Speciale

Gëzimet e dyshimta të një qyteti

07:39 - 09.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Monika STAFA

 

Në Dorëz të Librazhdit, aty ku të rinjtë besojnë tek ëndrrat
“Duhet ta provosh kafenë që servirin këtu afër. Është më e mira që bëhet përqark”, më thotë një aktivist i “World Vision” nën entuziazmin e mirë se një ‘e huaj’ nga Tirana do të vizitonte fshatin e tij, Dorëz, vetëm 20 minuta me makinë nga qendra e Librazhdit. Një karrocë e tërhequr nga një kalë në ngjyrë të murrmë përshkonte rrugën aty pari, ca shkollarë ecnin me shpejtësi drejt dyqanit që kish lajmëruar prej ditësh ardhjen e librave për këtë vit të ri shkollor dhe fytyra të ngrysura, përgjithësisht në atë orë mëngjesi vura re, sapo u ndala pak në cep të rrugës kryesore të qytetit kodrinor. Askush nuk e dalloi praninë tonë, derisa një fshesare m’u gjend tek këmbët për të mbledhur mbeturinat e fundit që kishin mbërritur nga era e parë vjeshtore në qytet. C’bën këtu ti, moj nuse? Bëj pak prapa, sa t’i marr dhe këto gjethe, dhe sytë i ndizeshin prej kuriozitetit për të mësuar shumëçka për gruan që kish përballë. Unë buzëqesha kundrueshëm me habinë në buzë për të mos e marrë të vërtetë përcaktimin me të cilën punëtorja e rrugës m’u drejtua, ndërsa ndër vete vlerësoja punën e saj, edhe pse në një qytet të vogël si Librazhdi, ku gjethet nuk bien me shumicë. Jam këtu për ju, i thashë. Për fëmijët tuaj e për gëzimet tuaja. Kemi ne gëzime? pyeti ajo duke m’i mbërthyer sytë fort pas qepallave. Mirë, mirë, bëj punën ti, m’u drejtua e trishtë, fundja nuk ka ç’të duhet më shumë. Pse, iu ktheva, më thuaj çfarë të shqetëson? Por aty biseda përfundoi pa nisur. Makina kish ndezur motorin duke më lajmëruar se tani ajo do të nisej. U tërhoqa drejt saj, por mendjen edhe për disa minuta e pata te gruaja me fshesë në dorë, të cilës nuk munda t’i marrë asnjë fjalë më shumë se aq.

Dorëza – fshati i shtrirë në formën e pëllëmbës së dorës
Dorëza nuk ishte larg, por kurioziteti për të takuar vendës përqark rrethinave apo dhe të qëmtoja mbi ‘gëzimin’ e dyshimtë të banorëve që fshesarja me sytë e mëdhenj ma dalloi, ma përndezi më shumë mendimin e çalë se ç’mund të bëja unë në një fshat si Dorëza. Një nga fshatrat më të mëdhenj të Librazhdit, në qarkun e Elbasanit, Dorëza, shtrihet në veri të qytetit me një lartësi mbi nivelin e detit nga 280 deri në 700 m. Kufizohet në veri me fshatin Gizavesh dhe në jug me fshatin Librazhd Qendër. Banorët thonë se mban këtë emër të bukur, sepse fshati shtrihet në formën e pëllëmbës së dorës mes luginave dhe pllajave të tij. E po të ndalesh diku buzë rrugës, e kupton fare mirë se ata kanë të drejtë. Fshati Dorëz njihet si një nga fshatrat më me influencë në rrethin e Librazhdit, kjo për shkak të disa individëve të spikatur e të zotë në fusha të ndryshme kryesisht në arsim dhe mjeshtërinë e ndërtimit. Veprimtaria tradicionale e banorëve të fshatit ka qenë dhe është bujqësia e blegtoria. Por blegtoria ka qenë ajo, e cila ka lozur një rol të rëndësishëm në ekonominë e fshatit. Diku aty kultivohet edhe arra e Stambollit, e cila quhet kështu prej vendësve sepse fruti i saj është marrë nga kurbetlinjtë prej Stambolli, rreth 200 vjet më parë. Banorët janë të interesuar ta ruajnë dhe kultivojnë me kujdes këtë frut, për arsye jo vetëm ekonomike, por edhe tradite. Krahas veprimtarisë bujqësore dhe blegtorale, e cila ka qenë veprimtaria bazë në çdo periudhë kohore për çdo familje, në Dorëz është traditë edhe mjeshtëria e ndërtimit. Kështu, të gjitha shtëpitë e banimit si dhe ndërtesat e tjera në fshat janë ndërtuar dhe vazhdojnë të ndërtohen nga ustallarët vendës.

Jetësimi i një qendre të rinjsh
Sokol Dosku është vetëm njëri prej të rinjve të fshatit i angazhuar fort në veprimtari publike. 23- vjeçari është gjithashtu lider i grupit “Impact”, i krijuar prej një grupi të rinjsh vetëm tri vite më parë. Të rinjtë ishin bërë bashkë kur ne mbërritëm në qendrën e Dorëzës. Askush nuk i kish bindur ata të grumbulloheshin për shkak se disa të panjohur nga Tirana do të vizitonin fshatin. Ishte dëshira e tyre për të treguar vetëm disa prej sukseseve, e njëra prej tyre edhe rindërtimi i Qendrës Rinore të fshatit. E hapur në vitin 2006 me qëllimin për t’u shërbyer të rinjve në aktivitete dhe pjesëmarrje në takime të ndryshme publike, qendra pati një jetë mjaft të shkurtër. Jo më shumë se 2 vjet e që atëherë tregon Sokoli, godina megjithëse vazhdoi të ekzistonte, përdorej për qëllime të tjera. Të rinjtë dikur mund të lexonin vetëm tabelën në të cilën shkruhej Qendër Rinore, por ajo nuk ofronte asgjë më shumë se kaq. Sa herë kaloja aty, thotë Sokoli, më vinte keq dhe dëshiroja shumë ta shihja në formën e saj të dikurshme, por lindte gjithmonë nevoja e një financimi, në të vërtetë jo shumë të kushtueshëm. Një ditë, thotë ai, u informuam se në faqen ‘online’ të “World Vision” u lançua një projekt me një fond prej 1000 USD me të drejtë shfrytëzimi për qendra komunitare. Takimet javore që organizoheshin nga grupi i të rinjve “Impact”, lider i të cilit ishte Sokoli, nuk realizoheshin në kushte të mira. Që këtej Sokoli, nxiti dy shokët e tij Zalo Bicaku dhe Ardit Toca, të cilët sot studiojnë Inxhinieri dhe Gazetari, për të përgatitur një projekt mbi rinovimin e qendrës, në të cilën ata do të planifikonin të mblidheshin për takimet e tyre, ku të ndanin ide dhe informacion me bashkëmoshatarët, ta përdornin si bibliotekë, të kishte një dhomë për punë dore si dhe herë pas here një nga hapësirat mund të shfrytëzohej edhe si kinema, ku të shfaqeshin filma të ndryshëm me karakter edukativ. Qendra e re duhej të kthehej në shërbim të të rinjve dhe fëmijëve në komunitet. Kështu, të rinjtë u mblodhën dhe e shkruan vetë projektin, i cili rezultoi të ishte një ndër 10 projektet fituese në rang kombëtar. Sokol Dosku tregon se ka punuar që prej vitit 2009 në disa projekte në shërbim të komunitetit, si rehabilitimi i oborrit të shkollës apo edhe gjelbërimi i saj. Ai ndjehet i entuziazmuar kur tregon se ndjen kënaqësi kur lë pas një vepër apo edhe një pune. Për të, kjo është një sfidë e jashtëzakonshme. Projekti u fitua, por nga ana tjetër rikthimi i qendrës rinore edhe pas këtij momenti mbetej një sfidë e bukur, sepse një pjesë e materialeve që ishin më parë nuk ekzistonin më. Kështu që duheshin më shumë se 1000 USD për ta vënë atë në funksion. Fillimisht idetë e para ishin që qendra të funksiononte në bazë të këndeve si këndi i pikturës, i bibliotekës, i valles, këndi i promovimit të traditave të zonës, i kinemasë, i lojërave zbavitëse, duke përfshirë këtu dhe këndin e moshës së tretë si dhe këndi i qëndistarisë. Ne sot ndjehemi të lumtur, thotë Arbri se më në fund mund të realizojmë takimet tona në bazë të eksperiencave komunitare. Kontributorë të tjerë në këtë qendër ka qenë dhe vetë “World Vision”, e cila nga ana e saj dhuroi edhe disa asete, si kompjuter, karrige, tavolina dhe rafte. Ajo ndihmoi gjithashtu edhe në lyerjen e ambientit për ta bërë sa më tërheqës për të rinjtë.
Histori personale
Arseni ka mbaruar klasën e 7-të, ka hobi futbollin dhe informatikën. Për të sot është dita e parë e frekuentimit të qendrës. Pëlqen të jetë në shoqërinë e shokëve të tij dhe thotë se ka lexuar disa libra gjatë verës, por kryesisht ato shkollorë. Arseni ka filluar të mësojë anglisht dhe tregon se nëse do të vinte në qendër, do të kish dashur që në një nga sallat e saj t’i krijohej mundësia të dëgjonte më shumë gjuhën e huaj që e pëlqen aq shumë. Në fakt, nuk e prisja të ndodhte me kaq ritme të shpejta, thotë Androina Kolku. Jam shumë e lumtur për gjithë arritjet tona. Do përpiqemi të bëjmë edhe më shumë në vazhdim dhe të jemi një shembull i mirë për më të vegjlit. Androina është anëtare tepër aktive e klubit “Impact”. 18-vjeçarja shpjegon se në takimet e të rinjve trajtohen tema të ndryshme si problemet sociale, lidershipi, dhuna në përgjithësi, korrupsioni, vullnetarizmi, qytetaria aktive, etj. Qëllimi i tyre, thotë ajo është të ndihmojnë komunitetin në ndërgjegjësimin e vetëdijes duke marrë sa më shumë njohuri. Duket se e reja ka në ambiciet e saj përfshirjen në shërbimet sociale dhe politikë, duke nxitur dhe rritur më tej bashkëpunimin mes njëri-tjetrit. Nga ana tjetër, ata thonë se nismat tona megjithëse janë të bukura, mbeten ende shumë të vështira. Mentaliteti i zonës shpjegojnë të rinjtë është tejet i ashpër. Prindërit vazhdimisht i kundërshtojnë këto aktivitete si dhe pjesëmarrjen e tyre aty. Shpeshherë të rreptë me ta janë edhe mësuesit, ata që në fakt duhet të jenë promotorët e parë të betejave të tyre. Mësuesit, thotë Kaltrina nuk na përkrahin aspak, madje shpeshherë ata na shtrëngojnë notat me të padrejtë kur dëgjojnë se zëri ynë bën jehonë në fshat. Ndryshe përgjigjet një prej punëtoreve të qëndistarisë. Trëndafile Çela pranon me dëshirë të flasë për ndihmën që ajo ofron duke shtuar ndër të tjera se është tejet e vendosur të ndihmojë vajzat e fshatit në punëdore, apo edhe në punimet e kostumeve popullore, sepse mbi të gjitha vetëm kështu trashëgohet tradita jonë e zonës. Vajzat nuk më shqetësojnë fare, shton ajo, vetëm ato të kenë dëshirë të mësojnë. Do ua mësoj zanatin sikur të jenë vajzat e mia, e përfundon ajo bisedën. Qendra Rinore në Darëz ka rreth 24 të rinj aktivë me pjesëmarrje të plotë. Eriselda Tërnova është një tjetër e re e grupit. Ajo është vetëm 17 vjeçe. Është modele dhe është shpallur “Miss Buzëqeshja” e Elbasanit pak kohë më parë. Qendra është e mirë, tregon e reja prej Dorëzës, sepse na mban larg “Facebook”-ut apo rrjeteve të tjera sociale, të cilat marrin shumë kohë. Aty ne kalojmë kohë të çmueshme dhe po mësojmë të mos kemi turp të flasim në publik, shkëputemi nga monotonia, por në të vërtetë mendoj unë, vazhdon Eriselda, qendra duhet të jetë më aktive. Këtu nuk ka drita dhe ne kemi kërkuar ndihmë nga Bashkia e Librazhdit, por ata nuk na kanë pritur. Nuk e dimë arsyen ende dhe shpresojmë të na e shpjegojnë shpejt përse ndodh kjo gjë.
Sokol Dosku, lideri i grupit “Impact” na tregon se  shumica e të rinjve emigrojnë. Vetëm për një muaj 100 djem nga Dorëza ikën në Angli para ca kohësh, ndërsa vajzat zgjedhin të martohen me emigrantë, duke shkuar drejt një jete të panjohur. Sokoli thotë se shumë shpejt fshati pritet të plaket dhe mosha mesatare e të rinjve aty është vetëm 16–17 vjeç. Dhe ai ka të drejtë. Teksa kthehem në makinë me mendimin e gëzueshëm se Qendra Rinore e fshatit tashmë është aktivizuar plotësisht, nuk më shqitet ende nga mendja pyetja e fshesares në cepin e rrugës kryesore në Librazhd.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.