Media

Sherri Duka-Berisha/ Kush ishte femra misterioze e infiltruar në ministri që punonte për kreun e FSHF?

19:56 - 14.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ishte fundi i vitit 2008, kur Kombëtarja jonë e futbollit pësoi një disfatë të rëndë ndaj Rumanisë, me rezultatin 6-1. Në gjuhën e basteve një rezultat i tillë quhet ndryshe edhe si “7+”. Një ditë më pas media rumune hodhi dyshimet se shqiptarët e kishin shitur ndeshjen, madje vetë trajneri Oto Bariç kishte deklaruar se dy futbollistë kishin bërë lëvizje të çuditshme në fushë, por ai kurrë nuk i bëri publike emrat e tyre. Pa u mbushur 24 orë nga ndeshja, ish-kryeministri Sali Berisha bën një deklaratë të fortë, duke akuzuar kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, se ishte përfshirë në skandalin e trukimit të ndeshjes.

“Pamfleti” kujton se midis Berishës dhe Armando Dukës në atë periudhë ka pasur një debat të nxehtë dhe një konflikt të fortë e të hapur. Berisha urdhëroi ministrin e sportit në atë periudhë, Bujar Leskaj, të niste auditin në FSHF dhe të viheshin para drejtësisë përgjegjësit dhe shkelësit e rregullave. Auditi nuk u lejua fillimisht të shkelte në zyrat e FSHF-së dhe Duka u kundërpërgjigj duke ngritur në këmbë UEFA-n dhe FIFA-n, me arsyetimin se po shkelej autonomia e institucioneve (statuti i federatës duhej të ishte i ngjashëm me statutet e federative të tjera anëtare) dhe se Berisha po bëhej shkak për pezullimin e federatës nga aktivitetet ndërkombëtare, duke marrë si shembull madje kohën komuniste, ku për shkak ideologjie federata jonë ishte penalizuar disa herë nga organizmat ndërkombëtare të futbollit, sepse FSHF (shteti shqiptar) nuk pranonte që ekipet tona të ndesheshin me ekipet ruse, sepse rusët cilësoheshin socialimperialistët sovjetikë, apo dhe me ekipet izraelite për shkak të shtypjes së popullit palestinez.

Gjithsesi, Berisha insistonte me çdo mjet që njerëzit e tij të kryenin auditin, me bindjen se FSHF kishte shkelje të rënda, por sot pas kaq vitesh kupton se nuk ishte shkelja e ligjeve, por interesi politik i ditës dhe interesat financiare ato që shkaktuan turbullirat.

Ministri i Sportit Leskaj iu vu keqas FSHF-së dhe Dukës, madje janë të famshme shprehjet e tij “gozhdim i Dukës”, “e pret burgu” etj. Por, si ia doli Duka të pajtohej me Berishën dhe t’i mbyllte gojën ish-kryeministrit? Me sa lekë e bleu Duka heshtjen e Berishës dhe kush ishin personat që mundësuan “paqen” midis të dyve? Natyrisht, segmente të caktuara të medias dhe personazhe që ndajnë interesat financiare pranë të dy palëve u bën shkak që ky sherr të shuhej dhe Berisha i fortë, nga një armik i egër i Dukës kthehet e bëhet “dele”, sikur të mos kishte ndodhur asgjë dhe që të ndodhte kjo Duka duhet të ketë paguar mirë në atë periudhë (një dyshim i arsyeshëm ky po të kihet parasysh terreni politik e financiar shqiptar i pas viteve 90-të.

Një element i rëndësishëm që vuri në avantazhe Dukën në atë periudhë ishte një femër misterioze e infiltruar dhe që informonte Dukën mbi të gjitha zhvillimet. Ministria e Sportit në atë periudhë kishte përgatitur një dosje kundër Dukës, që pretendonte se do ta dërgonte për ndjekje penale, por femra misterioze me inicialet B.Sh. (sipas informacioneve tona), në mesomoshë dhe me një të kaluar sportive, e besuar nga palët, dekonspironte ministrin. Ajo ditën informohej në ministri dhe pasdite vonë vinte Dukën në dijeni, duke i dhënë kreut të FSHF-së informacione se çfarë bëhej konkretisht kundër tij në zyrat e shtetit. Kjo femër jeton sot jashtë vendit dhe ishte pikërisht ajo që edhe ka lobuar që FSHF të ruante “autonominë”.

Duket disi e habitshme sot, se si Duka, aq shumë i përfolur në media dhe në opinion për diktatin që ushtron në FSHF dhe për skandalet e shumta të futbollit tonë, është sot mik i madh i të gjitha palëve në politikë. Madje duket sikur nga Duka varen vetë të fuqishmit, sepse jetojmë në një botë ku paraja është gjithçka dhe ajo zgjidh edhe problemet më të vështira dhe ul në gjunjë e bën të heshtë edhe atë që shihet si i papërkulur. (Pamfleti.com)

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.