SPORT

Kapiteni i kombëtares shqiptare të volejbollit shpallet kampion Ballkani

10:25 - 19.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Kapiteni i kombëtares shqiptare, Gazmend Husaj, e ka nisur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme duke fituar titullin kampion të Ballkanit për klube (BVA CUP)) me turqit e Inegol Belediyespor. Në finalen e luajtur në Bursa të Turqisë, vendësit mposhtën në finale 3-1 rumunët e CSM Bukureshti ku shqiptari ka qenë pa dyshim protagonisti i triumfit.

Në përfundim, ai doli pikëshënuesi i dytë më i mirë me 18 pikë pas 22 pikëve të shokut të skuadrës Niels. Një ditë më parë në gjysmëfinale Inegol Belediyespor do të mposhtte 3-0 boshnjakët e Radnik Bijeljina. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, diagonalisti kuqezi ia dedikoi trofeun vajzës së tij.

“Ndeshjen e nisëm mjaft mirë duke e mbyllur setin e parë bindshëm në favor. Në setin e dytë e lëshuam paksa lojën dhe na u imponua kundërshtari duke na i marrë këtë set. Pastaj në dy setet e tjerë ne ishim shumë më mirë dhe ia dolëm ta mbyllim kështu ndeshjen me rezultatin 3-1. Ndërsa një ditë më parë mposhtëm ekipin boshnjak Radnik me rezultat të pastër 3-0. Ndeshjen e mbyll me 18 pikë, 5 nga shërbimi me eficiencë 68 për qind”, tha fillimisht Husaj, shkruan PanoramaSport.

KUPAT E EUROPËS

Shtatlarti shqiptar pranon që skuadra e tij ishte favorite në këtë turne. “Të them të drejtën, kemi qenë favoritë në këto dy ndeshje duke parë edhe nivelin e ligave dhe të lojtarëve. Por sigurisht duhet gjithmonë të bësh më të mirën kur është një finale dhe po nuk luajte mund edhe ta pësosh. Javën që vjen fillojmë kampionatin kundër ekipit Halbank, kampion në fuqi.

Këtë vit kemi bërë një punë shumë të mirë. Do të shkojmë në Ankara për t’u paraqitur sa më mirë dhe pse jo t’i befasojmë. Pastaj do të luajmë në Kupat e Europës “Challenge Cup” ku në turin e parë do të përballemi me ekipin grek të Olimpiakosit. Kështu që këtë vit do të mundohemi të japim më të mirën si në kampionat, po ashtu edhe në Kupat e Europës, me shpresën që nuk duam të ndalemi me kaq”.

TIFOZËT

Husaj theksoi se një faktor plus në Kupën Ballkanike kanë qenë pa dyshim edhe prania e tifozëve vendës. “Mbështetje për këtë kupë sigurisht që kemi patur nga të gjithë fansat që kanë qenë të shumtë në numër në të gjitha ndeshjet që kemi bërë, gjithashtu edhe familja ime. Gjithmonë më ndjek në ndeshjet që unë luaj”. Në fund të prononcimit, Husaj ka edhe një dedikim special për fitoren e Kupës Ballkanike.

“Sigurisht medalja shkon direkt te goca ime që s’më lë vetëm asnjëherë”. Në sezonin e fundit të Ligës së Europës, Husaj ka qenë pikëshënuesi më i mirë i kombëtares shqiptare me 108 pikë të shënuara duke u klasifikuar në vend të katërt mes 87 volejbollistëve. Ndërkohë, në ndeshjen për vendin 3-4 të “BVA CUP”, fituese e medaljes së bronztë u shpall skuadra boshnjake, e cila mposhti atë serbe të Jedintsvo me rezultatin final 3-0 26-24, 25- 23, 25-17.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.