EKONOMI

Matura Shtetërore, QSHA: Jemi në fazën e fundit për shpalljen e fituesve. Ja kur do dalin listat

10:48 - 17.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Voltiza DURO

Që prej datës 3 gusht, të gjithë maturantët kanë pasur mundësinë të verifikojnë të dhënat e tyre dhe të konstatojnë çdo pasaktësi nëpërmjet Librit të Transparencës. Ky i fundit është një teknikatë e zbatuar prej disa vitesh dhe synon një sistem sa më transparent për të gjithë aplikantët në universitete. Qendra e Shërbimeve Arsimore, më 3 gusht ka publikuar në faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit Librin e Transparencës, ku çdo maturant mund të gjejë elementët kryesorë përbërës të rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme, si: mesataren e përgjithshme të gjimnazit sipas VKM-së, rezultatin e provimit të Letërsisë, rezultatin e provimit të Matematikës, atë të gjuhës së huaj dhe provimeve të dy lëndëve me zgjedhje, si dhe preferencat e përzgjedhura prej tij në Formularin e Aplikimit në IAL për vitin akademik 2017-2018.

Burime nga Qendra e Shërbimeve Arsimore pohojnë: “Maturantët kanë pasur një javë kohë për të hyrë në sistem e për të verifikuar çfarëdolloj pasaktësie në informacion, pra deri më datë 10 gusht mund të dorëzonin pranë QSHA-së formularin e pasaktësive, e më tej të procedonim me korrigjimin në mënyrë që çdo kandidat të vlerësohet në bazë të meritës dhe transparencës”. Këtë vit, maturantët që kanë hasur pasaktësi në informacion janë treguar tepër të kujdesshëm, madje shumë prej tyre kanë kontaktuar drejtpërdrejt me QSHA-në për të kryer verifikimet përkatëse. E tashmë, Qendra e Shërbimeve Arsimore është në fazën e fundit të rregullimit të elementëve të konstatuar si të pasaktë; shqyrtohet natyra e gabimit, korrigjohet, dhe pas kësaj do të përpilohet lista përfundimtare e aplikantëve që do u përcillet universiteteve më datë 23 gusht 2017. Të gjitha të dhënat e marra nga QSHA mbi maturantët do të shërbejnë për përllogaritjen e pikëve, rankimin e kandidatëve dhe shpalljen e fituesve në universitete në datën 28 gusht 2017.

Ndërkohë, QSHA bën me dije se të gjithë ata maturantët me mesatare më poshtë se nota 6, nuk mund të aplikojnë në programet 3-vjeçare të studimit, por vetëm në ato 2-vjeçare teknike-profesionale, gjithsej në Shqipëri rreth 32 programe të tilla. Ndërsa kandidatët me mesatare më poshtë se 8 nuk mund të aplikojnë në infermieri apo mjekësi. Vetë sistemi elektronik nuk të lejon që të aplikosh në programe të tilla studimi në momentin që nuk i përmbush kriteret e paracaktuara.

PROGRAMI I KONKURSEVE

Ndërkohë, në nivel kombëtar po zhvillohen konkurset për ato programe studimi që kanë shpallur ndër kriteret e tyre edhe pranimin me bazë konkursi, si Universiteti i Sporteve, Artet dhe Arkitektura në disa universitete private. Konkursi për sportin po zhvillohet jo vetëm në Tiranë, por edhe në Vlorë, Elbasan e Gjirokastër. “Shpesh kemi marrë akuza që kemi bërë zgjedhje të padrejta mes universiteteve private, por dua të sqaroj se janë pranuar vetëm ato universitete që kishin konkurset si kriter bazë të deklaruar që në fillim”, shprehen përfaqësues nga QSHA. Faza e konkurrimeve mbyllet më datë 22 gusht e fill pas kësaj, në bazë të Udhëzimit 15, drejt të gjitha universiteteve do të dërgohen listat e kandidatëve që duan të vazhdojnë studimet e larta në një nga programet e përzgjedhura nga vetë ata. Duket theksuar fakti që, për maturantët të cilët ndër preferencat e përzgjedhura kanë edhe programe studimi me konkurs, pikët do të dalin pas publikimit të rezultateve të konkurseve.

GSH.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.