KULTURË

“Dita zë fill” në Oscar për Shqipërinë

09:23 - 19.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Qendra Kombëtare e Kinematografisë njofton se kandidatura zyrtare e Shqipërisë për kategorinë e “Filmit Më të mirë të Huaj”, në edicionin e 90-të të Academy of Motion Picture Arts and Sciences (AMPAS) është filmi “Dita zë fill”, me regji dhe skenar të Gentian Koçit, një bashkëprodhim shqiptaro-grek, prodhim i ARTALB FILM në bashkëprodhim me GRAAL FILMS, realizuar me mbështetjen financiare të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Qendrës Greke të Filmit, Eurimages, Ministrisë Shqiptare të Kulturës, Radio-Televizionit Publik Shqiptar, Bashkisë së Tiranës si dhe SEE Cinema Network. “Dita zë fill” pati premierën botërore në Festivalin e Sarajevës, ku fitoi “Zemrën e Sarajevës” për aktoren më të mirë protagoniste. Një nënë e re dhe e vetme në Tiranën e ditëve tona. Në luftë të përditshme me veten, ajo gjendet në tallaze psikologjike që thyejnë njerëzoren brenda saj, si një rrugëdalje që i siguron foshnjës një vjeçe strehë dhe ushqim. Miti i Rozafës nxjerr krye, pa u shfaqur i plotë, por duke qenë një fije lidhëse. Ai është pa qenë, për sa kohë, gruaja sakrifikohet, në dy kohë, në dy gra, në dy qenie, të vëna në një apartament, ku jeta e vdekja qëndrojnë këmbëkryq. Përballë Violetës, është një grua në moshë, Sofia, interpretuar mjeshtërisht nga Suzana Prifti. E moshuar dhe e “lidhur” në shtrat për shkak të gjendjes shëndetësore, frymëmarrjet e saj bëhen fija mes jetës e vdekjes. “Në momentet e caktuara që Ornelën e shihja në ato përpjekjet e saj të jashtëzakonshme, u afruam dhe u bëmë një bashkë, u përfshimë te njëra-tjetra, mund të them, dhe në këtë përfshirje lindi ajo dhembshuri”, – tha aktorja Suzana Prifti. Filmi “Dita zë fill” i Gentian Koçit, pati dje premierën në kinema “Cineplexx”, ku shfaqet në ditët në vijim. “Jetojmë në një sistem politiko-social ku është jashtëzakonisht e vështirë për të mbijetuar. Nga ky presion, hallkat poshtë zinxhirit, në rastin konkret të gjithë personazhet që ju patë, përballen me veten, përballen me njëri-tjetrin, luftojnë për të mbajtur të voglën e vet, dhe aty ku hallka është më e dobët këputet”, – tha Gentian Koçi para mediave. “Me ardhjen e postierit, krijohet një trekëndësh marrëdhëniesh, që e detyron Letën të merret tani edhe me emocionet e jashtme ose të merret me luftën e brendshme që ka gjatë gjithë kohës”, – tha mes të tjerash aktori Kasem Hoxha, që luan postierin, “përfituesin” ndaj femrës, figurën mashkullore që sa të shpëton, edhe të mbyt. “Dita zë fill” nuk ka shumë tekst, por ka skenar (atë pjesë që filmit shqiptar të viteve të fundit i ka munguar). Është figura, në lëvizje, a në heshtje, janë mimikat, rrudhat, shikimet e përhumbura, që thonë më shumë se çdo fjalë. Është pulsi që rreh në një dorë plot rrudha, vetëm për të thënë që ende ka jetë. Në pothuaj 1 orë e tridhjetë minuta, filmi i Gentian Koçit përmbledh botën e gruas shqiptare në tërësinë e saj, betejat e përditshme për mbijetesë në një Tiranë gri, që shtrihet përtej ish-Bllokut, në pothuaj tërë lagjet e saj. Aty, luftohet për të jetuar, çdo ditë, prej kur dita zë fill deri në pritjen për ditën tjetër. Luftohet së pari, për strehën e përnatshme, mandej luftohet për bukën e përditshme. Filmi është shumë real, shfaq pa artifica gjetje artistike të stisura, probleme madhore të shoqërisë shqiptare. Për ta bërë këtë, Koçi nuk ka përdorur asnjë shpërthim. Një skenar linear që flet përmes secilës skenë pa pësuar ulje-ngritje. Në një orë e 30 minuta gjejmë korrupsionin, papunësinë, paragjykimin, pragun mes jetës e vdekjes dhe shndërrimin e njeriut.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.