MILOSAO

Përse I. Kadareja e braktisi Shqipërinë? (meditime – 31 janar 1991)

11:14 - 11.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Gjergj Frashëri




Cila do të jetë vlera aktuale e kësaj përpjekje për  të shpjeguar arsyet politike të largimit nga atdheu të një shkrimtari shqiptar, kur ngjarje dhe kthesa politike ndodhën dhe po ndodhin ndërkohë në Shqipëri, të cilat janë pamëdyshje më të rëndësishme,  pasi kanë të bëjnë me fatin ardhshëm të një populli të tërë. Fati i Ismail Kadaresë, shkrimtarit shqiptar më të njohur në ambientin evropian, nuk mund të tërheqë vëmendjen më tepër nga ato që po ndodhin në Shqipëri. Por duke vënë re, se reputacioni që ai gëzon në botën e jashtme, i cili ka qenë vazhdimisht një dilemë për opinionin intelektual shqiptar përparimtar, po shfrytëzohet momentalisht në Shqipëri prej një kategorie intelektualësh, në programet e tyre politike që po propagandojnë për të ardhmen demokratike të këtij vendi, atëherë zbulimi i figurës së Kadaresë në këtë kontekst, i kalon përmasat e interesimit rreth një individi. Sepse për opinionin shqiptar, figura e Kadaresë është më komplekse prej asaj që njeh bota e jashtme. Ajo qëndron midis veprave të shkrimtarit që kanë lindur dhe jetuar me sukses për tre dekada rresht në një terren komunist dhe midis asaj, që vetë ai për tërë këtë periudhë, ka gëzuar përkrahjen morale dhe ofiqe të larta zyrtare në udhëheqjen politike të diktaturës. Madje figura e tij do të jetë patjetër me interes të veçantë të gjurmohet për metamorfozën që pritet të ndodhë në orientimin e forcave të reja politike pluraliste që po pozicionohen ndërkohë për lëvizjet demokratike të ardhshme të vendit. Në këtë proçes shndërrimi historik, zbulimi i rolit të veprës artistike dhe të pikëpamjeve ideologjike e politike të derisotme të Kadaresë, do të marrë për mendimin tim një trajtesë afatgjatë për etapën e re, në rrugën plot intriga dhe me përvojë të medies së pushtetit në Shqipëri, për të “shembur” kultet e vjetra dhe në krijimin e “kulteve” të reja, vepra e të cilëve është e lidhur me veprën e kulteve të vjetra.

Braktisja e vendit  në fundin e verës së kaluar dhe kërkesa për azil politik në Francë prej tij në fund të muajit tetor 1990, pikërisht kur në Shqipëri pas më se 40 vjetëve u krijua së fundi atmosfera e përshtatshme për lëvizjen demokratike, përbën ndoshta momentin me “motin më të kthjellët” për të parë figurën përherë të fshehur në mjegullën politike të Ismail Kadaresë. Në opinionin e brendshëm shqiptar, gjesti i tij bëri fillimisht bujë. Diskutime jo zyrtare u hapën me shpejtësi, në se ikja nga Shqipëria dhe dorëzimi i tij politik në një vend tjetër, është për të mirën apo për të keqen e të ardhmes së vendit. Ata që thanë se bëri mirë, e panë si grusht kundër prestigjit të pushtetit diktatorial, pasi vetë Kadareja ishte një nga përfaqësuesit e lartë politikë të tij. Të tjerë menduan se ai duhej të qëndronte në Shqipëri dhe të luftonte aty, po qe se vërtet, ai e ndjente veten demokrat dhe ëndërronte për t’i sjellë demokracinë popullit të vet. Por pati edhe nga ata që menduan se ai iku për interesat personale, për të jetuar i qetë dhe larg kokëçarjeve për fatin e vendit të tij, duke hequr dorë nga lufta për të ardhmen. Fakt  është se jeta dhe qëndrimi i tij pas braktisjes së vendit, po u jep të drejtë në këto pak muaj këtyre të fundit.

Enigma e braktisjes së vendit prej shkrimtarit shqiptar, ndriçohet pikësëpari nga vetë deklarata e tij, e bërë me këtë rast në Paris me 25 Tetor 1990 dhe që gjendet e botuar me titullin “Ndarja me të keqen do të jetë kontribut dhe meritë e të gjithëve”, në faqen e parë të numrit të parë (5 Janar 1991) të gazetës “Rilindja Demokratike”, organ i porsa themeluar i Partisë Demokratike. Sipas deklaratës, autori pretendon se “vendimi për të lënë vendin është vazhdim logjik i asaj që ka mbrojtur deri tani në veprën e tij”, e cila shpjegohet se “deri më sot ai është përpjekur të ndihmojë për zbutjen e regjimit me ato mjete që kanë qenë të mundura në Shqipëri”. Më poshtë, pasi njofton për përpjekje pa sukses që ka bërë nëpërmjet takimeve dhe letërkëmbimeve në pranverën e vitit 1990 me Presidentin Ramiz Alia, për nevojën e demokratizimit urgjent dhe të plotë të vendit (për të cilat mjerisht publiku shqiptar ende nuk ka asnjë dijeni, pa e vënë aspak në dyshim vërtetësinë e pohimit të mësipërm), ai del me konkluzionin se: “duke mos pasur asnjë mundësi tjetër për të bërë të qartë pozicionin tim, meqenëse në Shqipëri nuk ekziston mundësia e opozitës legale, zgjodha rrugën (e ikjes – Gj.F.), që nuk do të dëshiroja kurrë t’ ia rekomandoja askujt”. Në pjesën tjetër të deklaratës autori tregon shqetësimin e tij për të ardhmen e Shqipërisë, bën thirrje që ajo të mos pësojë fatin e një “katastrofe”, duke shprehur së fundi edhe besimin që ai ka në demokratizimin e ardhshëm të vendit.
Ajo që të bie më shumë në sy prej kësaj deklarate të bërë më se tre muaj më parë, është heshtja e plotë e Kadaresë rreth një angazhimi vetjak në luftën e tashme për të ardhmen demokratike të Shqipërisë, gjë të cilën ai nuk mungon t’ iu bëjë thirrje dhe t’ ia kërkojë të tjerëve. Nënteksti i deklaratës, që ruan më tepër vlerën e një amaneti për të tjerët në luftën e ardhshme, nënkupton tërheqjen e tij të plotë nga ndeshja e forcave demokratike me ato të regjimit në fuqi. Kjo përputhet edhe në praktikë. Hapi i parë –  largimi fizik nga vendi i ngjarjes. Hapi i dytë – tërheqja deri në fund nëpërmjet heshtjes. Mjaft interesant është pjesa “konçize” e deklaratës rreth shkakut të largimit të tij prej “mosgjetjes së vetes në një opozitë legale”. Kjo, megjithëse na bëhet e njohur për herë të parë si platformë e autorit dhe se në të vërtetë kjo dëshirë e tij ka qenë krejt e paditur për opinionin vendas, është lënë mjerisht e ç’veshur nga argumentet bindëse. Kështu papritmas ne duhet të besojmë tani e tutje dhe ta shohim Kadarenë, në një farë mënyre (alibia e tij), si një “disident” të regjimit komunist.

Vështirë është të besohet se motivi i braktisjes së vendit prej shkrimtarit, të ketë qenë mungesa e një opozite legale, e cila do t’ i jepte mundësi atij të bënte të qartë pozicionin e tij politik. Në kohën e largimit të tij, opozita legale të paktën në Tiranë, nëqoftëse nuk ka ekzistuar “de jure” ekzistonte “de facto”. Lëvizjet politike masive që u shfaqën menjëherë pas ikjes së tij (ndoshta edhe më parë), të pasuara nga vendimet e qeverisë në fuqi mbi lejimin e pluralizmit politik në Shqipëri, dëshmojnë për lindjen e kësaj opozite. Ajo e tregoi veten të aftë të organizonte demonstrime masive dhe të formonte formacione politike. Pak javë pas largimit të Kadaresë u krijua partia e parë opozitare dhe më vonë u legalizuan parti të tjera. Megjithëse opozita sot në Shqipëri  është “de juro”, shkrimtari ynë nuk gjendet në skenën e re politike dhe ende nuk po e bën të qartë pozicionin e tij në të.
Në fakt, për tre dekada të aktivitetit të tij në Shqipëri, Kadareja nuk është njohur nga publiku shqiptar si një element me prirje opozitare dhe as ka qenë e tillë. Veprat fondamentale të tij i janë përkushtuar pa rezerva legjendarizimit të kultit të Enver Hoxhës, kultit të PPSH-së, hyjnizimit të politikës së jashtme të Shqipërisë dhe kultit të izolimit të saj nga bota armike, kultit të mënyrës “shqiptare” të luftës së klasave, etj, etj, të cilat janë plotësisht në përputhje me ideologjinë dhe politikën e regjimit në fuqi, ndryshe ato nuk do të ishin botuar. Madje për propagandimin e tyre në botën e jashtme, atij nuk i mungoi ndihma e veçantë prej udhëheqjes së vendit, jo vetëm në përkthimin e veprave, por edhe në shpërndarjen e tyre nëpër libraritë e Perëndimit, e të tjera, përkrahje e cila nuk i është dhënë në atë masë asnjë shkrimtari tjetër shqiptar. Prej kësaj përkrahjeje dhe mirëkuptimit reciprok dhe pamëdyshje falë talentit të tij si shkrimtar, Kadareja u bë i njohur në ambientin evropian. Si shpërblim atij iu ruajt vazhdimisht vendi i nderit në elitën e lartë të udhëheqjes shqiptare, i shoqëruar edhe me ofiqe zyrtare të dorës së parë, të cilat i mbajti deri në ditën e vendimit për të braktisur vendin. Në këto kushte të jetës dhe të veprës së tij, Kadareja nuk mund të përbënte një element opozitë, pasi ka gëlltitur ndërkohë shumë lugë nga supa e PPSHsë. Ky pozicion i tij i afirmuar ka qenë përherë i qartë në kohë, si për njerëzit e regjimit ashtu edhe për inteligjencën përparimtare që jetojnë sot në Shqipëri.


“Opozitë legale” që Kadareja kërkonte dhe nuk e gjeti në fund të muajit tetor të vitit të kaluar në Shqipëri, ka qenë shumica e popullsisë dhe inteligjencës, të paktën për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike. Në këtë opozitë ishin rreshtuar edhe disa shokë të ngushtë të tij, të cilët prej disa muajve më parë jepnin herëpashere intervista “Zërit të Amerikës” dhe që pak javë më parë pas largimit të shkrimtarit, u shfaqën sado formalisht (apo si aktorë) në krye të Partisë së porsaformuar Demokratike. Për një adhurues të demokracisë nuk ka qenë e pamundur gjetja e një pozicioni politik në fund të muajit tetor. Por pozicioni i tij ndoshta u bë i vështirë për tu përcaktuar për të ardhmen, pasi pikërisht drejt fundit të tetorit u duk qartë se në Shqipëri, përveç PPSH-së do të legalizoheshin edhe formacione të tjera politike. Me postin në të ashtuquajturin “Fronti Demokratik” që mbante, ai ishte në dijeni më herët se të tjerët për këto projekte. Midis këtyre alternativave të reja në horizont, kur pas vetes ke lënë një vepër të mirënjohur e të përkushtuar, për këdo është e vështirë t’ i gjendet një pozicion i ri “i nderuar”. Kështu mund të besohet, kur në buzë të këtij udhëkryqi, njeriu mund të bëhet padashur një pengesë e pandërgjegjshme e dëshirave të tij, rruga e ikjes përbën zgjidhjen më të mirë, si për vete ashtu edhe për t’ i hapur rrugë të tjerëve.

Cili grupim politik mund t’ a ndëshkonte Kadarenë – forcat e regjimit në fuqi? – Forcat e reja demokratike? – Apo një situatë e mundshme provizore e ngjashme me atë të Rumanisë? Askush nuk dyshon në Shqipëri, se ndonjë e keqe mund t’ i vinte shkrimtarit nga regjimi në fuqi, apo nga levat e tij politike. Disa ditë pas largimit të tij qarkulloi dyshimi se njerëzit e Ministrisë së Punëve të Brendshme (të Sigurimit) kishin hartuar lista për “intelektualët e rrezikshëm të regjimit” dhe se në një moment të detyruar, këtyre intelektualëve shqiptarë do t’ u priteshin kokat. Eksperienca për këtë reprezaljeje në Shqipëri nuk mungon qysh prej kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe njerëzit janë të prirur ta besojnë edhe pa qenë e dokumentuar. Në se për një moment kjo ka qenë e vërtetë, është e sigurt se emri i Kadaresë nuk ka qenë në këto lista – për shumë arsye, por kryesorja mbetet se ai nuk është atakuar asnjëherë me regjimin (aq më pak të ketë shpallur ndonjëherë duel disidenti kundrejt tij). Ndërsa vitet e fundit ai u ekspozua legalisht në presidiumet e Republikës, çka pohohet edhe në deklaratën e tij, gjë të cilën nuk e kishte arritur më parë. Madje, reputacioni i Kadaresë ka qenë deri ditën që e braktisi atdheun, një nevojë për të forcuar opinionin në popull se PPSHja ka njerëzit më të shquar rreth vetes. (Nga kjo pikëpamje largimi i Kadaresë duhet vlerësuar. Qëndrimi i tij i mëtejshëm në presidiumet e Republikës do të ishte një pengesë për një kategori intelektualësh, anëtarë të PPSHsë dhe të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, që të hidheshin në radhët e Partisë Demokratike ku janë sot). Vetë qëndrimi që mbajti udhëheqja e PPSHsë me rastin e largimit të shkrimtarit – një vakum i papritur dhe me një kundërveprim pa “hakmarrjen” e zakonshme, tregon qartë se kundrejt tij nuk ka pasur asnjë qëndrim armiqësor, as të dyfishtë, por përkundrazi një qëndrim tolerant. (Kadareja nuk është Lasgush Poradeci, që i këndon luleve, zogjve, dashurive dhe dashuriçkave tradicionale, peizazheve dhe liqeneve të Shqipërisë, etj., i cili mund të lihet edhe mënjanë në situata revolucionare, por ai ishte borizan i PPSHsë!).
Për atë ndoshta kishte nevojë “pluralizmi” në muajt që jetojmë, por “djali plangprishës” nuk iu përgjigj deri në fund. Në rast se qenia e emrit të tij në listat e Sigurimit është përdorur nga vetë shkrimtari si argument për të fituar azilin politik dhe për të lënë në Shqipëri një shkak bindës për largimin e “detyrueshëm” të tij nga atdheu, kjo është një çështje tjetër, që nuk i takon diskutimit tonë. Fakti është se nuk gjendet asnjë arsye që Kadareja të jetë projektuar për t’ u ndëshkuar nga regjimi të cilit ai i ka shërbyer, dhe më tej akoma ai nuk do të jetë asnjëherë në këto lista, sido që të ndodhë. Heshtja e tij në vijim është për këtë një dëshmi. Ajo është ndërkohë një përgjigje e sjelljes së mirë ndaj eprorëve të vjetër. Detyrimet reciproke të krijuara në një kohë relativisht të gjatë bëhen shpesh pengesë për të kundërvepruar. Largimi i tij është tradhëtia e parë dhe e fundit, përpara se stalinizmi i Tiranës të bëjë sikur po jep shpirt natyrshëm.
Përgjigje të mëtejshme rreth pyetjeve që kemi shtruar mund të marrin nga vepra e shkrimtarit. Në se demokratizimi i plotë dhe i thellë i vendit ishte një amanet i shprehur në deklaratën politike të Kadaresë, ideve dhe filozofisë së kësaj demokracie qytetare bashkëkohore shqiptare nuk i gjinden gjurmët në tërë veprën e tij. Bashkë me idetë demokratike veprës i mungon kudo shtrati i tyre – humanizmi qytetar, i cili për fat të keq është mohuar (edhe nga shkrimtarë të tjerë të realizmit socialist) që ka një traditë historike edhe në Shqipëri. Në vend të tyre tashmë është bërë tipari  dallues i veprës së shkrimtarit – acarimi përherë i tensionuar deri në ekstrem i grupeve të politizuara klasore brenda gjirit të një kombi, në shumë raste i përlyer me ndjenjën e hakmarrjes. Këtu nuk është fjala për një rast, kur ky acarim i ashpër ndjenjash vazhdon të mbijetojë në mënyrë romanteske në zemrën e një populli kur dy të huaj vinë në Shqipëri të mbledhin kockat e ushtarëve të vrarë në luftë, sepse edhe kënaqësia e çastit që kërkon të imponohet nga një fakt i tillë, nuk është pa dëme më të mëdha, që burojnë nga përpjekjet për t’a idealizuar këtë acarim politik në skajet më të nxehta antinjerëzore (deri në vëllavrasje) dhe t’ a ligjërojë në gjirin e shoqërisë bashkëkohore shqiptare, madje t’ a paraqesë atë si të vetmen dhe më të mirën formë historike progresive të ekzistencës së saj. Politizimi i tejskajshëm i shoqërisë (deri edhe mbi ndjenjën kombëtare) ka qenë platforma mbi të cilën Enver Hoxha i lejonte shkrimtarët të bënin letërsi të realizmit socialist. Në veçanti ai sëbashku me Kadarenë u shquan për përpjekjet serioze që t’ a shihnin dhe ta gjykonin edhe historinë e heronjve mesjetarë shqiptarë jo sipas botëkuptimit origjinal mesjetar shqiptar, por nga këndi i ideologjisë që u importua në Shqipëri me rastin e Luftës së Dytë Botërore – i pari në fushën e “filozofisë” ndërsa tjetri në fushën e letërsisë. Le të bëjmë një analogji gjykimi për një rast faji të rëndë: Skënderbeu arriti t’ a falë Hamza Kastriotin në mes të shekullit XV. Bëjmë pyetjen: A do t’ a falte në praktikë një rast të tillë Enver Hoxha në kohën tonë? Dhe ç’pritej të shkruante I. Kadareja në veprën e posaçme që do të bënte me këtë rast? Mos ndoshta ai kishte ndërmend t’ a falte në libër? Sigurisht që jo, në asnjë rast dhe madje pa dashur të dëgjonte asnjë arsye. Por vetëm se do të interesohej më tepër për “kokën e prerë të Hamzait”, se ku do të përfundonte pasi t’ a bridhnin me javë të tëra për t’ i tmerruar njerëzit ndër qytete me frikën e dhunës. Që të mos e falte Hamzain, kjo përbënte “mjetin” e detyruar të kohës që vepra të botohej, por që të predikohej makabriteti si karakteristikë e jetës së shqiptarëve për hir të një mirazhi origjinal që duhet të kishte vepra që ajo të kishte sukses në ambientin letrar evropian, kjo nuk përbën “përpjekje për të ndihmuar në zbutjen e regjimit në Shqipëri”, siç pretendon autori në veprën e tij. Ato përbëjnë shembuj të ekstremiteteve të dhunës (në shërbim të propagandës së regjimit), të cilat në plot raste, për hir të mungesës së një kulture historike shkencore të shkrimtarit (dhe ky ka qenë fati i mirë), ato kanë trajtë të pabesueshme (jashtë vërtetësisë), duke anuar shpesh në trajtesa policeske. Ato sigurisht nuk mund të serviren për lëndë demokratike. Në këtë kontekst zbardhet fjalia e parë e lënë në errësirë e shkrimtarit, sipas të cilit “vendimi për të lënë vendin është vazhdim logjik i asaj që ka mbrojtur deri tani në veprën e tij”, çka do të thotë, se vepra e tij iu përkushtua me energji mbrojtjes së një sistemi dhe se tashmë që ky sistem ndodhet në buzë të greminës, autori e humbi terrenin e tij dhe se hapi i parë më imediat i vazhdimit logjik të kontributit që ka dhënë deri më sot, është largimi i tij fizik nga ai terren, ku forca të reja kundërshtare të predikimit të tij po rriten (përveçse mund të dalin edhe nga kontrolli i pushtetit prezent gati gjysmëshekullor).
Mundësia e marrjes së pushtetit prej forcave të vërteta demokratike në një të ardhme të afërt në Shqipëri, ka qëndruar në sfondin e vendimit të shkrimtarit për ta lënë vendin në një moment, kur për herë të parë pas aq dekadash filloi të flitej në sheshet e qyteteve të vendit me gjuhën e demokracisë. Intelektualët që e kanë pritur me adhurim këtë moment të madh historik të Shqipërisë nuk e kanë braktisur vendin, midis tyre janë të shumtë edhe ata që kanë të njëjtat pozicione me shkrimtarin, por sigurisht jo “famën” e tij. Megjithatë, për çështjen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në formatin kombëtar, ata do të hyjnë së shpejti në llogoret e luftës. Duke ngrënë bukë në kuzhinë parisiane, nuk e di se në cilin drejtim do të qëllojë shkrimtari nga këto llogore. E kisha fjalën, se veprën letrare të Kadaresë, si dhe të shumë shkrimtarëve shqiptarë, që ndërtuan të ashtuquajturën letërsi të “realizmit socialist”, e përshkon tej e mbanë filozofia e praktika e “luftës së klasave”. Duhet të kujtojmë se kjo “luftë e klasave” e ngritur në sistem, u bë nëpërmjet dhunës një normë e re në historinë e popullit shqiptar të Pas Luftës, në kontrast të madh me marrëdhëniet shoqërore që kanë ekzistuar në të kaluarën e tij (burime të ndryshme studiuesish kanë vënë në dukje se populli shqiptar të paktën në shekujt e fundit, megjithëse ushqehej prej katër ideologjive të ndryshme fetare, nuk ka njohur luftë civile dhe kjo është parë si një prej rasteve të veçanta të historisë evropiane). Kulti i metodës së “luftës së klasave”, që për një moment të vështirë të pushtetit në fuqi, kishte si qëllim final të merrte përmasat e “vrasjes së klasave” brenda shoqërisë shqiptare, ka lënë gjurmë të thella në Shqipëri. Veçanërisht indoktrinimi më i rëndë prej saj i takoi pikërisht brezit shoqëror të Ismail Kadaresë, sepse rinia e tyre u përputh me apogjeun e fuqisë së PPSh. Në këtë terren të ri të krijuar nga metoda e luftës së klasave, që mori trajtën më të ashpër pikërisht me të hyrë vitet 60’ shumë krijues të talentuar përfunduan në disidentë pasivë (disfatistë) dhe në fatkeqësi të mëdha, të tjerë u tërhoqën njëherë e përgjithmonë nga krijimtaria dhe fare pak mbetën si relike të traditës së vjetër letrare shqiptare, të cilët nuk e atakuan kurrë regjimin, por edhe letërsia e tyre për rrjedhojë u minimizua. Sigurisht që pjesa tjetër u rreshtua në shërbim të regjimit, duke pranuar t’ i nënshtroheshin kërkesave të tij për një letërsi “militante komuniste”, në themel të së cilës kërkohej “vrasja klasore”, “vënia e interesit të PPSH-së dhe të politikës së saj mbi gjithçka (deri edhe mbi atdheun)”, etj. Në këtë front u rreshtua plot energji e talent edhe Kadareja. Pikërisht për nga aspekti politik letërsia e tij arriti majën  e piramidës së fanatizmit.
(vijon)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.