MILOSAO

Për Kadarenë dhe antikomunizmin

11:11 - 17.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Gjergj FRASHERI

Para do javësh teksa drekoja në picerinë përballë universitetit të München-it (dhjetor 1990), një shqiptar nga Kosova që m’u paraqit si shkrimtar, m’ë pyeti në se vepra e mjegullt “Pashallarët e kuq” e Kadaresë e ka atakuar regjimin e Enver Hoxhës, sepse kishte dëgjuar se ajo ishte hequr nga botimi në mes të viteve 70’. Libra dhe poema të ndaluara nga cenzura e diktaturës – i thashë – kanë qenë me shumicë dhe nga shumë autorë të botuara apo nëpër redaksitë, jo patjetër të shkruara prej tyre për të kundërshtuar regjimin e Hoxhës. Veçanërisht për rastin e Kadaresë kjo është një pallavër që të heq oreksin edhe kur të ka marrë uria. Këtë mund ta hanë lexuesit e Kadaresë  që nuk kanë jetuar në Shqipëri. Në kohën kur janë shkruar rreshtat e “Pashallarëve të kuq”, në Tiranë binin natë e ditë sazet e propagandës shtetërore për të hyjnizuar raprezaljet në art, kulturë, ushtri, ekonomi, e gjetiu. Ka qenë koha e pikut të kultit të Enver Hoxhës – më saktë ka qenë koha e ndëshkimeve të panumërta të Enver Hoxhës ndaj “pashallarëve” që vetë i kishte zgjedhur për të zbukuruar oborrin e tij. “Pashallarët” që ai vetë i zgjidhte dhe i vinte në krye të punëve të veta, u priste vetë edhe kokat.  Prandaj i zgjidhte ai kryesisht nga ai mall, që nuk i vinte keq askujt pse i pritej koka. Jo vetëm nga pashallarët e kuq, por as nga pashallarët e zinj nuk e gjente gjë Kadarenë derisa ai botonte vepra si “Dimri i vetmisë së madhe (apo Dimri i madh)”, që hyjnizonin bëmat e Enver Hoxhës nëpër botë, të cilat në të vërtetë ishin heroike për afirmimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve pas pesë shekujsh. Sëbashku me miqtë e ngushtë të mi të viteve 70’ nuk kam ndjerë atëherë ndonjë rrezik, se Kadareja mund të ndëshkohej nga regjimi. Zoti na ruajtë! (Po kush do ta ndëshkonte Kadarenë, Nexhmije Hoxha, Dhimitër Tona apo Mihal Bisha?!). Vetëm Enver Hoxha mund ta ndëshkonte atë. Por kjo temë ishte mbyllur për mbretin, derisa për kryeveprat politike letrare të Kadaresë derdheshin paratë e popullit për t’u përkthyer dhe për t’u shitur nëpër libraritë e Francës e më tej. M’ë kujtohet një vlerësim i mikut tim të ngushtë të asaj kohe, i cili e përmblodhi me këto fjalë – “Edhe punën e krimeve që ka bërë Enver Hoxha na e arsyeton dhe na e sqaron shumë saktë Kadareja në librat e tij. Kështu duhet t’i priten kokat pashallarëve të kuq, siç ia preu atyre Stalini dikur, siç ia pret edhe Enver Hoxha sot”. Po se kush e gatuante këtë prerje kokash – Kadareja është memec. Mos ndoshta pashallarët i emëronin nëpunësit e administratës socialiste? Në perandorinë Osmane pashallarët dhe vezirët i emëronte vetë sulltani. Emërimet e pashallarëve të kuq në Shqipëri i bënte  Enver Hoxha dhe sistemi i tij, të cilët zgjidheshin me qiri nga “gjiri i popullit”? Nuk e di Ismaili këtë? Të tregosh në letërsi se si priten papushim  koka të kësaj kategorie pashallarësh pa vlerë qytetarie, shkrimtari nuk ngrihet kundër diktaturës, por ligjëron veprimet e xhelatit, rrit madhështinë e mbretit në sytë lexuesit dhe e shtyn atë në akte të tjera të kësaj natyre. Se sa për shtat i ka shkuar kjo letërsi Enver Hoxhës, e tregoi koha të paktën deri më 1985. Vepra e Kadaresë nuk u hodh poshtë as mbas “Pashallarëve të kuq”. Po t’i kishte “mbetur hatri” mbretit, shkrimtarit do t’i merrej shpirti me soj e sorollop. Vepra e Kadaresë nuk u hodh poshtë as edhe mbas “arratisë” së tij para tre muajsh prej liderëve politikë postkomunistë në Shqipëri, madje as edhe metodës së prerjes së kokave të pashallarëve të kuq, sepse kjo metodë është arma e përsosur për mbajtjen e pushtetit të fituar më 16 Shtator 1942 (mos e harroni këtë deklaratë të Enver Hoxhës më 1982 në përvjetorin e Pezës). A nuk përputhet metoda Hoxha-Kadare për mbijetesën e pushtetit të fituar në Pezë edhe të letërsisë së tij politike deri më sot përmes kamuflimeve? Tre dekada (1960-1990) nuk ka qenë e mundur të mbijetonte krijimtaria e një shkrimtari pa bërë letërsi politike të përshëndetur nga mbreti i diktaturës që kaluam.
Koha eci dhe njerëzit një ditë ndjenë se kjo metodë e luftës së klasave shkaktoi në mënyrë artificiale shumë shprishje të rënda të jetës së shqiptarëve, solli natyrshëm shumë fatkeqësi e brenga, amanete, të cilat të gjitha së bashku formojnë sot një Reaksion prezent e të fuqishëm, por të padukshëm, pa emër dhe pa adresë. Ky Reaksion, që e njeh shumë qartë se ç’është lufta e klasave sepse e ka vuajtur në kurrizin e tij, ka shpagim për të marrë dhe kjo, kur dhuna ka qenë e gjatë dhe e rëndë është e prirur të mos ndalet. Thirrja që bën Kadareja në deklaratën e tij, për përpjekje të gjithë shqiptarëve në shmangien e një katastrofe, tregon se ai e sheh të mundshme një situatë të ngjashme me atë të Rumanisë. Dhe në një vend ku për dekada rresht, njerëzit përpara se të mësojnë abetaren, u imponohet të binden se ata jetojnë midis armiqve të brendshëm e të jashtëm, me psikozën e burgosjes, internimit dhe të luftës kundër njëri tjetrit, katastrofa është vërtet e mundshme. Vala e një revolte të tillë ka qenë probabilisht “ndëshkuesi” i vetëm dhe i mundshëm i shkrimtarit. Elementi i interesuar për ndëshkimin e tij nuk ka munguar, por për rastin e tij, ai nuk ka të bëjë as me PPSH-në dhe levat e saj dhe as me forcat e vërteta përparimtare demokratike, të cilat kurrsesi nuk mund të angazhohen në ndëshkime. Çdo shqiptar që i ka shërbyer diktaturës në Shqipëri më tepër se sa detyrat normale të qytetarit dhe e ka lënë hijen e tij të bjerë mbi të tjerët, do të ketë për rrjedhojë kundërveprimin e vet. Pikërisht paniku real prej një kundërveprimi të tillë, ka më tepër mundësi për mendimin tim se të tjerat, të jetë burimi i vendimit të tij për braktisjen e vendit. Vetëm një arsye e kësaj natyre, ku drejtimi i ndëshkimit është i pa kontrolluar dhe mundësia e mbrojtjes është rastësi, e detyruan atë të largohej nga skena politike e momentit dhe të sakrifikonte edhe zërat nga bota e jashtme, të cilat e shikonin si të vetmin intelektual shqiptar të njohur në mjedisin evropian që mund t’i besohej përkrahja e tyre dhe mund të kontribuonte më shumë se të tjerët për sjelljen e demokracisë në Shqipëri. Në rrethana të tjera më pak të rrezikshme për atë, ai nuk do të tërhiqej karshi një konsideratë të tillë. Por bota e jashtme, shumë herë e paqartë mbi brendinë e jetës së mbyllur shqiptare, ndoshta nuk mund ta besojë, se me opinionet dhe propozimet e saj, e shpejtoi shumë ikjen e Kadaresë, ashtu siç nuk është çudi që ajo të mos e besojë se shkrimtari shqiptar me famë evropiane nuk gëzon simpatinë e pjesës dërrmuese të lexuesve shqiptarë. Arsyeja është se shqiptarët nuk e shohin veten në veprat e tij. Ata mendojnë se për to janë të interesuar kryesisht udhëheqja e vendit dhe bota e jashtme.
Detyrimet për të mos e “tradhtuar” deri në fund PPSH-në, pasiguria për të zënë një vend të nderuar në regjimin e ardhshëm demokratik në Shqipëri dhe paniku i “ndëshkimit” nga elementet e revoltës gjatë një ndeshjeje të mundshme civile në rrugën e fitores së demokracisë, janë për mendimin tonë arsyet që e detyruan shkrimtarin shqiptar të braktiste vendin së bashku me familjen në fund të tetorit të kaluar dhe të kërkonte strehim politik në Francë.
Shpëtimi fizik nga kundërveprimi i mundshëm që me të drejtë ka parandjerë, nuk e shpëton Kadarenë nga ndëshkimi i tij moral. Jeta dhe vepra fondamentale e tij e derisotme iu përkushtuan me energji të rrallë hyjnizimit të epokës së diktaturës në Shqipëri, të cilën ndryshe, vetë PPSH-ja e ka emërtuar si epoka e Enver Hoxhës. Vështirësia për t’ i gjetur vetes një pozicion posa u dëgjuan kambanat e lëvizjes së ardhshme demokratike në Shqipëri, buron nga pozicioni i mëparshëm i “këngëtarit të parë letrar” të politikës dhe kontributit të “njeriut  më të shquar që ka nxjerrë deri më sot populli shqiptar”. Kjo është arsyeja, që si për “fitoret e Pirros” të epokës në fjalë, si për pasojat që ajo ka lënë, të cilat tashmë kërkohet t’ i jetojmë me durim e shpresë  të re, figura e Kadaresë në kompleksitetin e vet si politikan dhe si shkrimtar, nuk mund të jetë një shembull i luftëtarit të asaj demokracie bashkëkohore, që po kërkojnë sot shqiptarët me plot të drejtë qytetarie dhe ndërkohë me shumë vonesë historike. Prandaj e shohim me shqetësim pozicionin adhurues që mbajti ndaj tij, që në hapin e parë, gazeta shpresëdhënëse “Rilindja Demokratike”, e cila prej vetë emrit të saj, tregon se ka marrë mbi vete një detyrë të çmuar historike, të shërojë ndërgjegjen e rënduar të një populli, që në këtë çast ka si njërën prej alternativave – ndeshjen civile (larje hesapesh).
Personalisht nuk do të dëshiroja të polemizoja me këtë organ të parë të opozitës, i cili na ngrohu shpresat si “lindja e një fëmije të mbarë”. Këtë nuk ta lejon zemra dhe nuk është as e udhës. Por një fjalë duhet, kur vëren se dikush nga udhëheqësit e rinj të Partisë Demokratike, për të fituar autoritetin në popull, ndjen nevojën të veshë “petkun e shokut të ngushtë” të Ismail Kadaresë, për të bindur të tjerët se është një luftëtar i flakët i rilindjes demokratike, ose kur dikush tjetër, shpreson se nëpërmjet veprave të Kadaresë do të frymëzohet populli për të përmbysur regjimin në fuqi – këta nuk bëjnë gjë tjetër veçse vazhdojnë “lojën e vjetër”. Madje nuk mund të bëjnë më tej, siç duket, pa një kult të ri.
Dëshmia më e freskët e profilit të veprës së Kadaresë u përcaktua edhe një herë më tepër pas aktit të shkrimtarit, prej vetë udhëheqjes së PPSHsë. Ndërsa vetë ai u shpall si dezertor i radhëve të saj, vepra e tij e plotë e botuar deri më sot nuk u prek, por u la të jetonte. Siç e ka vënë ndërkohë në dukje me saktësi edhe shkrimtari shqiptar dhe miku i deklaruar i Kadaresë, N. Tozaj, rasti i dy qëndrimeve kontradiktore që mbajti udhëheqja shqiptare, duke mos e prekur veprën por duke ndëshkuar vetëm dezertimin e shkrimtarit, përbën të vetmin përjashtim në historinë e ndëshkimeve të intelektualëve shqiptarë në këto pesë dekada të fundit (N. Tozaj, A është ndjekur Ismail Kadareja, gazeta Rilindja Demokratike, 30 Janar 1991, f. 5). Arsyeja nuk është se udhëheqja shqiptare dhe aq më pak “administrata e saj shtetërore burokratike” u detyrua të bënte këtë “exception” për faktin se u ndodh përpara një “gjeniu”, siç shpreson me romantizëm miku i tij, sepse për gjenira që i kanë “shkelur sado pak në kallo”, PPSHja as ka pyetur dhe as që ka për të pyetur. Arsyeja është se mbajtja e këtij qëndrimi kontradiktor vjen nga fakti se vepra e Kadaresë nuk mund të ndalohet sa të jenë në pushtet adhuruesit e stalinizmit shqiptar. Ndalimi i saj do të thotë të mohosh veprën e Enver Hoxhës dhe fitoret historike të personazhit, pra për rrjedhojë të vrasësh vetë heroin. Madje ky qëndrim i PPSHsë e bën krejt të pasaktë edhe pretendimin e Kadaresë, që të njihen përpjekjet e tij për zbutjen e regjimit në Shqipëri. Mjerisht, sa kohë që shkrimtari qëndroi vetë në Shqipëri, regjimi nuk ka qenë asnjëherë i butë (ndoshta u bë më tolerant pas ikjes së tij). Ai qé siç tashmë njihet, një regjim plotësisht diktatorial klasik, i cili nuk arriti të zbutej as prej fjalës “proletariat” që mbajti tërë kohën mbi shpinë, por i shkaktoi atij vetë në finale dhunimin ekonomik e shpirtëror. Dhe ndoshta padashur, Kadareja kontribuoi në madhështimin e këtij regjimi, domethënë në egërsimin e tij. Shkrimtarin e kthyen vetë në një kult, që njerëzit të bindeshin kur lexonin veprat e tij kushtuar Enver Hoxhës, se piramida me famë e shkrimtarit ishte gjithnjë më e vogël nga ajo e “Tabusë”. Në këtë lojë të vjetër të regjimeve diktatoriale të Orientit, pretendimi i fundit i shkrimtarit i shoqëruar me gjestin e heronjve të tij mesjetarë, është një rast brenda skemës tradicionale të lojës orientale.
Veneracioni që kanë  disa udhëheqës të tanishëm të Partisë Demokratike në Shqipëri, që Kadareja të jetë lideri i ardhshëm i demokratizimit të vendit, po mban larg prej saj ende shumë forca të reja e të vjetra intelektuale përparimtare, megjithë, ndjesitë e tyre për kontestimin pa kushte të udhëheqjes në fuqi në votimet e ardhshme. Ata kërkojnë prej Partisë Demokratike që ajo të mos identifikohet me “partinë e Ismail Kadaresë”. Po qe se do t’ a shprehim në mënyrë figurative, ata kërkojnë prej saj “pulën” dhe jo “sorrën”, për hir se kjo e fundit është më e mirë se “gjarpri”. Përvoja e liderit të ri që pretendon demokratizimin e vendit, i cili më parë ka qenë një prej liderëve të regjimit të vjetër i kujton atyre Odisenë e Rumanisë. Figura e Kadaresë është në këto momente më shumë se kurrë një dilemë, në mes të rrugës dhe si gjithnjë i mbuluar me mjegull, sepse Partisë së vjetër i duhet vepra e tij, ndërsa Partisë së re kundërshtare i duhet emri i shkrimtarit me famë botërore.
Jeta dhe vepra fondamentale e derisotme e Kadaresë, si dy aspekte të lidhura ngushtë të shkrimtarit shqiptar të epokës së socializmit në Shqipëri, i takojnë të hyjnë me dinjitet e triumf në Muzeun e Lavdishëm të Enver Hoxhës, të cilit i kanë shërbyer. Shqiptarëve u kërkohet tashmë të plotësojnë shumë prej kësaj “vepre me famë botërore”. Në radhë të parë të vazhdojnë sërish luftën për bashkimin, lirinë dhe demokracinë e premtuar.
München 31.01.1991

Dy fjalë si Pasthënie (Gusht 2017):

Nga Gjergj Frashëri

Pjesën më të shquar të veprës së Kadaresë e konsideroj letërsinë politike të tij. Përpjekjet e Kadaresë për të shkruar letërsi me fill ideor të ç’veshur nga politika, nuk kam arritur ta lexoj deri në fund. Deri në fund kam lexuar autorë të tjerë që kanë bërë letërsi tradicionale kombëtare pa politikë. Atëhere  më lejoni të shpreh mendimin tim, se vepra të tilla si si  “Dimri i vetmisë së madhe”, apo poema “Ku t’i gjej rrënjët e tua Parti”, etj. shkëlqejnë në veprën e tij letrare politike. Ato janë përshëndetur njëkohësisht nga mbarë populli dhe pushteti i vendit për dekada të tëra, ato kanë sjellë mirëkuptim, dakortësi, besim reciprok, dyshime dhe paqe të qëndrueshme midis popullit dhe pushtetit. Ato kanë ngjallur diskutime të paimagjinueshme midis tërë shtresave të shoqërisë së kohës, si asnjë vepër e shkrimtarëve të tjerë të vendit, duke u kthyer nga një vepër letrare, në vepër arsimore. Këto vepra janë shitur dhe shpërndarë në kohën e botimit të tyre si të vërteta, si asnjëherë më parë një libër në Shqipërinë e porsadalë nga analfabetizmi shekullor. Kjo lloj vepre e Kadaresë ka mbërritur në çdo kuzhinë të familjes shqiptare nga majat e Malësisë së Madhe deri në fushat e Drinos në Gjirokastër. Ato kanë inspiruar me idealizëm dhe kanë mbushur me besim në vitet 1960-1985 një popull të tërë arsimdashës të dalë nga errësira feudale mesjetare, që ai të mbushej me shpresë dhe të derdhte pa kursim energjitë për të ndërtuar me krenari dhe sakrifica sublime të ardhmen sociale të vet dhe të fëmijëve të tyre. Nuk ka qenë e vogël energjia e çliruar popullore e asaj kohe në ndërtimin e një vendi tejet të prapambetur e të varfër, për të ngritur në këmbë një popull të vogël të copëtuar kombëtarisht dhe me kufij politikë të mbyllur. Çfarë mund të bëjë më shumë një shkrimtar? Edhe sot gjeneratat e reja kuptojnë nga kjo lloj vepre të Kadaresë , më shumë mbi realitetin e asaj kohe se sa u ofrohet nga historia e librave shkollore.
Dikush mund të m’ë akuzojë se vlerësimi im mund të ndikojë në mosmarrjen e Çmimit Nobel nga I. Kadareja. Ju siguroj se kjo nuk ka mundësi të ndodhë. Përderisa po denoncojmë sot bëmat e zeza që ndodhin në Shqipëri qysh nga varfëria popullore, papunësia, industria e drogës, trafikimi ndërkombëtar i sendeve të kundraligjshme, rinia e pakualifikuar profesionalisht dhe e pamotivuar qytetarisht, etj., etj., kurse ndërkohë Parisi i jep titullin kalorës kryeministrit të Shqipërisë për këto bëma të zeza, apo ministres së kulturës për shkatërrimin katastrofal të trashëgimisë kulturore në këto katër vjetët e fundit, ju siguroj të dashur bashkatdhetarë, se as Stokholmi nuk pyet fare se çfarë shkruaj unë apo ju të tjerë, se cilat kanë qenë dhe janë vlerat e veprës së Kadaresë në vendin e vet. Po qe se pushteti i djeshëm dhe i sotëm në Shqipëri i intereson politikisht që Kadareja ta marrë Çmimin Nobël për letërsinë e tij “disidente” ndaj PPSH-së, ai do ta marrë një ditë atë, sepse është një makineri e tërë mediatike që punon për këtë. Ajo nuk është ndalur ndonjëherë dhe nuk do të ndalet asnjëherë.
Vepra letrare politike e Kadaresë e ka marrë vlerësimin e shumicës popullore dhe të pushtetit në kohën kur është prodhuar, jo si letërsi disidente e diktaturës, por si frymëzuese politike e një populli për ndërtimin e diktaturës. Përshëndesim çdo lloj çmimi ndërkombëtar elitar t’i akordohet shkrimtarit mbi këtë të vërtetë, që është edhe morali i veprës së tij, qoftë nga Parisi, qoftë nga Stokholmi, e gjetkë. Populli ynë i copëtuar dhe i vogël është dhunuar jo rrallë herë nga vetë shqiptarët, të cilët gëlltisin çfarëdo lloj “çmimi” që jep luani i huaj për të mbushur barkun e tij.

Kadare, përballë dhe nën regjim

Nga Ben Andoni

Është e disata-herë që Ismail Kadare e thotë hapur: Unë nuk kam qenë desident. Që në këtë moment debati që lidhet me kontributin e veprës së tij merr një kthesë të madhe dhe nuk ka kthim. Të qenurit desident në Shqipëri do të thoshte pushkatim, në më të mirën kurse në më të keqen, zhdukje të individit dhe të gjithë njerëzit përreth. E asokohe këtë përcaktim e kishin të qartë të gjithë, përmes autocensurës dhe rrugës së tërthortë që ndoqën për të bërë veprën e tyre. Vetë Kadare kurrë nuk ka pretenduar se do ishte njeriu që do e zhbënte sistemin ekonomiko-shoqëror në vend. Aman, vepra e tij, pati një kontribut të jashtëzakonshëm sa i përket bashkëkohësisë së letërsisë së kohës. Kjo është kryefjala e vlerës së veprës së tij dhe duket se qasjet e tjera, duke iu afruar kësaj ideje e lodhin temën e desidencës së tij. Sot, mund të diskutohet shumë për elementë të kësaj letërsie, mesazhet dhe mjetet që janë përdorur që kjo letërsi kishte për të mbijetuar, porse ta veçosh pak debatin e Kadaresë vetëm me lidhjen me sistemin, duhet të matemi mirë.
Me sa shihet, Shqipëria që ankohet se me paratë e popullit u mbështet fama e tij, harron se ajo i ka bërë një dëm shumë të madh këtij njeriu dhe vetë nesh me atë që ai mund t’i afrohej kulmit të Nobel. Kuptohet që mundësia për ta marrë atë çmim nga një vend si Shqipëria janë të vogla. Fillimisht prej konjukturës politike e më shumë staturës sonë kombëtare, që në dy dekadat e fundit, për një fat jashtë saj, ka pasur përkime me interesat e SHBA-së dhe Fuqive të Mëdha. Shqipëria ka një rol vetëm rajonal porse kurrë botëror. Dhe, çmimet e viteve të fundit të NOBEl e kanë treguar këtë korrelacion. E megjithatë, shkrimtari, përpos NOBEL-it, ka të listuar tashmë të gjithë çmimet e njohura ndërkombëtare. Kaq mjafton, sa i përket letërsisë, që ne duhet të ndjehemi mirë me kontributin e tij, që s’ka të dytë në vend. Kadare, ndoshta dje shumë më tepër se sot, ku punën e ka vazhduar me esse-sprova ka treguar shumë nga problematikat kombëtare që rëndojnë mbi ne, kurse në letërsi, qoftë edhe pa dhënë ndoshta atë letërsi cilësore, që parashtroi vite më parë, ka ofruar teknikisht në mënyrë cilësore një letërsi moderne. Kjo e fundit është merita më e madhe, për mendimin personal, një gjë që duke përdorur dhe figurën e Enver Hoxhës e ka bërë që prej vitesh të shkuara. Ka pasur apo qasje me Realizmin Socialist? Ka përfituar? Patjetër, si çdo njeri që ka jetuar në këtë qerthull, porse nga ana tjetër na ka ushqyer me letërsi të mirë, bash atë që njerëzit e prisnin në radhë, kurrë pa u qarë dhe u ankuar, para librarive. Sa i përket debateve të sotme, ku po e fusin, do të ishte më mirë që ai vetë t’i bënte bllok me heshtjen, për të jetuar atë segment jete, ku njeriu bën sinteza thelbësore, të asaj që ka dhënë për bashkëvendasit e tij, që gjithmonë mbesin në hakërrim dhe në kërkim të gjësë ndryshe.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Po mire o Ben,
    ke te drejte, nje shkrimtar i asaj permase, dhe i nje emri/fame me te madhe se c’vlen vertete per fatin e kesaj Shqiperie qe rezultoi ne fund te sundimit te Enverit dhe ne fund te lavdise se Ismail Kadarese, sidosi duhet mos lene te bjere me rrokullime…
    Por ai, as sugjerimin tend prej dashamiresi dhe njeriu qe e njeh mire letersine, as ty nuk te “degjon”!
    Ti mire i thua, lere ate punen e disidences, as qe nuk ke qene mos thuaj (se ke qene nga ana tjeter, or njeri, ke qene nder te privilegjuarit)!

    Ja mor’ Ben, (me lejo te perdor kete menyre te thirruri me ty, Beno, dhe, te lutem, mos mu merzit, mos ma merre per keq, se Ismaili e beri me tere shqiptaret. Nuk e vure re?!

    “Mor’ popull shqiptar…-u shpreh shkrimtari- Mor’ Popull Shqiptar, une nuk u bera shkrimtar me voten tende…”!

    Natyrisht qe eshte turp,
    por tek e fundmja, vete-turperim eshte,
    t’i drejtohesh popullit tend,
    nje populli te dale cope e cike prej Diktatures,
    gjate se ciles ti, zoteri, u krekose…

    Natyrisht nuk u bere shkrimtar me voten e tij,
    se shqiptaret dhe ti e dije se atehere nuk votohej,
    atehere vendoste Partia, dmth Shoku Enver…

    Ti me ne fund e ke pranuar se ai te ka ndihmuar, te ka shpetuar,
    jo nje here, dy here tri here, disa here, shume here, e kam thene une kete, e ke thene te Fevzua

    por nga kush te ka shpetuar, zoteri
    sot me ne fund e the: nga “mor popull shqiptar”!

    Turp, i pakthyeshem, i pafalshem…

    E ndjen o Beno,
    sa ligesi ka ne kete shprehje?
    Mosmirenjohes, tek e fundit, ky njeri nuk duhet t’i ishte as Enver Hoxhes,
    qe e beri te vetmin njeri qe dilte jashte shtetit pa dytesin pas shpine,
    jo me shqiptareve…qe e kishin te ndaluar ta zinin ngoje fjalen “jashte shtetit” se perfundonin brenda burgut,
    sic Jusuf Vrioni i gjore, qe…

    Eshte nje koment i shtuar nje liber te madh
    qe po e shkruajne dhe e plotesojne tere shqiptaret
    qe te deshen dhe te nderuan me shume se meritoje
    dhe tani qe nuk ke me fuqi te shtiresh,
    po jua kthen me mosmirenjohje…

    Përgjigju ↓