MILOSAO

EKSKLUZIVE/ Zbulohet portreti i panjohur i 1800, i nipit të Ali Pashës

10:20 - 17.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Prof. Irakli Koçollari &Oltion Muzaka

Pushtimi i gjatë osman veçsa i ndërpreu rrjedhat normale të zhvillimit ekonomik, politik, kulturor të trojeve arbërore dhe të rritjes natyrore të fisnikërisë vendase, etj., Ajo ndërpreu kontaktet e natyrshme të kësaj popullsie me botën perëndimore. Arti, kultura, piktura, skulptura, arkitektura, tradita e veshjeve, morali, religjioni, etj., u ndikuan thellësisht nga bota lindore. Vetë Arbëria dhe arbërit për gati tre shekuj të tërë u bënë përherë e më pak të pranishëm në vëmendjen evropiane, në botën, marrëdhëniet dhe këmbimet me ta. Sigurisht, po aq të munguar qenë ata edhe në aspektin viziv, në kulturën, në artin figurative, letërsinë dhe kozmosin tronditës të rilindjes evropiane dhe pas saj.
Do të duhej të vinte fundi i shekulli XVIII, epoka e Pashait tepelenas të Janinës, Ali Pashës, njeriut që bëri epokë, që evropianët të kthenin vëmendjen drejt brigjeve arbërore dhe vetë shqiptarëve. Tronditjet dhe kapërcimet e mëdha që ai solli në fushat e ekonomisë, bujqësisë, tregtisë, ndërtimtarisë, diplomacisë, politikës, etj., detyruan fuqitë më të mëdha evropiane të kohës të kthejnë vëmendjen dhe bashkë me të edhe kontaktet me këtë burrë që u bë faktori më i rëndësishëm politik në gadishullin ballkanik.
Fuqitë më të mëdha të kohës, Britania e Madhe, Franca, Rusia, etj., qenë të interesuara apo u detyruan të marrin kontakte me Ali Pashën, të vendosin institucionalisht përfaqësitë e tyre diplomatikë, konsullorë, tregtarë apo ushtarakë dhe të kërkojnë apo nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi dhe aleanca me karakter ekonomik, ushtarak apo politik. Një numër i pafund diplomatësh, politikanësh, ushtarakësh, tregtarësh, spiunësh por edhe artistësh nga vendet e perëndimit, të nxitur nga motive romantike apo atraksioni me karakter illuminist, filluan të zbresin në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit që kufizonin brigjet perëndimore të Pashallëkut të Janinës.
Ali Pasha, Arbëria, Pashallëku i Janinës apo Shkodrës dhe shqiptarët filluan të bëhen përherë e më shumë subjekte më interes për shkrimtarët, historianët dhe piktorët në zë të Europës. Xhorxh Gordon Bajroni poeti më në zë i Europës u dedikoi poemën e njohur “Çajlld Haroldin”, – Aleksandër Dyma shkroi romanin “Pashai i Janinës”, Viktor Hygoi i dedikoi poemën “L’es Orientales”, Gëtja shkroi vargje dhe poezi për ta, etj. Gazetarë britanikë, francezë, danezë (Olaf Bronstad) dhe gjer amerikanë intervistuan dhe shkruan artikuj në gazetat qendrore të këtyre vendeve, si në “Monitor”, “Parisien”, “Herald News”, etj. Kompozitorë të njohur italianë, britanikë, gjermanë, francezë, etj., krijuan rreth 22 opera, dedikuar Ali Pashës, të cilat u interpretuan në “La Scala” të Milanos, “Royal Opera” të Londrës, “Comman Garden” të New Yorkut, “Shtadeopera” të Berlinit, etj.
Piktori më në zë i kohës, Eugen Delakrua (autori i tablos “Liria mbi barikada”) punoi një numur tablosh me skena luftimesh dhe betejash të shqiptarëve të ngarkuar me armë dhe fustanellat karakteristike. Pak vite më vonë piktori britanik Eduard Lear punoi rreth 400 akuarele nga dy udhëtimet e ndërmara në territoret e Arbërisë. Një numur tjetër piktorësh britanikë, gjermanë, italianë apo francezë zbritën vetë në këto anë dhe punuan nën impresione të thella peisazhe mahnitëse, portrete, skena lufte, skena dashurie, dhe gjer kostumet me dekoracione dhe ornamenmte befasuese të banorëve të krahinave të ndryshme të vendit tonë:
Cartright, piktori anglez punoi në gjininë e peisazhit por edhe të portretit dhe skena të jetës shqiptare. Ai pati rastin dhe fatin që Pashai hijerëndë ti pozonte dhe ai të punonte një portret në bojra vaji, në ambjentet e pritjes në pallatin princëror në Janinë.


Leon Dupre piktori francez punoi një numur peisazhesh por edhe portretin e njohur të Ali Pashës, ndërsa qëndron i mbështetur në një barkë, në një lundrim çlodhës në liqenin e Janinës. Po ky piktor është i pari dhe ndoshta ndër të vetmit që punoi edhe dy portrete të nipërve të Ali  Pashës, të Ismailit – djalit të vogël të Veli Pashës (Djali i vogël Ali Pashës), dhe të Mehmetit, djali i vogël i Myftar Pashës (djali i madh i Ali Pashës).
Sigurisht, është i pafund numuri i artistëve dhe krijuesve që lanë vepra me vlerë për këtë Pasha dhe për shqiptarët e kohës. Fondi i paçmuar i tyre plotëson në mënyrë permanente dimensionin e historisë dhe të biografisë së shkruar dhe asaj pamore të vendit dhe popullit tonë. Por, jo tërë inventari i këtij thesari është është i njohur. Krijime dhe vepra të panjohura arti dalin periodikisht në dritë duke na befasuar me prurjet që ato na ofrojnë…
Një të tillë na sjell nga fondi personal i antikuareve të tij, Oltjon Muzaka!
Është fjala për nje portret origjinal, të panjohur gjer më tash, i një djaloshi shqiptar, të punuar aty nga fillimi i shekullit të XIX. Deri para pak kohësh ky portret i punuar në një teknikë akuarel dhe pastel, ishte pjesë e fondit të pinakotekës personale të një qytetari parisjen, dashamirës i Shqipërisë dhe i shqiptarëve.
Portreti është punuar në karton vizatimi, që natyrisht për rreth dyqind vjet të ekzistencës dhe të ekspozeve periodike, në qoshen e sipërme të krahut të djathtë është dëmtuar nga koha.
Tabloja na prezanton portretin – bust të një djaloshi shqiptar, pasi kështu e përcjell në “kartelën shoqëruese biografike” koleksionisti francez që e kish trashëguar nga të parët e tij. Djaloshi i portretit mban një çallmë në kokë dhe në trup mban të veshur një këmishë dhe një jelek. Si festeja mbi kokë dhe kostumi i tij janë tregues të qartë të garderobës së familjeve fisnike shqiptare të periudhës së mesjetës së vonë, domethnë e fillimit të shekullit të XIX.
Fatkeqësisht, në qoshen fundore të krahut të djathtë të tablos, ku zakonisht autorët e veprave vendosun autorgrafin e tyre dhe kohën kur është kryer ai punim, gjendet autografi i piktorit të kohës, por jo i ditëve kur është realizuar ky portret. Nga një vëzhgim i kujdesshëm arijmë të lexojmë apo identifikojmë me vështirësi emrin apo autografin shkruara nga autori, “Grenal” apo “Grimal”!!!. Hë për hë nuk mund të flasim më shumë për këtë autor, ndoshta studime të mëtejme do të ndriçojnë të panjohurat.
Lloji i letrës së vizatimit, vjetërsia e saj, si dhe materiali me të cilin është punuar tabloja të japin mundësinë të gjykosh se ajo është rreth dyqind vjeçare. Po ashtu, stili i punimit të portretit, i takon epokës së romantizmit, karakteristike kjo rrymë e artit figurativ të shekullit të XVIII dhe dekadat e para të shekullit të XIX.
Ajo që e bën të veçantë tablon është fakti që djaloshi musliman ka pozuar përpara piktorit, një veprim ky i pazakontë i një muhamedani të asaj kohe, që e kishte të ndaluar nga normat e religjionit të tij ta bënte një gjë të tillë. Ky akt na jep të kuptojmë dy shkaqe të kësaj “herezie” të djaloshit shqiptar; – ose djaloshi nuk ka qënë praktikues apo besimtar radikal i islamit dhe normave të tij; – ose klima familjare në të cilën ai është ritur ka qënë e tillë, liberale çka e ka bërë atë të pranojë në mënyrë të natyrëshme pozimin para piktorit të huaj.


Nisur nga karakteristikat e mësipërme, si dhe duke iu referuar eventeve të tjera artistike të kësaj natyre, në këto periudha kohore në vendin tone, mund të bëjmë me dije se:
Në fillimin e shekullit të XIX, më 1809, 1811, 1816, 1820 erdhën në territoret e Arbërisë Jugore, në Pashallëkun e Janinës një numur piktorësh të huaj, sikundër piktori francez Leon Dupre; piktori Italian, Luzeri; piktori britanik John Cartright, etj.
Nëse do ti referohemi njerit prej tyre, francezit Dupre, do të kujtonim se ai i kërkoi Ali Pashës t’i pozonte për një portret dhe Pashai e mirpriti kërkesën e tij, bile i krijoi kushtet komode që ti punonte portretin e njohur në barkën e tij, gjatë një shëtitje shlodhëse në Liqenin e Janinës. Jo vetëm kaq por ky piktor, Dypreja punoi edhe një numur peisazhesh të tjera. Por, ajo që ka më shumë rëndësi për ne, është fakti se ai punoi edhe portretet e nipave të Pashait të Janinës. Dy prej portreteve i takojnë Ismailit, djalit të Veli Pashës (Veliu – djali i vogël i Ali Pashës) në pozicione të ndryshme, në ballkonin e sarajeve të tij, në Janinë. (Shih Portretin nr. 1, Portretin nr. 2) Ndërsa në një tablo të tretë, të realizuar përsëri në ballkonin e sarajeve në Janinë, Dypreja prezanton dy nipa të Ali Pashës. (Shih tablon nr. 3). Ata janë dy djemtë e dy djemve të Ali Pashës; përkatësisht Ismail beu djali i Veliut, i cili qëndron në krahun e majtë të tablos; dhe Mehmeti – djali i Myftarit, që është i vendosur në krahun e djathtë të tablos.
Pra, sikundër shihet, Dypreja i ka kushtuar dy tablo-portrete më vente Ismail beut, por edhe në tablon e tretë kushtuar dy pinjollëve të familjes së Pashait ai e vendos përsëri Ismail beun!
Sigurisht, që kanë qënë karakteristikat e portretit të djaloshit, Ismailit, por pandashmërisht nga to me siguri duhet të ketë qënë edhe karakteri i këtij të riu, i cili dukshëm duhet të ketë pasur një botë krejt të veçantë në raport me fëmijët e tjerë të kësaj familjeje fisnike,  çka e ka bërë francezin Dypre ta punojë në më shumë se një tablo. Ali Pasha ka pasur dhjetë nipër dhe mbesa nga të dy djemtë e tij, por piktori është fokusuar veçmas tek Ismaili, çka flet qartë që ai bënte të veçantën në tiparet, karakterin dhe profilin e tij, në raport me të tjerët.
Ndër elementët më karakteristikë që duket se Dupreja evidenton dhe vendos në fokusin e tablove të tij, dedikuar Ismail Beut duket se janë sytë e djaloshit, vështrimi i tij i mprehtë, plot jetë, gjallëri, depërtues, në lëvizje dhe mjaft karakteristike.
Një meritë e veçantë e autorit, piktorit francez, Dupre, është fakti se ai ka aritur të dallojë në kontaktin dhe raportin psikologjik me djaloshin karakterin e tij, pra një personazh që përcjell apo rezaton mënçuri, zgjuarësi të veçantë.
Që ishte i tillë Ismaili do të na duhej të kujtonim se çfarë i ka shkruar në njërën nga letrat dërguar nënës së tij Bajroni pasi kishte vizituar Pashain e Janinës dhe kishte takuar pothuaj tërë pjestarët e familjes së tepelenasit: “Më kujtohet , shkruan ai nga Stambolli më 18 Qershor 1810, – pyetja që më bëri nipi i Ali Pashës, një çunak dhjetë vjeçar, me dy sy të zinj që gratë tona do ti blinin me çfardolloj çmimi … … dhe pyetjen që më bëri me tërë rëndësinë e një burri 60 vjeçar. Pa kuptuar u bëra mik me të.”
Dhe që djaloshi, Ismaili ka qënë i tillë do ta tregonin vitet që do të pasonin.
Nëse do ti referoheshim rjedhave të jetës së këtij njeriu, Ismailit, do të të gjenim vërtet ngjarje dhe një karjerë që e bënë atë krejt të veçantë në raport me të gjith nipat e tjerë të Ali Pashës. Kështu, mbas vrasjes së Ali Pashës, pothuaj pjesa më e madhe e pinjollëve pasardhës të Pashait të Janinës u vranë nga Sulltani dhe Portë e Lartë, për shkak të rrezikut potencial që ata paraqesnin për atë Sovran. Ndër të paktët që shpëtoi nga kjo hakmarrje makabre ishte Ismail Beu. Madje, ky njeri jo vetëm i shpëtoi ndëshkimit fatal por bëri edhe karjerë për shkak të aftësive dhe meritave të veçanta që ai tregoi në mjaft evente me karakter ushtarak dhe politik, në ngjarjet që shoqëruan Perandorinë Osmane të kohës. Në moshën gati dyzet vjeçare Ismail Beu ariti të marë gradën e gjeneralit dhe u emërua Pasha i Beogradit, vend në të cilin ai qëndroi për shumë vite dhe mandej u ngjit në hierarkinë e Portës së Lartë dhe gjetiu.
Duke u parë portretin e bukur të djaloshit shqiptar që ka në fondin e tij Muzaka, (Shih Portretin nr. 4) të vendosur përbri tre tablove të tjera, gjykojmë se kemi të bëjmë me Ismail Beun, ndoshta të punuar një apo e shumta dy vite më vonë, pas punimeve të realizuara nga Dupre. E themi këtë pasi të krijohet përshtypja se në këtë rast djolishi është pak më i ritur.
Elementët që e identifikojnë këtë djalosh me Ismailin janë gjithashtu veshjet e tij, turbani karakteristik i vijëzuar që ai mban në kokë, i cili është i njejtë me atë që mban Ismaili në portretet e ralizuara nga Leon Dupre. Po ashtu këmisha dhe jeleku me kopsa janë po atë që gjenden edhe në portretet e Dypresë.
Një element i ngjashëm dhe karakteristik në të tre portretet e të riut Ismail, tek tablot e realizuara nga Dupreja janë sytë dhe vështrimi i tij i veçantë. Çuditërisht, edhe tek portreti në posedim të Muzakës, portreti i të riut duket sikur piktori ka pasur në evidencë të veçantë sytë dhe vështrimin e tij karakteristik. Pra, atë që të dy piktorët e kanë materializuar me majën e penelit të tyre, mjeshtri i letrave, Bajroni e ka përshkruar me mjeshtëri me majën e penës së tij.
Dhe së fundmi do të donim të nënvizonim se në atë botë obskurantiste të fillimit të shekullit të XIX, asnjë musliman nuk do të merte kurajën të pranonte një herezi të tillë, të pozonte përpara piktorëve europianë, pasi një akt i tillë ishte i dënueshëm edhe penalisht. Mjafton të kujtojmë faktin se kur piktori anglez, Eduart Lir erdhi në vendin tonë më 1848 dhe punonte peisazhet e tij në Janinë dhe Elbasan, turmat e kuriozëve që e shihnin dhe i shkonin nga pas mërmërisnin tërë përbuzje dhe mllef “shejtani, shejtani…” – dërguar nga djalli!
Në këto rrethan na lind e drejta të gjykojmë se vetëm një njeri që vinte nga radhët e familjeve me pushtet apo kishte mbështetje të pushtetit mund të pranonte të sfidonte apo thyente rregullat dhe kanonet religjioze. Një i tillë ishte Ismail beu, i cili e kishte bërë këtë “akt rebelimi” pak më parë me piktorin francez Leon Dupre, veprim të cilin e kishte bërë edhe gjyshi i tij Ali Pasha.
Në këto rrethana do të  ishte krejt normale që Ismaili të pozonte pa droje edhe përpara piktorit tjetër francez që do të vizitonte një apo dy vite më vonë oborin e sarajeve të Ali Pashës në Janinë, duke na lënë kështu trashëgim një vepër me vlera për fondin e kujtesës tonë në histori dhe në art.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.