KULTURË

Pse vetëm një kandidat për kryetar të Akademisë e Shkencave?

10:24 - 05.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Fatmira NIKOLLI

Ikën Gudar Beqiraj si kryetar e vihet nënkryetar, ikën Muzafer Korkuti nga nënkryetar dhe vjen si kryetar. Ikën Korkuti vjen Beqiraj, ikën Beqiraj vjen Korkuti. Rotacioni i dy emrave në funksionet drejtuese të Akademisë së Shkencave prej vitit 2009 është ndjekur më së paku, me nënqeshje. Ata i kanë lënë e i kanë zënë vendin njëri-tjetrit. Nëse do të ishte emërim nga instanca mbi ta, do ishte krejt qesharak. Çështja është se ata zgjidhen. Zgjidhen pasi kandidojnë. Dhe janë të vetmit që kandidojnë. Këtë herë ata kandiduan pa pasur askënd përballë.

Votohej me po ose jo, pasi nuk zgjidhej mes dy emrash. Këtu, vjen pyetja ‘1 milion’ dollarëshe siç cilësohej dje në ambientet e Akademisë, përse nuk kandidon njeri për kryesinë e Akademisë? Përse nuk lakmohet kjo detyrë? Përse nuk ka dëshirë asnjë akademik tjetër të jetë në krye? Përse nuk ka dëshirë të marrë në dorë një ndër institucionet më të rëndësishme në vend? Po të doni, edhe më problematiku, por pikërisht edhe për këtë, përse asnjë akademik nuk ka egon, ambicien, dëshirën, të sfidojë veten e sistemin, për t’i kthyer shtëpisë së shkencës emrin e lavdishëm? Përse askush nuk e do ‘mbretërinë’, aq sa ta drejtojë atë?
Në fillim pyeta pranë sekretarisë shkencore “pse” e kur më ngritën supet, pyeta më shumë se 10 akademikë: përse nuk ke kandiduar?
Dikush, qe shumë i lodhur qoftë edhe për të dhënë përgjigje. Edhe mosha është kriter për titullin. Dikush tjetër, kish kandiduar më herët dhe nuk ishte zgjedhur, ndaj nuk donte më të vihej para votimit. Të tjerë thanë që nuk kanë fuqi, në kuptimin e parë të fjalës, të merren me një akademi që prej vitesh zvarritet në mes titullit ‘honorik’ dhe reformës që po prej vitesh pritet të vijë, por që nuk vjen.
Arsyet pse nuk ka kandidatura për kryetar shkojnë deri tek mosdëshira për t’u marrë me çështje administrative, firma e shkresa, mes institucionit e simotrave në Ballkan, a qoftë edhe mes institucionit e qeverisë.

Mes mjeshtrit të letrave e mjeshtrit të kërkimit, akademikët në të shumtën e vet zgjedhin kërkimin; nuk duan, siç thanë, ta shohin veten pas një tryeze që pret e përcjell, që firmos e vulos, kur munden të bëjnë atë që duan, të merren me studime e kërkime mbi tema, të cilave u kanë kushtuar jetën. Ka mes akademikëve, që ndërsa mbajnë këtë titull, kanë detyra të tjera, brenda e jashtë vendit në qendra të mëdha kërkimore dhe nuk duan t’i lënë për ‘t’u lidhur pas një karrigeje’; ka që kanë biznese, ka që nuk u lejohet sepse nuk janë anëtarë të rregullt të ASH, ka që nuk kanë kriterin e moshës. Mes tyre, janë Beqir Meta dhe Marenglen Verli, i pari në krye të Institutit të Historisë prej vitesh, e i dyti, në krye të Qendrës së Studimeve Albanologjike, prej ditësh.
Pyetja “1 milion dollarëshe” nuk merr përgjigje këtu, doemos, pa vënë në dukje se për fat të keq, ne kemi mbërritur të kemi një Akademi, që askush nuk do që ta drejtojë. Ia kemi dalë pra, ta kthejmë, ndër vite, çdo vit nga pak, por pa reshtur, nga një institucion i lakmuar që do i bënte nder çdo emri e çdo vendi, në një ngrehinë që për qeveritë herë duket e tepërt, e herë zgërdallë; ndërsa për shkencëtarët thjesht një institucion. Në 27 vite demokraci, reformat e ndërmarra në të (dhe kanë qenë disa), kanë sjellë rezultatin që shohim sot: nuk ka as kandidatë për ta drejtuar.
Dje, teksa kryeministri bënte thirrje të ndalej farsa, procesi i votimit u zhvillua i rregullt, para 30 akademikëve e profesorëve. Pothuaj 30, ishin edhe gazetarët me operatorët që fokusonin në fletëvotime ‘po’-të dhe ‘jo’-të e dala nga kutia. “Farsa” nëse kish një të tillë, kish nisur me kohë. Ajo nuk mund të ndalohej dje. Ligji Nr.9655, datë 11.12.2006, (i ndryshuar me ligjin Nr.9853, datë 26.12.2007, me ligjin Nr.9949, datë 7.7.2008, me ligjin Nr.10 271, datë 22.4.2010) mbi të cilin funksionon Akademia paracaktonte që 4 vite pas dekretimit nga Presidenti i Republikës, të kryetarit të Akademisë së Shkencave, duhej të bëheshin zgjedhjet, për një tjetër kryetar. 4-vjetori shënohej më 1 shtator.

Dy ditë më vonë, në 4 shtator, zgjedhjet u bënë. Kryetar i ri, avaz i vjetër? Vështirë të thuash nga jashtë, nëse siç pretendohet në Akademi kanë vënë pengesa për të tjerë kandidatë. E vërteta është se ka një ligj, mbi të cilin zgjidhet drejtuesi i postit që nuk e do askush. Ai ligj bashkë me statutin e Akademisë përcaktojnë kriteret e zgjedhjes së akademikëve të rregullt, atyre të asociuar e prej aty, mbërrihet deri tek zgjedhja e kryetarit.
Duhet nisur nga aty, që shtuar reformës që nuk po vjen, të hapen mundësi për kandidatë të tjerë, për kushte të tjera, për të ardhura të tjera, për studime e kërkime të tjera, për nisma si Akademia e të Rinjve, a çmimet e përvitshme. Nëse brezi i vjetër nuk ia ka dalë dhe duhen emra e energji të reja, le të gjenden mekanizmat ligjorë për ta bërë. Propozimet për mbyllje të Akademisë, qoftë edhe nëse ajo zgjedh “farsën” siç u tha, nuk janë zgjidhje dhe as na bën nder. Në vendin tonë ka shumëçka që nuk funksionon, por për këtë nuk mund thjesht t’i mbyllim të gjitha, duhet t’i bëjmë të funksionojnë, sidomos nëse kanë dhënë shembull që munden.
Debati për Akademinë, sikundër çdo debat në shoqëri bën mirë, qoftë sa për t’i bërë vendimmarrësit t’i kthejnë sytë drejt saj. Prej katër vitesh ka tri propozime që presin për reformën (akademi me institute dhe me dy seksione të mëdha – seksionin e shkencave albanologjike dhe seksionin e shkencave tekniko-natyrore; akademi me institutet albanologjike ose akademi pa institute). Mbase duhet zgjedhur njëri propozim, për të nisur më pas ringritjen e Akademisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.