EKONOMI

“Atdheu është lagjja ku jetojmë”, Tirana ka një shkollë të re me emrin e të ndjerit Ardian Klosi

12:09 - 19.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka përuruar sot shkollën   “Ardian Klosi”, që mban emrin e publicistit dhe përkthyesit të njohur. Kjo shkollë hapi dyert për herë të parë për nxënësit e saj javën e kaluar, ndërkohë që ajo u ndërtua edhe falë mbështetjes nga Komisioni Evropian.

Kryebashkiaku Veliaj, i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, kryetarja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin, deputetja e PS, Blerina Gjylameti, si dhe nga familjarë të përkthyesit dhe publicistit Ardian Klosi, u shpreh se kjo shkollë është një nga më modernet e Tiranës, ndërsa zona e Bregut të Lumit po transformohet në një nga lagjet më të mira të kryeqytetit.

Në shkollën e re, nxënësit do të kenë mundësi që përveç lëndës së anglishtes, të studiojnë edhe gjermanisht, e cila është një nga më të kërkuarat aktualisht në tregun e punës. “Përveç anglishtes, kemi futur edhe gjuhën gjermane. Më vjen mirë që në kujtim të Ardianit, jo vetëm si intelektual, por si një gjermanisht folës, jam i lumtur që u prezantuam me mësuesin e gjermanishtes dhe kemi futur gjermanishten përveç anglishtes si një gjuhë të dytë. Për të gjithë ata që do të kenë fatin, shansin, mundësinë të studiojnë të studiojnë në këtë shkollë, do të jenë njohës shumë të mirë të gjermanishtes”, u shpreh Veliaj.

Në fjalën e tij, ai vlerësoi edhe figurën e publicistit dhe të albanologut Ardian Klosi, duke vlerësuar kontributin e tij për shoqërinë shqiptare. “Ardian Klosi është arsyeja pse jemi mbledhur këtu sot dhe i kemi kushtuar këtë shkollë personalitetit dhe kontributit të tij. Një nga intervistat e fundit të Ardianit, ai tha: Atdheu është lagjja ku jetojmë, rrugica ku jemi rritur, shtëpia ku kemi kaluar fëmijërinë, komshiu që kemi përballë; qyteti është atdheu. Ky është përkufizimi më i bukur i ekzaktësisht se çfarë është atdheu”, nënvizoi Veliaj.

Ambasadorja e Bashkimit Europian në vendin tonë, Romana Vlahutin u shpreh e kënaqur për kurorëzimin e këtij investimi me një shkollë moderne, ndërsa kërkoi nga nxënësit që ta mirëmbajnë atë dhe ta përdorin në mënyrën më të mirë të mundshme për t’u bërë më të mirët. “Jam e sigurt që çdo cent që është sjellë këtu është investuar ashtu siç duhet. Ne bëjmë shumë gjëra si BE, por unë mendoj se ky lloj investimi është ai që është më afër zemrës tonë dhe që të investojmë te fëmijët tanë është gjëja më e mirë që mund të bëj BE në Shqipëri, sepse një gjë askush nuk do mund t’ua marrë kurrë askush dhe kjo është njohuria që merrni në shkollë, dija. Dhe unë vërtetë uroj dhe shpresoj që ju do t’i përdorni këto ambiente sa më mirë që të jetë e mundur që të mësoni për njeri-tjetrin, të bëheni miq, të mësoni se ç’është bota dhe të mësoni se ç’është Bashkimi Europian”, përfundoi Vlahutin.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla theksoi se shkolla “Ardian Klosi” është me standardet më të mira europiane dhe me mësuesit më të mirë. Ajo shtoi se është detyra e stafit pedagogjik dhe vetë nxënësve që të justifikojnë këtë investim, si në infrastrukture, ashtu edhe në mësimdhënie. “Për mua është një kënaqësi e veçantë të kthehem në komunitetin tim, ku u rrita, ku u shkollova, ku kalova gjithë rininë time, me një mbresë të jashtëzakonshme falë punës së shkëlqyer të mësuesve, të komunitetit, të Bashkisë së Tiranës dhe posaçërisht ndihmës super të vyer të Bashkimit Europian. Të gjithë ne, por edhe unë në detyrën e Ministres së Arsimit, do e kisha zili këtë shkollë, është shkolla me standardet më të mira europiane, është shkolla me mësuesit më të mirë që janë renditur në portalin mësues për Shqipërinë”, tha Nikolla.

 

 

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.