KULTURË

Tepelenë, letër fëmijëve që nuk u rritën kurrë

09:02 - 01.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

Shpresoj të mos kesh ulëritur kurrë ‘përse kam lindur?’ Shpresoj se ke arritur në përfundimin, se ia vlente: me koston e vuajtjes, me koston e vdekjes. Jam kaq shumë krenare që të nxora nga asgjëja, me koston e vuajtjes, me koston e vdekjes”.
Më vjen ndërmend Oriana Fallaci dhe fjalët me të cilat iu drejtua fëmijës që nuk lindi kurrë, ndërsa jam në mes pesë kazermave të ish-kampit të Tepelenës. Kam përreth, të mbijetuar, tanimë gjyshër, siç do të kishin qenë fëmijët që nuk u rritën kurrë, sepse nuk dolën kurrë të gjallë nga kampi. Fëmijën e Fallacit, me fëmijët që nuk u rritën kurrë, nuk i bashkon aq titulli, sa prerja në mes e jetës.
Edhe pse fundgusht, era që fryn në kampin e vdekjes, pothuaj të merr frymën. “Dimri do ketë qenë tepër i ashpër”, i them Simon Mirakajt. “Ka qenë tepër. Kishte ngrica. Ne nënat na lanin jashtë, në atë kazermën atje. Në mbrëmje, binim për të fjetur, por në mëngjes jo të gjithë fëmijët zgjoheshin. Kishin ngrirë në gjumë”. Mirakaj ka jetuar disa vite në këtë kamp. Mendonte, se kjo ishte jeta, një fushë e madhe me kapanone, rrethuar me tela me gjemba, me policë që bënin apel, me tasa ‘supe’ që zor se kish gjë veç ujit. Stivonin mina e predha, shkonin deri te çezma. Nuk mund të luaje në kamp, nuk kishte as top, madje nuk kishte as këpucë. Natën, dëgjoheshin të qara të vegjlish që kërkonin bukë. Nuk kishte asnjë kothere.
Kujton stallën e kuajve, gratë që ndiznin zjarrin për të larë rroba në kazanë. Ndodhte që të shpërthente ndonjë minë e mbetur nga lufta. Kishte të vdekur, në sytë e fëmijëve. Trupat varroseshin përtej rrethimit. Jeta në kampe endej mes vajeve të përditshme, dhunës së përditshme dhe urisë së përditshme. Një sfond gri, një Aushvic, hapa ushtarakë, armë, uri, dhunë, por edhe torturë.
Gentiana Mara Sula, drejtore e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, në Ditën e të Zhdukurve (30 gusht) thekson në fjalën e saj se historia e tyre është e patreguar, “ka boshllëk informacioni, por fatmirësisht ka që jetojnë akoma dhe rrëfejnë”.
“Po ju jap vetëm një shembull. Vetëm në një natë kanë vdekur 33 fëmijë të vegjël. Shpëtoi vetëm 1. Nisën ta thërrisnin ‘Beba’, dhe sot ka akoma këtë emër”, – thotë Lek Pervizi, një piktor 90-vjeçar, që kujton çdo gjë që ka jetuar në Tepelenë. Si dëshmitar, ai ka vizituar që në vitet 1950, skicat se si ishte kampi, 600 veta në një kazermë, 4500 në gjithë kampin. Krevate marinarësh prej dërrase mbushnin kazermat që funksiononin si salla pa ndarje. E ndante hapësirën, vetëm kush kishte çarçafë, por çarçafët qenë luks.
E pyes Mirakajn pse vdisnin fëmijët. “Ka qenë një kamp shfarosjeje këtu, kanë vdekur 300 fëmijë. Vdekja kishte disa shkaqe, kryesisht mungesa e ushqimit dhe e higjienës. Të dyja këto, sillnin sëmundjet që, duke mos pasur mundësi t’i kuronim, çonin në vdekje. Të vegjëlve iu pre jeta padrejtësisht”.
Të mbijetuarit thonë se fëmijët e pleqtë që vdisnin varroseshin jashtë kampit. Vendvarrimi ka ndërruar tri herë. Nga matanë kampit, u çua te ura e Bënçës buzë lumit. Dimrit, lumi që vërshonte i merrte me vete.
A gjenden më eshtrat e tyre? 300 fëmijët e vdekur nuk kanë varr, por ende sot nuk kanë as emra. Nëse do iu shkruhej një letër, kujt do t’i drejtohej ajo? Kush ishin ata? Ku janë ata, të paemër e të pavarr? Prindërit e tyre kanë ndërruar jetë, nuk i kërkon më askush. U është mohuar jeta, vdekja, eshtrat dhe emri, edhe 27 vite pas rënies së regjimit komunist.


Në Shqipëri kinematografia nuk ia ka dalë të realizojë filma si “The son of Saul” apo “The boy in striped pyjamas”, që do të ‘fotografonin’ historinë që nuk pamë e për të cilën fjalët nuk mjaftojnë e as që na janë thënë mjaftueshëm përveçse si shifra statistikash.
Megjithëkëtë, mundem ta imagjinoj “Saulin” që kërkon (eshtrat) të birin në të katra anët e kampit të Tepelenës, mundem të imagjinoj çmendurinë e Saulit shqiptar që endet dëshpërimisht me copëza rrëfimesh të marra me 100 falënderime nga persekutorë që hiqen të persekutuar, mundem ta imagjinoj Saulin, por nuk mundem të imagjinoj të birin, as eshtrat e tij në një arkëmort të bardhë, të vogël në duart e t’et.
“The boy with in stripped Pyjamas” (lexo bijtë e udhëheqjes që patën fatin e atyre që dënuan) mbase paguan mëkatet e prindërve, por ata e kanë një emër.
300 bijtë e Saulit jo. Amik Kasoruho e Robert Shvarc do të thoshin se askush nuk i kthen më vitet e kaushëve, por sekush ka të drejtë të pyesë sot, kush ua rrëmbeu fëmijërinë?
Në 27 vite kemi përmendur viktima, të vdekur, të vrarë, të internuar, të persekutuar, të pushkatuar, por rrallë e tek, përkrah emrave të tyre janë gjendur emrat e vrasësve, persekutorëve, hetuesve.
“Në këtë muze, do të doja që krahas viktimave të ishin edhe persekutorët, siç janë në muzetë e huaj, me foto e me emra. Nuk mundemi të vazhdojmë më të flasim vetëm për viktima. Autorët e kanë një emër”, do t’i drejtohej të mërkurën Gentiana Marës një studiuese e re, kur diskutohej projekti për qendër muzeale në Kampin e Tepelenës.
Të vërtetën kërkoi edhe Zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së Robert Wilton, kur tha se zbulimi i saj “është çelës për familjet e të zhdukurve, për shoqërinë që të lëvizë përpara. Familjet kanë nevojë për të vërtetën, kanë nevojë me mbajt zi e me i kujtu të afërmit në paqe”. Gjon Radovani ka ideuar një projekt ku 300 qiparisa të kujtojnë 300 fëmijët pa varr në një memorial në kamp. Ata qiparisa janë letra e pashkruar për fëmijët, janë ndjesa e munguar.
Fallaci i shkruan fëmijës së vet: “Ndjej ftohtë e them se jeta ekziston, fle dhe e ndjej jetën. Shiko, shoh një dritë. Dikush vrapon, qan, dëshpërohet. Por diku tjetër lindin mijëra e qindra fëmijë, dhe nëna të fëmijëve të së ardhmes: jeta nuk ka nevojë as për ty, as për mua. Ti je i vdekur. Ndoshta do të vdes edhe unë gjithashtu. Por kjo nuk ka rëndësi. Sepse jeta nuk vdes”. Çdo krahasim çalon, por këto fraza më kujtohen kur shoh fëmijët e kahershëm, që i mbijetuan Tepelenës: e kanë tejkaluar tmerrin, kanë rigjetur paqen, kanë ndërtuar jetën pa vrer e pa urrejtje, kanë gjetur forcë të qeshin, të rikthehen në kamp si burra e gra në moshë, të rrëfejnë, të tregojnë në emrin e tyre dhe në emrin e fëmijëve që nuk u rritën kurrë, se në Tepelenë kishte një kamp vdekjeje ku shokët e tyre të fëmijërisë u zhdukën.


Është pothuaj natë kur lëmë Tepelenën. Në krah të majtë të rrugës, ish-kampi zhduket në errësirë. Më ngjan se po të mbyll sytë do të dëgjoj të qara të vegjlish që kërkojnë bukë në një natë të ftohtë dimri, ku ngrica ka përpirë gjithçka. Pas çastesh heshtjeje, japin frymën e fundit.


Shfaq Komentet (1)

Leave a Reply to Osman Kaceli Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Jam një njohës i mirë i ngjarjeve që ju fatmirsisht po i a bëni të njohur opinionit mbarë kombtar shumë pak ose aspak të njohur.Një falenderim për këte dhe një lutje: Ne se keni mundësi të korigjoni shprehjen:Lek Pervizi ka vizituar, në vizatuar.Flm.

    Përgjigju ↓