Media

Reportazh/ Ushqimi, shërbimi, deti… një histori emigrimi. Ku ndryshon turizmi i Shqipërisë me të Greqisë?

18:31 - 16.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Nga Ilva TARE

 

Në Greqi ka shumë shqiptarë, statistika zyrtare nuk ka por edhe taksisti grek që thotë se janë 1 milion e 200 mijë shqiptarë me gjasë ekzagjeron, ose është i bombarduar nga propaganda e shtetit fqinj për numrin e lartë të emigrantëve shqiptarë. E sigurtë është se me qindra mijëra shqiptarë e kanë parë Greqinë si vendin ku mund të rrisnin fëmijët dhe të kenë një mirëqenie të pamundur për ta realizuar në Shqipëri. Disa ia kanë dalë të integrohen shumë mirë, të tjerë më pak ose aspak, e dhjetëra të tjerë eksperimentuan me kthimin në atdhe dhe ikën sërish në Greqi pa humbur shumë muaj në tregun pa rregulla të vendlindjes së tyre.

Fqinjët tanë jugorë nuk e kanë kapërcyer ende kolapsin ekonomik të nisur në 2009-n, pavarësisht disa shenjave inkurajuese nga sektori i turizimit, falë ishujve të shumtë dhe resorteve të mirëorganizuar, me shërbim cilësor. Konkurrenca dhe qasja ndaj kërkesave të turistëve ka bërë të mundur që Greqia të përtojë edhe nga situata në Turqi, ashtu si edhe nga pamundësia e kombinuar me paaftësi të Shqipërisë për të qenë alternativë e kënaqshme për turistët vendas dhe të huaj.

Në fund të sezonit, do të mësojmë jo pa pompozitet sa milionë turistë kanë hyrë në vendin tonë gjatë kësaj vere, por nuk do ta dimë saktësisht se sa shqiptarë zgjodhën të pushonin jashtë dhe sa të huaj nuk erdhën nga zhgënjimet e viteve të mëparshme. Nuk do të mungojnë as këtë vit shembuj sporadikë apo inisiativë individuale për të shërbyer dhe ofruar kushte që justikojnë raportin çmim-cilësi. Por sërish do të mbeten raste të izoluara. Shqetësimet më të mëdha, turistët vendas dhe të huaj do t’i kenë për ushqimin e pashijshëm me çmim të pajustikuar, për mënyrën si ju drejtohen kamarierët, edhe në ato raste kur arrijnë t’ua tërheqin vëmendjen.

Dallimi në shërbim është si nata me ditën në bregdetin tonë dhe atë fqinj. Kamarieri në Greqi përveç anglishtes së kuptueshme është i gatshëm të hyjë në bisedë miqësore me klientët dhe për t’i bërë të ndjehen edhe më mirë kur mëson se janë nga Shqipëria, tregon me entuziazëm se shefi i kuzhinës së restorantit është shqiptar. Nuk kalojnë shumë minuta dhe në tavolinë vjen një akullore dhe embëlsirë dhuratë nga shefi i kuzhinës.

Historia e Gazit siç e thërrasin shkurt ka nisur me hapjen e resortit rreth 10 vjet më parë, ku kishte filluar punë si pjatalarës. Brenda një dekade, sot baba i dy fëmijëve, ia doli të kapërcente shumë pengesa e paragjykime të nxehta dhe të merrte komandën e restorantit të populluar të resortit. Për shkak të sezonit relativisht të gjatë, krahasuar me dy mujorshin e Shqipërisë, angazhimi i Gazit fillonte në prill dhe mbyllej në tetor. Pjesën tjetër të vitit Gazin e thërret origjina dhe rikthehet tek ëmbëltorja në Patos.

I pakënaqur me zhvillimet në Shqipëri dhe mënyrën se si funksionojnë gjërat, shefi i kuzhinës së resortit grek nuk e mendon të zhvendoset në atdhe për të investuar me dijen dhe afëtësitë e tij. Jo se i mungon dëshira, por sic e pohon vetë nuk janë kushtet për biznes me konkurrencë të ndershme dhe promovim të modelit të punës së palodhur. Ky është problem i shoqërisë dhe infrastrukturës kryesisht mediokre dhe të politizuar të institucioneve publike madje edhe private që nuk i japin hapësirë individëve për t’u rritur dhe zhvilluar pavarësisht nga stadi nga kanë lluar. Një pjatalarës edhe mund të bëhet drejtor në Shqipëri, por kjo nuk ndodh për meritë dhe as nuk është profesion. Është thjesht promovim i bazuar në tesera partie apo interesa që nuk lidhen me aftësitë profesionale. Greqia nuk është shembulli më i mirë i meritokracisë, larg prej tij. Por, Shqipërisë i mungojnë ende shembuj si Gazi nga Patosi. /Javanews


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.