Kryesore

Historitë e kultivuesve të kanabisit zbusin gjyqtarët e Shkodrës

20:50 - 19.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Kristjan P, student i Inxhinierisë Mekanike u arrestua në qershor 2016 në një parcelë të mbjellë me kanabis në fshatin Rrjoll të Shkodrës, teksa po spërkaste me pesticide bimët narkotike. Policia asgjësoi 131 rrënjë në dy parcela ngjitur me njëra-tjetrën dhe e akuzoi të riun për veprën penale të “kultivimit të bimëve narkotike”.

Në përballjen me gjykatën, Kristjani e pranoi akuzën, por u mbrojt me argumentin se paratë e aktivitetit të jashtligjshëm i duheshin për të përfunduar vitin e tretë të studimeve në Universitetin e Vlorës.

“Të dyja parcelat i kam mbjellë vetë, pasi kam parë në internet [procesin] që nga hedhja e farës në kubikë e deri në zhvillim,” i tha ai gjykatës.

“Farat e bimës i bleva në Vlorë, nga një person nga Lazarati… Mora 300 fara por nuk i kam dhënë lekët, pasi e kishim lënë që do ta paguaja kur të korrej bima,” shtoi ai në dëshmi, pa identifikuar tregtarin e farës.

Kristjan P, është vetëm njëri prej kultivuesve të vegjël të sasisë së madhe të kanabisit që prodhohet çdo vit në zonat malore të qarkut të Shkodrës- vendburim tradicional i prodhimit të hashashit në Shqipëri.

Çështja e tij mbërriti në vitin 2017 në Gjykatën e Shkodrës, bashkë me 143 dosje për veprat penale që lidhen me kultivimin e bimëve narkotike dhe pas gjykimit, u mbyll me 2 vjet e 8 muaj burg.

Gjykata e Shkodrës ka vendosur gjithashtu ta pezullojë dënimin me kusht me argumentin se i riu nuk ishte problematik dhe se familja e tij jetonte në vështirësi ekonomike.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se lirimet me kusht janë kthyer në një praktikë të shpeshtë për raste të ngjashme në Gjykatën e Shkodrës.

Ndonëse numri i rrënjëve të djegura në qarkun e Shkodrës shkon në disa qindra mijë çdo vit, numri i atyre që dënohen me burg për kultivimin është mjaft i vogël. Të dhënat gjyqësore tregojnë gjithashtu se shumica e atyre që dërgohen në gjykatë janë kultivues të vegjël, ndërkohë që ata që konsiderohen “bosët e mëdhenj të kanabisit” i kanë shpëtuar përballjes me drejtësinë.

BIRN analizoi 19 dosje gjyqësore për veprat penale që lidhen me kultivimin e lëndëve narkotike, të shqyrtuara në dy vitet e fundit nga Gjykata e Shkodrës. Nga 27 persona të akuzuar në këto dosje, vetëm gjashtë u dënuan me burg, ndërkohë që shtatë u shpallën të pafajshëm dhe 12 të tjerë u lanë të lirë me kusht. Dy hetime të tjera rezultojnë të pushuara nga Prokuroria.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se në shumicën e rasteve të shqyrtuara, të akuzuarit kishin pranuar akuzën dhe çështjet janë shqyrtuar me proces të shkurtuar gjyqësor- ç’ka u ka mundësuar atyre ulje të dënimit.

Megjithatë, pjesa më e madhe e 19 dosjeve të analizuara trajton raste të kufizuara të kultivimit të hashashit-përfshi dy persona të dënuar për kultivimin e 2 dhe 9 rrënjëve si dhe të një personi të tretë që kishte kultivuar vetëm 36 rrënjë.

Ervin M, nga Reçi u dënua me 3 vjet burg (i liruar me kusht) pasi iu gjetën dy rrënjë kanabis në vreshtë. Ervin M. ka pranuar akuzën dhe i ka thënë gjykatës se e kishte mbjellë drogën nga kurioziteti, pasi “donte të shihte se çfarë ishte”.

Në një rast tjetër, Pjetër L, nga Trushi, u dënua po me tre vjet dhe mori liri me kusht, pasi pranoi në gjykatë se kishte mbjellë 9 bimë kanabis, pasi ishte përdorues i drogës. Pjetri mori përsipër i vetëm përgjegjësinë duke shfajësuar anëtarët e tjerë të familjes, që sipas dëshmive jetonin në Itali në kohën kur ai kishte kultivuar kanabisin.

Nga 19 dosjet e analizuara, vetëm njëra tregon strukturë të organizuar të kultivimit të kanabisit. Megjithatë, edhe në këtë rast dënimi është pezulluar dhe autorët janë liruar me kusht.

Dosja gjyqësore bën fjalë për kultivimin e 3 mijë rrënjëve kanabis në Velipojë, në një tokë të marrë me qera, ku dy personat e shpallur fajtorë kishin punuar bashkë me një grup të madh njerëzish.

Mirash M. pranoi të kishte shërbyer si roje i parcelës, duke pretenduar se ruante kërp industrial. Ndërsa i akuzuari i dytë, Edmond P. tha para gjykatës se kishte marrë me qira tokën për llogari të një personi të tretë, që nuk rezulton të jetë dënuar.

Mirash M. u dënua me tre vjet burg në qershor të këtij viti për kultivim narkotikësh dhe u lirua me kusht. Ndërsa Edmond P, ish-punonjës i OSHEE,  u dënua me rreth 5 vjet burgim dhe po ashtu u la i lirë me kusht, pasi pretendoi se tokën ia kishte dhënë me qira një personi të tretë, i cili nuk duket të jetë gjykuar në këtë rast.

Mirashi dëshmoi në gjykatë se Edmondi sillte herë pas here 6-7 punëtorë që nuk ishin të zonës për të punuar në parcelat me kanabis.

“Edmondi është marrë gjatë gjithë kohës me menaxhimin, organizimin e mbjelljes, kultivimit, prashitjes, sistemimit në shkopinj për secilën bimë, ngritjes së impjantit të ujitjes me pika, si dhe ndërtimit të rezervarit ujëmbledhës brenda në parcelë…”, dëshmoi Mirashi. “Një person tjetër që emrin nuk ia mësova, vinte dhe u interesonte si specialist për sa e kam kuptuar unë ishte agronom me dialekt Jugu…Ai vinte takonte punëtorët i këshillonte si të punonin ose të spërkatnin bimët,” i tha ai gjykatës.

Sipas dosjes gjyqësore, ish-punonjësi i OSHEE është justifikuar me pohimin se paratë e kanabisit i duheshin, pasi kishte të ëmën të sëmurë me kancer. Ndërkohë, personat e tjerë të përfshirë në këtë çështje të kultivimit nuk janë përfshirë në hetim.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.