MILOSAO

Hiawatha modern, i fundmi i mohikanëve dhe unë – emigranti i fundit

10:37 - 14.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Petraq RISTO

1.
Këtu në fillim ishte Akullnaja e Labradorit nga Veriu në Jug
Lundrim galopant i një kali të bardhë e të verbër
Krifa dhe thundra të akullta ktheheshin në ujë
Në liqenin para dhjetë mijë vjetësh.
Këtu bën kryqin vetëtima dhe shirat vdesin me ylbere të gëzuara
Këtu mban frymën bubullima dhe rrënjët nën shkëmbinj flasin me ujrat
Zbrazet qielli dhe natën nga Hëna bie një grua.

2.
Nakomis bie nga Hëna: barkun – baticë si të gjithë nënat
Lindi të bukurën Uenonah, Uenonah
Këtu ujërat gjembojnë gjinjtë, burrat i ndezin për luftë e për gjah.
“Uenonah, kujdes nga Era e Perëndimit, Uenonah”…
Vajza s’e dëgjoi: Era e Perëndimit e mori në krahë.
Hiawatha, Hiawatha lindi: i fortë e i bukur sa s’ka
Gjyshja Nakomis në Hënë iku se nga Hëna ra…

3.
Minnehaha, Minnehaha – e vogël sa një kokërr gruri
Hiawatha i njomë: kalli misri
Gjithnjë bashkë si lumi me gurin, si fara me plisin.
Armatosur me shigjeta dhe vështrim shqiponje
Vjen Prijësi, vjen Prijësi
E sheh Hiawatha-n ngarkuar me tamburet e fitoreve
Burimet gurgullojnë, lumenjtë rrjedhin, loz fara me plisin.

4.
Mu shfaq magjistari Perlë Penda, çfarë shihte jashtë e fuste brenda
E godita dhe gjaku u avullua si ëndrra. Me sy nga Hëna shpika gërmat.
I pranova misionarët e krishterë dhe shefin e Rrobave të Zeza
Për kurorën mi fali puplat një skifter, ca yje ranë të flinin
në trastën me shigjeta
Minnehaha ime u tret, u bë erë, dimri e ngjiti te Hëna
I fundmi i mohikanëve m’u shfaq në derë, më ftoi në liqenin Xhorxh
Një grusht njerëzish kërcenim rreth zjarreve duke u lutur
Manhatanin e shitëm për 1050 dollarë (goxha vlerë!)
ngaqë i ngjante gishtit të këputur…


Oh, sa i ngjante gishtit të këputur!

5.
Hiawatha modern ikur nga poemë e Longfellwout
në krahët e fuqishëm mban të tjera Minnehahan
me një lundër lundron në lumin Hudson
me shigjetat ndezë reklamat në Manhattan.
Oh, sa i ngjan gishtit të këputur!
Hiawatha i ri vërtitet rreth Liqenit Xhorxh
përshëndet pasagjerët e anijes “Minnehaha”
– Hej, Hiawatha, pse lodhesh atje poshtë!?…
Stërgjyshja Nakomis e thërret që nga Hëna.

6.  Kënga e Minnehaha-s:
Qetësi në varrezën e vjetër
Bar dhe drunj të shenjtë
Dhe drerë që dashurohen symbyllur.
Në Malet Adirondack po bie me dritën e Hënës
Sendërtohem në mish e në shpirt, u flasë luleve, të vdekurve nga ligështia
Dhe të vrarëve nga baruti e shigjetat.
Drita e Hënës në baltë kallais kujtesat, i bënë të vdekurit me pasqyra.
Në çdo pasqyrë rri hapur një dritare, lulëzon një degë qershie
dhe vdes një zog…
Këndon Minnehaha në avulloren “Minnehaha”
Topat në Fort Williams Henry shtijnë në ajër,
Në muzeun e fantazmve lulëzojnë muret-trungje
Dhe të vrarët: indianë, anglezë, francezë
Shpërndahen rrotull me ligjin e luleve.

Në çdo pasqyrë rri hapur një dritare, lulëzon një degë qershie
dhe vdes një zog…


7. Hiawatha:
Të rrjedhësh me lumin Hudson drejt Manhattan-it:
gisht i zotit të Mikelanxhelos
zgjatur drejt  Njeriut
dhe prek Statujën e Lirisë!
Në duart e grataçielave – shpirtrat e reklamave
Si në duart e stërgjyshërve të mi skalpet e të vrarëve…
Rreth liqenit Xhorxh ende vrapon I fundmi mohikan.
Hej, miku im, eja bëhemi bashkë, rimishërim në breza të rinj
Zbresim buzë oqeanit në gishtin e këputur Manhattan
Shitur për 1050 dollarë!
Oh, sa i ngjan gishtit të këputur!
Gisht magjistar!

8. Mohikani modern:
Natën me lupën e Hënës mund të lexosh shkrime të padukshme
Vëllimet e pafund të shtretërve: afshin, dehjen, lotët
Mundimin për t’i shpëtuar kthetrave të hipnozës
Natën me lupën e Hënës.
Nata ngarkuar me mistere: oqeani papritmas lindi ishull të ri
Lundroni kolombë me flamujt e stereve, para se ishulli të zhytet përsëri!
Nata me tavernat e lodhura nga pijet dhe muzika
Femrat rimodelohen me dufe porcelani
Nën lupën e Hënës lexohet frika
Dhe unë lexoj shpirtrat, serioz si vëzhgues uragani.
Mbase duke parë veten me lupën e Hënës
Dyshimi bëhet zjarr, ëndrrat piqen në ferr si zogj pa pupla e pendë
Me lupën e Hënës shoh një ujk gjigant që vjen
me Gishtin e këputur të Manhattan-it ndër dhëmbë.

9. Unë – emigranti i fundit
Qiellin e kam alergji: në metrotë e Manhattan-it vendosa të rri
Me fishkëllima trenash, njerëz të lodhur, pëllumba të egër dhe minj
… lexoj gazeta me shi…
Fle në stola, ushqehem si mundem, lexoj gazeta me shi…
Amerikanë, kinezë, arabë, rusë… më mblidhen rrotull, ç’flasin s’e di
Lexoj gazeta me shi…
Muzikantë shëtitës, të verbër që shohin pikëllimin tim në sy
Të rinj akrobatë, prestigjatorë të lashtë ma ulin hënën përbri
Nakomis, Minnehaha, Hiawatha, mohikani i fundit më shfaqen përballë,
Habi. Lexoj gazeta me shi…
Alarm për bombë… Kaos, çmenduri…
Policë me skafandra, agjentë e zjarrfikës, alarm i rremë…
Marr frymë. Qetësi. Lexoj gazeta me shi…
Takoj lypës, poetë, pastrues, mjekë, klerikë, vejusha në zi
Nën Hudson-in e madh gjej burimin dhe pi
Me rrënjët e Wall Street-it ushqehem – mrekulli
Lexoj gazeta me shi… Jetoj në metro
gjysmë urith e gjysmë njeri… Lexoj gazeta me shi…

Manhattan:
gisht i zotit të Mikelanxhelos
zgjatet drejt Njeriut
dhe prek Statujën tënde, Liri!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.