KULTURË

Za festival/ Muzikë dhe rrëfenja nën hijen e malit

13:49 - 20.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Bëhet fjalë për një vend, të cilin koha e ka izoluar gjatë dhe që sot përmban në vetvete pasurinë e thesareve të harruara. Vendi ku frymojnë humbur thellë këngët legjendare, tregimet e Orëve, flokët e Zanave, të cilat jetojnë në shpirtin e erës. Erës që vallëzon majave të maleve, për t’u ulur më pas mbi kryet e njerëzve të këtij vendi me zemër të madhe. Është pikërisht Thethi, vendi ku merr jetë “Zâ-Festival”, ideja e të cilit ka lindur po nga njerëzit e këtij fshati malor dhe drejtorit artistik të kësaj veprimtarie, Vlashent Sata. Qëllimi i këtij festivali është rizgjimi i shpirtit të këtij vendi, rikthimi i vëmendjes drejt kësaj perle të veriut të Shqipërisë dhe shndërrimit të saj në pikën e takimit të kulturave të ndryshme përmes artit si gjuhë e përbashkët, duke shtuar këtu mikpritjen bujare të thethjanëve, për të cilën duhet thënë se është tejet e veçantë jo vetëm për të huajt që janë të shumtë për nga numri e që vijnë nga larg për të ushqyer shpirtin e tyre me bukuritë e Thethit, por edhe për bashkatdhetarët tanë. Vlen për t’u theksuar se 60% e popullsisë së Thethit, gjatë periudhës prill-tetor, përbëhet nga turistët e huaj. Edicioni i parë i festivalit zhvillohet në Theth, të shtunën, me datë 26.08.2017 “Zâ Fest” është festivali i parë shqiptar që organizohet me synim vënien në pah të trashëgimisë kulturore dhe të bukurisë natyrore në Alpet Shqiptare duke shërbyer njëkohësisht si një formë e mirë komunikimi me qëllim rritjen e ndjeshmërisë së komunitetit dhe vizitorëve për mbrojtjen e mjedisit.

Në “Zâ Fest” do të performojnë muzikantët dhe kantautorët shqiptarë më në zë në vend dhe më gjerë në Europë si: Vlashent Sata, Elina Duni dhe Shpat Deda. Aktori me famë ndërkombëtare, Arben Bajraktaraj do të rrëfejë për publikun gojëdhënat, tregimet, dhe përrallat e moçme, si trashëgimia më e vyer e paraardhësve tanë në këto vise. “Zâ-Festival” vjen dhe si një përgjigje kundërshtuese ndaj harresës me të cilën janë përcjellë banorët e këtij vendi për shumë kohë, duke i ofruar kështu këtij vendi, për herë të parë, një përfaqësim të këtyre përmasave. Ky festival synon të ndihmojë në bashkimin e njerëzve, duke ftuar artistë të vendeve fqinje, përfshirë këtu edhe ato me një të kaluar të vështirë midis tyre e duke krijuar ura komunikimi. Sikurse kemi për qëllim të ftojmë, po ashtu, artistë të vendeve të ndryshme të botës, duke mundësuar kështu një bashkim të gjerë kulturor. Dhe ku mund të ndodhë kjo më mirë sesa në një “skenografi” përrallore e që ofron një energji magjike?! Një nga pikat e forta të “Zâ- Festival” është muzika. Ne kemi menduar që për këtë numër të parë të ftojmë tre nga kantautorët më në zë në shqiptari e që janë ambasadorë të cilësisë dhe vlerave shqiptare brenda dhe jashtë vendit si: Elina Duni, Shpat Deda dhe Vlashent Sata, të cilët janë shumë të dashur për publikun vendas dhe mund të shpalojnë muzikën e tyre, që këndon shqip me krenari edhe për dëgjues të huaj. Veçantësia e këtij festivali, sa i përket ri zgjimit të kulturës shqiptare, është se në gërshetim me muzikën do të tregohen gojëdhëna, tregime, legjenda dhe përralla të moçme. Përzgjedhja është bërë në bashkëpunim me një nga aktorët shqiptarë më në zë në Francë e më gjerë, trashëgimtar i denjë i Bekim Femiut. Ai është Arben Bajraktaraj, i cili do të jetë shpirti që do t’i japë këtij festivali formën e një udhëtimi në kohë. Nuk do të mungojnë as ecjet dhe ekskursionet në mal, sikurse shëtitjet, për të zbuluar edhe pika të panjohura të zonës e patjetër që do të ketë edhe befasi të tjera, të cilat nuk duam t’i zbulojmë ende. “Zâ-Festival” do të zhvillohet në marrëdhënie të ngushtë me respektin ndaj natyrës dhe ekologjisë, ca më tepër se bëhet fjalë për një nga perlat motër të Valbonës, Vjosës apo të bukurive të tjera të Shqipërisë. Ne kërkojmë t’i mbrojmë këto pasuri natyrore tonat me anë të ndërgjegjësimit përmes artit tonë. Ky festival synon të jetë i përvitshëm dhe dëshira jonë është të kemi pranë nesh sponsorë seriozë që ndajnë me ne largpamësinë e të gjitha përfitimeve që do të burojnë nga kjo veprimtari, e cila kërkon të jetë nxitje për zhvillimin e zonës në të gjitha drejtimet, kurse nesër, në të ardhmen, të cilësohet burim krenarie për atë çka po ndërtojmë sot. Që tani, ideja e festivalit dhe përmbajtja e tij ka nxitur kureshtjen dhe dëshirën për t’u kthyer në një festival pilot, i cili synon të pasurohet edhe me shtimin e gjinive të tjera artistike në të. Artistët Elina, vajza e regjisorit Spiro Duni dhe e shkrimtares Besa Myftiu, lindi në Tiranë në vitin 1981. Mbas dy albumeve: “Baresha” (2008) dhe “Lume, Lume” (2010) te “Meta Records”, në vitin 2012 del në treg albumi i tretë “Matanë malit”, një homazh për Shqipërinë, i cili publikohet te një nga shtëpitë diskografike më të famshme të xhazit në botë, “ECM/ Universal”. Në 2014-tën Elina Duni vjen për herë të parë si kantautore me albumin e saj solo “Muza e Zezë”. Në vitin 2015, kuarteti publikon albumin e radhës tek “ECM”-ja, emërtuar “Dallëndyshe”. Një album që ri sjell këngët e vjetra shqipe në një formë plot finesë ritmike dhe subtilitet, album i cili korr shumë sukses te shtypi evropian. Shpat Deda është kantautor i vlerësuar, me bazë në Prishtinë në Kosovë. Albumi i tij i parë me titull “Molla e Parë” u publikua në verën e vitit 2010, albumi i tij i dytë me titull “Shkëndijë” u hodh në treg, në vitin 2014, online dhe përmban material, i cili tashmë ka fituar dy çmime për videon më të mirë dhe, gjithashtu, këngë që i kanë dominuar top-listat në Kosovë e Shqipëri. Së fundmi, këtë vit, Shpati ka publikuar këngën e tij më të re me titull “Ninullë”, e cila vazhdon të jetë në top-10, në top-listën kryesore shqiptare, prej 17 javësh. Në të gjitha këngët e tij, Shpati ka përcjellë tekste të fuqishme me tinguj origjinalë e unikë. Vlashent Sata është kantautor, kompozitor dhe multi-instrumentist. Në vitin 2011 emërohet profesor i pianos në konservatorin “Gabriel Fauré” dhe “Paul Ducas” të Parisit dhe në të njëjtin vit jep recitalin e parë në Francë me krijimet e tij si kantautor. Koncertet e tij e paraqesin qoftë si instrumentist të muzikës klasike e qoftë si kantautor, duke mos lënë mënjanë bashkëpunimet me artistë të botës së kinemasë, teatrit, poezisë apo artit koreografik. Në vitin 2016 nxjerr albumin e tij të parë “Hana”, i cili gëzon kritika të shkëlqyera si në vendlindje, ashtu edhe në Francë. Albumi “Hana”, i cili është i gjithi në shqip, transmetohet në disa radio prestigjioze në: Francë, USA, Belgjikë, Kanada, Spanjë, Kinë etj. Përveç kësaj, merr pjesë në disa festivale ndërkombëtare e në të fundit, “Balkan Trafik” në Bruksel, është artisti që përfaqëson Shqipërinë. Arben Bajraktaraj është aktor shqiptar me banim në Francë dhe që ka marrë pjesë në projekte të ndryshme filmike dhe teatrore në Evropë dhe gjetiu. Mes të tjerash, ka interpretuar rolin e Antonin Dolohovit në filmat: “Harry Potter and The Order of Phoenix” (2007) dhe “Harry Potter and Deathly Hallows” (2011), me regji të David Yates-it, si dhe rolin e Markut nga Tropoja në filmin “Taken” (regjia Pierre Morel). Po ashtu, ka interpretuar rolin e Starszynskit në filmin “Sarah’s Key” (“Çelësi i Sarës”, 2010), film i cili trajton fatin e një familjeje hebreje gjatë Luftës II Botërore në Francë, rolin e Hardquanonn-it në përshtatjen e romanit të Victor Hugo-së, “Njeriu që qesh”, (2012) me regji të Jean-Pierre Ameris-it, rolin e Darkos në filmin “Liberté” (“Liria”, 2009) të regjisorit të mirënjohur Tonny Gatliff, si dhe ka luajtur në filmat “Of Gods and Men” (“Perënditë dhe njerëzit”, Grand Prix, Cannes 2010), “Polisse” (Prix du Jury, Cannes 2011), etj. Në Kosovë ka luajtur rolin kryesor te filmi “Heroi” (2010), me regji të Luan Kryeziut, si dhe rolin e Cerës te filmi “Ballkoni” (20 min, 2013) të Lendita Zeqirajt etj. Arben Bajraktaraj ka punuar edhe në shfaqje të shumta teatrore në Francë (“Cubat e Schiller-it”, “Ikja e Gao Xinjangut”, “Roberto Zucco” të Koltesit, “Atentati” i Yamina Khadrasë etj.) por edhe në Kosovë e Shqipëri (“Udhëtimi në Unmikistan”, “Radio Iliria”) etj.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.