MILOSAO

ELEGJI PËR TOKËN

10:35 - 14.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Rexhep FERRI

1.
Mos pritni.
Prapa skenës, mos pritni.
Koha është tepër e qartë.
Mendimtari i Rodenit edhe çka tjetër mund të kërkojë?!
Mes maskave si njohje, njerëzve nuk u besohet.
Gjenerata e parë e fotografive dokumentare ishte besimi i fundit.
Sot në shqiptarhane më shumë flitet për qenin e Lasgushit, Bubin se për poezinë e tij.
Kjo e vërtetë çfarë pasojash do të lë, nuk e di.
Me një qetësi të çliruar nga ankthi edhe kjo liri e shumëpritur, nga ngjyrat e notës e humbi rrugën, për të shprehur diçka të largët në histori e të afërt për hapjen e rrugëve.
Lufta të bën të kuptosh pse bëhen luftërat.
Por as para lufës së fundit e pas luftës së fundit nga rrjepacakët e tre përqindëshit të diasporës.
Për Kosovën.
Për bukën e gojës
Nuk ia dolëm ta kuptojmë se kah po frynë era.

2.
Autoriteti i njeriut, kur është i rrejshëm, është i rrezikshëm.
Gjithnjë pak e më pak po mendoj pse është aq i rrezikshëm.
Ka edhe diçka tjetër që nuk po e kuptoj.
Na ishte kur na ishte koha e Skënderbegave.
Me histori të pashpjegueshme të Ballkanit.
Dhe njohja e mosnjohja e kohës së Enver Hoxhës, i cili duke kaluar nëpër kriza identiteti, na bindi se jashta Shqipërisë komuniste nuk ekziston asgjë.
Dhe koha e durimi i Gandit të Ballkanit.
Dhe koha e vuajtje të burgut të Mendelës së Kosovës.
Dhe koha e Sokolave e Mic Sokolave që nuk janë në listën e engjëjve.
Dhe koha për të dalur nga kjo lëkurë pa e ditur pse.
Natyrisht se ka edhe shumëçka tjetër që na ndjek e që na del përpara.
Për ta kaluar natën me dy a tri fjalë.
Nga kronikat e burgut.
E, mandej “Raca njerëzore duke u shndërruar në skllevër” e përjeton edhe një poshtërim.

3.
Nga një elegji për tokën, vetëm Zoti na mbeti pa e parë.
Natyrisht, me fajin tonë.
Për ta fshehur të vërtetën, nga inati, edhe unë gënjeva.
Është tepër vonë për ta fiksuar a jemi duke qeshur apo duke qarë.
Koha e njerzve të pakënaqur po kthehet vonë.
Duke u rrëzuar pritëm gjatë.
Me bindje se kjo është Parajsa e vetme e mbyllur mes maleve ku nuk shihet dielli.
Për të gjetur atë që e kërkojmë shfrytëzohet rasti.
Kjo histori është histori e botës që e kemi humbur.
Me ngatërresa e pa adresa e kalendar.
Me punë që nuk bëhet vetëm.
Kur nata dhe dita dalin nga kanalizimet e ujërave të zeza.
Jo për të gjetur atë që kërkojmë, por për kohën që nuk ka tjetër rrugëdalje.
Kot flasim: po na pëlqen, s’po na pëlqen…
Sa për të treguar kujt e nga kush.
Në tokën njerëzore.
Për çdo ëndërr.
Nëna natyrë një herë flet.
Lufta vazhdon edhe pas vdekjes.
Nga shpëtimi i mbyllur në kafaz, ktheva kokën në anën tjetër të vdes i qetë.


4.
Një ditë dikush e pyeti Nastradin Hoxhën:
– Nastradin, çka po bën? Çka po pret?
– Po pres të shoh se cili po rrëzohet! Është kënaqësi kur sheh se cili po rrëzohet.
Për t’i kuptuar më mirë njerëzit duhet të presim.
Në kohën tonë nuk kishte kaq shumë njerëz të pafytyrë. Patriotë me maska e pa maska.
Tani nga vetmia e kapur, nuk ka asgjë më surreale se lufta e pasluftës dhe hapësira e lirisë së humbur.
Nuk e di si më erdhi, por e thashë:
– Ta hajë dreqi edhe këtë luftë, edhe këtë liri. Të humbur, e të humbur.
Përtej Ballkanit vlerësohen vetëm ata që janë të dëgjueshëm.
Me shqetësime për një jetë të lumtur, nuhatja ta prishë mendjen, kur mendjen e ke të kurdisur mbrapsht.

5.
Po cili është dizajnimi i milionerëve të pasluftës?!
Cili?
Ata edhe para luftës e kanë kuptuar rëndësinë e parave.
Publikisht flasin se me nderë e përkushtim e kanë krijuar pasurinë…
Fama dhe e drejta e tyre i takon një brezi që kohën nuk e lë të ikën.
Për hir të së vërtetës, o Zot na ruaj mendjen se u bëmë për të mos e njohur veten.
Sado i rëndësishëm që je, prapë nuk je kërkushi.
Si eksperiment i dështuar vjen e shkon bashkë me kohën e virgjëreshave të dhunuara.
Si derë e hapur.
Kur sytë e majmunit shohin më larg.
Shpejt humbet fytyra.
Besimi.
Duke mos parë fitimtarë.
Barka e shpëtimit më çoi të luftoj me dallgë.

6.
Kjo histori do të mbetet për histori që nuk do të shkruhet kurrë.
Nga shpirti komercial, na kanë humbur të gjitha ndjenjat për njerëzoren.
Këtij kortezhi i shtohet edhe një buzëqeshje e ngrirë.
E atyre që janë rreshtuar për të kaluar nëpër vrimë të gjilpërës.
Nga rreziku krijohen njohuri të shumta.
Edhe te intelektualët, që i kemi më shumë se pak, po krijohet një vlerë e rrejshme.
Kjo kohë e pagabueshme njeriun e pagabueshëm e gjen të varur në degë të një ulliri.
Një ditë pas varrimit, atij të gjorit i humb varri.
Flitet se e kishte të vështirë të përshëndetej me njerëzit e pagabueshëm.
Fotografitë e tyre i shihte çdo ditë nëpër gazeta dhe televizion.
Natyrisht në lajmet e para, në faqet e para.
Për ta mësuar jetën nga e para.
Hiqeni kapelën.
Qiteni kapelën.
Po kalon fatkeqësia…

7.
Çka nuk po më kujtohet?
Koha është ndalur.
Njeriu po vonohet.
Ajo që e kmi nuk po na mjafton për të qenë të lumtur.
Nga frika nuk ka dëshmitarë.
Pas çdo fjale, lirisë përpara i del frika.
E vërteta mbyllet si ngjarje e kotë.
Atje ku duhet të shkojmë…
Edhe e ardhmja prek frikën.
Humbjen.
Fjalën.
Besimin.
Dhe fotografitë dokumentare.
Shkurt: miku im Robinson Kruso, i ditëve tona, lëri teket, nazet, pritjet…
Të qeshur e të zymtë.
Planetin tonë të dashur e kemi dhier…
Dhe, ia kemi ndryshuar pamjen.
Dhe kemi mbetur nga diçka që kemi qenë.
Si humbës në mes të ditës.
Po shpresoj se këtu nuk është fundi.

Korrik, 2017


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.