MILOSAO

POETEKA sjell tregimet e klasikëve

11:20 - 17.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Para pak ditësh “BOTIMET POETEKA” ka sjellë në shqip dy libra, të cilët janë konceptuar si pjesë e një cikli të hapur, titulluar “Novela botërore 1” dhe “Novela botërore 2”. Këto botime janë pjesë e praktike që mbështet mendimin e Italo Calvino-s, lidhur me pyetjen se përse duhet t’i lexojmë klasikët në kohërat moderne.

Para pak ditësh “BOTIMET POETEKA” ka sjellë në shqip dy libra, të cilët janë konceptuar si pjesë e një cikli të hapur, titulluar “Novela botërore 1” dhe “Novela botërore 2”.
Këto botime janë pjesë e praktike që mbështet mendimin e Italo Calvino-s lidhur me pyetjen se përse duhet t’i lexojmë klasikët në kohërat moderne. Përkthyes të këtij gjerdani botimesh që i drejtohet kryesisht lexuesit të ri, janë Arian Leka (V. 1) dhe Silvana Leka (V.2). Mes 11 autorët e këtyre botimeve 3 fitues të Çmimit Nobel.
Dihet tanimë paragjykimi i përgjithshëm lidhur me letërsinë klasike dhe me autorët e saj. Pikëpamja që komercializon edhe vlerat letrare ka arritur të ngulitë në mendjen e lexuesit të vërtetën tregtare se botimi i letërsisë klasike nuk është fitimprurës. Përballë titujve dhe autorëve, që promovohen përmes rrjeteve sociale a përballë librave bestseller që këshillohen nga mediat, madje jo rrallë nga kritikë të sponsorizuar të gazetave apo prej shtëpive botuese që zotërojnë tregun e librit? Po. Përballë tyre libri dhe autorët klasikë janë humbës. Për tregun, jo për vlerat.
Por arsyet e botimit të librit klasik, sidomos të atij që u drejtohet kryesisht të rinjve të moshave shkollore, lidhen me faktin se libri klasik edhe pse i shkruar dhjetëvjeçarë e ndonjëherë edhe shekuj më parë, nuk e ka mbyllur rrugën e komunikimit me brezin më të e ri të lexuesve.
Libri klasik ka ende për t’u thënë lexuesve tek të cilët po krijohen shprehitë e leximit në thellësi. Edhe në lexim duhet një lloj sistematike, për të mos thënë disiplinë. Ndaj dhe lexuesi i ri, që të mos ndihet i humbur, si ai që jeton “kthimin në të ardhmen”, krijon një lloj rendi në lexim.
Përmes letërsisë klasike lexuesi vendos një marrëdhënie me paraardhësit. Për më tepër lexuesi fillon të ushtrojë leximin mes rreshtave, të gjurmojë metaforat, të kuptojë gjuhën e alegorive të përdorura në kohë të ndryshme, duhet të mendoje dhe ku asgjë nuk ishte “Ready made”.
Por jo gjithmonë klasikët na mësojnë me të vërtetë diçka, shton Calvino. Shpesh leximet e klasikëve kane vlerë të veçantë sepse bëhen konfirmim i asaj që ne e dinim prej kohësh dhe e asaj që ne vazhdojmë ta duam.
Kjo bën që leximi i klasikëve të letërsisë të ketë befasinë e një rizbulim, kënaqësinë e një rinjohje, rigjetjen e shijes që ke kërkuar, krijimin e një marrëdhënie të re, pjekurinë e shkëmbimit të mendimeve me njerëz, që nuk ke pasur rastin t’i njohësh dhe të mbështetjes së ideve me autorë-mendimtarë të mëdhenj të tillë si Mark Tëain – Jack London – Gustave Flaubert – Leo Tolstoi – Alphonse Daudet, Miguel de Cervantes, Charles Dickens, Anton Chekhov, Rudyard Kipling, Selma Lagerlof dhe Frederik Mistral, të cilët janë pjesë e “Novelave botërore”, publikuar nga “BOTIMET POETEKA”
Leximi i këtyre autorëve klasikë është dëshmuar se nxit vlerësimin personal, duke i ofruar lexuesit, por sidomos rilexuesve, zbulime të reja mbi botë të harruara.
Përmes këtyre autorëve lexuesi ri kupton më mirë se cilët janë mekanizmat letrarë që vazhdojnë të çlirojnë kënaqësi estetike, që ndikojnë mbi emocionet tona dhe nxitin në qëndrimin aktiv ndaj fjalës si vlerë artistike.
Lexuesi i letërsisë klasike, kupton vlerën e përshkrimeve në një tekst letrar, rolit e imagjinatës, praninë e autorit që e “udhëzon” lexuesin drejt kuptimit të ndjesive dhe emocioneve që janë të përjetshme te njeriu, pavarësisht se në cilën kohë dhe në cilin vend jeton ai.
Falë konfirmimit që koha i ka bërë krijimtarisë së autorëve klasikë, kjo letërsi mund t’u sugjerohet pa drojë shkollave, të cilat ruajnë rolin e epiqendrave me funksion të rëndësishëm në edukimin përmes librit dhe leximit.
Kësisoj, saje një qëllimi dhe ofrimit të një sistemi në të lexuar, mund të shpresohet të kemi sërish klasa dhe grupe leximi edhe në shkolla, të cilat mund të kthehen në qendër prej nga nxiten talente në shkrimin letrar. Por më së shumti, leximet klasike, si bazë dhe një fillim i mirë, u sigurojnë lexuesve të rinj, lexuesve të së ardhmes, mënyrën dhe mjetet e duhura për të sprovuar talentin, shijet letrare, kënaqësitë e leximit si dhe pavarësinë e një vetëdije kritike që fillon të ngjizet që në moshë të re, si për t’iu përgjigjur pozitivisht pyetjes së Italo Calvinos mbi gjetjen e arsyeve të leximit të klasikëve në kohërat moderne.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.