KULTURË

Aleksandër Novik: Fshatrat shqiptarë në Rusi dhe dasmat arnaute

10:36 - 17.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare që mbahet çdo muaj gusht në Prishtinë, ka sjellë risi edhe këtë vit. Punimet e këtij seminari mbahen gjatë datave 14–25 gusht. Me mjaft rëndësi ka qenë ligjërata e albanologut Aleksandër Novik me titull Dasma “arnaute” (“greko-shqiptare”) në rajonin e Detit Azov (materialet e studimeve shkencore në terren të viteve 2015-2016). Ai merr pjesë çdo vit në këtë seminar, duke mbajtur ligjërata që në media pasqyrohen me tituj sensacionalë.

Gjatë ligjëratës së mbajtur këtë vit nga Novik, është bërë me dije se në brigjet e detit Azov si pasojë të luftërave turko-ruse në gjysmën e dytë të shekullit XVIII janë themeluar disa vendbanime me popullsinë arnaute: fshati Margaritovo, fshati Epirskoje, fshati Himara, fshati Allbanskoje etj. (rajoni i Rostivit, rusisht qyteti quhet Rostov na Donu). Në vitet 2015– 2016, Akademia e Shkencave e Rusisë dhe Universiteti Shtetëror i San Peterburgut kanë organizuar dy ekspedita në këto vendbanime. “Studimet në terren na kanë lejuar të grumbullojmë shumë materiale etnografike lidhur me doket dhe zakonet familjare në radhë të parë, me dasmën tradicionale për të cilat bie fjalë në këtë referim”, bën me dije Seminari.

Institucioni shoqëror i martesës (zgjedhja e bashkëshortit/bashkëshortes, kushtet ekonomike dhe sociale të nënshkrimit të martesës, faktori rajonal, stereotipat etnikë etj.) dhe ritet martesore tek pasardhësit e popullsisë arnaute të rajonit të Detit Azov janë transformuar dukshëm në shekullin XIX – fillim të shekullit XXI nën ndikim të etnive që jetojnë në këtë zonë – kryesisht rusët, ukrainasit, armenët etj. Sipas Novik, dasma është një nga ngjarjet kryesore jo vetëm në jetën e njeriut, i cili ndryshon statusin e tij social në mënyrë të dukshme, por edhe në jetën e familjes së tij, të farefisit, shoqërisë vendëse, nganjëherë madje edhe të komunitetit fisnor dhe krahinor. Autori në bazë të materialeve të vjela në terren gjatë ekspeditave rindërton kodin veprues të dasmës, duke sqaruar skenarin e ceremonive martesore në vitet 1940-1960, të cilat konsiderohen nga të anketuarit kryesorë dhe me autoritet si tradicionale dhe “greke” (sic!). Në këtë kumtesë analizohet leksiku i terminologjisë së riteve të dasmës (ky fjalor është shumë i pasur), vjelë nga autori, si dhe rrëfimet e regjistruara në të folmen vendëse të rusishtes tek banorët e fshatrave Margaritovo, Çumbur Kosa etj., që kanë lindur në vitet 1920-2000; ky fakt lejon të bëhen krahasime të gjendjeve kalimtare që ndodhin në fushën e gjuhës dhe të traditave. Ritet dhe zakonet martesore që janë ndikuar fort prej traditave të etnive të tjera (si pasojë e kontakteve intensive me fqinjë të afërt rusë dhe ukrainas, si dhe proceseve të globalizimit në dhjetëvjeçarët e fundit) dhe struktura e të cilave është transformuar ndjeshëm me risi në kushtet e zbehjes së vazhdueshme të traditës, nga pikëpamja e metodikës shpjegohen me shumë shembuj materialesh të grumbulluara në terren. Fakti i rëndësishëm që fiksohet në rajonin e Detit Azov është revitalizimi i traditave që kanë të bëjnë me kulturën arnaute (greko-shqiptare).

SEMINARI

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht. Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e pesë sesione. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nga viti 2000, seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Drejtori i Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Rrahman Paçarizi, tha se e veçanta e këtij viti është se ka pasur një interesim të madh të brezave të mërgatës për të qenë pjesë e seminarit. Ai këto komente i bëri me rastin e hapjes së seminarit 36 për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku ishin të pranishëm përfaqësues universitarë, albanologë dhe studentë nga vende të ndryshme të botës, të cilët gjatë dy javëve do ta mësojnë gjuhën shqipe përmes kurseve intensive.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.