POLITIKË

Jorida Tabaku komenton deklaratat e Junker: Kambanat e Brukselit po bien fort!

20:21 - 13.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Pas deklaratave të Presidentit të BE-së, Jean Claude Juncker, sipas të cilit Europa do të zgjerohet ngadalë për Ballkanin Perëndimor duhet ruajtur një trend i ngadaltë zgjerimi, ka reaguar deputetja e PD-së Jorida Tabaku.
Ajo vë në dukje se shkrirja e Ministrisë së Integrimit, është një fakt domethënës, që e zeron të gjithë përpjekjen e këtyre viteve për integrimin. Sipas Tabakut, fjalimi i Junker ishte një dush i ftohtë për Shqipërinë.
REAGIMI I PLOTE I JORIDA TABAKUT
Sot është një ditë e trishtë për këdo që ëndërr dhe qëllim ka Evropën e Bashkuar. Fjalimi i presidentit të BE-së, z. Jean-Claude Junker qe një dush i ftohtë për vendin tonë, jo vetëm që ai i mbylli derën edhe grimës së fundit të shpresës për integrimin e vendit në BE por lëshoi edhe një sinjal të fortë që nënkuptonte se vendi ynë është shumë larg integrimit.
Ky lajm vjen jo më larg se disa orë pasi mazhoranca votoi mandatimin e qeverisë Rama 2, e cila njësoj si qeveria Rama 1 dhe opozitat e tij të mëparshme ka punuar çdo sekondë kundër procesit integrues. Sot shqiptarët janë gdhirë pa një Ministri Integrimi, e cila me gjasë do të shndërrohet në një drejtori integrimi brenda Ministrisë së Jashtme, pa një busull ku të kenë mundësi ministritë e linjës të trajtojnë çështjet ku BE na ka ngelur në klasë. Pa një arkivë fizike qoftë edhe një gjurmë të asaj përpjekje që vendi ynë dhe qeveritë bënë minimalisht prej vitit 2009 kur Shqiperia mori pyetesorin. Sa më sipër u shumëzuan të gjitha me zero.
Sot, Mali i Zi një shtet i krijuar në të njëjtin muaj ku Shqipëria aplikoi për MSA, qershor 2006, është një prej vendeve më të avancuara sa i takon integrimit në BE bashkë me Serbinë. Sot, ato morën një dritë jeshile, që sipas kalendarit të prezantuar nga zoti Junker do të ndizet në Shkurt të vitit 2018, muaj në të cilin këtyre vendeve do t’u prezantohet “strategjia për anëtarësim të suksesshëm”.
Ndërkohë që politika jonë e interesit të ngushtë vazhdon të orvatet brenda koncesioneve dhe interesave personalë të kryeministrit dhe oligarkëve rreth tij, integrimi Europian gjithnjë e më shumë i largohet vendit. E kam përsëritur shpesh, se me këtë kryeministër nuk mund të ndodhte ndryshe sepse është po i njëjti person që pengoi nga viti 2011 e deri në 2013 mundësinë për të çelur negociatat. Sot, ne vuajmë totalisht pasojat e politikës së papërgjegjshme të një njeriu dhe force politike që si në opozitë edhe në qeveri ka funksionuar për interesin personal të tij dhe sejmenëve rreth tij.
Rëndësia e integrimit Europian të vendit tonë është e mishëruar plotësisht në fjalimin që 63 vite më parë Ish kancelari gjerman dhe njëkohësisht një prej baballarëve të BE, Konrad Adenhauer lexoi përpara Bundestagut “BE ishte një ëndërr e pak njerëzve, pastaj u bë një ëndërr e shumë njerëzve. Sot është një domosdoshmëri për ne. BE është e dobishme për sigurinë tonë, lirinë tonë, ekzistencën tonë si një komb”
Kushdo që e kundërshton këtë logjikë nuk është aspak mik i Shqipërisë Europiane dhe vlerave europiane.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.