MILOSAO

ÇFARE LEXONTE FAIK KONICA

11:23 - 17.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Jack Chekrezi

Faik Konica ishte edhe orientalist. Ai njihte gjuhët kryesore të Lindjes së Afërme, përfshirë osmanishten, arabishten, turqishten e hebraishten.  Konica njihte në thelb historinë, kulturën dhe qytetërimin oriental. “Hurmat e Arabisë”, përmbledhja me përralla e shqipëruar prej tij, përbën kontribut të shquar në përsiatjet ndërkulturore.
Takimi i parë virtual me Konicën e leximet e tij, botuar në Milosao Nr.259, 13 dhjetor 2016 , na pruri disa nga lirikat kineze. Ato sollën thjeshtësinë, sensualitetin, origjinalitetin dhe qasjen filozofike pacifiste të Orientit të Largët.
“Takimi i dytë virtual libresk” me Faik Konicën na vjen përmes botimit simpatik, tashmë pjesë e koleksionit të Bibliotekës Kombëtare, të titulluar “Antologji Persiane”, botuar në Londër më 1927.  Përkthimet në anglisht janë të orientalistit të shquar Edward G. Browne. Një tjetër libër i çmuar nga biblioteka e Konicës, studim për Islamin nga Ignaz Godziher, ka qenë në zotërim të prof. Browne, siç vërtetohet nga nënshkrimi në libër.
Poezitë persiane, të përcjella në këtë vëllim, përbëjnë disa nga margaritarët e poezisë lirike botërore. Ndërkohë që Noli shqipëronte Rubairat e Omar Khajamit, Konica shijonte kryevepra të tjera të autorëve të tjerë persianë.
Poezia persiane i ka rrënjët thellë në histori. Periudha e parë është “shkolla epike lirike”, e pasuar nga misticizmi, që zgjati 150 vjet dhe la gjurmë të pashlyeshme. Kthesë monumentale është rënia e shtetit Zaraustrian në mesin e shekullit VII e.j. si rrjedhojë e pushtimit arab. Persët adoptuan besimin dhe alfabetin arab, duke I dhënë Bagdadit si shkëmbim shkëlqimin e kulturës së tyre. Në shekullin X kemi poezitë e para në persishten e rilindur, me poetin e verbër, Rudakiun. Në kapërcyellin e mijëvjeçarit hasim mandej Sulltan Mahmudin e Ghaznës, patron i vërtetë i letërsisë perse, që mbante 400 poetë në oborrin e vet, prej nga zgjidhej edhe Kryepoeti, ose Mbreti i Poetëve. Trajtat e lëruara ishin ode ose elegji (kasida) dhe lirikat (hazal), me strukturë e rimë të përcaktuar.  Në oborrin e Mahmudit u ngrit Firdusiu, ose Homeri i Iranit; aty u lind edhe Shahname-ja, ose Libri i Mbretërve, duke risjellë në poezinë perse origjinalitetin epik të traditës.  Si njëfarë “revolte” nga sundimit arab lindi edhe poezia e tipit Ruba’i, me Omar Khajamin si njërin ndër përfaqësuesit e shquar të saj.  Tufa e poezive të mëposhtme përcjell edhe një ruba’i të Abu Sa’id ibn Abi’l Khayr, pararendësi i Khajamit. Përmes formës së misticizmit, aty natyrisht gjejmë edhe gjurmë të Verës dhe të së Dashurës.

SANA’I  [shekulli XII]      Nr. 13
Ah, ajo zemra jote, që dhimbjen dhe hidhërimin i harron,
Dhe gjurmë Dashurie asfare nuk  tregon,
Dashurinë tënde, dashurinë tënde zgjodha; kurse pasuri,
S’prish punë nëse kurrfarë pjesë në pasuri s’kam!
Pse kamja Botës i takon,
E askurrë Bota dhe Dashuria bashkë nuk shkojnë ?
Atëherë kur në zemrën time vendin ti ta gjesh,
Vetëm atëherë zemra time e mjerimit skllave kurrë më s’do të jetë.

Abu Sa’id Ibn Abi’l-Khair [967 –  1049]    Nr. 14
Nga ty kërkoj, ose më mirë, të urdhëroj që,
Kur vakti të vijë nga kjo botë për t’u ndarë,
Në varr të m’i gdhendësh këto fjalë:
“Një i dashuruar prehet këtu”,
Me shpresën që, një tjetër i dashuruar, që
Ligjet e Pasionit i njeh mirë,
Pranë varrit tim të mund të pushojë, dhe
Mua, të dashuruarin e dergjur nën dhe, ta kujtojë.

Parafrazë    Anonim      Nr. 15
Kurrnji vend nuk e gjej, ku dashninë qi kam për ty ta kumtoj,
A, kur at’ vend ma n’ fund e gjej, rivali tem ballaz aty m’del,
A, kur vendin ma n’fund e gjeta, dhe ty n’vedi t’shof,
Vetvedin trandem me e gjet, por, medet,
Ay krejt i përhumbun tash asht në moh.

FIRDUSI [935  – 1025] Nr. 18
Edhe vetëm një natë sikur ti e imja të ishe, dhe në tëndin gjoks të prehesha,
Koka time plot zjarrm, në qiell do të ish lartësuar,
Tek gishtat e Mërkurit penën do ta kisha thyer;
Dhe kurorën e Diellit, si çmimin tim, do ta kisha rrëmbyer.
Shpirti në qiellin e nëntë të parajsës do të fluturonte
Kurse koka krenare e Saturnit nën këmbët e mija do të dergjej,
E mandej krejt dashnorët e mjerë, tek vuanin e vdisnin, do t’i mëshiroja,
Nëse hijeshia tënde, a buzët, a sytë e tu, të mija do të ishin.

FIRDUSI Nr. 27
Shumë në jetë u mundova, e shumë shkrime qëndisa,
Libra të tërë në arabisht, dhe në persishten e vjetër shkruajta:
Shumë gjëra mësova për artin këto gjashtëdhjetedy vite:
Por vallë çfarë fitova? Lavdi? Flori?
Veç pendim për të shkuarën, e keqardhje për dështimet,
Nga ditët e rinisë sime çdo kujtim është larguar,
Dhe për rininë vajtoj, me kujë e me ligje,
Siç pat thënë Khusrawani Bu Tahir*:
“Rininë e vërtetë si vegim kujtoj:
Medet rininë time tash rri dhe vajtoj !”

*Poet i shquar i periudhës së hershme Samanide të poezisë poezisë persiane. Ja dy vargje të njohura të tij: “Kujtoj të ritë time, dhe ofshaj. Medet për të ritë, për rininë e ikur për gjithmonë”.

Përzgjedhur dhe shqipëruar lirisht nga anglishtja prej
Jack Chekrezit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.