POLITIKË

Kokëdhima: Rilindja t’i japë tekstet shkollore falas, PD të kursejë “lotët e krokodilit”

12:12 - 29.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Partia ZGJIDHJA, e drejtuar nga Koço Kokëdhima, u ka bërë ditën e sotme thirrje autoriteteve shtetërore për shpërndarjen falas te teksteve shkollore duke eliminuar dhe radhët e gjata dhe të lodhshme.

Me anë të një postimi në “Facebook” ZGJIDHJA këshilloi edhe PD-në që të mos lëshojë “lotë krokodili” për nxënësit shqiptarë, kur ajo sa ishte në qeveri vetëm sa i shtrenjtoi tekstet dhe i bastardoi, duke i bërë biznes fitimprurës për vete dhe klientët e qeverisë.

REAGIMI:

Dhjetëra mijëra prindër dhe nxënës të arsimit parauniversitar po përballen prej 25 gushtit me radhë të gjata për të blerë tekstet shkollore. Nga Tirana në periferitë e vendit, Ministria e Arsimit ka hapur shumë pak pika të autorizuara për shitjen e teksteve, duke i bërë një nisje të shëmtuar vitit të ri shkollor 2017-2018. ZGJIDHJA i bën thirrje ministrisë së Arsimit që të reagojë në kohë dhe të bëjë të mundur, që shpërndarja e teksteve në shkolla, të jetë një festë për prindërit dhe nxënësit dhe jo një vuajtje e pamundësi për ta. ZGJIDHJA e vlerëson të dhimbshëm faktin se Shqipëria është i vetmi vend në rajon ku tekstet shkollore shiten, në vend që të jepen falas. Këshillojmë drejtuesit më të lartë të PD-së, që të kursejnë “lotët e krokodilit” që po derdhin këto ditë për nxënësit dhe prindërit shqiptarë. Për 13 vite në pushtet, PD-ja vetëm sa i shtrenjtoi tekstet për nxënësit e arsimit parauniversitar. Botimi dhe shpërndarja e teksteve u bë minierë ari për qeveritarët e saj dhe bizneset e lidhura me ta. Futja e Altertekstit i bastardoi kurrikulat, u la hapësirë lloj-lloj teksteve shkollorë dhe jashtëshkollorë, aq sa gati çdo shkollë kishte tekstin e vet për çdo lëndë, me autorë dhe përmbajtje diletante, mbushur me pasaktësi dhe plot gabime. Kjo ishte një goditje e rëndë për kurrikulën shkollore. Heqja e Alertekstit ishte njëra prej punëve të pakta pozitive që bëri qeveria e Rilindjes më 2014-ën. ZGJIDHJA mbështet propozimin që shpërndarja e teksteve shkollore për arsimin parauniversitar të bëhet falas për të gjithë nxënësit shqiptarë dhe tekstet shkollore të mos jenë burim pasurimi për shtëpitë botuese pas të cilave fshihen zyrtarët e lartë, që ndajnë mes tyre fondin 15 milionë dollarë. ZGJIDHJA, gjithashtu, kërkon që të vijojë edhe më tej unifikimi i teksteve shkollore me Kosovën dhe të dyja shtetet bashkë të ndihmojnë me tekste dhe mjetet didaktike shkollat dhe gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës, në Greqi, Itali dhe kudo ku ka shqiptarë që ata të mos i humbin gjuhën, historinë dhe traditat tona. #ZgjidhjaPërShqiptarët

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.