KULTURË

Debati mes akademikëve: Na diskredituan, nuk mund të bëjmë sikur nuk dëgjojmë

10:15 - 12.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira Nikolli

Para se të dilnin 12 emrat reformues, debatet mes akademikëve nuk kanë munguar. U reflektua me ç’ dukej presioni i një jave të gjatë, ku kritikat erdhën nga të katra anët, edhe nga ato anë, që nuk e dinë ku i bie Akademia. Floresha Dado, së pari, kujtoi se rendi i ditës parashikonte propozimet për një komision që të merret me problemet e reformës. “Nuk e quaj me vend që të japim përgjigje sot për akuza. Në rast se është e domosdoshme dhe është e domosdoshme, kjo duhet organizuar mirë, se akuzat nuk vijnë nga rruga, por nga njerëz që kanë përgjegjësi dhe na vënë në pozitë të vështirë”, tha ajo. Dado vuri re se “Duhet të shohim të vërtetën në sy. Jemi përpara qëndrimeve që na diskreditojnë. Jam e mendimit që të qëndrojmë te rendi i ditës. Është shumë e drejtë, Asambleja është një organ i pavarur i Akademisë dhe ka të drejtë të mblidhet dhe të marrë vendime kur të dojë, por mbledhja e sotshme nuk është e zakonshme, siç jemi mbledhur për vendime të tjera. Jemi në një fazë kur është krijuar një problem në marrëdhënien me qeverinë, kryeministrin, ministren, që për mendimin tim, pa të drejtë akuzojnë shumë Akademinë”. Dado qe e mendimit që si Asamble duhet të dalin me një komision të gjerë, për të marrë seriozisht punët e reformës, atë “që e kemi thënë edhe në mbledhje të tjera dhe për mendimin tim e kemi nënvlerësuar. Dhe para se ne të ngremë një grup me bashkëpunëtorë, pedagogë, akademikë, personalitete që e njohin punën shkencore, ne duhet të zgjidhim problemin në marrëdhënien me qeverinë”.
Ajo kërkoi të ketë një kontakt, një përfaqësi nga Asambleja, që të jetë në kontakt për të bërë me dije: ne jemi të vendosur si Asamble, t’i hyjmë punës seriozisht për të bërë një reformë si duhet bërë. Akademikja Dado beson se nuk është e mjaftueshme ngritja e një komisioni për reformën. “Kemi një ngërç dhe nuk mund ta anashkalojmë, sepse duket sikur bëjmë karshillëk, sikur themi që ne bëjmë çfarë të duam. Por situata që po kalon Akademia është jo normale dhe akademikët nuk e meritojnë këtë qëndrim fyes, shpërfillës, qoftë dhe nga njerëz që kanë shkruar, që kanë tituj shkencorë. Por ama ia vlen që ne si Asamble të shtrohemi dhe të mendojmë seriozisht për këtë problem”. Më tej, fjalën e mori historiani Beqir Meta, i cili kërkoi që përveç ngritjes së komisionit, duhet të ketë një debat paraprak për çështjen e reformës. “Ne kemi kaq vite që diskutojmë, kemi informacione, nuk jemi të painformuar dhe komisioni që krijohet duhet të ketë një projekt paraprak mbi të cilin të diskutohet”, tha ai, duke shtuar se meqë ka pasur zëra në ekstrem për zhbërjen e ASH, duhet bërë një deklaratë publike, një diskutim publik dhe një deklaratë publike nga Asambleja e Akademisë së Shkencave. “Ne nuk mund të bëjmë sikur nuk dëgjojmë. Zërat janë bërë edhe më agresivë dhe ne me ndershmëri dhe korrektesë duhet të dalim para opinionit publik, se cili është pozicioni ynë në këtë situatë”. Për akademikun Jani Vangjeli Fuga s’duhet të flasë vetëm me korrespondencë. “Duhet të jetë i pranishëm. Nëse ka gjëra të drejta, t’i vlerësojmë dhe shtrëngojmë dorën, nëse nuk ka, të mbyllë gojën dhe t’i bindet zërit të shumicës. Ai bën gjithë këtë zhurmë me korrespondencë dhe nuk është i pranishëm”.
MBI PARATË DHE TË TJERA
Mbi çështjen e parave dhe auditimit foli dje Vaso Tole, sekretar shkencor i Akademisë. “Dua të sqaroj dy çështje të ngriturat nga koleg, akademik Artan Fuga: E para, për situatën që ai mendon se në ASH ka nevojë për auditim të fondeve, duke ngritur një mjegullnajë; së dyti, për pastërtinë e figurës. Duke pasur statusin e institucionit autonom, ASH auditohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe ju lexoj një shkresë zyrtare të KLSH për auditin e fundit, që përfshin vitet 2013, 2014, 2015. Shkresa është e shkurtit 2016: ASh ka realizuar një menaxhim të shëndetshëm financiar të institucionit. Dhe në kushtet e një buxheti të kufizuar ka arritur objektivat kryesore të saj, në funksion të mbështetjes dhe nxitjes të kërkimit shkencor”.
Tole rikujtoi, në fakt, se këto janë dokumente publike që mund të shihen nga çdo akademik dhe nuk është e vërtetë që në ASH nuk janë bërë auditime. “Për transparencë, po përmbledh që nga totali i buxhetit që merr Akademia e Shkencave për 2016 ishte 95 milion lekë, rreth 70% e buxhetit, pra 66 milion shkojnë për paga, sigurime shoqërore, shpenzime për ujë, drita e qira, që mbulojnë veprimtarinë e Akademisë si të gjitha institucionet e tjera të shtetit shqiptar dhe mbeten 30%, pra 29 milion lekë për botime, aktivitete të akademisë, konferenca, shpenzime udhëtimi, pagesa honorarësh të akademikëve në raste të botimeve të librave. Kjo është shifra që menaxhon ASH.  Sa i takon pastërtisë së figurës, Tole kujtoi se ASH është i vetmi institucion që e ka në statut t’i zgjedhë autoritetet dhe funksionarët pasi verifikon pastërtinë e figurës. Kreu i Akademisë, Gudar Beqiraj, nuk ngurroi të përmblidhte ecejaket ndër vite.
Ai tha se në dy vitet e fundit janë zhvilluar takime me kryeministrin ku i janë shprehur shqetësimet tona për Akademinë, i janë dorëzuar 300 faqe materiale me propozime për reformën, përmendi dy urdhra të firmosur nga ministrja Nikolla për komisione mbi reformën, ku bëjnë pjesë Artan Fuga e Muzafer Korkuti. “Unë jam mësuar të punoj gjithë jetën dhe jo të bëj letra nëpër portale, kështu që duhet t’i shkojë në vesh atij, të vijë këtu, të ballafaqohet me ne, të mos thotë se Akademia është e kalbur se nuk besoj se ndonjëri nga ju mund ta pranojë atë”. Sipas Beqirajt, Akademia s’ka për të qenë kurrë e kalbëzuar, çka tregohet edhe nga botimet e ekspozuara, të realizuara me mundësitë që kanë pasur.
Kur propozimi i emrave po mbyllej, ishte Shaban Sinani që propozoi Artan Fugën për anëtar komisioni, e megjithëse Apollon Baçe e kundërshtoi, Beqiraj e akademikë të tjerë votuan pro.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.