KULTURË

Muzeu në kampin e Tepelenës, Lekë Pervizi: Besnikëria e vizatimeve të mia i kalon caqet e aparateve fotografike

12:06 - 17.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

Holokausti i fëmijëve në kampin e Tepelenës 1948-1954; llojet e masakrave dhe të dhunës, karvani i skllaveve në kamp; kazermat, pamje e kampit rrethuar me tela me gjemba. Janë botuar në një album vizatimet e Lek Pevizit, që dëshmojnë vitet e tmerrit në kampin e Tepelenës. Albumi hedh dritë mbi çfarë ndodhi për gjashtë vite në Auschvitzin shqiptar: masakrat, torturat, kushtet, vrasjet. “300 bebe janë zhdukur këtu dhe një pjesë e madhe e tyre vdiqën nga trajtimit çnjerëzor dhe siç e dini, qeveria shqiptare ka ndërmarrë hapa konkrete për të përdorur një qasje shkencore dhe për të gjetur mbetjet e këtyre personave në këtë kamp dhe në kampe të ngjashme që Shqipëria ka edhe shumë të tjera si këto”, deklaronte dy vite më parë, Gentiana Sula, atëkohë, zv.ministre e Mirëqenies Sociale. Tani, Sula është drejtuese e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991. Kampi famëkeq i Tepelenës qëndroi gjashtë vjet dhe u mbyll më 1954, kur të internuarit u grumbulluan në të gjithë në fushën e Myzeqesë të Lushnjës, të shpërndarë në disa sektorë-kampe të fermës ‘29 Nëndori’, që u krijua në sajë të krahëve e të mundimeve të internuarve, të kthyer në skllevër të shekullit njëzet. Dy vite më vonë diskutohet një projekt-ide e Memorialit Kombëtar të Kampeve të Punës së Detyruar në Tepelenë, konceptuar nga Gjon Radovani. Ideja e plotë do të prezantohet në Tepelenë më 30 gusht, në bashkëpunim në Bashkinë Tepelenë dhe Muzeun Historik Kombëtar.

Lekë Pervizi e ka përgëzuar nismën për kthimin e kampit famëkeq të Tepelenës në një muzeum, ose qendër muzeale. Përmes një mesazhi dërguar Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, ai thotë se kështu kampi i Tepelenës “do të mbetet një ndër veprat më të rëndësishme për ruajtjen e trashëgiminë e kujtesës së asaj periudhe mizore dhe të atij kampi, që mbetet jo vetëm simbol përkujtimor për ato mija viktima të pafajshme që u mbyllen aty në kushte me mizerable që mund të përfytyrohen”. Pervizi kujton me këtë rast edhe vizatimet e veta, kur thotë se “me kurajë e guxim, si dhe me një shtytje të brendshme, si dhe një kokëfortësi për t’iu përgjigj asaj të keqeje dhe me i fiksue në vizatime ato skena dhe njerëz, sikur s’isha unë, por një forcë misterioze që më impononte të vizatoja, sigurisht meqë isha një farë piktori”. Kujton se mjerisht disa vizatime është detyruar t’i djegë, të tjera i kanë humbur, e megjithatë disa i shpëtuan.

“Të kihet parasysh e të jeni të qartë, meqë merreni me atë punë, se besnikëria e vizatimeve të mia i kalon caqet e aparateve fotografike, që s’ekzistonin, por edhe po të ishin, sepse këndvështrim i piktorit hyn atje ku s’ka mundësi të hyjë aparati”, siguron ai mbi vizatimet e veta.

VIZATIMET dhe KËRKESAT

Pervizi kërkon që nëse do të bëhet një farë rindërtimi i brendshëm, i një kazerme, që do të zgjidhet për muze, vizatimet që ai ka përcjellë se si ishte ndërtuar brenda, janë mëse të sakta. “Të mos lejohet ndonjë ndërhyrje, për të devijuar e keqzbatuar ato ndërtime të skeleteve, të bëra nga ushtria italiane dhe aspak nga ndonjë force punëtore shqiptare, aq më pak individë që del kot për të përfituar nam të paqenë”, thotë Pervizi.

Ai i ka nisur vizatimet e tij, prej ku shton se “mund të nxirrni ato që ju interesojnë dhe ju hyjnë në punë për muzeun”.

Vizatimet janë ndarë në faza të ndryshme, sipas kampeve, por siç dihet fort mirë, kryesori mbetet kampi i Tepelenës, që i përfshin të gjithë të tjerët. “Sa për çështjen e muzeut, unë them se kazerma që do të caktohet të mos të zihet komplet me skelet, por vetëm gjysma, sa për demonstrim se si ishin ndërtuar, ndërsa gjysma e tjetër të kthehet në qendër figurative e dokumentare, ku vizitorët të njihen si funksiononte e si trajtoheshin të internuarit”. Duke kërkuar ndjesë për ndërhyrjen, Pervizi, një ish-i dënuar në atë kamp, shton se e bën këtë mbasi është dëshmitar mëse i besueshëm, që për fat “kam shpëtuar gjallë e më ka ruajtur Perëndia deri në këtë moshë, thuaj kastile për të dëshmuar”.
“Ky album është më i zgjeruar. Janë në të gjitha vizatimet që kanë shpëtuar. Shoqëruar me shpjegime dhe me disa poezi. Si vizatimet, edhe ato poezi janë krijuar në ato kushte, që kam botuar në Shqipëri me 2002 ‘Gjurmë të Humbura’. Por për Tepelenën në ato kohë s’e kishte vënë kush ujin në zjarr dhe as që donin t’ia dinin. Fatmirësisht, më mirë vonë se kurrë, diçka po bëhet dhe urojmë që të kurorëzohet me sukses”, e mbyll letrën e tij drejtuar Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, Pervizi.

GSH.al

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.