BLUETOOTH

Bluetooth – Nostalgji/ Marin Orhanasi: Surprizat që i kam bërë zotit Withers në ambasadë

16:00 - 14.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim:  Marin Orhanasi: Surprizat që i kam bërë zotit Withers në ambasadë





Ai është një ndër aktorët më të vjetër të ‘Portokalli’ por edhe ndër më të talentuarit në teatër. Marin Orhanasi në këtë intervistë për ‘Bluetooth’ tregon për përgatitjet e shfaqjeve, paskuintat e të papriturat gjatë skenës si dhe për jetën e tij familjare dhe marrëdhëniet me bashkëshorten dhe djalin e vogël.
Një sezon mjaft i ngjeshur ku duhet të përgatisni çdo javë shfaqjen. Si ështe e origanizuar dita, sa kohë zënë provat për rolet?
‘Portokallia’ është ndërtuar e tillë. Për shumë arsye. E para, ne atë e ndërtojmë brenda pak ditësh dhe në të gjitha kuptimet është një shfaqje e re çdo javë. Është e vërtetë që shumica e aktorëve luajnë të njëjtat role, por ajo që është e rëndësishme është se ata prekin çdo javë tematika të ndryshme dhe ngjarje të ndryshme. E dyta, pothuajse të gjithë personazhet në një mënyrë apo në tjetrën ecin paralel me ngjarjet politiko sociale, që do të thotë japin komentin e tyre për këto ngjarje. Dhe sigurisht të gjithë personazhet duke qenë pjesë e krizës, të marrë nga jeta e përditshme, bëhen palë e deklaruar kundër padrejtësise. E treta, persa i përket kohës që na zë puna do thoja që në çdo moment të ditës ne edhe kur nuk jemi në  orarin zyrtar të punës, aty na rri mendja. Dhe jemi në korent të vazhdueshëm me kolegët dhe materialin që ndërtojmë. Në të njëjtën kohë gjejmë edhe kohë për të realizuar shfaqje në teatër e film. Unë të paktën në asnjë mënyrë nuk jam shkëputur nga teatri. Madje së fundmi mbyllëm me sukses edhe një shfaqje, “Kolonel Zogu”. Unë për teatër (aktrim) kam studiuar.


Po përgatitet ndonjë gjë e veçante me rastin e fundvitit?
Jemi duke përgatitur një shfaqje madhështore të cilën po ta ndajmë, padyshim që dalin tre shfaqje të plota që bëjmë gjatë sezonit. Në fakt (këtë e them pa modesti) u bënë shumë vite që i vetmi argëtim, relaks, për shqiptarët në festat e fundvitit është ‘Portokallia’. Duke u nisur nga larmia e personazheve, nga energjia, nga impakti që kanë krijuar te teleshikuesi, nga  përkushtimi i aktorëve, unikaliteti që kanë në këtë zhanër, them se nuk do t’i zhgënjejmë shqiptarët.
Aktualisht ju interpretoni pjesë nga Shekspiri të sjella me humor. Ka vështirësi në përgatitje?
Sigurisht që është e vështirë. E para, unë dhe kolegu im sa herë kemi ndërtuar një numër të ri, gjëja e parë që kemi patur parasysh ka qenë veçantia në dialog dhe në ndërtim personazhesh. Jemi munduar t’i sjellim sa më pikante në interpretim dhe në gjuhë. Në rastin konkret, kemi zgjedhur pikërisht personazhe të njohur të dramaturgjisë botërore që janë qendisur mjeshtërisht nga mjeshtri i drames (teatrit) Ë.Shakespeare. Pra në këtë rast (jo si në numrat e tjerë që i kemi shkruar vetë materialet), nuk jemi ne krijuesit e lëndës. Por jemi rikrijues të mbështetur mbi materialin klasik. Në vetvete në këtë numër ne jemi dy aktorë që pretendojnë se luajnë teater. Ku nuk mungojnë klishetë e teatrit, manierat, inpostimet, bërtitjet, që për mua janë shumë të dëmshme për një aktor. Luajmë edhe me gjuhën shqipe të  përdorur në përkthim e cila na ka dhënë shumë dorë për të shkaktuar humor. Si cdo numer tjeter edhe ky ka veshtiresine e tij ne realizim.


Ju ka ndodhur ndonjëherë të harroni batutat në skenë dhe nëse po si ia keni dalë?
Na ka ndodhur the? Shumë herë. Por duke patur parasysh që tashmë e njohim mirë profesionin, arrijmë të dalim nga situata. Madje edhe pa e kuptuar askush. Ne këtë dyshe e kemi futur si element duke patur parasysh që çdo aktori i ndodh të harrojë tekstin, ta kapë e qeshura ose t’i ndodhë një aksident në skenë. Edhe të qeshurat që na kapin, shumicën e kohës e luajmë sikur na kapi. Rrallë herë na ndodh të na kapi vërtetë. Por kur na kap nuk na lëshon më… Sepse njërit prej nesh i ndodh vërtetë ndonjë aksident nga ato që përmenda më lart. Gjithsesi sportiviteti i spektaklit i pranon edhe këto.
E disponon kohën e mjaftueshme për t’iu përkushtuar familjes?
Pas pune gjithë kohën që kam ja kushtoj familjes. Në fakt u bë kohë që as mbrëmjeve nuk dal. Kam pas qenë shumë i lëvizshëm deri para pak kohësh. Por ju siguroj se gjëja më e mirë në jetën time është familja. Paçka se shkoj i lodhur e gjej kohën t’u kushtoj vëmendjen e duhur. Familja është relaksi im i vërtetë. Kam një marrëdhënie shumë të ngushtë me bashkëshorten që na e ka konsoliduar më tepër ardhja në jetë e djalit tonë.


Cilat janë punët që i vjen më në ndihmë bashkëshortes?
Në fakt barra më e rëndë i bie nuses time e cila është e detyruar të rrijë gjithë ditën me djalin. Dhe tani e kam kuptuar se sa e vështirë qenka të rrisësh një fëmijë. Lodhet shumë. Unë mundohem ta ndihmoj sa mundem por në përgjithësi ajo ja del vetë. Gjëja që unë bëj më mirë është ta bëj të qeshë atë dhe djalin. Është një lloj ndihme edhe kjo…Hahaha. Sigurisht që me kalimin e kohës do mësoj ti vij në ndihmë edhe me gjëra të tjera. Ah se harrova. Kam një djalë (MAIDI) që më ngjan shumë. Në të gjitha pikpamjet. Kjo do të thote që është edhe shumë i lëvizshëm, se edhe unë jam shumë. Imagjino së çfarë duhet të durojë nusja ime…Hahaha. Shaka. Ajo çfarë më gëzon është që Dorina (nusja ime) është një nënë shumë e përkushtuar. Jam i lumtur që kam këtë familje.
Flasim pak për djalin tuaj. Cila është marrëdhënia që keni krijuar me të?
Gjëja e parë që bëj kur iki në shtëpi është ta bëj të qeshë. Tani kam kuptuar kur qan se ka ndonjë problem dhe kur qan që do ta marrësh në dore. Vdes ta mbaj në dorë. Ata që kanë fëmijë e kuptojnë shumë mirë se ç’dua të them. Më vjen ta kafshoj me dhëmbë. Kemi krijuar edhe një “gjuhë” tonen. Ai komunikon me pasthirrma dhe unë e imitoj. Kjo e ben të qeshë shumë. Edhe unë shkrihem me të. Falenderoj Zotin që më bekoi me Maidin.
Ndonjë tjetër projekt i ri?
Kam në dorë një projekt teatri por që sigurisht do e filloj pas festave, në janar. Në fakt mezi po pres se teatri zë një vend të rëndësishëm tek unë. Është i mrekullueshëm. Po kështu më kanë ofruar një rol edhe në një film, por pak më vonë. Bëhet fjalë për në pranverë. E theksoj se për një aktor është shumë e rëndësishme të jetë i pranishëm në të gjitha zhanret e në këtë kuptim ndjehem i privilegjuar.
Keni interpretuar mjaft role në skenë. Cili është ai që ju ka bërë më tepër për vete?
Nuk ka rol që mos të më bëjë për vete. Të gjithë ata që kam realizuar janë një pjesë e jetës time artistike dhe nuk di të ndaj kush zë më shumë vend tek unë. Kjo i mbetet spektatorit ta gjykojë. Sigurisht që kur krijon një rol të ri, dashurohesh shumë shpejt me të, por kur e mendon, ai s‘ka asgjë më pak ose më shumë se rolet që ke realizuar më parë. Energjia e shpenzuar është e njëjtë si për rolet e tjera. Të paktën unë nuk arrij dot të bëj një dallim ngaqë kam debulesë për të gjithë.
Imitoni më së miri zotin Withers. Ç’mund të na thoni për marrëdhënien me këtë të fundit?
Po është e vërtetë që e imitoj dhe them se ja kam arritur qellimit. Por kjo nuk është veç puna ime. Është një realizim kompleks ku sigurisht më shumë vend zë mjeshtri Mond Lako. Mondi është një nga vlerat e padiskutueshme të ‘Portokallisë’. Aq sa edhe nëna zotit Withers kur pa foton i tha: “Tani që u bëtë “dy” mund të vish për ca pushime dhe ler djalin të bëjë për ca kohë punën tënde.” Në fakt Z.Withers është një njeri shumë i mirë dhe që kur dolëm në shfaqje të dy, kemi krijuar një marrëdhënie akoma më të mirë. Më ka ftuar disa herë në rezidencë mua dhe disa aktorë të tjerë, por edhe unë i kam bërë disa surpriza ku është emocionuar shumë. Njëhere shkova se një nga punonjësit e ambasades largohej dhe une u prezantova si Z.Withers 2. Diçka që ky i fundit nuk e priste. Madje mbajta edhe nje “fjalim”. Por më e bukura ishte se të gjithë në fillim s’po e kuptonin kush ishte. Kur erdhi momenti, Z. Withers e prezantova si sozinë time. E theksoj se Z.Withers është mik i imi e pse jo edhe i shqiptarëve.Ndjehem i nderuar nga respekti qe ka për punën tone në spektakël dhe për respektin që ka krijuar për mua.
Ky shkrim është botuar më 12 dhjetor 2009


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.