Kryesore

Grabitja në Belsh/ E moshuara tregon momentet e tmerrit: Rrezikova jetën, hajduti më hodhi nga shkallët dhe…

09:58 - 23.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmir POPJA

Një çift i moshuar ka rënë pre e grabitësve, ndërsa e plagosur në kokë ka mbetur gruaja 70-vjeçare. Ngjarja e rëndë është shënuar mbrëmjen e së hënës në Belsh. Mësohet se autorët kanë marrë rreth 3 milionë lekë të vjetra, ndërsa e plagosur në kokë ka mbetur e zonja e shtëpisë, 70-vjeçarja Naferit Tafani. Në momentin që ka ndodhur ngjarja, kjo e fundit ndodhej e vetme në banesë, pasi i shoqi kishte shkuar në qendër të Belshit për të ndjekur një koncert. E tmerruar, ajo rrëfen për “Gazeta Shqiptare” nga spitali i Elbasanit momentet e tmerrit që përjetoi nga ngjarja e rëndë.

Sipas 70- vjeçares, autorët mund të jenë banorë të zonës dhe kanë pasur dijeni për paratë që ata kishin. Policia e Elbasanit ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa dyshohet se autori mund të ketë pasur pistoletë me vete dhe me qytën e saj ka qëlluar në kokë 70-vjeçaren. E moshuara është transportuar në spital në Tiranë për mjekim më të specializuar

Zonja Naferit, si ndodhi ngjarja dhe me kë ndodheshit në banesë?

Isha vetëm në banesë. Në qendër të Belshit kishte koncert. Më tha burri ‘hajde të shkojmë’. Unë i thashë ‘nuk po vij, se nuk jam shumë në terezi dhe po rri në shtëpi’. Kurse ai iku. Mora gjumshin si çdo natë dhe lava edhe disa pjata. Sa mbarova ato pak punë që kisha, mendova të rrija ulur te tavolina që kam vendosur jashtë e të prisja burrin derisa të kthehej. Unë aty kam dy shtëpitë. Janë përballë njëra-tjetrës. Thashë, po futem të marr krehrin të kreh flokët e po ulem jashtë pastaj, derisa të vinte burri. Hapa derën, por nga mbrapa i ishte vënë një karrige. E shtyva derën dhe aty pashë një person me dritë që po kontrollonte shtëpinë. I hidhte gjërat sa andej-këtej.

Çfarë bëtë më pas?

Mendova se ishte burri dhe i fola ‘O Myslim, paske ardhur ti dhe nuk më the gjë mua që erdha nga festa?’ S’po më përgjigjej dhe i thashë disa herë ‘pse nuk flet?’. Pastaj bërtita ‘oi, hajduti’

Po ai, çfarë bëri, si reagoi?

“Shtttt, – më tha, – mos fol se të vrava fare”. Donte të ikte nga ana tjetër, nga dritarja nga kishte hyrë, por kur pa se dritat e komshinjve ishin të ndezura, u kthye dhe kaloi aty tek unë, nga dera. Kur u afrua aty, më hodhi dhe më tha: ‘Mos fol, mos

e ngri zërin, se të vrava fare’. Më hodhi nga shkallët, dhe aty nuk mbaj mend më se çfarë ka ndodhur. Nuk di as se nga kishte hyrë e as se nga iku. Por, komshinjtë më thanë se autori kishte kapërcyer nga kangjellat, ndërsa një person tjetër e priste te rruga me motor. Kanë hipur të dy në motor, i kanë dhënë gaz dhe ikën që aty. Kur u përmenda, e pashë veten time që nuk ndodhesha mirë. E shikoja që çdo gjë më vinte përqark dhe thosha pse jam bërë me djersë, por kur pashë, më rridhte gjaku nga koka. Kur hapa sytë që fillova të përmendesha pak, i kam thirrur komshijes që të vinte aty. Kurse vajza e saj i ka kërkuar nënës së vet që të vinte tek unë sepse kishte dëgjuar që unë kisha bërtitur. Kur hajduti më hodhi nga shkallët, unë bërtita.

Sa persona ishin dhe a kishin armë me vete?

Brenda në shtëpi kishte hyrë vetëm një person. Nuk e pashë mirë nëse kishte armë apo jo sepse ishte edhe errësirë. Pashë vetëm që kishte një elektrik në dorë që kontrollonte nëpër dhomë, sepse as dritën e dhomës e as atë të korridorit nuk e kishte ndezur.

A kishit para në banesë dhe për çfarë shume bëhet fjalë?

Po, kishim para në shtëpi. Kishim 3 milionë e ca lekë, që autori e kishte gjetur vendin dhe i kishte marrë ato.

Mendoni se autorët mund të jenë banorë të zonës dhe kanë pasur dijeni për paratë që kishit në banesë?

Po, mendoj se janë persona që na njohin shumë mirë dhe e kanë ditur që ne mund të kishim lekë në shtëpi, duke qenë se jemi dy pleq dhe çunat i kemi në Itali. Ata duhet të kenë studiuar mirë dhe kur kanë parë se burri im ka qenë koncert, kanë menduar se në shtëpi isha vetëm unë.

Po bashkëshorti juaj, kur erdhi në banesë?

Ka ardhur diku te 7 ose 8 minuta pasi ndodhi ngjarja.

Ju, e njohët autorin?

Jo, nuk e pashë fare as si fytyrë se kush ishte.

A keni pasur raste të tjera grabitjeje?

Jo, ne nuk kemi pasur asnjë rast të tillë. Kurse në Belsh ka pasur plot raste të tjera që kanë vjedhur makina e para nëpër shtëpi.

Një thirrje e juaja ndaj policisë?

Policia të zbardhë autorët. Kemi frikë të rrimë në shtëpinë tonë. Unë jam e sëmurë nga tensioni e zemra. Edhe kur erdha në spital, doktori më ka kontrolluar direkt nga zemra. Nuk më ka zënë gjumi gjithë natën. Përveç dhimbjeve, nuk më hiqej nga mendja edhe ajo që kalova duke rrezikuar edhe jetën.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.