SPORT

“Pica, pije dhe shumë biseda”. Mbrojtësi i ri i Kombëtares tregon dy orët përkrah Runit

12:10 - 23.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Hysen Memolla është afrimi më i ri i Kombëtares shqiptare të futbollit. Mbrojtësi i majtë ka marrë një ftesë nga trajneri Panuçi për grumbullimin e muajit shtator pasi ka shkëlqyer me fanellën e Hajdukut në Kroaci dhe në Ligën e Europës. Por ky nuk ka qenë gëzimi i vetëm i javës së fundit për futbollistin 25-vjeçar.

Memolla ka treguar për mediat kroate se të enjten e kaluar, pas ndeshjes mes Evertonit dhe Hajdukut në Ligën e Europës, ai kishte pasur fatin e madh që të takonte një nga idhujt e fëmijërisë, Uejn Runin, me të cilin shorti e kishte përzgjedhur që të bënte testin antidoping pas përfundimit të takimit.

“Hapa derën dhe hyra në dhomën e antidopingut dhe para meje shfaqet Runi. Ngriva për një moment, nuk më besohej që ishte ai, eca dhe u ula, kisha turp të flisja ndonjë gjë. Kur isha fëmijë e admiroja si një tifoz i Mançester Junajtid dhe tani ai ishte i ulur para meje”, tregon Memolla, shkruan PanoramaSport.

“Pas pak sekondash, Runi pa dokumentet dhe më tha ‘Memo?’. Filluam të qeshnim dhe flisnim dhe më bëri çudi se sa i hapur dhe i komunikueshëm ishte, ndonëse përreth tij kishte vazhdimisht zyrtarë të Evertonit, që ofronin rroba të thara, shapka, pije… Ai më pyeti rreth familjes time dhe si po ia kaloj në Kroaci, nëse ishte nxehtë. Gjëra të zakonshme që çdokush mund të pyesë. Me të vërtetë një tip i shkëlqyer”, vijoi futbollisti shqiptar.

Asnjë prej tyre nuk arrinte të bënte testin e urinës, ndaj qëndruan rreth dy orë duke biseduar në dhomën antidoping. “Kemi ngrënë pica, edhe pimë, por pjesën më të madhe të kohës folëm. Unë e pyeta si ishte Ferguson si trajner. Më tregoi se jetonte pranë stadiumit të Mançesterit dhe gjëra të tjera…”.

Sigurisht u fol edhe për ndeshjen të cilën Everton e fitoi me rezultatin 2-0. “Ai më tha se ishte e natyrshme për lojtarët të çuditeshin kur brohoritnin 45 mijë tifozë në ‘Goodison Park’, se ishte debutim i veçantë. Por unë qesha dhe i thashë se ai duhej të priste të shihte se si ishte një atmosferë e vërtetë stadiumi vetëm kur të vinte në ‘Poljud’. Qeshi dhe më pyeti pse, dhe unë i thashë se tifozët më të mirë në botë do e presin aty. Më tha se njihte skuadrat kroate, njihte Hajdukun e Dinamon dhe e dinte se atmosfera në stadium do të ishte e shkëlqyer”.

Memolla nuk shkëmbeu fanellën me yllin anglez, por ka marrë një premtim për ndeshjen e kthimit. “Ia kishte dhënë më parë fanellën Karbonierit. Por më premtoi se do të më ruante një me numrin 10 në ndeshjen e kthimit”.

Pak ditë para kësaj ndeshjeje, shoku i tij i skuadrës, Said, kishte bërë një fotomontazh ku shfaqej Memolla duke futur në xhep Runin, i kthyer menjëherë në një nga fotot më të shpërndara në internet mes tifozëve.

“Jo, nuk ia tregova. Qëndruam aty katër vetë. Ishin edhe Lukman dhe Karbonieri. Por unë e Uejn qëndruam shumë më gjatë”, tregoi Memolla këtë takim të tij të papritur me një nga idhujt e fëmijërisë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.