KULTURË

Pirro Milkani: Pragë 1956, një rrëfim nga “Hoteli Pokrok”

10:21 - 13.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI
Hotel Pokrok, Pragë, 1956. Një student rrëfen jetën brenda një hoteli të vogël ku administrata pret me ankth vizitën e një revizori. Në derë ia behin dy burra të cilëve u jepet dhoma më e mirë. Ngjarjet, mes të qeshurash, vënë në lojë jetën e një dite në Pragën gri të ish-Lindjes. 60 vjet më vonë “Hotel Pokrok” vjen në atdheun e krijuesit. Krijuesi, nuk është më.
Ka qenë puna e tij e parë, fëmija i tij i parë, por edhe amaneti i tij i fundit. Pirro Milkani, rrëfen për “Gazeta Shqiptare” se “Hotel Pokrok” ka qenë pengu i panjohur i Hakanit.
Në të kanë interpretuar Jirí Sovák, Vlastimil Brodský, Josef Beyvl dhe V. Herainová. Me muzikë të Jan Malý, filmi pat mbetur atje, si kujtimet e fiksuara në kohë, si pengu i lirisë dhe i rinisë, që fshihej e zbehej me kthimin në atdhe, një kthim që u bë pothuaj ngujim.
“Hotel Pokrok”, një film me metrazh të shkurtër, qe realizuar nga regjisori Hakani kur përfundoi studimet. Shfaqja e filmit të marrë nga Praga, ka qenë një kujtesë e kineastëve për kolegun. “Një pasdite me regjisorin Hysen Hakani”, ceremonia përkujtimore e mbajtur në Muzeun Historik Kombëtar pak ditë më parë rimblodhi regjisorët Kristaq Dhamo e Muharrem Fejzo, piktorët Ksenofon Dilo, Grigor Ikonomi e Haziz Karalliu.
Historia e “Hotel Pokrok” pati zënë fill në një rini të shkuar në rrugët e Pragës. U tha se “Hotel Pokrok” padyshim ishte si një ogur i mirë, guri i parë i themelit jo vetëm të krijimtarisë së tij personale, por dhe për gjithë kinemanë shqiptare, e cila në ato vite sapo kishte filluar të merrte jetë. Për shkak të kontributit të tij të hershëm, Hysen Hakani është cilësuar dhe si Pionier i Kinematografisë Shqiptare, ndërsa “Hotel Pokrok” mbetet të jetë “fëmija e parë” e këtij pionieri. Për 61 vite me radhë “Hotel Pokrok” ka qenë pjesë e arkivit në Akademinë e Filmit në Pragë, por tanimë ai u shfaq edhe për spektatorin shqiptar.
Regjisori Pirro Milkani rrëfeu se sjellja e filmit të parë të Hysen Hakanit në Shqipëri nuk ishte fort e lehtë, sepse gjithsesi, udhëtimi nga Praga në Tiranë ka dashur kohën e vet, por ky amanet i regjisorit shqiptar arriti të përmbushej. Filmi “Hotel Pokrok” iu dorëzua drejtoreshës së Arkivit, Elvira Diamanti.
Udhëtimi i një amaneti
Ishte shkurti i vitit 2012, kur në Arkivin e Filmit në Pragë u bë një panoramë e filmit artistik shqiptar. Pirro Milkani, thotë për GSH se u shfaqen 5 filma të fundit shqiptar, mes të cilëve edhe “Trishtimi i zonjës Shnajder”.
“Një mëngjes drejtori i Arkivit, më priti në zyrë për të folur për aktivitetin. Teksa ishim para filxhanit të çajit më dhuroi një libër të madh me titull “Kinemaja çeko-sllovake 1945-1960”, ku kish çdo lloj krijimi artistik e dokumentar. “Përfshiheshin edhe ato të studentëve të Fakultetit të Filmit pranë Akademisë së Arteve në Pragë”, thotë Milkani. Rrëfen se kur e solli librin në Shqipëri, Hakani nuk e mori vesh, sepse ishte i sëmurë.
“Hotel Pokrok është komedi fine me skenar e regji të Hysen Hakanit. Është një film 10 minutash me cilësi perfekte bardhezi, xhiruar në film 35 mm. Çdo prodhim i Fakultetit të Filmit dorëzohej një kopje negativ e pozitiv”, thotë Milkani.
Regjisori i njohur shton se amaneti i Hakanait ishte që filmi të shfaqej dhe amaneti u plotësua. “Duke pasur të dhëna të sakta për të e kërkova filmin në arkiv, bëra edhe një deklaratë ndershmërie që s’do përdoret për qëllime komerciale dhe ma dhanë. Është nga të paktët studentë që u diplomua në Pragë. Ishte prodhim i vitit 1956 dhe 61 vjet me vonë pa dritën e ekranit në ceremoninë përkujtimore. Është një film i mirë, jo vetëm nga ngjarja e subjekti, por edhe nga aktorët që interpretojnë në të. Janë aktorët më të mirë të filmit e teatrit çek dhe kjo është meritë e Hakanit”, tha për “GSH” Milkani. Falë këtij punimi, fakulteti i dha Hakanit 3 km film, ai erdhi në Shqipëri e xhiroi “Fëmijët e saj” me Marie Logorecin. Me Hysen Hakanin dhe Kristaq Dhamon, u krijua bindja se në Shqipëri mund të bëhen filma artistikë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.