OPINION

Pse MAS duhet të ndryshojë qasjen e regjistrimit për universitet

10:19 - 18.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Dr. Valbona Nathanaili

Fillimisht duhet të theksojmë se nga viti 1990 dhe deri më sot, mënyrat dhe kërkesat për pranimin e kandidatëve për studentë në institucionet e arsimit të lartë, në Shqipëri, kanë ndryshuar disa herë, duke kaluar nga një model në një tjetër, nga një përvojë në një tjetër. Por pavarësisht zgjedhjeve që janë bërë, sado karakteristika të ndryshme apo të përbashkëta që mund të kenë pasur, të gjitha mund të përmblidhen në një emërues: janë hartuar në zyrat e MAS, larg kërkesave dhe nevojave që ka pasur realisht vendi, herë në emër të politikës dhe herë në emër të paaftësisë. Rrallë me profesionalizëm. Nëse ka fushë ku është eksperimentuar më shumë është arsimi. Nëse ka fushë ku shteti ka kërkuar të ruajë me çdo kusht monopolin e kontrollit është përsëri arsimi. Dhe këtu nuk flasim vetëm për sistemin para universitar, por edhe për atë universitar dhe, brenda këtij niveli, nuk bëhet fjalë vetëm për universitetet publike, por edhe për ato private. Ndërhyrja e fundit e shtetit në këtë nivel u manifestua edhe në procesin e pranimit dhe regjistrimit të kandidatëve për studentë për vitin akademik 2016-2017. Shteti ishte frymëzuesi dhe zbatuesi i mënyrës së pranimit, ofruar dhe reklamuar nën sloganin “meritë-preferencë”.

Duke arsyetuar me termat e qeverisë, si dhe në kuadrin e një analize cilësore, – në Shqipëri, – filozofia e sistemit “meritë-preferencë” i ka rrënjët në periudhën e fund-viteve 1980, kur “merita” për studime universitare caktohej nga komiteti i partisë, në bazë të sfondit ideologjik të familjes dhe të notës mesatare të gjimnazit të kandidatit për student.  Disa dekada më vonë, pasi kemi kaluar kaq drama tragjike e komike njëkohësisht, në fushën e arsimit të lartë, në shtator 2016, të gjitha mediat e vendit raportonin një situatë në kufijtë paradoksit sa i takon procesit të zgjedhjes e pranimit të maturantëve të brezit 2015-2016 në institucionet e arsimit të lartë, ku me qindra kandidatura nuk figuronin fituese në degët e ëndërruara dhe akoma më shumë nuk figuronin fare fituese. Për fatkeqësinë tonë, shumë prej tyre me mesatare të mirë dhe shumë të mirë. Sipas deklaratave të kryeministrit në media, kjo sepse fitojnë “më të mirët” dhe janë ata që zgjidhen fillimisht, nga sistemi, për të kryer studimet në një degë të caktuar të arsimit të lartë, për t’u lënë radhë të tjerëve, atyre “më pak të mirë”, të zgjedhin. Në të njëjtin nivel arsyetimi ishin edhe deklaratat e ministrit të radhës së Arsimit.

Por me gjithë refrenin ngushëllues të duetit kryeministër-ministër, pyetjet që shtrohen janë të shumta: Pse regjistrimi i kandidatëve për studentë në institucionet e arsimit të lartë në prag të vitit akademik 2016-2017 prodhoi aq shumë pakënaqësi, – pakënaqësi te studentët, pakënaqësi te prindërit dhe pakënaqësi te vetë stafet e universiteteve? Pse një proces i propaganduar si “Meritë-preferencë” nuk siguroi balancën e duhur ndërmjet meritës dhe preferencës për shumicën e kandidatëve për studentëve? Pse sistemi i përzgjedhjes rezultoi një proces i stërgjatë regjistrimesh dhe u shoqërua me sorollatje të kandidatëve për studentë nga një universitet në tjetrin, nga një raund aplikimesh në tjetrin, nga një vlerësim në tjetrin? Na duhet të ndryshojmë algoritmin e zgjedhjes, apo duhet të heqim dorë tërësisht nga kjo lloj filozofie e zgjedhjes?

Duke qenë se e gjithë përzgjedhja bazohet në rezultatet e shkollës së mesme, konvertuar vetëm në një lloj arritje, – në notë, – problematikat e shfaqura gjatë procesit të zgjedhjes, pranimit e regjistrimit të kandidatëve për studentë për sa më sipër, mund të ndahen në dy lloje: ato me natyrë teknike dhe ato me natyrë ideologjike.

Të natyrës teknike: 1. Numri i madh i zgjedhjeve për çdo student: sipas sistemit, çdo kandidat zgjedh 10 programe studimi. Ky numër zgjedhjesh, që në vështrim të parë është mundësi për më shumë, e shndërron mundësinë në absurditet, ndërsa vetë kandidatët, me frikën se mund të humbin të drejtën e studimit, të zgjedhin jo më në bazë të dëshirës dhe të talentit, por të probabilitetit për të fituar. 2. Përfshirja e MAS, nëpërmjet agjencive të saj në procesin e vlerësimit, rankimit dhe ndarjes së kandidatëve për studentë në universitete të ndryshme është shpenzim kohe dhe energjie. 3. Pjesëmarrja e kandidatëve për studentë në disa raunde zgjedhjeje dhe vlerësimi, përpos ngarkesës emocionale, është edhe shpenzim kohe dhe energjie.

Të natyrës ideologjike: 1. Sistemi fut në një thes të gjitha llojet e shkollave të arsimit të mesëm para universitar dhe atij të lartë. Futja në një thes e të gjitha llojeve të arsimit të mesëm para universitar bën barazimin e cilësisë së notës në të gjitha shkollat, ndërkohë që vetë MAS, për çdo rreth, në fund të çdo viti shkollor, bën një renditje të shkollave nga më e mira në më e dobëta, që nënkupton, nga vetë ajo,  se puna që kryhet në shkolla nuk ka të njëjtën cilësi. Me referimin e mësipërm, – dhe besoj të pranuar nga të gjithë, – është shumë e vështirë të dalësh me mesatare 10 në një nga gjimnazet më të mirë të Tiranës dhe shumë e thjeshtë në një nga gjimnazet më të dobët të saj. Për të mos folur për gjimnazet më të dobët të një qyteti në cep të Shqipërisë.  2. Sistemi penalizon të talentuarit. 3. Sistemi është i pandershëm sepse vë shenjën e barazimit ndërmjet të gjithë universiteteve, ndërkohë që u ofron njëlloj, të varfërve dhe të pasurve, alternativa të njëjta shkollimi në lidhje me pagesën. 4. Sistemi është i pandershëm, sepse nuk ka punë Ministria e Arsimit të përcaktojë, mbi bazën e një formule matematikore, sado e koklavitur dhe me variabla të jetë ajo, se për çfarë është i aftë dhe ku do japë më të mirën secili prej atyre mijëra maturantëve që kanë aplikuar për të vazhduar studimet në shkollën e lartë, – kjo është një punë që u takon universiteteve. 5 Sistemi është i pandershëm, sepse premtimi ishte që shkolla e mesme dhe rezultatet e saj do ishin dëshmi për mbarimin e këtij niveli, dhe jo kusht për hyrje në universitet. 6. Sistemi është i pandershëm, sepse futi kritere të reja, ndërkohë që nxënësit i kishin bërë zgjedhjet tre vjet më parë, mbi bazën e kritereve të tjera, të ndryshëm nga këta të rinj. 7. Sistemi është i pandershëm, sepse vetë shkollat e mesme, për mungesë të kuadrove dhe të teksteve, nuk ofronin shumë nga lëndët që iu duheshin nxënësve për të marrë pikët maksimale, pra jo për mungesë të dëshirës, vullnetit a talentit të nxënësve për të qenë “më të mirët”.

Duke iu kthyer përsëri problematikës në vendin tonë për pranimet e regjistrimet në vitin akademik 2016-2017 dhe e qartë të njëjtat problematika do të kemi edhe këtë vit shkollor, 2017-2018, sa kohë që kemi të njëjtën qasje e filozofi si një vit më parë, nxitja për përfshirje në edukim duhet të jetë pjesë e politikave dhe e strategjisë së MAS dhe jo caktimi se kush student duhet të mësojë ku dhe çfarë. Me thellimin e hendekut ndërmjet të varfërve dhe të pasurve, universiteti është një nga mundësitë, në mos e vetmja, për një zhvendosje vertikale në shkallët e shoqërisë dhe të ekonomisë të shtresave më të dobëta dhe më të varfra. Nga ana tjetër, sa më shumë njerëz me një diplomë universitare, aq më solide është një shoqëri në vlera dhe në ekonomi. MAS duhet të heqë dorë nga praktika e deritanishme e rankimit dhe e regjistrimit të kandidatëve në universitet. Në planin njerëzor, praktika e ndjekur nuk shpërblen përpjekjet reale, nuk promovon talentet, nuk lejon një shans të dytë. Në po këtë plan, praktika e ndjekur përjashton përgjithmonë nga një mundësi ata që mundësitë u ofrohen më vonë. Në planin institucional, praktika e ndjekur mbyt nismat për të ofruar programe regjistrimi me shumë alternativa e mundësi, kufizon autonominë e universiteteve.

Ministria e Arsimit dhe agjencitë e varura nga ajo mund të merren me përllogaritjen e pikëve a të mesatares me të cilën një nxënës ka mbaruar shkollën e mesme, por jo të rankojë në bazë të tyre meritat. Merita nuk është vetëm notë. Të paktën në rastin e regjistrimeve për në universitet.

Procesi i vlerësimit dhe rankimit të kandidatëve për studentë duhet të zhvillohet në universitet, iniciuar dhe drejtuar nga stafet akademike përkatëse, në bazë të kritereve të caktuar nga vetë ata, ku nota mesatare, – çfarëdo emri që t’i vihet: e ponderuar ose jo e ponderuar, mesatare e tre viteve e të gjitha lëndëve apo e disa lëndëve – është një nga kushtet për pranim, kusht i nevojshëm, por jo edhe i mjaftueshëm. MAS ka rol vetëm monitorues. Një lloj si në pjesën më të madhe, në mos të gjithë universitetet e botës.

Në mendimin tim, universitet duhet të ushtrojnë trysni mbi Ministrinë e Arsimit për të ndryshuar mënyrën e zbatimit të sistemit “meritë-preferencë”. MAS duhet të luajë rol në monitorimin e procesit të regjistrimit, por jo në vetë procesin.  Duhet të hiqet mesatarja si kusht për aplikim në universitet. Degë të ndryshme në universitet mund të jenë me numër të mbyllur, ose me numër të hapur. Universitet duhet të ushtrojnë trysni për të realizuar vlerësimin e jashtëm nga agjenci të jashtme të akredituara dhe për të mbyllur çdo institucion të arsimit të lartë që nuk vepron në përputhje me kushtet e licencimit. Këto akreditime duhet të jenë periodike.

Ndërkohë, duhet theksuar fakti se, ndonëse është viti i dytë që shtrohet i njëjti problem, disa faktorë negativë në krahasim me një vit më parë mund të jenë minimizuar, a shmangur, por përsëri mjaftojnë për të ngritur zërin kundra, sepse padrejtësia që vazhdon t’u bëhet këtyre brezave po merr përmasa gjithnjë e më të frikshme. Çfarë po u bëjmë të rinjve tanë? Nuk mjaftuan 27 vjet demokraci për të zgjidhur të paktën këtë çështje?

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.