Publikuar : 12/08/2017

Përse Lulzim Basha pranon të bëhet kaq qesharak?

Bej share
Tags

 

Nga Mimoza KOÇIU

 

Kjo pyetje mundon këdo, që e ka sado pak për zemër funksionin bazik të opozitës si oponente e qeverisë, sidomos e një shumice tashmë arrogante, edhe në numra.

Paradoksi i ministrave teknikë të Lulzim Bashës, të cilët pas humbjes së thellë më 25 qershor, po bëjnë punën për të cilën Rama u votua në 2013, për ta kryer deri në shtator 2017, është rikthyer në këto ditë të nxehta vere, edhe për një arsye shumë të thjeshtë: i zoti i punës, Lulzim Basha, që ende nuk e ka zbardhur marrëveshjen e 18 majit, nuk po arrin t’i gjejë një justifikim që nuk çalon, qëndrimit të ministrave të tij në tryezë me njeriun që thotë se i ka vjedhur zgjedhjet, edhe pse 6 javë pas tyre, ende nuk ka paraqitur një provë në publik, a në prokurori.

Heshtja a mungesa e fantazisë së Lulzim Bashës dhe e stafit të tij për t’i dhënë drejtim kësaj situate, a për ta mbyllur me një justifikim të besueshëm si debat, prodhon situata qesharake zinxhir, edhe nga justifikimet lara-lara të vetë ministrave, që vihen para pyetjes se çfarë bëjnë ende në qeveri. Dikush përdor si mburojë Kushtetutën, që e detyroka të rrijë deri në fund, edhe pse emërimi në atë funksion, nuk është bërë sipas Kushtetutës, por bazohet në një marrëveshje nate mes Ramës e Bashës. Dikush tjetër priste që ai që e kishte propozuar, Basha dmth., ta tërhiqte; një tjetër sfidonte kryeministrin që ta shkarkonte, edhe pse ky i fundit e tha qartë pak ditë pas zgjedhjeve, se priste që teknikët të largoheshin, pasi e kryen misionin e tyre. Në fund, një variant u dha nga zëvendëskryeministrja, se po përgatitej një raport për zgjedhjet, e këtij varianti iu bashkëngjit edhe vetë Lulzim Basha, ditën që mori mandatin e dytë si kryetar i Partisë Demokratike.

Por çka na rezulton, të paktën mediave në këto ditë vere, çka vetë teknikët përcjellin, nuk janë lajme për ecurinë e punës për raportin e zgjedhjeve. Njoftimet prej tyre vijnë tipike pune, të ministrave që vazhdojnë detyrën e zakonshme, si pjesë e shumicës së votuar në 2013-ën. Madje, premtimi i ministrit të Brendshëm teknik në dy intervista televizive, se kur Rama të nisë mandatin e dytë, nuk do ketë më kultivim kanabisi, është më befasuesi dhe u vë pikëpyetje jo vetëm deklaratave se teknikët po punojnë për raportin, por edhe marrëveshjes së natës Rama-Basha, e cila mesa duket shkon përtej zgjedhjeve, madje edhe përtej asaj lloj humbjeje spektakolare, pa asnjë lloj meraku e konsiderate për imazhin e lodhur të opozitës, që veç nxihet më fort.

 

As edhe një rresht në media nga teknikët se deri ku është raporti i zgjedhjeve, apo kur do përfundojë ai. Mbi të gjitha, si mund ta ketë luksin kjo opozitë që humbi aq thellë, të marrë kaq shumë kohë për hartimin e një raporti, që nëse merren seriozisht deklaratat e bëra, duhet të jetë jetik për besueshmërinë e PD-së e të kryetarit të saj?

Heshtja e Lulzim Bashës, që natyrisht ka të drejtën e tij të pushojë me familjen, duket një zgjedhje, e paqartë nëse e lehtë apo e vështirë, në koleksionimin e humbjeve, e mbulimin me harresë, të asaj të 25 qershorit, njëlloj si ato të 2013-ës, e 2015-ës, duke mos bërë analizën, një praktikë që vetë Edi Rama na e dëshmoi publikisht se bëhet, edhe pas një fitoreje si e tija.

Mbi të gjitha, duket sërish zgjedhje e Lulzim Bashës, që të mos i japë drejtim kësaj situate qesharake me ministrat e vet në qeveri, teksa vetë është me pushime, njëlloj si Rama e ministrat e vet, me ndonjë përjashtim, për shkak të emergjencës së zjarreve.

Në këtë paradoks, që Lulzim Basha e shoqëron me heshtje, ishte krejt flagrant një ilustrim i pozitës së vështirë ku gjenden ministrat teknikë. Ministri i Drejtësisë, për hir të së vërtetës një nga njerëzit më të aftë që ka PD, u sfidua publikisht me tallje e moskonsideratë nga një kompani private, që ka sjellë byzylykët e shërbimit të provës. Dy herë e ftoi ministria këtë kompani për të bërë verifikimet e gjendjes e funksionimit të tyre dhe ajo jo vetëm që nuk u paraqit, por as nuk i ktheu përgjigje. Një injorim i tillë publik nuk ka shans t’i ndodhë një ministri të Ramës. Për pasojë, ministri teknik i opozitës gjendet në një situatë, ku kryeministri nuk e mbështet, ndërsa Basha nuk e tërheq.

Pa u ndalur tek rasti që po heton ministri Bardhi, përse vallë duket detyruar të vihet në një pozitë të tillë? E bashkë me të edhe Lulzim Basha që e mban aty, përse vallë e pranon këtë tallje e përçmim që i bëhet publikisht?

Këtë situatë e rëndojnë më tej edhe justifikimet alogjike, mbase për shkak të vapës, që lëshojnë përfaqësues të tij, se teknikët duke qëndruar deri në fund në detyrë, respektokan Kushtetutën e marrëveshjen e 18 majit.

Me një fjalë, opozita do vazhdojë të bëhet qesharake deri në fund, edhe kur tallen kaq hapur e kaq publikisht, me një rol që nuk i takon, qeverisjen, por këmbëngul ta luajë, për një arsye, që deri tani asnjë mendje racionale, sado dashamirëse ndaj Bashës e PD-së, nuk e rrok dot.

Përse Lulzim Basha po e lë të bjerret çdo ditë e në rënie të lirë, atë që është arma kryesore e opozitës, besueshmëria, ky mbetet një mister i madh, por edhe një luks i pakuptimtë, për moralin e cenuar tashmë nga një marrëveshje e pazbardhur, e nga një humbje spektakolare.

 

1 Koment
  1. gezim struga thotë:

    Kur nuk ke kuptuar asgje nga Mareveshja e 18 Majit,cke qe prrallis kot ,ti dhe te gjithe te tjeret.A ka njeri te thote se c,permban Mareveshja.?Ia fusin kot te gjithe.

Shkruaj nje koment

Kalo te paneli