahasohet vetëm me festivalet më të suksesshme botërore. Festa është hapur me qytetarët që mbanin në duar dhe bënin gëzuar me gotat e birra “Korça”. I pranishëm në natën e tretë të festës së birrës ishte dhe këshilltari i ambasadores kineze. Në një intervistë për “GSH”, ai tha se birra “Korça” është e mrekullueshme.


Si po ju duket mbrëmja?
Është hera e parë që vij këtu dhe po më pëlqen vërtet shumë kjo mbrëmje. Këtë festë e vizitoj për herë të parë. Shkova fillimisht tek Pazari i Korçës, edhe atje ishte shumë bukur. Pasi qëndruam atje, vendosëm të vinim edhe tek sheshi i stadiumit, ku festa po më duket gjigante.
Si mësuat për këtë festë?
Ka qenë një ftesë e Bashkisë Korçë, të cilën e prita me shumë dashamirësi dhe më pas pyeta edhe stafin tim, i cili përveçse dinte shumë për këtë festë, vitin e kaluar kishin vizituar fabrikën e birra “Korça”. Përshtypjet e tyre ishin shumë të mira dhe ne vendosëm të vijmë të gjithë së bashku.
Çfarë keni zgjedhur për të pirë sonte?
Birrën më të mirë shqiptare, birra “Korça”. Faktikisht birra “Korçën” e kemi provuar së bashku me stafin përfaqësues të ambasadës dhe i ftoj të gjithë turistët që vijnë nga Kina ta shijojmë atë.
E keni shijuar herë tjetër birrën “Korça”?
Po, e kam provuar disa vite më parë në një panair në Kinë, ku birra “Korça” ishte pjesëmarrëse dhe vërtet më ka lënë shije shumë të mirë. Sigurisht që e pi sa herë më jepet mundësia, sepse është një birrë shumë cilësore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.