Speciale

Gazetari i Top Channel i përgjigjet Andi Bushatit: Unë nuk jam furçaxhi i Edi Ramës!

23:35 - 16.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Në një analizë, për mënyrën si u raportua nga mediat proqeveritare raporti i OKB-së mbi investimet e huaja në rajon, Andi Bushati etiketoi si “furçaxhinj”, gazetarët që shkruanin se në Shqipëri, investimet e huaja ishin mbi ato të vendeve fqinje dhe kaq. Bushati shton se investimet e huaja në Shqipëri janë ato që janë, për shkak të dy projekteve të nisura gjatë qeverisjes së Berishës, TAP dhe hidrocentrali i Devollit. Më pas ai flet me përçmim për “furçaxhinjtë” që “harruan” të përmendin këtë fakt thelbësor nga i cili dalin shifrat e OKB-së.

“Pasqyrimi situatës në këtë mënyrë i shkon për shtat propagandës rilindase që e ka përshkruar qeverisjen si një histori suksesi edhe për investimet e huaja” shkruan Bushati që kujton ngërçin e Ramës përballë gazetarëve në Opinion, kur iu kërkua të përmendë një investim mbi 5 milion euro në Shqipëri.

Përgjigjia për etiketimin “furçaxhi” i ka ardhur nga gazetari i sektorit të ekonomisë në Top Channel që e quan Bushatin “lapsaxhi”.

“Autori i kronikës jam unë” shkruan Klodian Tomorri, megjithëse në analizën e tij Bushati nuk përmend Top Channel, por mediat pro qeverisë. Duke vazhduar, Klodian Tomorri shpjegon:

“Sipas raportit të OKB, Shqipëria është një nga vendet me peshën specifike më të lartë të investimeve të huaja në rajon. Aktualisht në çdo 100 lekë që investohen në ekonominë shqiptare, 30.9 lekë vijnë nga jashtë dhe 69.1 lekë janë investime të brendshme të biznesit vendas ose qeverisë. Në Europën Juglindore pesha e investimeve të huaja ndaj totalit të investimeve në ekonomi është 26.3 për qind ndërsa në Bosnje, Maqedoni dhe Bullgari është më pak se 10 për qind.

Ky ishte dhe qëllimi i kronikës. Të vërë në dukje se investimet e huaja janë bërë shumë të rëndësishme për ecurinë e ekonomisë shqiptare, pasi përbëjnë një peshë të madhe në formimin e kapitalit”

Gjithsesi gazetari Klodian Tomorri është i vetëdijshëm se dy projektet e nisura gjatë qeverisjes së Berishës TAP dhe Hidrocentrali i Devollit mbajnë peshën më të madhe të investimeve të huaja në Shqipëri, fakt që mungon në kronikë. Në rrjetet sociale ai risjell një shkrim të tij të një viti më parë për Syri.net, kur ka shkruar:

“Arsyeja tjetër se pse ndërtimi është rritur janë dy projekte madhore private, kaskada e Devollit dhe gazsjellësi Transadriatik. Të dy këto projekte janë të kontraktuar nga qeveria e mëparshme. Që do të thotë “Rilindja” ekonomike po ecën me këmbët e Berishës. Por pjesa më shqetësuese e të gjithë kësaj, mbetet fakti se këto të dy janë investimet e fundit të mëdha që kanë mbërritur në Shqipëri. Që pas kontraktimit të tyre, në vend nuk është afruar më asnjë investim i huaj. Dhe arsyet gjenden pas fasadës së Rilindjes”

Mungesa e këtij shpjegimi domethënës në kronikat e mediave proqeverisë ka provokuar edhe analistin Bushati.

Flakë për flakë, Klodian Tomorri i Top Channel kujton rastin Fullani kur shkruan: Për sa i takon britmave per pavarësinë mediatike, Lapsit tënd i është thyer maja që në ditët e para. Atëherë kur nuk shkruajti dot asnjë rresht për 7.2 milionë dollarët e vjedhura në Bankën e Shqipërisë. Ka nga ata qe thone se disa nga ato para mund te kene financuar edhe germat e Lapsit tend.

Më poshtë reagimi i plotë i gazetarit të Top Channel:

Replike me nje ekonomist lapsaxhi

Si asnjëherë më parë, sot lexova deri në fund një analizë të Andi Bushatit, ku ky i fundit merrej gjerë e gjatë me një kronikë për investimet e huaja, që u transmetua dje në Top Channel. Në analizë, Bushati e cilësonte kronikën si mashtrim, ndërsa autorin e saj, edhe pse pa përmendur emrin, e quante furçaxhi të Ramës. Autori i kronikës jam unë.

Sipas Bushatit kronika ka deformuar raportin e OKB, me qëllim që t’i shkojë për shtat propagandës Rilindëse. Megjithatë nëasnjë rresht të shkrimit, nuk përmendet se cili tregues është deformuar apo cili fakt është shtrëmbëruar. (Ky është raporti http://unctad.org/…/dite_dir/docs/ëir2017/ëir17_fs_al_en.pdf. Ndërsa kjo është kronika http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=361641).

Një kolegu ynë, figurë shumë e njohur në media, tregon gjithmonë një anektodë kur do të përshkruajë fenomenin e analistëve gjithologë në Shqipëri. Anektoda është kjo: “Shiko Bushatin. Analizon çdo gjë edhe pse ska asnjë mendim të vetin.”

Siç duket, edhe këtë herë Andit ka nisur t’i duket vetja ekonomist me mendime të marra borxh.

Duke lexuar shkrimin kuptova dy gjëra. E para që Bushati nuk e ka lexuar fare raportin, të cilin pretendon se unë e kam deformuar. Dhe e dyta, mësuesit që u mësonin matematikën pasardhësve të ish bllokmenëve komuniste paskan qenë po aq injorantë sa bllokmenët.

Në klasën e gjashtë a të shtatë, në mos gaboj, në matematikë mësohet koncepti i peshës specifike. Është një koncept i thjeshtë, i cili shpjegon se ç’pjesë e së tërës vjen nga një faktor i caktuar. Fjala vjen nëse prodhimi total i një ekonomie është 100 lekë, dhe nga këto 20 lekë i jep bujqësia, atëherë pesha specifike e sektorit të bujqësisë është 20 për qind.

Sipas raportit të OKB, Shqipëria është një nga vendet me peshën specifike më të lartë të investimeve të huaja në rajon. Aktualisht në çdo 100 lekë që investohen në ekonominë shqiptare, 30.9 lekë vijnë nga jashtë dhe 69.1 lekë janë investime të brendshme të biznesit vendas ose qeverisë. Në Europën Juglindore pesha e investimeve të huaja ndaj totalit të investimeve në ekonomi është 26.3 për qind ndërsa në Bosnje, Maqedoni dhe Bullgari është më pak se 10 për qind.

Ky ishte dhe qëllimi i kronikës. Të vërë në dukje se investimet e huaja janë bërë shumë të rëndësishme për ecurinë e ekonomisë shqiptare, pasi përbëjnë një peshë të madhe në formimin e kapitalit. Dhe prej këtëj të paralajmërojë se nëse investimet e huaja do të ulen, për shkak të peshës së madhe që kanë, edhe goditja në ekonomi do të jetë e madhe.

Por Andi këtë nuk e kupton. Ai ngatërron peshën specifike me totalin dhe shkruan se lajmi ishte për t’i bërë furça Ramës. Bushat unë jam furccaxhi i Ramës, aq sa kupton ti nga ekonomia dhe investimet.

Në fund edhe një këshillë. Në atë zanatin tënd të analistit edhe mund të mbijetosh me mendime të marra borxh. Por ekonomia është pak sport i vështirë. Prandaj bën mirë të mos shkelësh këtej.

Ndërsa për sa i takon britmave per pavarësinë mediatike, Lapsit tënd i është thyer maja që në ditët e para. Atëherë kur nuk shkruajti dot asnjë rresht për 7.2 milionë dollarët e vjedhura në Bankën e Shqipërisë. Ka nga ata qe thone se disa nga ato para mund te kene financuar edhe germat e Lapsit tend. Por ndryshe nga ty, une sdua te spekulloj.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.